Data : 15 10 2018
KryeTitujt :

Musine Kokalari, gruaja që sfidoi kohën

Musine Kokalari, gruaja që sfidoi kohën

IMPRESION/ Musine Kokalari, nusja me shifon të zi
Mbresa nga filmi për disidenten e njohur.Me kësollet e Gjirokastrës u befasua edhe kronikani turk, Evlia Çelebia, që e quajti  “Qyteti i vajtimit”. Por shifoni i zi në kokën e Musinesë në atë moshë të re, nuk ka të bëjë me vajtimin si  tillë”Nusja me shifon të zi”… Kështu quhet filmi dedikuar disidentes së njohur, Musine Kokalari, imazhet e të cilit të mbeten gjatë në mendje. Një film që mbart një metaforë të fortë që në titullin e tiij, teksa e shfaq martiren me një shifon të zi, simboli i njohur i grave gjirokastrite për njerëzit e dashur që kanë humbur në këtë jetë. “Por shifoni i zi në kokën e Musinesë në atë moshë të re, nuk ka të bëjë me vajtimin dhe respektin e kujtimin e ndonjë të afërmi të saj të vdekur në atë kohë. Jo! Simbolika dhe metafora që perceptohet nga kjo foto dhe titulli i filmit “Nusja me shifon të zi” është një dhimbje tjetër, një padrejtësi, një ndëshkim i pamerituar për vajzën e re Musine, që në vend të vellos së bardhë në kokë të mbajë shifonin e zi”….

Nga Naxhi Kasoruho*

Vetëm pak kohë më parë, në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar u promovua premiera e filmit dokumentar “Nusja me shifon të zi” dedikuar intelektuales, disidentes, vajzës gjirokastrite, Musine Kokalari. Nisja, impresionuese…

Mbi ekranin e bardhë u shfaq titulli dhe portreti i Musine Kokalarit, me shifonin e zi në kokë, para mikrofonit dhe trupit gjykues në vitin 1946…

E kisha parë edhe herë të tjera këtë foto, por nuk isha impresionuar aq shumë sa tani. Nuk di pse m’u kujtua fëmijëria, kur kisha parë nëna e gra të veshura me të zeza dhe shifonin e zi, që fillonte nga balli ku mbulonte kokën, zbriste poshtë kurrizit dhe deri në bel. Shami koke ky shifon i zi i veçantë dhe unik në gjithë nënat e gratë e rajonit të Gjirokastrës dhe më gjerë, që anetë tona, të mirat deri në madhështi, e mbanin si shenjë zie për të nderuar njerëzit e tyre të dashur, që ishin larguar nga kjo botë dhe sidomos, kur ata ishin në moshë të re.

Me kësollet e Gjirokastrës është befasuar edhe kronikani turk Evlia Çelebia kur e vizitoi qytetin dhe e quajti “Qyteti i vajtimit”, mbasi siç thotë ai të dielën nuk mund të qëndrosh në qytet nga vajtimi i grave në gjithë lagjet, zhurmë kjo që vinte nga dritaret e hapura të çdo shtëpie. Por shifoni i zi në kokën e Musinesë në atë moshë të re, nuk ka të bëjë me vajtimin dhe respektin e kujtimin e ndonjë të afërmi të saj të vdekur në atë kohë. Jo! Simbolika dhe metafora që perceptohet nga kjo foto dhe titulli i filmit “Nusja me shifon të zi” është një dhimbje tjetër, një padrejtësi, një ndëshkim i pamerituar për vajzën e re Musine, që në vend të vellos së bardhë në kokë të mbajë shifonin e zi. Regjisori i talentuar, Ilirjan Lluri na solli në këtë dokumentar kështu në tërë hapësirën dhe dimensionin e saj jetën e kësaj vajze të re: “Nuse me shifon të zi” nga fëmijëria deri në fundin e jetës…. Në një skenar emocionues ky, i shkruar nga vetë regjisori dhe i komentuar me zërin e tij, duke e përjetësuar në këtë mënyrë Musinenë në celuloid, me tërë vërtetësinë e një jete që do të kalonte në kontraste befasuese dhe tallaze të dhimbshme, nga një fëmijëri e bukur, në ligjërimin e përrallave dhe ndodhive të “Nënos” plakë, tek një rrugëtim i mundshëm e tragjik në fund të jetës.

Për konceptimin e filmit regjisori përdori gjithë arsenalin e mundshëm dokumentar që ka grumbulluar. Si foto, dorëshkrime, libra e tregime nga të afërmit deri tek inskenime domethënëse që pasqyrojnë aspekte të ndryshme të jetës së heroinës në film. E sjell këtë material në film jo në mënyrë kronologjike siç ndodh zakonisht në monografi të tilla kur filmi fillon nga fëmijëria e deri në fund të jetës. Por në  strukturën e një “Moto perpeto”, në lëvizje të vazhdueshme duke u rrotulluar rreth “Nuses me shifon të zi”, filmi pasqyron vende dhe ngjarje, mosha të ndryshme, epoka e sisteme, shumëllojshmëri ngjyrash, që të mbajnë në një emocion të përhershëm nga sekonda e parë në minutën e fundit. Një mënyrë e të konceptuarit mjaft interesante, e cila të krijon gjendje emocionale dhe kontraktuese, duke kaluar nga një sekuencë tek tjetra.

Musine Kokalari paraqitet në film në mënyra të ndryshme, herë në minzanskena; ku si një fëmijë i vogël nxënëse në shkollën e vajzave të Gjirokastrës me mësuese intelektualen e shquar dhe personalitet i arsimit e femrës shqiptare, Urani Rumbo; ku si nuse e vogël me kurorë në kokë në mes të shoqeve, që këndojnë dhe kërcejnë të gëzuara. Më tej, kamera kalon nga Musineja e vogël, pranë nënës plakë në Universitetin e “La Piancës” në Romë, nga qelia e burgut në Burrel, tek dhoma e vetmuar ku jetonte në Rrëshen, nga foto me vëllezërit, deri në vendin bosh pranë një qiparizi në Rrëshen. Kjo lëvizje e kameras nga një plan në tjetrin, ku nuk mungojnë edhe pamje e pesisazhe befasuese nga Gjirokastra, ku qyteti i magjishëm herë paraqitet me çatitë e mbuluara nga bora e bardhë dhe herë në dritën vezulluese të diellit. Me ato çati me rrasa guri që duken si të argjendta, për të cilat jo më kot e quajnë Gjierokastrën edhe “flori”, e herë me pamje të gurgullimës së ujërave, që zbresin zhurmshëm në kalldrëmet tatëposhtë sokakëve në gjithë lagjet e qytetit. Këto emocione të fal filmi “Nusja me shifon të zi”, imazhet e të cilit të mbeten gjatë në mendje, edhe pasi e sheh atë…

*Mjeshtër i Madh

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :