Data : 22 05 2018
KryeTitujt :

“Mjeshtri i Madh” Kujtim Gjonaj: -Me grupin lab të Lapardhasë së Vlorës, dollia fillohej dha mbarohej me Enver Hoxhën

 

- Në vitin 1987 në Librazhd në shtëpinë e “Heroit të Punës Socialiste”, Osman Rreshkja, nuk gjetën asnjë kokër vezë

 

Albert Z. ZHOLI

 

Shiu e magjeps. Kur rigon qetë-qetë ka monotoninë dhe bukurinë e vet. Siç ka bukurinë e vet dhe kur është shi me tërsëllimë dhe ti je në shtrat apo pranë zjarrit dhe ai troket në llamarinë apo çati, me atë troshitjen të jep një ndjenjë dremitjeje, kënaqësie dhe qetësie të brendshme. Kur tërbohet e ulërin me shpërthimet gulçoze, që sjellin viktima e tragjedi njerëzore, atëherë të tremb dhe të krijon ndjenjë pasigurie. Ka bukurinë dhe trishtimin e këndshëm. Edhe dielli i këndshëm pranveror ka bukurinë e vet magjepsëse, po kur bëhet përvëlues të bën të vuash. Natyra ka kompensimet e veta. Është si jeta e njeriut, me gëzimet dhe hidhërimet e veta, kulmet dhe uljet. Ndaj stinët, fenomenet natyrore si shiu, breshëri, bora, tufanet, ngricat janë si jeta njerëzore. Shpesh njeriu e humbet këtë nocion kaq të fuqishëm dhe e harron.

 

Një ndër dëshirat e tij më të hershme ka qenë të udhëtonte.

Shqipërinë e njeh me pëllëmbë. Njeh të gjitha qytetet e Shqipërisë, ka shkelur në të gjitha rrethet, në të gjitha skajet. Vermoshi i largët me atë pranverën e vonë, ku çelin kumbullat dhe kthehet në një fshat piktoresk me lëndina të mbushura me një bar erëmirë. Vende-vende me njolla dëbore dhe, kur çelin lulet e bardha të kumbullave, krijohet një kënd marramendës dhe magjepsës. Të duket vetja sikur je në parajsë. Ky fshat i vogël në skajin më verior të çon më pas në Plavë dhe Guci, qytete alpinë me bukuri të mahnitshme. Plava ka dhe një liqen të bukur alpin. Nga skaji më verior, po të përshkosh tej për tej Shqipërinë, zbret poshtë në ekstremin jugor, në Konispol e pak më tutje, si kapërcen ca kodrina të vogla dhe të buta del në Qafë Botë, pikë lidhëse me tokat shqiptare matanë kufirit. Nga ashpërsia e relievit malor e të zhveshur vetëm pak kilometra më poshtë të shpaloset panorama magjepse e Sajadhës me detin që puth ëmbël bregun.

Konispoli në dimër është i shkretë dhe herë-herë të duket si i rrjepur dhe i ngrënë vende-vende. Por, sapo ngrohet moti dhe çelin lulet, merr një pamje tjetër dhe të duket si një oaz ngjyrash në shpatin e malit të zhveshur. Në skajin më lindor është fshati  i Pustecit buzë liqenit të Prespës, ose Mirasi siç i thonë, dhe më tutje ishulli i largët i Maligradit, ku ka një kishë të shekullit XVII, ku mund të shijosh pikturat e Onufrit. Ishulli i Maligradit me kishën e tij të hershme, të tërheq vëmendjen me pikturat ngjyra-ngjyra, të vizatuara brenda saj. E ka xhiruar këtë kishë në vitin e largët 1984, kur realizonte filmin “Arti shqiptar në Mesjetë”. Ndjeu kënaqësi dhe ruan mbresa të paharrueshme teksa filmonin dhe i vinin kishës rreth e qark me motobarkë. Nga Maligradi është hedhur në skajin më perëndimor, në ishullin e Sazanit ku kish shkuar për të bërë një reportazh për gazetën, e në qendër të shkrimit qenë marinarët e një nëndetëseje. Sazani është një ishull simpatik, një pikë turistike e mahnitshme…

Bukuritë e truallit shqiptar s’kanë të sosur.

 

Pra, ngado të shkosh ka perla të mahnitshme natyrore. E gjithë Shqipëria është e bukur por spikat lugina e Valbonës dhe lugina e lumit të Vjosës. Lugina e Vjosës ka dhe bukurinë e natyrës dhe historinë e të shkuarës. Është lumi më i bukur i Shqipërisë me ato zajet e bardha e ujin që rrëshqet i kaltër. Kurrë nuk turbullohet. Është një mrekulli. Atje ku buron  e quajnë Aosa, shtrohet në Konicë dhe kalon mrekullisht mes maleve të Jugut. Malet shqiptare pastaj janë madhështore, hijerënda, të mbushura me legjenda e mite. Në malet e Veriut kanë lindur legjenda të jashtëzakonshme të trimave shqiptarë me zana që flinin përrenjve. Malet e Veriut janë epike. I ka rastisur të shkojë në fshatra me bukuri mahnitëse që sot shumë prej këtyre mrekullive janë masakruar. Të veçanta janë livadhet e Hamzës apo pishat e Tuçit të Pukës, Lura, Gjinari, Lini, Dardha, Voskopoja. Dhe pa dyshim fshatrat e Tepelenës, Mezhgorani dhe Progonati, Luzati dhe Lekdushi. Janë të mrekullueshme. Janë fshatra të pastër me kalldrëm e portikë harkorë që tregojnë kulturë të lashtë. Bënça dhe lumi i saj me ujë të kristaltë. Dragoti buzë Vjosës, nga i cili ka origjinën dhe regjisori i madh, Sten Dragoti. Tepër të veçantë janë zona e Zagorisë dhe Lunxhërisë në Gjirokastër.

 

Zbori pas universitar dhe shoku nga Shkodra

Filmi dokumentar të jep avantazhin që kudo ku shkon për të xhiruar, gjen njerëz të veçantë. Para viteve ’90 njerëzit i prisnin krahëhapur me shumë dashuri e respekt. Kinostudio ka patur gjithnjë një emër shumë të madh dhe tepër të dashur për masat e gjera të njerëzve. Kështu, fakti që vinin nga kryeqyteti, fakti që ishin kineastë, fakti që vinin nga ky institucion i bënte të nderuar e të respektuar në masën e madhe të njerëzve.  I ndodh shpeshherë sot që është në moshë madhore të kalojë rrugës dhe ta ndalojnë njerëz. Nuk ka kënaqësi më të madhe se kjo. Ndien një ngrohtësi  brenda vetes dhe i duket sikur i kanë falur botën. Dhe e pyesin:

- Më mban mend?

Mundohet të hyjë në hullitë e kujtesës nëpër vite dhe të shtegtojë nëpër fshatra e qytete ku ka shkuar. Është e vështirë të kujtohet. Për një moment stepet.

- Pa dyshim që duhet të jesh miku im, deri sa më jep të njohur. Por unë… Më vjen keq me të vërtet. Po s’po kujtohem dot.

- Më ke xhiruar në minierë. Në Kurbnesh.

Atëherë truri fillon të kujtojë skenat. Jo shumë kohë më parë në rrjetet sociale i shkruante një i njohur i vjetër, Prekë Gjekaj: Ju shkruaj nga Shkodra. Po bëhen 47 vjet që nuk jemi pa, qysh nga zbori pas universitar, megjithëse si kino-regjisor të kemi ndjek në dokumentarë të filmave të ndryshëm… Keni mbetë një Kujtim i mirë, gjithmonë barabar, shumë i respektueshëm. Ju uroj ju dhe familjes suaj shnet dhe mbarësi.

Por sa mesazhe të tilla i vijnë çdo ditë, dhe ai ndjen kënaqësinë e njeriut që e duan dhe e respektojnë.

 

Në Kavajë me djalin tepelenas që punonte në fabrikën e qelqit

I ka ndodhur njëherë të ishte për një punë personale në Kavajë dhe hyn në një zyrë të shtetit. Dhe zyrtari i thotë:

- Zoti Kujtim, mirëserdhe!

Vret mendjen për ta lidhur me një imazh, këtë fytyrë.

- Nuk më mban mend?

- Për hir të së vërtetës, jo.

- Kemi të njëjtin emër.

Përsëri ngre supet i mërzitur.

- Mundohu ta gjesh. Quhem Kujtim. Jemi në Kavajë. Çfarë ke xhiruar këtu.

Dhe mendja e çoi tek ai djalë që dikur ishte i dalluar dhe punonte në fabrikën e qelqit. E veçanta e tij ishte se vërtet ishte djalë Kavaje, por me origjinë nga Tepelena.

 

Në Kinostudio

Rreth viteve 2000, kur ishte drejtor në Kinostudio i troket dikush në derë.

- Hyr!

Dhe pret me kureshtje nga dera, ku bën ballë një djalë rreth të tridhjetave.

- Përshëndetje!

Ai mundohet të depërtojë në kujtesë të viteve.

- Nuk më mban mend?

- Jo. Nuk të mbaj mend dhe nuk të njoh,  se ti je shumë më i ri sesa unë.

- Unë jam i tremilionti.

Kujtimi qesh. Atëherë i kujtohet që ai ishte fëmija që shënoi numrin tre milionë dhe ai e ka xhiruar në vitin 1986. Dhe ishte nga Memaliaj. Pra, ka shumë episode të kësaj natyre kur të takojnë, të përgëzojnë, të respektojnë dhe kjo përbën atë që ne e quajmë ngrohtësi njerëzore. Disa tipare i shqiptarët i kanë me të vërtet të mira. Sidomos,  vullnetin për të shprehur dëshirën dhe dashurinë për të pritur sa më mirë mikun. Është tipar dallues që e vlerësojnë dhe të huajt, që nga Edith Durham e deri më sot.

 

Në vitin 1987 në Librazhd me “Hero i Punës Socialiste”, Osman Rreshkja

Xhironin në vitin 1987 në Librazhd, një brigadë druvarësh, ku dallohej përgjegjësi i tyre që ishte “Hero i Punës Socialiste”. Osman Rreshkja quhej, një burrë paksa i shkurtër, por truplidhur. Kur mbaruan filmimet, ai donte t’i sajdiste në shtëpi, dhe ata nuk ia prishën qejfin. Ç’të shohin atje! Gjejnë një banesë të varfër me shtatë fëmijë. Me mendje thoshte: “Bo bo sa turp! Çdo t’i rrimë për darkë ne, këtij ditëziu! I rroftë titulli Hero.” Mjerimi kishte hedhur rrënjë në familjen e tij. Donte të ngrihej, dhe të largohej me gjithë grupin, por një ndjenjë turpi, se mos e mërziste të zotin e shtëpisë e mbante lidhur. Kurrë nuk i shqitet nga mendja ai mjerim në fshatin Babie të Librazhdit, në shtëpinë e atij burri të nderuar, Osman Rreshka, që për ironi të fatit, mbante titullin “Hero i Punës Socialiste”. Ishin vitet e krizës së tejskajshme në Shqipëri. Aty i ka mbetur kafshata e bukës në fyt. Bënë kortezinë dhe e falënderuan me gjithë shpirt atë njeri të madh.

 

Me grupin e famshëm të Lapardhasë së Vlorës

Xhironin grupin e famshëm të Lapardhasë së Vlorës që ka një repertor të mahnitshëm duke nisur nga kënga “Janinës çi panë sytë” e shumë këngë të tjera. Djem të shkëlqyer, këngëtarë brilant. Shtatë zëra që ishin mahnitës. Duke imituar në mënyrë perfekte instrumentet muzikore. Dhe Nazifi, solisti kryesor i fton në shtëpi. Kaluan lumin Shushicë me mushkat që i sollën dhe hipën lart në fshat. Një pritje madhështore. Por që kishte dhe nuancat e zonës. Dhe filluan të pinin nga një gotë raki. Problemi filloi kur duhet të ngrinin dolli për partinë dhe shokun Enver. Dhe i thonë:

- Hajde ta pimë këtë për partinë me fund!

Dhe pinë. Përsëri dollia vijonte… Të kam gjetur… Më ke gjetur

- Për shokun Enver! – i tha Fetiu, organizatori i grupit.

Dikur i qe zotuar vetes, që mos kthente kurrë më shumë se dy-tre kupa raki.

- Me fund, – foli një nga këngëtarët.

E vështroi gjatë të riun. Ata pothuajse qenë të gjithë djem të rinj, jo më shumë se 20-25 vjeçarë, dhe rakinë e tërhiqnin po aq mirë sa ia thoshin dhe këngës.

- Me fund! – foli përsëri dollibashi. – Ta pimë me fund!

- Unë nuk e pi dot!

- Do ta pish!… Për shokun Enver!

Zakone burrërore, por primitive. Fillonte shëndeti nga regjisori, grupi, familjet e tyre dhe shkonte te partia, Enveri dhe përsëri përfundonte te shoferi i grupit. Kush e mbante, e mbante. Por, rakia, raki është e shkreta, dhe avujt e alkoolit bëjnë punën e tyre. Ai këtë e dinte mirë dhe mundohej të ruhej.

Historitë me dollira, përsëriteshin shpesh nëpër ekspeditat e filmave… Dhe kush nuk e pinte dollinë, largqoftë, në dehje e sipër mund ta cilësonin edhe armik të partisë. Ishte normale të deheshe në atë kohë me “shëndetin e partisë”. Sot këto tingëllojnë absurde dhe qesharake.

 

Në Dukat të vjetër të Vlorës me filmin “Këshilltarët”

Xhironin në Dukat të vjetër të Vlorës filmin “Këshilltarët”. Ishin popull i vuajtur, me plot halle, por mikpritës. Qëlloi kur financieri po shpërndante shpërblimet për figurantët. Dhe vjen një mesoburrë.

- Po mua, pse s’ma ke shënuar emrin?

- Ti, nuk ishe sot figurant. Nuk pranove. Nuk dua të vishem ballist, – the.

- Eh de, ashtu thashë! Dhe nuk mora pjesë. Por, në fund të kolonës me kafshët ngarkuar me trarë, ishte gomari im.

Të gjithë qeshën. Shprehja “Dua lekët e gomarit tim”, u bë burim gazi  dhe hareje në grupin e filmit.

Dukati i vjetër, si fshat malor, njihej për arrat e shumta, mes shumë pemëve të tjera frutore. Ishte në të mbyllur viti 1978, dhe xhirimet pothuajse po përfundonin. Xhezairi, vërtet po e punonte me shumë dëshirë e pasion filmin, dhe gjithë grupi kryesor e ndihmonte maksimalisht. Meqë viti i ri po afronte, dikush kish porositur një sasi arrash për gjithë grupin. Po realizohej një skenë nga më të arrirat dhe më të spikaturat e filmit. Ishte momenti kur Murat Bënçës, kryetarit të këshillit nacionalçlirimtar, po i sillnin birin e vrarë në luftë. Murat Bënça, një interpretim brilant i Kadri Roshit, me dhembje në shpirt e trishtim, por krenar pret vigun me të vrarin. Është një skenë prekëse, ku të gjithë aktorët kishin hyrë në gjendjen interpretative më të mirë të tyre. Shokët me vig në krah zbresin nga monopati poshtë. Dhe kishin përgatitur një skenë madhështore me një karrel që rrëshqiste nëpër shina. Kadri Roshi, një aktor i përmasave gjigande, një aktor që nuk e sheh dy herë njëlloj në një film, kish hyrë në atë gjendjen e tij delirante artistike që vetëm Kadriu dinte ta gdhendte aq bukur emocionalisht. Dhe po xhirohej një plan me karrel 40 -50 metra i gjatë,  me portrete. Frynte dhe një erë e lehtë, e sajuar nga teknika. Flokët e thinjura të Kadriut shpupuriteshin e kreshpëroheshin nga era… Një portret madhështor.  Dhe në momentin kur ai ishte mbarsur për të thënë:

- Djali, na humbi. Të rrojnë shokët dhe miqtë! (Karreli  rrëshqiste ngadalë mbi shina dhe Roshi, operatori duke mbajtur gjithnjë në fokus portretin e emocionuar të Kadriut, ndiqte me shumë vëmendje gjithë planin e gjatë) si një bubullimë në qiellin pa re u dëgjua një britmë:

- Po vijnë arrët!

Një moment qetësie dhe pas një çasti një komandë.

- Stop!

Kadriu u nxi në fytyrë. Regjisori ngriti kokën i habitur. Grupi u pështjellua. Dhe për një çast në portretin e mbarsur me emocione të aktorit të madh, zuri vend inati:

- Hajvani, tani e gjeti të thotë Stop!

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit