Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Magjia e Venecias

Magjia e Venecias

Reportazh nga Albert Zholi

Venecia

Mesgusht. Dielli të përvëlon. Por kur shkel në Venecia harron çdo gjë. Harron, lodhjen, diellin, shiun, borën, breshrin, mërzitjen…Qytet përrallë. Qytet unik. I pakrahasueshëm, i pa imagjinueshëm. Qytet legjendë, sepse legjendat për të s’kanë të numëruar.

Qytet-ishull-ujor. Madhështor, i bukur, i qetë, i zhurmshëm, i ftohtë, i nxehtë, i pastër, aty është çdo gjë tokësore dhe jashtëtokësore, shtrihet mbi valëdallgët e detit Adriatik, si një këmbanë e madhe qiellore ku uji dhe qielli nuk njohin dhe nuk ndajnë kufij. I vetmi qytet në botë pa makina. I vetmi qytet në botë pa motoçikleta dhe motorë. I vetmi qytet në botë që udhëtohet vetëm dhe vetëm me anije, vaporë, gondola, skafe. I vetmi qytet që shkallët e shtëpive lagen nga ujërat e kripura të Adriatikut. Ah, ndoshta mund të gjesh rrallë ndonjë biçikletë. Qytete që s’njihet automobili, a mund të imagjinohet?!

 

Themelet

Kur e shikon ashtu të bukur me ato ndërtesa karakteristike të mirëmbajtura, askujt s’ia merr mendja se Venecia e ka datën e lindjes më 25 Mars të vitit 421 pas Krishtit. Me madhështinë e tij, enigmën, ai duket po aq i ri sa dhe i vjetër, sa modern po aq dhe antik. Dora e njeriut e ka ndërtuar në mënyrë të tillë që ai të jetë çdo ditë si në 4 stinë dhe çdo vit si në çdo shekull. Pas hedhjes së themeleve të para mbi ujë, ai u bë një me detin si përkrenare e tij, ku deti i dhuronte energji, themele, ujë, ajër, ndërsa Venecia detit i jep veçantinë. Adriatiku ndihet më i privilegjuari në botë me Venecian. E para katedrale, është ajo e Santa Lucias, në hyrje të Venecias. Kjo katedrale i ka themelet në ujërat e një lumi të gjerë që, tradicionalisht, quhet Kanali i Madh. Pikëriasht tek ky kanal i gjatë mbi 2 km e i thellë mbi 4 m merr rrugën e shtrirjes Venecia magjike. Kanali i madh dhe ujërat e tij e ndajnë qytetin në dy pjesë, me nga tri lagje secila. Tre lagje si tri fytyra nusesh të ndryshme që në fund gjallojnë një fytyrë. Tri lagje si trinjake, ku si veçon nga bukuria por nga numri dhe karakteristikat e ndërtesave dhe rrugëve. Kudo që të shkelësh në lagje do hedhësh këmbët në det ose në gondolë.

 

Thonë në Itali

Kush nuk ka parë Venecian, nuk ka parë Italinë, thonë italianët. Këtë e thonë dhe në Romën e famshme. Pra magjia e Venecias i ka mrekulluar dhe romakët.

 

Të mëdhenjtë e artit

Pa diskutim që artistët janë mrekulluar me Venecian. Ata janë frymëzuar dhe kanë shkruar vepra që kanë lënë gjurmë. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe në këtë vend. Frymëzimi të vjen fare natyrshëm. Eshtë shkruar dhe është thënë (sikundër ka dhe dyshime) se në Venecia jetoi dhe shkroi, për pak kohë, tragjediani i famshëm Uilliam Shekspir. Por jo vetëm ai. Po në këtë qytet shtet-ishull, shkroi poezi poeti i soneteve të dashurisë, francezi Alfred de Myse. Për më tej po këtu, u frymëzua dhe kompozoi Riçard Vagneri dhe dhjetëra e dhjetëra artistë të mëdhenj nga e gjithë bota… pasi nëpër ujërat e Kanalit të Madh vërshojnë mbi 17 milionë turistë në vit drejt e në zemrën e Venecias “San Marco”.

 

Qyteti i urave

Qyteti i Venecias ndryshe quhet qyteti i urave (mbi 250 ura) gdhendjeve, tempujve pa fund, ndërtesave të vogla me gurë mermer, tulla. Qyteti i kangjellave të veçanta, qyteti i dashurive ku femrat hyjnizohen deri në marramendje. Në të gjitha rrugët e tij karakteristike, të fundosura përgjysmë në ujë, gjenden mbi 440 dyqane suvenirësh.

 

Gondolat

Ndoshta janë më magjiket në botë. Mjeshtëri në ndërtim, mjeshtëri në drejtim, mjeshtëri në mirëmbajtje, mjeshtëri në lëvizje. Ato janë të punuara enkas për Venecian. Venecia do të thotë Gondolë. Në qytetin e ujshëm dhe të dritës

lundrojnë mijëra gondola në ditë. Sipas bisedës me një prej pronarëve të një gondole, Paolos, çdo gondolë është e punuar mjeshëtrisht me dorë. Pra ato janë punime artizanale, të posacme, jo në seri. Nuk dalin nga dyert e fabrikave apo uzinave, por nga duart e artizanëve mjeshtëror që e kanë tarshëguar këtë profesion prej dhjetra shekujsh. Gondolat e Venecias nuk mund të prodhohen askund tjetër. Kur e dëgjon nuk e beson. Kur më spjegonte gongolisti mjekrosh, (ngjante si marinarët e legjendave) më dukej një stisje, pasi për ndërtimin e një gondole përdoren 8 lloje drurësh. Dru të veçantë ku pjesëzat e një gondole nuk janë të pakta por afërsisht 300 pjesëza (ose më saktë 281).

 

Ligj i veçantë

Një ligj që i ka rezistuar kohës. Një ligj ku në vend që koha ta hidhte tej e ka bërë dhe më shumë për vete (ligjin) në Venecia. Dhe ky ligj lidhet me gondolat dhe me drejtuesit e tyre. Në themel të këtij ligji të vendosur në shekullin e XVI qëndron ajo që “Gondolierët duhet të jenë venecianë dhe vetë gondola detyrimisht duhet të lyhet me 7 shtresa llaku të zi.” Dhe për më tej kureshtja ndoshta merr fund kur mëson dhe të fundit që, ndenjëset e gondolave janë të veshura me mëndafsh persian të veçantë. Edhe këtu nuk bëhet asnjë përjashtim. Lloji i mëndafshit duhet të jetë persian. E veçanta tjetër është se drejtuesit e gondolave bëjnë kurs special. S’është e lehtë të drejtosh saktësisht një gondolë aq më tepër kur ajo drejtohet me një lopatë.

 

Zemra e qytetit të kaltër, katedralja e “San Marco”

 

Nga katedralja e Santa Lucias deri në thellësi të qytetit janë mbi 60 kisha e katedrale të mëdha me kupola të rrumbullakëta, me mure të lashtë bizantinë dhe ndërtuar sipas stilit barok. Prej saj deri në sheshin e famshëm “San Marco” duhet 30 minuta me gondolë. Më i madhi në Venecia dhe një prej shesheve më të bukur në botë. Diku është shkruar se Napoleoni i Madh, e ka quajturi sheshin “Dhoma e vizatimit të Europës”. Këtu vizitorët për të hyrë brenda në katedralen “San Marco” zënë radhë që zgjat 300 metër. Radha zgjat nga dera e katedrales deri në buzën e ujit ku turistët zbresin nga autobusët ujorë apo taksitë ujore. Turistë nga e gjithë bota. Hyjnë dhe dalin në shesh mijëra njerëz. Aty në atë vend të veçantë me mbi 49 statuja të ndryshme, tingujt e kambanave kryqëzohen me sirenat e kroçiereve të mëdha, që sjellin në Portin e Venecias edhe mijëra udhëtarë e turistë të tjerë. Pak më tej në sheshin para “San Marco”, lokalet e çuditshëm kanë në çdo hyrje orkestra me uniforma karakteristika të qytetit të cilat luajnë pjesë simfonike nga kompozitorët më të famshëm në botë. Në veshjet e tyre mbizotëron vishnja e errët dhe kapelet e stërzgjatura. Atmosferë e pakrahasueshme. Venecia është magji. Ajo është unike, një ëndërr për çdo njeri.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :