Data : 14 12 2018
KryeTitujt :

Mos humbisni rastin se: “PLASËN” OFERTAT…

 

Mos humbisni rastin se: “PLASËN” OFERTAT…

thoma-goga

Nga Thoma Goga

 

Keni dëgjuar shprehjen e bukur të popullit: “Drutë e dimrit blihen në behar”?

Nga populli ynë i dashur, trim e kurrizpërkulur, kanë mësuar edhe biznesmenët tanë të trashur…
Donim të blinim ca gjëra që na duheshin në shtëpi, ca veshje që nuk i blinim dot në kohën e duhur. Atë ditë e lamë fshatin dhe punët e bujqësisë. E po, punët e bujqësisë nuk sosen kurrë. Mora gruan time të vetme, që na e ka ngjeshur rripin. Dhe s’ka faj; duhen shtrirë këmbët sa është jorgani. Rroftë sebepi që të dilnim edhe një herë andej nga kasabaja e madhe. Ne, xhepashqyerit, shikojmë ku është malli më i lirë. E populli nuk thot kot; “vetëm plëndësi është i lirë”.
Hymë në qytet. Të ikën tepeleku kur shikon dyqanet plot me mall e të mbushur me reklama. Po ja, shyqyr që janë ofertat. Në xhama kanë plasur posterat :“Bëjmë ulje deri 70 për qind”, “Të gjitha mallrat 50 për qind ulje”, “Bli 1, merr 2”, ose “Merr çfarë të duhet, paguaj sa të kesh” etj. etj. Po ku të shkonim më parë? Hajde dalim andej nga veshmbathjet. Sa hymë brenda kishte debat. Një klient me shitësen; hidh e prit.
– Nuk na del hesapi, – ankohej kjo e fundit,- taksat e larta, klientët janë larguar.
– Vetë e keni fajin, – ia ktheu klienti,- i kombinoni se dhe çmimet i keni të larta. Ngrini kanatjeret, ulni brekët…
Dolëm sa të “rregulloheshin” çmimet te ky dyqan. U futëm atje ku thuhej se kishte 70 për qind ulje.
– Qenka çmendur pronari këtu,- tha “ekonomistja” ime. – Ku është parë kjo?!
– Lëre grua,- ia prita. – Siç duket mendon për popullin…
Dhe i vuri syrin një palltoje me push brenda.
– Sa koston kjo?- pyetëm.
– 20 mijë lekë të reja.
– Po të ulim 70 për qind, i bie 6000 lekë – tha ime shoqe që s’ka nevojë për makinë llogaritëse. –Nuk qenka keq. Alamet pallto si jorgan. Këtë do e marrim.
– A jo, – kërceu shitësja,- këtë mall nuk e zë oferta.
– Siç duket ulja qenka për brekët…, – i futa një “bodec” unë dhe dolëm.
Kaluam në një dyqan tjetër. Në xham shkruhej: “Kërkojmë shitëse”. Hymë për të parë e për të marrë ndonjë gjë, po të na pëlqente.
– Më falni, të bëj një pyetje; – foli ime shoqe që është pa punë.- Kërkohet shitëse tjetër këtu dhe sa është paga?
– Jo moj xhane, – u përgjigj si me pikëllim shitësja.- Unë kam kërkuar rritje page dhe pronari ma zë gojën me atë që lexove në xham…
Vazhduam kështu nga një dyqan në tjetrin, nga një rrugicë në tjetrën. U futëm në një dyqan gjithë pasqyra. Edhe këtu klienti noksan debatonte me shitësen.
– Për mua, – thoshte klienti, – duhet shkruar “Bli një- vidh dy”. E them këtë se kam një çikë dorë…Kupton apo jo?
Tjetër mendje ky, thashë me vete dhe më shkoi fiqiri te ato “ofertat” gati qesharake. Nuk besoni ju, mo?! Ja fjala vjen, nuk duket qesharake tabela në një restorant: “Këtu buka është pa lekë”? Njerëzit e uritur nuk e dinin që pronari ua kishte “futur” te gjella. Ose ajo tabela tjetër edhe më e vjetër: “Sot me lekë, nesër pa lekë”. Kjo është aq e vjetër sa edhe vetë analfabetizmi. Kamerieri ua “këndonte” çdo ditë klientëve, po të nesërmen ajo tabelë prapë ashtu lexonte…
Nejse. Duke bredhur nëpër pazar edhe koha po kalonte. E deri sa të shkonim në fshat, na duhej një kafshatë bukë. Në një fasadë lokali lexuam me gërma të mëdha: “Bëje mirë, haje vetë”. Sipas parrullës duhet të jetë tip vetëshërbimi. Nga dera doli një burrë duke fshirë buzët.
– Ja grua, këtu do hamë ndonjë gjë shpejt e shpejt se s’kemi takat të shkojmë në fshat, – i thashë.
– Jo shpejt e shpejt. Këtu do ngopemi se rrallë vijmë në qytet, – ma ktheu “shefja” ime që siç duket do e shkundi portofolin. Po ç’e do. Ajo godina atje, me nder jush, ishte hale. Hëj tersllëk, thashë. Po ai burri që fshiu buzët, ç’të ketë ngrënë aty? Mbase atë që kishte bërë vetë…
Domosdo, e gjetëm edhe ne një “Mëngjesore”. “Mëngjesore” i thënçin se rri hapur edhe në drekë, edhe në darkë. Qofte, tym dhe era fasule gjithë ditën. Morëm diçka sa për thyer urinë. Me një fjalë, morëm aq “karburant” sa të shkonim në fshat. Duke ngrënë, e pyeta kamerierin jo pa ironi.
– Edhe këtu buka pa lekë është?
– Jo,- më tha djaloshi,- këtë ofertë e ka një lokal tjetër.
– Po ju, nuk keni ndonjë ofertë?- Ngava bisedën sa për muhabet.
– Ne kemi superofertë, po nuk bëjmë publicitet. Jemi modestë.
– E si është kjo “supa…” juaj? – bëra sikur nuk e dëgjova fjalën.
– Kemi falas një kruajtëse dhëmbësh…,- qeshi djaloshi.
– Ngrehu të ikim sa më shpejt, – i thashë gruas.- Po “e kruajmë” ca si shumë me këto ofertat…

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :