Data : 24 09 2018
KryeTitujt :

Mos e lini Lurën në dorë të barbarëve, zoti Kryeministër!

Letër e hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama

I nderuar zoti Kryeministër!

Puna juaj e lavëdërueshme në drejtim të kthimit në identitet të vlerave historiko-turistike, si një nga qasjet tuaja dhe të qeverisë që ju kryesoni ndaj trashëgimisë sonë kolektive dhe vlerave historike e kulturologjike, më shtyu t’iu shkruaj këtë letër të hapur, për të tërhequr vëmendjen tuaj ndaj një treve të harruar, me resurse historike dhe turistike të rralla, që e bëjnë një perlë jo vetëm shqiptare, por dhe ballkanike e evropiane. E kam fjalën për Lurën, një nga bukuritë më sharmante të natyrës shqiptare, por që për fat të keq ka mbetur në mëshirë të fatit, të sëpatës, të  zjarrit dhe braktisjes. Sot drejt Lurës nuk ka një rrugë normale për të shkuar vizitorët vendas e të huaj për tu takuar me një natyrë sharmante gjer në befje dhe me gjurmët e një historie të pazakontë.

Siç e dini, Lura është një nga vendbanimet më të vjetra të botës shqiptare dhe ndodhet në pjesën verilindore të malit “Kurora e Lurës”. (Kjo Kurorë magjepsesëse sot është përfshirë nga flakët e kësaj vere afrikane dhe nuk dihet se kur do të ketë të sosur ky makth).

Lura ka një natyrë të begatë që nuk duhet lënë në gjumë e aq më pak të masakrohet, siç po ndodh në këto vite të vështira tranzicioni të pafund. Ajo ka shumë për të treguar, jo vetëm pllaja e lëndina, liqene e përrenj ujëkulluar, lule e bimë mrekullore, shpend e kafshë që s’iu gjendet lloj tjetërkund, jo vetëm një natyrë të pasur e sugjestive gjer në klithje, por dhe rite e zakone, tradita e gjurmë historike, të denja për saga të vërteta qëndrese atdhetare. Por e gjitha kjo jo vetëm nuk po ka fatin të jetë një pasuri kombëtare e më gjërë, por po kryqëzohet nga barbaria e kësaj kohe të pa kohë.

Lura ka një natyrë dehëse, unike jo vetëm në veriun shqiptar, në krejt Shqipërinë, por dhe në Ballkan e Evropë. Me shtatë fshatrat secili më i bukur se tjetri (çuditërisht, tani që treva është shpopulluar dhe kanë mbetur vetëm 25 përqind e lurianëve janë bërë 10 fshatra), me 12 liqenet e saj si sy të zgjuar që nuk flejnë kurrë, me fushat e hazdisura nga bari dhe lulet, me lirishtet dhe livadhet piktoreskë, me drurët magjikë shekullorë, që duket sikur tregojnë me shushërimën e gjetheve dhe fletëve gjurmët e kohës dhe historisë, me florën e faunën magjepsëse, me Parkun Kombëtar që shtrihet në një sipërfaqe prej 1.300 hektarësh, mbi të gjitha me historinë e pasur në ngjarje e figura që vlen të rrëfehet e të shkruhet gjithmonë, me traditat unike, që e bëjnë mikun të ndihet mik e hasmin të mbrojtur nga çdo agresion, kjo trevë përbën më shumë se një ofertë turistike. Për fat të keq, një pjesë e konsiderueshme e kësaj pasurie gjigande po firon, ca nga sëpata e sharra, ca nga neglizhenca e harrimi, gjithësesi, i nderuar z. Kryeministër, po nuk u vu dorë, Lura shumë shpejt do të kthehet në një zonë të pabanueshme dhe pa asnjë mundësi, jo vetëm për vizitorët, por dhe për lurianët që ende qëndrojnë këtu.

Për Lurën kanë shkruar udhëtarë e njerëz të shquar, shqiptarë e të huaj, si Edit Durhan, Franc Bop, Han, Gjergj Fishta, Fan Noli, Dritëro Agolli, kanë shkelur dhe janë mahnitur me bukuritë e saj amabasdorë, shkrimtarë, piktorë, botanistë që e kanë pasqyruar atë në shënimet e tyre të udhëtimit. Lura i ka dhënë historisë kombëtare një ikonë të Pavarësisë, Dom Nikoll Kaçorrin, zv/kryeminisrin e të parës qeveri shqiptare, me të cilën krenohet gjithë Shqipëria.

Për shkak të kësaj trashëgimie, të gjitha rrugët duhet të të çonin në Lurë, por në fakt atje nuk të çon asnjë rrugë. Pasi vajtja në këtë strehë të magjisë së plotë, të dehjes pa kusht fizike e shpirtërore, është një tentativë sizifiane, gati e pamundur.  Udhëtimi drejt Lurës është një udhëtim drejt një parajse të pamundur.

Lura, me malet, ujëvarat, lirishtat, livadhe përrallore, liqenjt alpinë, Parkun Kombëtar të magjishëm dhe qindra vogëlsirat që të bashkuara përbëjnë një det të tallazitur emocionesh, duket si një oaz në gojën e një “përbindëshi” dhe këtë vështirësi shijimi ta krijon rruga e munguar, rruga e dëmtuar deri në asgjesim. Në Lurë nuk ka një qendër shëndetësore, shkolla vlen për të dëshiruar, shtëia e kulturës është rrënuar dhe kthyer në destinacione të mjera, nuk ka një vend çlodhje e argëtimi. Përveç ndonjë iniciative të vogël dhe të pa peshë të ndonjë luriani, shteti në Lurë nuk ekziston.

Rruga ka një çerek shekulli që pret dorën e shtetit, por kjo dorë e refuzon, siç ka refuzuar ruajtjen e pyjeve, ruajtjen e florës dhe faunës, përkrahjen e iniciativave private që kërkojnë të mbajnë gjallë vizionin e dikurshëm të Lurës perlë turistike dhe historike.

Lura nuk ka një dorë përkujdesje, përkundrazi me gjithë këtë zulmë ndaj saj, ajo është kthyer në një “bukuri që vret”, një bukuri që akuzon, sepse janë prerë e djegur masive të tëra me drurë nga më të shumëllojshmit, janë vrarë e po shkojnë drejt shfarosjes kafshët e shumta të pyjeve të Lurës, për shkak të gjuetarëve që vijnë nga larg, nga Tirana, Italia, Greqia dhe krejt Europa dhe duke gjuajtur pa kriter, pa leje dhe jashtë çdo logjike që çon në mbrojtjen dhe shtimin e kafshëve të egra, po e kthejnë këtë perlë gjigande të përkryerjes natyrore në një “tokë në të zezë”.  Lura, “kryeqyteti” i natyrës së kombit shqiptar, e përdorur për verim që nga koha e Aleksandërit të Madh, po kthehet në një rrënojë.

Mos e lini Lurën në dorë të barbarëve, zoti Kryeministër! Ajo duhet të përfshihet në projektin tuaj për rilindjen urbane pasi ajo është kryeqendër e një natyre mrekullore dhe kjo natyrë, me të gjithë aksesorët që të çojnë drejt saj, duhet të rikthehen në destinacionin e tyre të humbur…

 

Gëzim LOKA

0682656258

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit