Data : 20 05 2018
KryeTitujt :

Luftar Paja mes ëndrrave në qytetin e Fierit

ll

Albert Z. ZHOLI

Siç e dini, 8 km në perëndim të qytetit të Fierit ndodhet një nga qendrat e qytetërimit antik: Apolonia. Në shekullin III p.k., në Apoloni ishte ngritur një nga teatrot më të mëdhenj të Ilirisë, në shkallaret e së cilës mund të uleshin rreth 7000 spektatorë dhe, që nga ajo faqe kodre përballë Adriatikut ndiqnin lojën e aktorëve dhe të korit. Tradita e krijuar vazhdoi deri në shekullin e V-të pastaj për arsye që dihen, ajo u ndërpre për të rinisur vetëm pas 22 shekujsh.

Në vitin 1971 në qytetin e Fierit krijohet Teatri profesionist, ndërkohë, që për koincidencë në rrënojat e Apolonisë vetëm një muaj më vonë, arkeologët Aleksandra Mano dhe Burhan Dautaj zbuluan teatrin e dikurshëm. Ndërkohë që për emërtim u zgjodh një emër po nga antikiteti, ai i qytetit Ilir të Bylisit. Kjo gjë u bë për disa arsye. Së pari, emrin Apoloni e mbanin shumë subjekte social-kulturore në qytetin e Fierit. Së dyti, rrënojat e qytetit të Bylisit ndodhen në fshatin Hekal të Mallakastrës dhe atëherë kjo krahinë ishte pjesë përbërëse e rrethit të Fierit. Së treti, edhe në Bylis, që kishte qenë dikur një nga qendrat kryesore ekonomike dhe shoqërore të Ilirisë së jugut, kishte ekzistuar një traditë teatrore e cila ishte përfaqësuar nga ekzistenca e një teatri më të madh në përmasat se ai i Apolonisë.luftar luftar-paja

Teatri në Fier i ka fillimet e tij mbi baza amatore. Ai nisi me iniciativën e një grupi të rinjsh të pasionuar ndaj kësaj gjinie dhe në kushtet e indiferencës së mbështetjes nga shteti, mungesës së ambienteve dhe publikut të kulturuar. Pikënisja e tij do të ishte viti 1933, kur në lokalin e Zeko Kokës, një grup zanatçinjsh dhe arsimtarësh shfaqën të parën vepër skenike në një ambient të improvizuar. Ajo ishte komedia e autorit Kristo Floqi e titulluar “Do të vras veten”. Jo pa qëllim u zgjodh kjo vepër teatrore, pasi Kristo Floqi ishte autori më i dashur dhe i pëlqyer i kohës. Veprat e tij shquheshin për humor, përmbajtje kombëtare dhe fshikullim të dukurive negative. Regjisori i parë i trupës teatrore ishte mësuesi Llaqi Kola, i diplomuar në shkollën normale të Elbasanit i cili ishte marrë me teatër gjatë viteve të studimit. Ndërsa trupa përbëhej nga aktorët amatorë: Sokrat Pogaçe, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Sotir Argjendari, Jorgji Kovaçi, Nasi Bogo, etj.

Pas suksesit të parë, kjo shoqëri teatrore shfaqi në vitin 1935 me mjaft sukses dramën e autorit Foqion Postoli. Në vitin 1937 ajo u paraqit me dy vepra skenike: komedinë “Fe dhe kombësi” të Kristo Floqit dhe komedinë e Molierit “Doktor pa dorashka”. Gjatë kësaj kohe grupi teatror do të zhvillonte edhe turneun e parë artistik në qytetin e Beratit ku shfaqi komedinë e sipërpërmendur “Fe dhe kombësi”. Në vitin 1938 autoritetet e shpërndanë këtë grup meqenëse në radhët e tij kishte anëtarë të cilët dikur kishin marrë pjesë në Kryengritjen e Fierit (1935) dhe ishin simpatizantë të ideve komuniste, të cilat konsideroheshin të rrezikshme për regjimin e kohës. Kështu, me këtë prolog u mbyll etapa e parë e zhvillimit të teatrit në qytetin e Fierit. Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar për qëllime nga më të ndryshmet ndërmori dhe hartoi një strategji politiko-kulturore, ku rëndësi të veçantë i jepte edhe teatrit dramatik.

Në këtë nxitje dhe interesim nga shteti, me përvojën e krijuar në etapën e parë dhe aktorë të ardhur nga teatri partizan, në Fier rinisi veprimtarinë teatri dramatik i shtëpisë së kulturës. Do të ishin 21 aktorë amatorë të cilët nën drejtimin e regjisorit Llazar Verria, hodhën bazat e artit dramatik në Fier. Të tillë ishin: Nestor Pogaçe, Ndrek Beltoja, Muhedin Pleshti, Marika Kallamata, Hamza Pleshti, Sila Kordhishti, Lake Panajoti, Harilla Roshi, Omer Haxhia, Stavri, Pirro e Terezina Gjerazi, Sila Kaleshi, Veniamine Muço, Tashko Lako, Leonidha Prifti, Syrja Minarolli, Violeta Bakalli, Fuat Boçi, Sotiraq Xoxa, Liri Mitri, etj.

Nga kjo veprimtari u nxitën që t’i kushtoheshin aktrimit dhe të bëheshin aktorë të njohur në rrafshin kombëtar disa individualitete nga qyteti i Fierit si: Marika Kallamata, Albert Verria, Ahmet Pasha, Aleksandër Pogaçe, etj. Një kontribut të shquar në shtëpinë e kulturës dhanë dhe regjisori Pirro Mani, drejtuesi i muzikës Ismail Balla dhe koreografi Hamza Minarolli.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :