Data : 20 05 2018
KryeTitujt :

Me ne, Shoqëria bëhet edhe më e mirë…

 

 

-      Në Ditën Kombëtare të Jetimëve –

(Fotoreportazh)

Olta Veli

OIshte një  ditë krejt e veçantë 20 Maji i këtij viti. Në Ditën Kombëtare të Jetimëve, nën kujdesin dhe organizimin e z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, u ndodhën në Prishtinë fëmijë jetimë nga Shqipëria dhe Kosova, të shoqëruar nga mësues dhe drejtues të qendrave të ndrshme për t’u takuar me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës. Qëllimi i këtij takimi ishte nisma e marrë nga ky Institut për të kremtuar së bashku një datë të përbashkët për fëmijët jetimë të Shqipërisë dhe Kosovës, që Dita e 20 Majit të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës si datë përkujtimore në mbrojtje të interesave të jetimëve të këtyre dy shteteve.

Me synimin e vetëm për të sensibilizuar parlamentarët dhe qeveritë e dy vendeve tona, soqërinë në përgjithësi dhe resurset sociale, për të menduar seriozisht e fuqimisht në të gjitha aspektet e veprimtarisë që synojnë trajtimin sa më të mirë dhe integrimin e kësaj pjese delikate dhe të konsiderueshme në nevojë, që i përket gjithë shoqërisë.

Ndalesa e parë ishte në Ministrinë e Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës, ku u njohëm me ecurinë e punës mësimore në Kosovë dhe përkrahjen që ju bën shteti fëmijëve jetimë në Kosovë. Atje shkëmbyem eksperienca dypalëshe,  reciproke dhe integruese për këta fëmijë.

Shumë emocionuese për të gjithë pjesëmarrësit ishte kur fëmijët jetimë, të gjithë sa bashku nga Shqipëria dhe Kosova, u bashkuan dhe u futën në sallën e Parlamentit të Kosovës. U ulën të gjithë në ndenjëset e deputetëve, ku në bazë të një skenari të bukurndërtuar zhvilluan edhe një seancë parlamentare. Nëpërmjet fjalës që mbajtën si deputetë të improvizuar, fëmijët jetimë me tënjëjtin uniforme, bluza të bardha ku spikaste slogan e veprimtarisë “Me ne, shoqëria bëhet edhe më e mire”, ata shprehën kërkesat, propozimet dhe idetë e tyre, për të patur mbështetjen e plotë nga institucionet, dhe për të bërë realitet ëndrrat e tyre.

E rëndësishme ishte që pikërisht aty, në parlamentin e fëmijëve, gjeti mbështetje nisma e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë për të fiksuar si datë e përbashkët për fëmijët jetimë të dy vëndeve tona, që 20 Maji të jetë një ditë kujtese dhe apeli per jetimët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Pasi fëmijët diskutuan me shumë kulturë dhe qytetari, duke treguar  një nivel të lartë të debatit ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim tek të rriturit, në fund të kësaj seance,  përshëndeti dhe siguroi mbështetjen vet Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës Prof. Dr Arsim Bajrami. Shumë e ngrohtë, emocionale dhe miqësore ishte edhe fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë të Shqipërisë z. Ilir Çumanit, i cili është ideatori dhe nismëtari që jetësoi para 15 viteve që 20 Maji, të vendosej në Shqipëri si  “Dita Kombëtare e Jetimëve”. Në këtë ceremoni, mjaft domëthënëse ishte pjesëmarrja dhe fjala përshëndetëse e Kryegjyshit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashijnve, Hirësia e Tij, Dede Edmond Brahimaj, i cili me fjalë prekëse dhe atërore apeloi qeveritë e dy vëndeve tona, për të rritur vëmëndjen dhe kujdesin për këtë kategori të dobët të shoqërisë, siç janë jetimët.

Ishte një emocion i veçantë dhe i paharruar për secilin prej fëmijëve, që do ta mbajnë në kujtesë gjatë këtë seancë parlamentare, me praninë dhe fjalën e tyre.

Kjo nismë duhet të vazhdojë si një traditë e bukur për të bërë sa më të ndjeshme dhe të interesuara të gjitha institucionet, shtetin dhe çdo anëtar të shoqërisë, të dy vendeve, me synimin për të patur gjithmonë vëmendjen, duke e konsideruar ndihmën ndaj fëmijëve, jo vetëm si institucion bamirësie, por së pari  për  ti mbrojtur e ndihmuar përmes ndihmës së shtetit, për t’i integruar sa më mirë në shoqërinë shqiptare, për të mos u prekur nga cenet dhe plagët e sotme sociale, sepse këtë shtresë të brezit të ri mund t’a vrasin më rëndë.

Thelbësore është ndihma sa më e madhe e personaliteteteve të shquara të vendeve tona, e njerëzve pasionantë që nuk kursejnë asgjë për jetimët.

Një atmosferë tepër e ngrohtë dhe vëllazërore u krijua në sallën e Kuqe të aktiviteteve që pasuan për tre ditë radhazi në Pallatin e Rinisë të Prishtinës, veçanërisht kur fëmijët pasi dolën nga salla e parlamentit, ditën e nesërme ata organizuan të Parën Olimpiadë Ndërkombëtare mes fëmijëve jetimë të Shqipërisë dhe Kosovës.  Të gjithë së bashku morën pjesë në një olimpiadë, ku u përballën dhe shpalosën njohuritë, dijet, vlerat e tyre në fusha të ndryshme si në krijimtari,  interpretim, pikturë, këngë, valle, balet etj. Ajo që ra në sy dhe spikati,  ishte përgatitja me nivel të lartë në konkursin në degët e historisë gjeografisë, të drejtat e fëmijëve, organizatat ndërkombëtare etj. Në këtë aktivitet u ndanë çmime, u bënë vlerësime, u duartrokitën dhe gjithçka shkoi bukur, hijshëm e plot dashuri.

Me siguri, nga këta fëmijë që morrën pjesë në këtë veprimtari të 20 majit, “Ditës Kombëtare të Jetimëve”, por dhe nga bashkëmoshatarët e tyre do të lindin pse jo mjekë, për një vend të shëndetshëm, inxhinierë, për një vend të bukur e të pastër, sportistë të cilët do të n’a bëjnë të ndihemi krenarë në botë dhe pse jo edhe politikanë, të cilët do t’a bëjnë edhe më mirë Kosovën dhe Shqipërinë, si dy vende dinjitoze me standarte evropiane, me shpresën për një të ardhme më të sigurt dhe më të bukur.

 

 

 

 

DISKUTIMI NË PARLAMENTIN E KOSOVËS

Nëse nganjëherë të varfërit vuajnë nga uria, kjo nuk do të thotë që Zoti nuk kujdeset për ta, por që unë dhe ju nuk kemi dhënë, pasi nuk kemi qenë një instrument dashurie në duart e Tij për t’u çuar atyre bukën dhe veshjen e nevojshme, pasi nuk kemi dalluar Zotin kur ka ardhur sërisht i veshur në mënyrë mjerane nën petkun e njeriut të uritur,të njeriut të vetmuar, të fëmijës pa shtëpi dhe në kërkim të një strehe. Jetojmë në një botë që vuan nga uria. Jo vetëm nga uria për një copë bukë. Por edhe nga uria për dashuri. Ka njerëz, të cilët ndjehen të padëshiruar, të papërfillur, të harruar, të lënë pasdore. Ndërkaq ne jemi tepër të zënë, aq sa nuk kemi kohë t’i buzëqeshim njëri-tjetrit… O Zot! Mësoma më shumë dashurinë!

Keto jane disa nga fjalet testamentare te lena nga nena e madhe e njerezimit, Shen Tereza.

Kryetari i Seancës hap diskutimin

 

1. Nisur nga nevoja urgjente për integrimin e një numri të konsiderueshëm të fëmijëve në nevojë, pa përkrahje ekonomike, sociale e familjare, që aktualisht ndodhen në mbarë territorin e Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë, të fëmijëve jetimë pa përkrahje, fëmijëve të braktisur, fëmijëve romë, atyre të situatës në rrugë, fëmijëve jetimë të policëve të rënë në detyrë, apo të mbetur të tillë nga fenomeni i gjakmarrjes, e gjykuam me vend të mblidhemi sërish bashkarisht në këtë seancë të pazakontë parlamentare, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veseli,  Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë së Kosovës, Prof. Dr. Arsim Bajrami dhe të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

 

Me synimin e vetëm për të sensibilizuar parlamentarët dhe qeveritë e dy vëndeve tona, shoqërinë në përgjithësi, mbarë shqiptarët kudo që ata janë, për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat, mundësitë dhe resurset sociale, dhe për të menduar seriozisht e fuqimisht në të gjitha aspektet e veprimtarisë që synojnë trajtimin sa më të mirë dhe integrimin e kësaj pjese delikate dhe të konsiderueshme në nevojë, që i përket të gjithë shoqërisë.

Ftoj secilin prej jush të marrë fjalën. Mirëpresim diskutimet tuaja. Seanca konsiderohet e hapur.  Kush e do fjalën….!?

 

2 - Së pari do të falenderoja Kryetarin e Kuvendit të Republikës se Kosovës z. Kadri Veseli, i cili na hapi dyert e ketij parlamenti ne kete dite te shenuar per ne.

Por, nje falenderim te veçantë te dashur kolegë shkon sot per nje mik shume te mirë të bonjakëve.  Ai eshte  këtu ne mes nesh. Është Ministri i Arsimit, Shkences dhe Teknologjise te Republikes se Kosoves z. Arsim Bajrami, i cili na e dha mundësinë dhe mbështetjen e tij për realizimin e këtij takimi krejt të veçantë,  duke na mbeshtetur te gjithë ne femijeve bonjake, ketej dhe andej kufirit ne organizimin e te parës olimpiade nderkombetare  te dijes dhe kultures,  me pjesmarrjen e femijeve bonjake te Shqiperise dhe Kosovës.

Por, mos harroni të dashur koleg se, një falënderim  dhe mirenjohje e madhe shkon sot edhe për një njeri  krej të veçantë për ne fëmijët bonjakë. Ai tashmë është kthyer në simbol i shpresës, i humanizmit dhe i kurajos për të gjithë ne, sepse ka një jetë të tërë që i është përkushtuar kauzës tonë, të drejtave tona,  duke punuar fort që jetimët të ndjehen të vlerësuar dhe të sigurt, si pjese e barabartë e shoqërisë. Ai  të nderuar koleg, është z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptar. Mirënjohje pafund këtij Njeriu me zemër të madhe.

Uroj që kjo nisme si kjo e sotmja, të vazhdojë si një traditë e bukur, për të bërë sa më të ndjeshme dhe njëkohësisht të interesuara te gjitha  institucionet, shtetin dhe çdo anëtar të shoqërive të dy vëndeve tona, me synimin për të na patur gjithmonë në vëmendje, ashtu si e thotë një fjalë e urtë e popullit: “si drita e syve”.

Me lejoni te dashur koleg, t’ju kujtoj fjalët e çmuara që na ka lënë të gjithëve ne, miku dhe shkrimtari i madh i fëmijëve xhaxhi Bedri Dedja. Ai ka thënë:

 “….Unë e konsideroj ndihmën ndaj fëmijëve jetimë jo vetëm si Institucion i Bamirësisë për t’i mbrojtur ata me ndihmën e shtetit; por edhe për t’i integruar sa më mirë në shoqërine shqiptare, për t’i mbrojtur nga cenet e plagët e sotme sociale, të cilat këtë shtresë të brezit të ri mund ta vrasin edhe më rëndë…

Thelbësore, është ndihma e sa më shumë personaliteteve të shquara të vendit tonë; e njerëzve pasionantë që nuk kursejnë asgjë për jetimët; për këtë shtresë që duhet të na ngjajë me qerpikët e syve të shoqërisë…”

 

Ja, ky është amaneti që ka lënë miku dhe shkrimtari ynë i dashur.

Edhe njëherë faleminderit!

Mirënjohje e respekt nga ne fëmijët në nevojë për këtë figurë të madhe të arsimit dhe të dijes,  i cili ka dhënë aq shumë për botën e fëmijëve në përgjithësi.

 

3-Te nderuar kolegë!

Perpara se te vazhdoj kjo seance me propozimet tuaja, une do te deshiroja qe te duartrokisja cdo femije ne nevoje qe ben perpjekje per te qene konkurues, me personalitet, kurajoz dhe i forte, per te dal fitues ne jete. Diten e sotme me informuan per nje olimpiade qe do te zhvillohet nga femijet bonjak te Kosoves dhe Shqiperise, nje konkurs ne disa fusha te ndryshme te dijes.

Une kam bindje se tek ata femije qe do jene aty, por dhe tek shume bashkemoshatare te tyre do te lindin pse jo mjek per nje vend me te shendetshem, inxhiniere per nje vend me te bukur e te paster, sportiste te cilet do na bejne te ndihemi krenar ne bote, dhe pse jo politikane,  te cilet do mund ta bejne edhe me mire Kosoven dhe Shqiperine   si dy vende dinjitoze me standarte evropiane,  me shpresen per nje te ardhme me te  sigurt dhe te bukur.

E per ta mbyllur, do te thoja qe,  nuk duhet te mendojme se duke ndihmuar bonjaket, ne thjesht bejme jeten e tyre te mire, por edhe me shume se kaq. Bejme jeten e shoqerise me te mire.

 

4 - Une i propozoj ketij parlamenti formulimin dhe miratimin e nje ligji qe merr persiper dhe garanton mundesi te barabarta te bonjakeve me cilindo qytetare te vendeve tona vllaznore, Kosove e Shqiperi.

 

Me lini t’ju kujtoj kolege se ç’ka secili prej nesh ka mesuar qysh ne formimin e karakterit tone ne shkolle fillore, fjaline e arte: “Jemi te ndryshem, por  te barabarte”. Pra,  ne kemi fatin qe kete fraze ta bejme me te vertete se kurre. Le te jemi ne nje themel i nje shoqerie me mundesi te barabarta.

 

5 – Duke mbeshtetur plotesisht mendimin tend koleg,  une gjithashtu propozoj te formulohet dhe miratohet nje ligj qe do te garantoje kujdestarine  prinderore vullnetare  per femijet ne nevoje.

Diferenca me e madhe dhe e rendesishme e nje bonjaku me nje femije ne familje, jane prinderit.

Le te nxisim nje shoqeri te bashkuar dhe te rrisim nivelin e humanizmit te nderuar kolege. Jemi nje shoqeri e vogel ne krahasim me boten. Por bindja ime eshte qe me zemer dhe ndjenja te mira per me te dobtit,  ne do te krijojme nje shoqeri te forte per t’u perballur denjesisht me kedo.

 

6 - Po! Po! Ke shume te drejte. Gjithashtu duhet te merret parasysh edhe mendimi i organizatave qe merren seriozisht me keto ceshtje.

Mendoj qe ne parlament duhet te paraqitet nje Projekt – ligj qe ben fjale per birsimin e femijeve.

Ky Projekt – ligj, ne kushtet aktuale qe ka kaluar shoqaria kosovare, eshte shume i nevojshem tani. Pasi sic e dini, Lufta la shume pasoja te renda ne vendin tone. Shume femije mbeten jetime, pa familje. Ndaj pritet nje reagim nga institucionet tona shtetrore, qe te formulojne sa me shpejt kete Projekt – Ligj. Perpara se Projekt ligji te miratohet, duhet te  merret parasysh  edhe mendimi i organizatave qe merren me mbrojtjen e te drejtave tona. Pse jo, te merret parasysh edhe mendimi i Avokatit te Popullit, e ku di une cfare tjeter…

 

7- Une jam nje femije rom. Sapo kam ardhur nga rruga,   ku cdo dite dal e lyp, pastroj makinat tek unaza e Tiranes, afer Lanes. Kete pune e bej per te nxjerre buken e gojes, e bej per familjen time, sepse jemi shume te varfer… Babin nuk e kam. Me ka lene te vogel fare. Jetoj me nenen, motrat dhe vellezerit. Ne pothuajse cdo dite jo vetem qe nuk ndihmohemi dhe kuptohemi, por perbuzemi, nganjehere edhe ndjehemi te fyer nga personat te cileve ju kerkojme lemoshe.

E kuptoj qe ajo çka ne bejme,  nuk eshte nje gje e hijshme,  por me thoni ju lutem, eshte e hijshme sipas mendimit tuaj qe disa moshatare tane dhe te vellezerve te mi, kur hane ne rruge nje akullore e len pergjysem, e hedhin sepse mbase nuk u pelqen shume shija, ndersa ne rralle kemi mundesi te ndalojme dhe te shikojme c’ fare forme dhe shije ka nje akullore,  pasi cdo dite jemi te shqetesuar:  a do mund te kemi disa qindarka per te mbajtur veten gjalle me nje kore buke…?!

Me thoni ju lutem,  a nuk eshte padrejtesi kjo….?!

Pavaresisht ketyre qe thashe, ne nuk dorezohemi. Une dua t’ju them juve disa kerkesa:

1 – Dua te shkoj ne shkolle dhe te jem si gjithe te tjeret. 2 – Dua te jem i mbrojtur nga shteti, prandaj ndodhem sot ketu, ne kete salle, per te ngritur zerin tim ne emer te mijera bashkmoshatareve te mi ne te gjithe vendin,  qe ndajne te njejtin fat tragjik  me mua. Dua ti degjojne te gjithë fjalet qe po them ketu,  ne parlament.  Faleminderit!

 

8 – Fati e desh qe edhe une te mbetesha nje femije jetim, pasi babai im ka qene ne krye te detyres, ne mbrojtje te rendit dhe te qetesine publike te qytetareve te ketij vendi. Jam i bindur qe babai im nese do te ishte me mua, do te mund te me siguronte te pakten nje jete normale. Mirepo une, ashtu sic cdo femije tjeter qe ka te njejtin fat me mua, kam nevoje per ndihmen dhe doren e ngrohte te shtetit, sepse nevojat tona jane te tilla qe nuk mund te perballohen me te ardhurat qe kemi. Kjo femijeri qe kam kaluar e po kaloj,  me ka bere me te forte dhe me te pjekur… Endrra ime eshte qe nje dite, edhe  une ti sherbej me gjithe mundesite e mija shtetit tim, njesoj si babai im. Ndaj, ju siguroj si nje femije me besim ne vetvete se, ndihma qe shteti do te me jape mua dhe shume te tjereve si une, sot do te justifikohet  duke dhënë  edhe une kontributin tim kur te rritem,  per nje shtet me te forte e te  begate.

 

9- Per t’i ardhur sa me teper ne ndihme mirerritjes dhe kujdesit te shoqerise per sigurimin e kushteve dhe jeteses se tyre; propozoj qe te miratohet nje ligj per detyrimin social, i cili te mbroje vendosjen e nje takse te pergjithshe te perkujdesit social, me nje vlere simbolike prej 50 – 100 leke ne muaj, e cila te perdoret krahas kontributeve te tjera, edhe per plotesimin e nevojave te ketyre femijeve.

Shuma e mbledhur, mund te perbej bazen e krijimit te nje fondi, i cili te administrohet nga nje keshill i veçantë, ndoshta i quajtur Keshilli i Kujdesit Prinderor i Deputeteve per Femijet ne Nevoje. Ky fond, te administrohet nga parlamenti, dhe do te shikoni pastaj se cdo te behet me keto fonde. Shume gjera te mira do te behen per ne femijet.

10 - Propozoj qe veshjet, ushqimi, librat,frekuentimi i veprimtarise kulturore, mjekimi, mbrojtja,transporti i femijeve ne nevoje te perballohet teresisht nga shteti. Shteti, te marre masa per zbatimin me perpikmeri, here pas here me amendamentet e tij. Te ngarkohen gjykatat per zbatimin e ligjeve qe shpesh here kane mbetur vetem ne leter.

 

11-  “Nje Femije i Vogel”

Une degjova me vemendje koleget e mi deputete, dhe i vleresoj mendimet dhe propozimet e tyre. Por, me ben pershtypje fakti qe ketu nuk u shfaq asnje propozim apo mendim per ligjet qe kane te bejne me moshat e vogla.

Une mendoj se duhet hartuar nje ligj i posacem qe i shikon femijet thjeshte si femije, e jo si te rritur. Ketu koleget u nisen nga hallet,kurse une do nisem nga qejfi.

Bëni more kopshte dhe çerdhe femijesh ,mbusheni qytetin me sheshe sportive, lulishte e pishina, fusha futbolli dhe lojra argetuese, biblioteka, kinema dhe teatro kukullash.

Ja per ç’farë kane nevoje kalamajte. Sidomos edhe ne. Mos harroni, se para se te jemi te rritur,sot jemi ende kalamaj. Merrni vesh ju, apo nuk merrni…?!  Eshte parlamenti jone ky, apo ç’farë eshte….!?  Kaq kisha. Ju faleminderit!

 

12 - Une kam nje propozim tjeter. Ne me te vertete po hartojme ligje te bukura .Por ne po bejme ligje per vete . Une kam nje shqetesim. Ja i  beme ne ligjet mire e bukur. Ja edhe i miratuam. Po neser ne keto karrige e ne kete parlament do te ulen deputete te tjere – deputetete te rritur. A kane mendje ata te mendojne per hallet tona!?  Ehuuuu… Sa halle kane ata. E di ç’them unë…? Pse nuk i sanksionojme me kushtetutë…!?

13 - Une mendoj qe per te gjithe femijet ne nevoje, te akordohet nje dekorate e vecante, qe ndoshta do te quhet: “Viktime e çmendur e te rriturve”.   Si thoni…!?

(Te gjithe dakort…)

 

14 – Te nderuar kolegë deputetë!

Me lini t’ju rrefej jeten time deri tani, dhe t’i percjell nje mesazh te gjithe moshatareve te mi bonjake.

Une jam nje femije ne nevoje, pas 1 jave mbush 14 vjeç. Babai me ka vdekur, jetoj me mamane dhe motren qe eshte 1 vit me te vogel se une.

Mamaja ime perpiqej me gjithe forcat e saj per te na e bere jeten me pak te dhimbshme pas ikjes se babit. Sikur te mos mjaftonin te gjitha keto   veshtiresite  na u shtuan, para 1 muaji mamaja ime rruges per ne pune peson nje aksident me makine, ajo mbetet e paralizuar nga te dyja kembet.

Tani ne jetojme me ndihmen ekonomike qe ajo merr nga shteti, dhe me ndihmen simbolike te te afermve te tjere qe na kane mbetur. Sic mund ta imagjinoni situata jone eshte shume e rende. Gjithsesi une shpresoj dhe besoj, lutem çdo dite qe te pakten mamaja te vazhdoje te jete prane nesh jo vetem per tu kujdesur per ne, po gjithashtu te jetoje sa me gjate qe nje dite te shikoje qe dhimbja nuk na mposhti. Une do punoj me gjithe forcen time qe nje dite motra, mamaja dhe babai im kudo qofte tani Ai, te ndihen krenar per mua.

E vetmja gje qe kerkoj nga qeveria e vendit tim eshte qe te me ndihmoje ne synimin tim, duke kuptuar dhe perkrahur dhimbjen time. Ndihmesa me e madhe per mua do te ishte qe si nje femije bonjak te kem mundesine e perkrahjes per fillimin e nje shkollimi si te gjithe. Shkollim i cili do me krijonte mundesi te konkurroja ne pune i barabarte me bashkemoshataret e mi qe mund te kene pasur nje fat me te mire se une.

Ju faleminderit!

 

15 - Nje tjeter femije deputet thote:

 

Po te isha deputet,

Do te beja si vete,

Do t’i thosha Presidentit

Qe te mblidhte parlamentin

Dhe t’i thoshte:

“ Hej , ku jeni?!”

Keni kalamaj a s’keni?!

Pse si vini gishtin kokes

Silleni neper rruget e botes

Mjaft po rrini neper kafe

Beni pune, mos beni llafe

Uleni koken dhe punoni

Per ne jetimet te mendoni

Ligje t’bukura t’hartoni

Qe Shqiperine ta nderoni.

 

Meqe deputet nuk jam

Dhe fuqi ne vote nuk kam,

Me pelqen te enderroj

Tek e ardhmja te shpresoj.

 

16 – Nje Femije deputet nga Shqiperia:

Per te permbyllur gjithe diskutimin e sotem te nderuar kolege, dua t’ju bej mbase nje nga propozimet me te rendesishme bashkangjitur sa u propozuan me siper.

Ne Shqiperi pikerisht per bonjaket egziston data 20 Maj, Dita Kombetare ne Ndihme te femijeve Jetime, e propozuar nga Instituti Kombetare i Integrimit te Jetimeve Shqiptare, me mbeshtetjen e Akademise se Shkencave te Republikes se Shqiperise dhe nga firmat e 20 intelektualeve Shqiptare. Kjo date e cila eshte dhe arsyeja e kesaj seance qe zhvilluam sot, siç besoj e keni kuptuar eshte nje dite apeli, nje dite kujtese per gjithe shoqerine, nje moment reflektimi dhe ndergjegjesimi per kedo. Nje dite qe te ben te kuptosh vlerat e verteta te nje shoqerie.

Propozimi im eshte i shume i qarte: sot ne kete dite, data 20 Maj te shpallet dhe ne Kosove dite Kombetare ne Ndihme te Femijeve Jetim (Bonjak).

Si mendoni?  A jeni dakort me kete propozim te fundit?

Faleminderit!

(Te gjithe  ngrejne duart dhe jane dakort per kete propozim)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit