Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

“M E T E O R” një libër që u kushtohet të rënëve të Forcave Ajrore Shqiptare

“M E T E O R” një libër që u kushtohet të rënëve të Forcave Ajrore Shqiptare

 

Albert Z. ZHOLI

Botimi i një libri është një ndërmarrje dhe nismë e guximshme, por në radhë të parë një ngjarje e madhe dhe e bukur në jetën e një autori.“Librat janë miqtë më të qetë dhe më të përhershëm; ata janë këshilltarët më të gjindshëm dhe më të mençur dhe mësuesit më të durueshëm.”, ka thënë Charles Ëilliam Eliot. Ndërsa Cassandra Clare thotë: “Duhet të bëni kujdes prej librave, çfarë është brenda tyre, fjalët, kanë fuqinë të na ndryshojnë”. Një libër që nga koha që fillon derisa e merr në dorë të shtypur kërkon punë, kohë mund të madh por edhe një përgjegjësi e madhe. Shkrimi i këtij libri mbi jetën dhe aktivitetin e të rënëve të aviacionit shqiptar kërkonte përgjegjësi dhe vërtetësi të madhe për të grumbulluar fakte nga dokumente dhe njerëz të shumtë, pasi ata që janë pjesë e këtij libri interesant janë konkret, me jetë interesante dhe të vrullshme. Siç shkruan në libër për përgjegjësinë autori Aleksandër Çala thekson se: “Unë ndjehem i detyruar ndaj Dëshmorëve të Aviacionit që, me jetën e tyre shkruan një nga faqet më të ndritura të historisë së aviacionit luftarak shqiptar. Ata djem e burra ishin të dashuruar me profesionin e pazakontë të fluturimit. Njerëzit e rënë në dashuri nuk kanë kohë të merren me vdekjen, apo të mendojnë për të. Në përfytyrimin tim, të gjithë pilotët, që nga më të vjetrit deri tek ata djem të rinj që akoma nuk e kishin vënë briskun të faqe, kishin pamje heronjsh dhe vdekja nuk ka punë me heronjtë. Tipar dallues i heroizmit të tyre është këmbëngulja për të realizuar detyrat me çdo kusht, pa marrë parasysh vështirësitë”.

Në libër vëren se nisma për këtë libër është marr për vetë arsyen se autori duke filluar nga viti 2000 e në vazhdim për një periudhë gati 15-vjeçare punoi në komandën e Forcës Ajrore, ku njohu nga afër, në punë e në jetë, gati të gjithë pilotët që shërbenin në komandë dhe në reparte të tjera. Tek kjo njohje, autorit i kanë lënë gjurmë puna dhe sakrificat e pilotëve dhe teknikëve në realizimin e fluturimeve në kushte ekstreme të motit gjatë operacioneve shumë të vështira për Emergjencat Civile në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në libër del në pah se vetë Aleksandri përjetoi me zemër gjatë kësaj kohe ngjarjet ku humbi jetën shoku i tij Jani Tarifa dhe ngjarjen e fundit ku humbën jetën dy pilotët e rinj kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha.

Siç shkruhet në libër nga Shqipëria jonë e dashur kanë dhënë jetën e tyre 39 pilotë dhe 4 teknikë gjatë gjithë historisë së aviacionit shqiptar. Janë tepër të rralla krahinat që të mos kenë bij të tyre në radhët e Dëshmorëve të Aviacionit Shqiptar. Me detyrën e Shefit të Degës së bashkëpunimit civilë-ushtarak, bëri atë që autori të njihej nga afër me shumë nga familjet e dëshmorëve të aviacionit. Ja si shprehet ai:

“Në këto radhë unë dua ti falënderoj nga zemra të gjithë,

prindërit, bashkëshortet, djemtë dhe vajzat, motrat dhe vëllezërit e të rënëve të Forcës Ajrore, të cilët ndanë me mua kujtimet dhe mbresat për njerëzit më të dashur të tyre, që me aktin e lartë të rënies në krye të detyrës na përkasin të gjithëve, janë nderi dhe krenaria e gjithë shqiptarëve. Ata janë shumë dhe po të përmendja emrat e tyre do të mbusheshin faqe të tëra të këtij libri.

Të falënderoi kryetarin e Shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”, Z. Kujtim Serani për ndihmën e madhe që më ka dhënë për të kontaktuar me shumë prej të intervistuarve që me kujtimet dhe mbresat e tyre janë bërë pjesë e këtij libri.

Ndjehem i detyruar dhe dua të falënderoj në mënyrë të veçantë anëtarët e Shoqatës Kulturore-Atdhetare Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” dhe Unionit të Ish Ushtarakeve pranë kësaj Shoqate në Filadelfia të SHBA, të cilët financuan botimin e librit.

U jam mirënjohës të gjithë pilotëve të Aviacionit Luftarak Shqiptar, për kontributin e dhënë me kujtimet e tyre për shkrimin e këtij libri.

Gjithçka që është e mirë në këtë libër ndodhet në të sepse atë e bënë të bukur dhe të sigurt të gjithë këta njerëz të mirë”.

Libri është shkruar me kulturë me një gjuhë të pastër, me emocion dhe mbi të gjitha me ndjenjë. Edhe pse ka shumë detaje, dokumente, ngjarje, histori rrëqethëse autori thotë se: “Libri “Meteor” është një kontribut modest për t`i njohur këta heronj që pa bujë e zhurmë, larg tribunave, pranë posteve luftarake, me djersën, përkushtimin dhe me jetën tyre, në qiell dhe në tokë shkruan një nga faqet më të ndritura të Forcës Ajrore”.

 

Dëshmorët e Aviacionit

U rritët me ëndrra

Me shikimin tretur në qiell

Çdo germë e emrit tuaj

Shndrit e artë si diell

Gjaku juaj i kuq

Derdhur në flamur

Shqiponja plot me dritë

S`do të harroheni kurrë

 

U ngritët lart në qiell

Dhe mbetët përjetë atje

Pilotët, shokët tanë të mirë

Yje, kurorë për Atdhe

 

Jeta juaj ishte pranverë

Ju si lule çelni në çdo stinë

Do të mbeteni mes nesh përherë

Jetojmë bashkë me Ju krenarinë.

 

Efektivë të Aviacionit Luftarak Shqiptar rënë në krye të detyrës.

 

1. Ibush Ibrahim Vokshi 1925 – 12/05/1947

2. Qemal Sadedin Mërtiri 1929 – 12/10/1951

3. Fuat Alim Sulaj 12/05/1934 – 23/05/1957

4. Vasil Nikolla Trasha 24/06/1923 – 24/03/1958

5. Islam Myrteza Xhani 27/07/1940 – 14/07/1958

6. Jovan Llazi Kaçori 05/05/1938 – 27/06/1960

7. Hektor Eftim Lako 01/09/1929 – 23/03/1962

8. Sokrat Gori Basha 18/05/1938 – 17/07/1963

9. Niko Selman Hoxha 01/02/1926 – 20/11/1965

10. Stilian Vani Tanku 15/10/1943 – 27/09/1967

11. Muharrem Murat Hida 13/03/1938 – 05/09/1970

12. Refat Asllan Jazo 09/03/1930 – 050/9/1970

13. Kaso Salo Petoshati 09/07/1937 – 06/05/1971

14. Shyqëri Aziz Balla 13/03/1931 – 06/05/1971

15. Hazbi Ramadan Serani 01/03/1940 – 04/10/1972

16. Islam Sinan Mani 30/03/1945 – 21/11/1973

17. Bego Isa Hoxha 23/12/1943 – 07/03/1974

18. Dhimitër Spiro Robo 26/10/1949 – 12/06/1974

19. Veiz Halil Kovaçi 28/09/1949 – 05/08/1974

20. Sefedin Hasan Tomçini 07/06/1942 – 07/06/1977

21. Vasil Thoma Noni 01/10/1951 – 15/08/1978

22. Shpëtim Selman Sula 29/12/1951 – 30/08/1979

23. Sabri Shefki Toçi 12/10/1942 – 29/03/1980

24. Armando Liman Gjoka 01/04/1954 – 29/03/1980

25. Luto Refat Sadikaj 01/02/1944 – 29/03/1982

26. Ndue Mëhill Logu 08/05/1940 – 13/09/1986

27. Haki Abaz Skuqi 01/03/1958 – 22/10/1986

28. Jorgji Llazi Fane 03/08/1950 – 5/07/1989

29. Agron Hasaf Galanxhi 11/01/1939 – 22/11/1989

30. Vangjel Vangjel Postoli 19/03/1940 – 22/11/1989

31. Pandeli Jorgo Zhupa 15/09/1946 – 22/11/1989

32. Tafil Njazi Agai 10/01/1950 – 22/11/1989

33. Veledin Delo Resuli 26/11/1950 – 22/11/1989

34. Enver Osman Haka 14/04/ 1956 – 22/11/1989

35. Fluturim Qani Molla 19/08/1958 – 22/03/1991

36. Eduart Qirjako Kostdhima 10/11/1968 – 22/03/1991

37. Idriz Ibrahim Hoxha 15/07/1945 – 20/08/1993

38. Jani Prokop Tarifa 12/12/1958 – 17/9/2004

39Vangjel Kiço Çondi 20/06/1950 – 16/7/2006

40. Demush Hajdar Heba 22/02/1960 – 16/7/2006

41. Qemal Bilal Koni 01/051950 – 16/7/2006

42. Floran Jahja Delia 01/10/1973 – 06/04/2016

43. Donald Vesel Hoxha 17/08/1988 – 06/04/2016

 

Yjeve të qiellit që mbetën në përjetësi.

 

Ndoshta ky libër me vlera të rënët në krye të detyrës i kujton dhe i nderon me krenari pasi jetës dhe ngjarjeve të ndarjes nga jeta të këtyre “fajkonjve” qiellorë të mbuluar me lavdi u bëhet jehonë por dhe bëhet thirrje që të kujtohen në përvjetorë e në raste të tjerë. “Duke i mbledhur të rënët në krye të detyrës, në të njëjtin vend (libër), ata ngjajnë si një tufë me trëndafila të lidhur me një fjongo të bukur, sikur të ishte një tufë e vetme me lule.

Libri nuk të lë ta heqësh nga dora, jo për faktin se ka kuriozitete që zgjojnë interes njohje, por për mënyrën e paraqitjes së materialit historik. Rrjedhshmëria, kultura e të shkruarit, saktësia historike e ndodhive, gjuha e pastër shqipe, dhe stili i mirëfilltë gazetaresk, si dhe horizonti që hap, janë vetëm disa nga vlerat e këtij libri të mrekullueshëm. Kur merr në dorë këtë libër e nis ta lexojë, një lexues i interesuar për të nxënë, “mban frymën”, për të përthithur së bashku me kuriozitetin e natyrshëm edhe begatinë e shkruar bukur të kësaj pune vlera shumë.

Do të thosha se mendja pjellore që është endur nëpër kohë të shkuara për të na dhënë këtë shkrim dinjitar, meriton vëmendje, respekt e mirënjohje. Prandaj, mes emocioneve dhe kënaqësisë që më dhuron leximi i këtij libri, më duhet ti shpreh gjithë respektin dhe mirënjohjen e çiltër penës që gatoi këtë mrekulli.

Na fute në borxh, miku ynë, me këtë “perlë” që na dhurove, në këtë përvjetor të lavdishëm të aviacionit tonë dhe për apelin që na drejton, me këtë rast, për të mos harruar historinë, e cila, në aviacion është përjetuar me lavdi, por na ka kushtuar shtrenjtë!”, përfundon një miku i tij pilot për rëndësinë e këtij libri kaq interesant.

Fotografia e Albert Zholi - Fanpage

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit