Data : 27 05 2018
KryeTitujt :

Monografia/ Reshat Arbana: Me Sandër Prosin kujtoj…

 

Reshat Arbana: Me Sandër Prosin kujtoj…

Ka shumë raste që flasin për ndjenjat e tij njerëzore dhe emocionale.

Fundi i tij i trishtë i ka mbetur enigmë në shpirt. Çfarë njeriu! Aq sensual në role, aq mesdhetar, aq i skalitur bukur, sa të duket sikur atë person e gjeje rëndom në jetën e përditshme. Diti të shkrihej me rolet shqiptare, të skalitej aq bukur në kinema e teatër, sa nuk gjen dot fjalë për ta përshkruar veçantinë e tij. Kishin mbaruar xhirimet e filmit  “Nëntori i dytë” dhe po bënin dublimin e zërit. Gjendej ai dhe Sandri para mikrofonit, në studion e incizimit. Unaza e filmit filloi të xhirojë rrotull,  pa ndaluar. Ishte ardhja e Isait në Vlorë dhe pritja e tij nga Ismail bej.

Sandri duhet të thoshte:

-Mirëserdhe, Isa Boletini!

Ai do të përgjigjej:

- Të lumtë dora, Ismail Qemali!

I përqendruar në hapjen e gojës, për të kapur sinkronin, priste të fliste Sandri. Por hiç. Tekniku që incizonte  i mërzitur, ia kthen:

-Po, hë mor profesor,  fillo!..

Por, më kot…

Reshati kthehet nga Sandri. Ai ishte mbledhur kruspull mbi tapet dhe dridhej si kashtë në erë. Bebëzat i ishin errësuar si natë pa hënë dhe kraharori i brumbullinte si motor i zhurmshëm nga ngashërimet. Bëri vend pranë tij dhe e kundronte i çuditur. E dinte që aktori e kishte shpirtin si liqenet e Lurës. Herë të mbushur me zambakë, e herë të zhytur në terr. E ngriti nga krahët.  Sandri me zë të mekur, mezi shqiptoi:

-Po si nuk të pëlcet zemra more djalë, si ke frymë dhe flet?! A e kupton kush ishin ata?! Ata ishin vetë Shqipëria!

Unë tek e pashë atë moment atë skenë, diçka m’u këput së brendshmi dhe këmbët më lëshuan.

-Më fal, më fal profesor…!

Ishte një film epope, ku interpretoje heronjtë e mëdhenj shqiptarë, që kishin bërë histori. Nuk ishte e lehtë të mbaje peshën e atyre figurave historike. Pastaj, Sandri ka qenë gjithnjë njeri me një ndjeshmëri tjetër. I përjetonte rolet deri në ndjenjat më të holla.

Një rast tjetër, ka qenë kur i thirri Kujtim Çashku për të parë filmin “Dora e ngrohtë”. Ishte zakon që shfaqja e parë organizohej për familjarët e aktorëve që interpretonin në atë film…

Hynë në sallë. Sandri me gruan e tij ishin ulur përpara. Filloi filmi dhe kur erdhi një skenë e Reshatit me Margaritën e djalin, një skenë emocionuese dhe e realizuar bukur  nga ai, sheh Sandrin që  miratonte duke tundur kokën, siç bëjmë kur duam të vlerësojmë diçka. Me mbarimin e episodit, u kthye përgjysmë nga ai dhe e shoqja Drita, me shenjën e gishtërinjve mbledhur bashkë. I lëvizi ato disa herë poshtë e lart. Ishte një shenjë që nuk donte tekst. Ajo shenjë përkthehej:

-Bukur, shumë bukur, të lumtë!…Të lumtë!

Kur mbaroi shfaqja e filmit e uron dhe i thotë gruas së Reshatit:

-Do bëhet aktor i mirë ky burri yt…! Këtë fjalë e tha i madhi dhe  shqiptarndrituri Sandër Prosi.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit