Data : 15 12 2018
KryeTitujt :

-MENDJEMADHËSIA- Ese nga Pirro Loli

-MENDJEMADHËSIA-
Ese nga Pirro Loli

pirro

Në mirëkuptim me lexuesin duhet sqaruar pozicioni etiko-moral i shkrimtarit, duhen kapërcyer dy hije, mendjemadhësia dhe modestia false. Më i miri mjet është ai pa poza e maska.
… janë të përpikta lëkurët e njeriut në gardërobë,/ nga e para deri tek e shtata/. Lëkurë të trasha, të rrëshqitshme, të papërshkueshme nga shigjetat, ngjarjet../.
Unë do ta zhvesh në heshtje lëkurën time,/ do ta var në pemë ta hanë mizat/ dhe le të mbetem mish i freskët/ me dhimbjen lakuriq./ E prushtë dhimbja le të shkumëzojë në mua/ dhe le ta djegë palcën e gurit./ …Që ju të ma mbërtheni kryqin e Krishtit/. Mbi shpatulla të mbaj peshën e qiellit/ që më takon.
Poeti është idealist. Naiv si fëmijë, i urtë si filozof dhe i egër si gjeneral; ai karakterizohet nga entuziazmi (nga greqishtja – hyu që është brenda nesh); më së shumti, shkrimtari entuziazmohet për shkrimtarët e mëdhenj; kjo i pengon të jenë vetjakë, sepse ata e kanë të vështirë të flasin për vete (Megjithëse, kudo e kurdoherë, ka ca tipa që e bëjnë gjoksin gropë e të zemërohen nëse nuk i krahason me majat e Himalajës. Gjene çka! Edhe masturbimi, thonë se është kënaqësi seksuale).
Po ne thamë t’i heqim maskat. Të urtët, më thonë se çasti më i lartë i njeriut është ai kur njeriu gjunjëzohet në pluhur, kur godet gjoksin e tij dhe shpalos të gjitha mëkatet e jetës së vet. Ky është rrëfimi. Ose gjyqi i fundit. Gjyqi i fundit për shkrimtarët është sinqeriteti , lakuriqësia.
Çdo njeri e ka një zë (jo zëra) dhe çdo njeri mund të këndojë (si e qysh, të vlerësojnë të tjerët). Njeriu duhet vlerësuar për atë pakogjë që e ka të veten, origjinale, (le të jetë çikërrimë, ama është e imja).
Projektet e mëdha e zgjidhja e problemeve të shoqërisë me anë të letërsisë e artit janë poza groteske mburravecësh, që tymosin si tece ekologjikë. Më kuptoni,: është një ëndje paranojake të flasësh për veten, për të mos i thënë sëmundje a narcizizëm. Po lehtësohemi pak, kur kujtojmë që talente të mëdha në piktura, si Rembrandi, Salvador Dalia apo Van Gogu etj., kanë bërë shumë herë autoportrete si kryevepra e, gjithashtu, shumë shkrimtarë, poetë, filozofë e shkencëtarë.
Kam shkruar prozë, poezi dhe ese; jam marrë paksa edhe me të mëdhenj si Eskili, Sofokliu, Kazanzaqi, Servantesi, Kafka, Xhojsi, Pesoa, etj. Nga “populli” e lexuesit e rëndomtë që mbushin bisedat, s’kam dëgjuar asnjë fjalë për këto; por vetëm llaf-luf për ndonjë vogëlimë nëpër gazeta. (Nuk paragjykoj lexuesin por kundërshtoj paragjykimet.)
Njërin, rastisa dhe e dëgjova me vëmendje (ishim nja dhjetë burra në bisedë, në një ngushëllim). Kompetenti fliste si e ëma e Zeqos majë thanës. Fliste për thanë të kuqe… natyrisht..
-Zotëri, – i thashë në fund, – ç’ profesion keni?
-Mekanik, – tha.
-Atëherë, do bënit mirë të flisnit për hekura, jo për art. Sepse arti nuk ha gozhdë dhe nuk saldohet.
M’u revoltua.
-Unë jam popull, – tha, – ti je mendjemadh, ashtu si shkruan. Ti duhet të dëgjosh popullin.
-Po mirë, o popull,- i thashë, – më mirë mendjemadh si unë apo mendjevogël si ti ?
Poeti e artisti shpesh viktimizohet nga opinionet pozitive ose negative, ashtu qenie e dobët, e brishtë, si kulpër e ai që të vetmen armë ka fjalën, shpesh nuk ka gojë të mbrojë veten. Se populli ashtu e kështu … Shtëpia që ndërton shkrimtari, diku veç në brinjë, ndërtohet për të zezën e vet, se ashtu, në sy të popullit, populli është i prirë të marrë fytyrën e tiranit dhe lehtësisht të fyen e të përbalt si tirani, pa e kuptuar se pse.

Nuk është mendjemadhësi të pohosh se shkrimtari e artisti ka nevojë për t’u krahasuar. Ashtu i heshtur në heshtjen e vet, i vetmuar e i izoluar, shpellar në shpellën e tij, askush nuk e di ç’është e si është. Po të mos ishte bredhi, unë do të isha shtatlartë. Vetëm dashuria është kryevepër, sepse ajo nuk krahasohet me tjetrën e tjetrit… nga veprat e tjera asnjë nuk është kryevepër. Na duhet krahasimi me të mëdhenjtë për të kuptuar sa të vegjël jemi. Ka dhe tek ne servilë e që pa e merituar shruajnë me superlativa. Ka dhe ndonjë nga ne që ia hipën kalit sëprapthi dhe kujton se librat i ka kryevepra.
Sidoqoftë, duhet bërë kujdes dhe kur na shajnë. Shembull janë spanjollët. Ata, edhe Shën Mërinë kur e shajnë, e kanë inat vetëm se nuk është nga lagjja e tyre. Dhe e shajnë me dashuri. Kështu duhen sharë (kritikuar) dhe të mëdhenjtë tanë. Me dashuri.
Problemi nuk ka të bëjë me keqkuptimin ose fare me moskuptime, por ka të bëjë me pozicionin e shkrimtarit. Opinioni i popullit e percepton atë nën vete, madje qenie shërbyese të dobët, poligon qitjeje në edukimin e popullit, dhe më keq, të shtetit a partisë (koncepti marksist). Historia e letërsisë sonë njeh dhe skajet poshtëruese, nëpër këmbët populiste e zyrtare por edhe
: …Dale, prit!
Kaloi Floberi e tha se donte të ishte Zoti në gjithësi; Luçiano Pavaroti tha se zëri i tij vjen që sipërmi nga Hyjnia; kaloi Uitmani e tha: “Jam Uitmani i madh, o Amerikë”. Ezra Paund e tha shkurt: “Unë jam Ezra”. Njëlloj sikur të thoshte: “Unë jam presidenti”. Majakovski, atë vit që vrau veten deklaroi: “Këtu, në këtë vend, do ndërtoni monumentin tim” (Në fakt, ia ndërtuan njëqind metra më tutje). Mendjemadhi modest, Ernesto Sabato i tha lexuesit: “Ty të urrej, o fundërrinë!”

Kokulur Fransis Ponge u tha shkrimtarëve të mëdhenj; “Unë ju njoh juve një vend brenda vetes. Kaq. Më mjafton të mos jem tjetër, veç vetvetja.”Shkon e vjen i heshtur miku im poeti i talentuar, Stefan Martiko e thotë: “Më duhen lartësitë (majat) për të matur shkurtësinë time, ose për të zgjatur litarin e ëndrrës”. E të tjera e të tjera, por asnjëri prej tyre nuk është akuzuar si mendjemadhi a egoisti, madje, përkundrazi, kjo për ta është quajtur virtyt e nga gjithkush në botë, që merret me letërsi, është përdorur si vlerë. Në opinionin tonë, mendjemadhësia është e vështirë të tejkalohet lehtë; duhet patjetër të pozicionohesh në një nivel superior ontologjik, përmbi opinionet, i gjori shkrimtar duhet të heshtë, ose të mos përfillë njeri.
Aparencat masoviste, pseudodemokratike të tipit Agolli s’të çojnë gjëkundi. Letërsia nuk duhet të flasë me gjuhën e popullit, përkundrazi, populli duhet të vijë në nivelin e gjuhës së letërsisë. Estetika është nëna e etikës, jo e kundërta… moralet venë e vinë e bukura mbetet. Dhe unë anoj nga ata artistë si Dostojevski që tha: “Bukuria e shpëton botën”ose Metju Arnoldi: “Mos ma kini frikën, mua më shpëton poezia”.
* * *
Shfaqjet e mburrjeve dhe të mendjemadhësive janë dukuri të pasigurisë. Dua të dukem. Jam apo s’jam. Shqiptari (edhe shkrimtari shqiptar) e shikon veten gjithmonë andej nga fillimi i rreshtit; ndërthuren këtu talenti e sedra, nderi e turpi e fama e të gjitha bashkë japin një pelerinë të jashtme dukjeje, zakonin dhe krenarinë për të mbuluar thelbin ose atë që na mungon, talentin ose vetveten e vogël…
E meta jonë është se në rrugën e drejtë për të gjetur vetveten hidhemi matanë, në grup, domethënë, tek ekzistenca relative, kondicionimi zakonor e, kur zakoni tradicional shoqëroro-miqesor bëhet institucion vlerësimi e penalizimi, atëherë vetëgjyqësia e përjashton vetveten dhe qenien. Për të dalë në publik, ky lloj e mbulon individualitetin, gardëroba jonë është plot e përplot me pelerina publike, me atë veshje të njëjtë që nuk pranon të çlirohet e të shpjegohet.
Poeti i vogël (ose çdo talent i vogël në çdo fushë) pelerinën e kërkon moderne e më të madhe. Mburrja është ndjenjë njerëzore si çdo ves. Për rastin, poeti i vogël, si bleta që fluturon për herë të parë, mendon se e dërgon polenin e vet nëpër yje. Ai s’është i kënaqur me atë çikë polen që përpunon për kosheren e tij në kopsht… Jo, jo! e kemi fjalën për polenin e të voglit, që “ i mbath yjet me mjaltë”…I vogli paguan fasadën e respektueshmërisë. Ai kërkon të imponohet, të kënaqet me vitrinën, protagonistin e festës, përkëdhelinë e ditës, duke respektuar kështu ekzistencën e tij banale. Oxhaqet e vogla tymosin shumë. Bëjnë “reklamë të madhe”…
Dhe ti, që i je futur betejës së lavdishme të fjalës, duhet të kuptosh një gjë fare të thjeshtë: Ti do të jesh viktima e vetvetes, sepse bota e ndjenjave e ka shumë të lehtë vetësakrifikimin suprem. Tani, kërkoj një mirkuptim:
Ma lejoni një pozë në epilog: Mund të mënjanoheni pak. Po kaloj unë…

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :