Data : 15 07 2018
KryeTitujt :

Kur flitet për vështirësinë që ka realizimi i një roli në kinema

 

Monografia Reshat Arbana “Artist i Popullit”

Albert Z. ZHOLI

 

reaht

Kur flitet për vështirësinë që ka  realizimi i një roli  në kinema apo dhe në teatër,  bashkëbiseduesi, apriori hedh një batutë tepër “ofenduese”! “Hajde o burrë, se ju artistët keni bërë qejf! Keni jetuar si mbretër, kurse ne të shkretët kemi ngrënë dynjanë…!”  Arti nuk është një tralala apo gallatë. Artistit i besohet një jetë dhe një histori njerëzore. Duhet të hyjë thellë në lëkurën, në mendjen, shpirtin dhe realitetin e personazhit si një psikiatër dhe më pas të gjejë mjetin ta pasqyrojë atë me gjeninë dhe artin e tij. Ai në jetën e tij personale nuk ka qenë kurrë renegat si Islami, spiun si Sami Ameni, mësues violine, fshatar injorant, patriot, bimbash apo drejtues treni. Të interpretosh me vërtetësi aq shumë personazhe duhet punë dhe përgjegjësi. Të gjithë e kanë lexuar më lart jetëshkrimin e tij. Ai nuk ka studiuar kurrë violinë e megjithatë i është dashur që te filmi “Tinguj lufte” të interpretonte mësuesin e violinës…Ambientet, sheshet e xhirimit, kushtet atmosferike kishin halle e probleme.

Artisti duhet të njohë dhjetëra zanate dhe kjo nuk është gjë aq e thjeshtë. Duhet të dijë të kalërojë, të qëllojë me pushkë, të jetë mekanik, shofer kamioni, pilot, infermier, mësues e shumë profesione të tjera. Duhet të jetë i gjithanshëm. Të ketë dhunti dhe durim për të mësuar kleçkat e çdo profesioni. Ai duhet të kërkojë literaturë përkatëse dhe ta studiojë në thellësi dhe më pas të kërkojë njerëz të gjallë e të mësojë prej tyre. Arti është subjektiv. Por pjesa më e vështirë e tij është gjykimi i të tjerëve. Mund ta krahasojë me një konkurs të përjetshëm. Kur arrin të japësh maksimumin dhe sjell një figurë të realizuar mirë, atëherë, qetohesh. Lodhja dhe mundi konvertohen në kënaqësi të jashtëzakonshme. Filmi më i vështirë ka qenë “Dueli i heshtur”. Ai u realizua i gjithi në det të hapur rreth 4  muaj në palcë të dimrit.  Dimri i atij viti ishte i egër, deti i trazuar, i ftohti kallkan, koha  herë me qiell të kulluar, herë e brumbulluar nga retë e dendura. Deti vërtetë është i bukur nga bregu, por vetëm nga bregu, ama  kur je thellë, e  larg bregut mbi dallgët e tij, apo edhe në qetësinë e tij të  fshehur, pra në detin e vdekur siç e quajnë detarët, atëherë e sheh se sa të vështirë e ke për të punuar me të. Kështu ndodhi edhe  me ta. Nja 10-15 njerëz që përbënin grupin e filmit, vetëm  tre prej tyre nuk donin t’ia dinin për egërtinë e dalldisjen e tij. Këto ishin operatori i mrekullueshëm Petraq Lubonja, Rikard Ljarja dhe një punëtor i palodhur i filmit, i quajtur Asllan Vladi.  “Sapo vinin këmbën në anijen luftarake”, tregon Reshati “përnjëherësh i mblidhej një shuk, që u zinte grykën, e i  shprishte qetësinë e humorin. Tymi i cigares që pinte ndonjëri, fjolla e tij depërtonte ndërmjet  hundës drejt e në stomak. E duhej të vrapoje për ta nxjerrë ushqimin”.

Ndrek Luca, “ulërinte”:

-Po fike, at’ dreq cigareje, se na mbyte o burrë! Njëqind herë ju kam thënë, mos na pini duhan në anije burra, se mbarum krejt…!

Dhe nuk kishte faj Ndreka. Edhe sot kur i kujton ato  momente, i shtjellet neveria në stomak…! Gjithë dita me të përziera e të vjella në krevatet e anijes të kruspullosur në kubriket e marinarëve. Kur vinte momenti i radhës (regjisori apo dikush tjetër) thërriste:

-Reshat,  (apo Ndrekë ), ngjitu lart, erdhi radha! Bobo çfarë tmerri! Ngriheshin nga shtrati, sikur të kishin lënguar nga plagët, si trimi Gjergj Elez Alia.

Në të rrallë kur sheh ndonjëherë filmin ‘Dueli i heshtur”, ai dallon disa episode ku deti i ka mbytur fare, tmerr me të vërtet. Portreti ka rrëshqitur dhe ndryshuar, zbardhur apo zverdhur krejt.  Muaj me radhë vollën në det, por kurrë nuk u ambientuan. Shumë herë u bë gati që ta linte fare atë  punë, ta linte rolin, vetëm të shpëtonte  nga vështirësitë e papërballueshme që u sillte çdo ditë xhirimi.

… “Kanë kaluar më se 45 vjet nga xhirimet e këtij  filmi”, tregon Reshati, “dhe nuk rri dot pa sjellë në  kujtesë, një moment që më ndodhi një ditë të  bukur të muajit shkurt, tek po xhironim si çdo ditë. Isha me një grup shokësh në bankinën e betonit duke thithur një cigare dhe duke biseduar. Anija ishte e ankoruar, pasi xhironim në vend. Një çast dëgjova që më thirrën nga kabina. Unë pa humbur kohë  hodha  cigaren, rrëmbeva nga toka një çantë që mbaja në  krah, dhe u nisa drejt dërrasës “urës” që lidhte anijen me tokën. Dita ishte e vrenjtur dhe era që frynte,  bënte  që anija herë të largohej dhe herë të afrohej. Me të lëvizte para dhe prapa dhe ura lidhëse. Në kohën që vura këmbët në dërrasën e lëvizshme, ajo u tërhoq nga bankina, u  shkëput, dhe unë  krejt papritur ndjeva që duart mu përplasën fort në  betonin e bankinës. Një orë dore, e rolit të Islamit, fluturoi me xham e aparaturë,  e nuk e di se ku bitisi. Unë  u zhyta kutullumbas në thellësinë e molit, në ujin e akullt të detit. Sigurisht u tremba, u tremba shumë se nuk po merrja vesh se çfarë ndodhi! Dola shpejt në sipërfaqen e ujit, dhe me ndihmën e shokëve, u gjenda lart, duke fërgëlluar si qen nga të  ftohtit dhe rrobat e qullëta. Mbaj mend se pranë  anijes sonë, ishte një anije tregtare “Teuta”. Më dërguan urgjentisht  atje. Më vendosën poshtë te motorët ku ishte ngrohtë. U ndërrova, u thava dhe pasi më  mjekuan duart e rrjepura e të  gjakosura, më nisën për në  Tiranë, për të ndenjur 2 ditë pushim pas atij “akti të bukur heroik!”Janë momente që dhe sot më vijnë të freskëta, e më duket, sikur ka kaluar pak kohë që kanë ndodhur, e jo pesëdhjetë vjet më parë.”

 

***

Nuk i është dhënë rasti të takohet personalisht me udhëheqësit e shtetit monist. Por një takim e mban mend me Ramiz Alinë. Ishte viti 1989. Pas pjesëmarrjes në një festival filmi në Zvicër,  e kthimit në Tiranë, e lajmërojnë për një pritje në Pallatin e Brigadave. Në hollin e stilit mbretëror të Pallatit të Brigadave, s’kishte shumë njerëz. I afrohet Petro Dodes dhe Rita Markos, që rrinin të veçuar në korridor. Iu afrua dhe ata filluan të bënin shaka, ndërkohë që pritej ardhja e Ramiz Alisë.

-A mund të luajmë dhe ne në filma? Do të na marrësh edhe neve si aktorë me ndonjë film?

-Po, i kthehet ai. Petron sidomos, se ka edhe portretin si gjerman. Nuk ka nevojë për shumë grim. Është i prerë për një rol SS. Kurse Rita është adapt për të luajtur rolin e një intelektuali, burokrat, por tejet simpatik, që i ka hije portreti dhe kostumi për të qenë drejtues ose zyrtar i lartë.

Ishte hera  e parë që i takonte. Biseduan, për probleme nga të cilat nuk mban mend asgjë interesante. I është fiksuar vetëm ky dialog që në fakt dukej si lojë fjalësh se nuk kishin çfarë të thoshin. Mban mend vetëm që biseduan për transportin urban dhe interurban, kulturën dhe udhëtimet, dhe Rita i premtoi se do bënte realitet të gjitha problemet e ngritura në diskutimin që kishte bërë në kuvend.

E ndërsa bënte shaka me ta, i afrohet Ramiz Alia. I fut krahun dhe ecin gjatë korridorit të pallatit. Ramizi e njofton se do të takoheshin me një delegacion të Parlamentit zvicerian me përfaqësues nga tre kantonet e Zvicrës. Pasi folën shkurt për problemet e teatrit, ai merr guximin dhe i thotë Ramizit:

-Dua të them nja dy gjëra. Mundet?

-Pa tjetër!

-Duhet bërë diçka o shoku Ramiz…gjendja ekonomike është tejet e rëndë. A mundet ta hapni pak. Komshinjtë po sigurojnë të ardhura nga turizmi, fjala vjen…

Nuk foli më gjatë, se Ramizi duke i dhënë të drejtë, i thotë se kjo punë nuk është e lehtë, se ne nuk kemi kushte, s’kemi hotele klasi, drita dhe shumë gjëra të domosdoshme për të plotësuar kërkesat e turistëve…Çdo shohin te ne turistët? Rrugët apo dyqanet krejt të boshatisura. Ja vjen delegacioni zviceran. Ato do e shohin me sytë e tyre pazarin bosh dhe unë s`kam si i gënjej.

Dhe në fakt gjatë takimit ai iu shmang problemeve ekonomike, dhe u foli atyre për historinë e popullit zviceran. Mbajti një fjalim që u bëri përshtypje zviceranëve për njohuritë e thella që kishte mbi historinë dhe zhvillimin e shtetit të tyre. Takimi mbaroi dhe pasi i hipi biçikletës për t’u kthyer në shtëpi i bëri një pyetje vetes: “Po mua ç’mu desh që fola???”

***

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :