Data : 20 05 2018
KryeTitujt :

Mamica e Skënderbeut, e lënë në heshtje

Intervista/ Flet Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”. Ju tregoj për Mamicën- “motrën” e Skënderbeut që ecën në rrugët e Tiranës

 

 

Albert Z. ZHOLI

 

AFP

Në vitin jubilar të Skënderbeut po shkruhen shumë histori, ese, tregime, romane por edhe kujtime nga xhirimi i filmit për heroin tonë. Një nga  episodet më interesante ëpr këtë figurë është dhe realizmi i filmit Skënderbeu, pjesë të ët cilit janë realizuar në kalanë madhështore të Gjirokastrës. Filmi është një film historik mbi jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donika Kastrioti dhe duke organizuar Besëlidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamza Kastrioti, nipi i tij. Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Është filmi i parë artistik, fryt i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik. Një ndër aktoret pjesë e këtij filmi ka qenë dhe artistja Adivie Sharofi , Alibali. Për figurën e saj në këtë film për Albanian Free Press realizuam një intervistë me z. Kasoruhi i cili sjell kujtime nga realizimi i filmit “Skënderbeu” në Gjirokastër.

 

 

Në një bisedë ju më keni përmendur  disa kujtime për realizimin e filmit artistik “Skënderbeu”.  Në Gjirokastër, në këtë vit të heroit tonë kombëtar çfarë skenash do përcillini për lexuesin për këtë film?

 

Ishte viti 1953 kur në qytetin e Gjirokastrës po xhirohej filmi artistik “Skënderbeu”. Isha 12 vjeç dhe të gjithë ne fëmijët e lagjes “Cfakë“, që ndodhet prapa Kalasë na aktivizuan që të ishim pjesë e dekorit të këtyre xhirimeve. Organizatorët na porositën që të përgatisnim secili nga ne një “Mashalla” ku një poçe prej teneqeje e mbushur me hi dhe vajguri ta mbërthenim në një shkop dhe në mbrëmje ta ndiznim kur të fillonte xhirimi që bëhej në kalanë e qytetit.

Në mbrëmje u mblodhëm të gjithë aty tek bregu i sheshit të Mejdanit dhe me mashallatë e ndezura në duar filluam të brohorisnim të gëzuar. Në atë kohë ne fëmijët nuk dinim se çfarë tregonte ai episod i filmit por ndoshta kthimin e Skënderbeut në Krujë prandaj na porosisnin që të brohorisnim të gëzoheshim e të tundnim mashallartë që në errësirën e natës krijonin një pamje befasuese. Nga kjo kohë e deri më sot këtë film e kam parë shumë herë dhe gjithmonë emocionohem por tani pas 65 vjetësh lotoj dhe kam mall për ato vite të fëmijërisë. Kanë qenë ditë të jashtëzakonshme ato për ne fëmijët dhe gjithë gjirokastritët kur po xhirohej ky film në qytetin e gurtë. Befasuese ishte skena kur nga bedenat e kalasë historike aty ku sot ndodhet kulla e Sahatit xhirohej skena ku hidhej një kukull e madhe që personifikonte Ballaban Pashën që mbasi binte në kalldrëm, çohej dhe prej saj dilte gjak. Ne fëmijëve na bënte përshtypje kjo skenë dhe prandaj brohorisnim sa herë ajo përsëritej deri sa të realizohej. Një skenë madhështore ishte ajo që xhirohej në sheshin e Bashtesë së Teqesë, poshtë mureve të kështjellës pranë Qafës së Pazarit ku sot ndodhet Odeoni veror dhe që tregonte Skënderbeun hipur mbi kalin e bardhë shoqëruar nga luftëtarët e tij që hynin triumfues në shesh.

 

-Kush e luante rolin e Skënderbeut dhe si vjen ai sot në kujtimet e tua?

 

Rolin e Skënderbeut e interpretonte aktori rus me famë botërore Akiki Horovas, me trup të madh madhështor, me pamje fisnike që i shëmbëllente deri në perfeksion heroit tonë kombëtar, ashtu siç e përfytyronin të gjithë Skënderbeun.

Filmi i Skënderbeut ishte një vepër madhështore kinematografike. Ky film i parë në kinematografinë tonë si një bashkëpunim ruso-shqiptar do të përmbyste të gjitha ligjet, traditat, eksperiencën, teknologjinë, profilet artistike, masivitetin, madhështinë etj, që ka kaluar çdo kinematografi e vendeve të botës. Filmi “Skënderbeu” vinte si një vepër madhështore, gjigandeske, befasuese e jashtëzakonshme nga hiçi në madhështi si një krijim artistik i përmasave botërore dhe i veçantë, unikal që qëndron në krye të piedestalit të lartë mbi rreth 300 filma të prodhimit shqiptar. Nuk ka rast tjetër në trashëgiminë tonë kulturore- artistike që një gjini e artit të fillojë me një vepër madhështore siç erdhi filmi i “Skënderbeut”.

 

Pse e cilësoni me kaq madhështi këët film dhe realzimin e tij?

Fare thjesht. Do ta ilustroj këtë mendim me disa shembuj nga zhvillimi i artit tek ne gjatë shekullit të kaluar.  Letërsia nuk filloi menjëherë me romanet e Kadaresë në 1900 apo artet figurative me monumentin “Nëna Shqipëri” e Mumtaz Dhramit dhe “Kuvendi i Lezhës” piktura e Naxhi Bakallit në muzeun e Krujës dhe Teatri i Operës nuk filloi me operën “Aida”, Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit në vitin 1962 etj., çka në rastin e filmit të “Skënderbeut” ai erdhi në artin tonë direkt nga maja. U ula të shkruaj këto rreshta për intervistën i impresionuar nga takimi që pata para disa ditësh në rrugë me artisten e madhe Adivie Sharofi, Alibali, Mamicën motrën e Skënderbeut, si një dëshmi unikale sidomos sot në vitin jubilar të tij. Gjithçka, që përshkova më lart m’u shfaq si një film dokumentar nga ajo kohë e largët 65-vjeçare që ma ngacmoi Mamica kjo grua fisnike që kisha para syve dhe e dëgjoja me emocion dhe vëmendje. Sa herë që e takoj dhe përshëndes Adivie Alibalin ndjej emocione të dyzyara. Së pari se me  Mamicën e saj më ngacmoi emocionalisht dhe më kujton fëmijërinë në ato kohë dhe së dyti, kujtoj jetën e saj të vështirë që e larguan nga arti dhe e internuan në fshatin Labovë e Zhapës në rrethin e Gjirokastrës. Sa herë që më flet për jetën në internim në Labovë kujton me respekt për gjithë njerëzit që i kanë qëndruar pranë dhe e kanë ndihmuar e përkrahur duke i përmendur me emra secilin ndonëse kanë kaluar pesë dekada nga ajo kohë. Në këtë takim me mua ishte dhe z. Vasil Meleqi laboviti i nderuar, i cili u emocionua kur znj. Alibali përmendi emrat e disa labovitëve që në kohën kur ajo ishte e internuar në Labovë u mbështet dhe u ndihmua nga ata banorë fisnikë që ndonëse ishte shumë e vështirë ta takoje pa le ta mbështesje e ndihmoje, treguan një qytetari dhe ndjenjë të lartë njerëzore.  Ja disa nga emrat e këtyre labovitëve: Leo Duka, Pilo Duka, Luto Aliko, Selvie Aliko, Zaho Shatro, Foto Xhavara, Nofo Pesha, Pilo Meleqi, Koço Byli, Koço Lani etj….

 

Si do ta përshkruaje interpretimin e Adivie Alibalit?

Kur shkruajta më lart se filmi i “Skënderbeut” erdhi në kinematografinë shqiptare si një vepër madhështore po kështu edhe artistja Alibali erdhi me një interpretim befasues e madhështor. Një vajzë e re 18 vjeçare, balerinë e talentuar u thirr të luante rolin e Mamicës duke na befasuar në një interpretim ekselent dhe i papërsëritshëm deri sot nga të gjitha vajzat e reja që fillonin rrugën e aktrimit në kinematografi duke e kthyer rolin e Mamicës në një interpretim befasues. Adivie Sharofi, Alibali erdhi në kalanë historike të Gjirokastrës si një meteor vezullues u ul në bedenat e kështjellës, interpretoi rolin e  Mamicës në filmin “Skënderbeu” dhe me mbarimin e xhirimeve u largua duke na lënë një margaritar të shndritshëm, që ngelet si dokument unikal i vetëm i kësaj artisteje të madhe dhe i papërsëritshëm deri sot. Për të gjitha këto e respektoj dhe e shikoj me admirim artisten Adivie, sot 83 vjeç kur kalon në rrugët e Tiranës si një shembull i karrierës së një artisti. Nëse këtë shkrim do ta shikonte Presidenti i Republikës z. Ilir Meta do t’i drejtohesha me konsideratën më të lartë dhe modestinë e një artisi duke i sugjeruar, që artisten Adivide Sharofi,Alibali, Mamicën, ta dekorojë me Urdhrin e “Skënderbeut” dhe si medaljon me portretin e “vëllait të saj” Skënderbeut, ta vendosi në gjoks që në mënyrë metaforike edhe pas 550 vjetësh ajo ecën në rrugët e Tiranës duke na treguar se si përfaqësuese e Kastriotëve na sjell në këtë vit jubilar historinë dhe Skënderbeun, heroin tonë kombëtar. Nderim dhe vlerësim të lartë për artisten, që na la si trashëgimi Mamicën, këtë figurë emblematike të historisë tonë.

 

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit