Data : 14 12 2018
KryeTitujt :

Kujtimet e Rita Markos: Uria në luftë, zgjidhja me mushkën që na tregoi partizani italian

Kujtimet e Rita Markos: Uria në luftë, zgjidhja me mushkën që na tregoi partizani italian

Kujtimet e Rita Markos: Uria në luftë, zgjidhja me mushkën që na tregoi partizani italian
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko 

 “Ishim shumë keq me ushqime. Në këtë kohë, na u plagos rëndë një mushkë. Një shok italian, Mario Fantaçi, që kishte ardhur partizan në radhët tona, po e mblidhte gjakun në gavetë. Kur e pyetëm, na tha se ishte një ushqim mjaft i mirë. “Edhe mishin e mushkës, -tha ai, – ne e hamë”. E therëm  mushkën, e ziemë dhe ashtu siç ishim të uritur, e hëngrëm me shije, megjithëse  mishi i saj ishte pak i thartë dhe ne nuk qemë mësuar ta hanim”…. Ky është një tjetër episod interesant nga dorëshkrimet e ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko, që “Albanian Free Press” po sjell ekskluzivisht për lexuesin për të pestin numër radhazi. Pasuar edhe nga një tjetër që ka lidhje me tradhtinë e bërë ndaj një grupi partizanësh prej një agai, teksa ishin strehuar në shtëpinë e tij. “Në të gdhirë, rreth orës 6.00, vjen e zonja e shtëpisë dhe na njofton se po hynin gjermanët. Fjala e saj ishte e vërtetë, jo blof: gjermanët kishin hyrë në qytet”, tregon ai…

 

 

 

Përgatiti: Albert Zholi

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

As armiku dhe as uria nuk i mposhtën partizanët

 

Rita Marko vazhdon me rrëfimin mbi luftimet në Gurin e Kamjes, që u zhvilluan në shtator të vitit 1943

 

Në shtator të vitit 1943, në Gurin e Kamjes, janë zhvilluar luftime të ashpra me nazistët gjermanë dhe ballistët. Luftimet synonin të arrinin dy qëllime: së pari, të mos lejonin që Guri i Kamjes të binte në dorë të armikut, se ishte pozicion me rëndësi ushtarake dhe së dyti, t’u vinim në ndihmë shokëve të Mokrës, të cilëve u ishte krijuar një situatë e rëndë nga ballistët. Luftimi te Guri i Kamjes nuk ishte as i fundit. Ne kishim luftuar atje disa herë dhe të gjitha luftimet kanë qenë  njëri më i ashpër se tjetri. Te Guri i Kamjes kanë luftuar edhe stërgjyshërit  tanë. Atje çdo pëllëmbë tokë ka një histori. Por luftë e ashpër kundër një force të madhe ballistësh u bë nga fundi i vitit 1943 në Gurin e Bletës, ku na ra heroikisht shoku Skënder Çaçi. Po këtu, ka luftuar më vonë edhe Brigada I Sulmuese, etj. Si përpjekjet e para, edhe kjo e fundit në Gurin e Kamjes ishin shumë të ashpra. Këtu u plagos edhe shoku Teki Kolaneci. Pas këtij luftimi, u tërhoqëm. Ishim shumë keq me ushqime. Në këtë kohë, na u plagos rëndë një mushkë. Një shok italian, Mario Fantaçi, që kishte ardhur partizan në radhët tona, po e mblidhte gjakun në gavetë. Kur e pyetëm, na tha se ishte një ushqim mjaft i mirë. “Edhe mishin e mushkës, -tha ai, – ne e hamë”. E therëm  mushkën, e ziemë dhe ashtu siç ishim të uritur, e hëngrëm me shije, megjithëse  mishi i saj ishte pak i thartë dhe ne nuk qemë mësuar ta hanim.

 

Armiku ishte i pabesë; vigjilenca duhej ruajtur në kulm

 

Historia sesi partizanët u spiunuan nga i zoti i një shtëpie ku ata ishin strehuar.

 

Është fundi i vjeshtës së vitit 1943. Batalioni partizan i Gorë-Oparit, një nga batalionet më të mëdhenj e të organizuar, bënte një marshim  nga Gorë-Opari drejt Mokrës. Pasi kaluam Mokrën, u nisëm për të çliruar Pogradecin. Nga presioni i batalionit tonë dhe i batalionit partizan “Reshit Çollaku”, armiku u tërhoq nga Pogradeci. U futëm në qytet dhe zhvilluam një punë të gjerë politike, për të sqaruar popullin mbi gjendjen që ishte krijuar dhe për nevojën e vazhdimit të luftës kundër pushtuesve të rinj gjermanë dhe tradhtarëve  gjer në çlirimin e plotë të vendit. Bashkë me këtë, organizuam njësitet partizane në qytet dhe komandën e vendit. Filloi kështu të kryente detyrat e tij pushteti i këshillave nacional-çlirimtare. U hap një mensë për korrierët dhe shkolla e parë për fëmijët. Këto u bënë brenda dy ditëve  të qëndrimit  tonë aty. Kujdesi për qytetin e Pogradecit i ishte ngarkuar  batalionit partizan “Reshit Çollaku”. Por shokët e Pogradecit kishin nevojë për praninë edhe ndihmën tonë. Dhe ne e dhamë atë pa u kursyer. Forcave të batalionit partizan “Reshit Çollaku”, si zot të vendit, iu ngarkua detyra e ruajtjes së qytetit dhe të rrugës automobilistike gjatë natës. Unë me disa shokë u strehuam në shtëpinë e një agai, në një shtëpi shumë komode. I zoti i shtëpisë nuk ishte me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Atij i mungonte ngrohtësia, që gjenim në kasollet e varfra të fshatarëve. Sillej me ne në mënyrë zyrtare. Të rraskapitur siç ishim nga lufta dhe marshimi, ramë dhe na zuri gjumë i rëndë. Në të gdhirë, rreth orës 6.00, vjen e zonja e shtëpisë dhe na njofton se në Pogradec po hynin gjermanët! Të them të drejtën, nuk e besova. Thashë me  vete, se ajo e bënte këtë që të largoheshim  së andejmi. Nuk u tundëm nga vendi. Pas pak, ajo erdhi përsëri. Fjala e zonjës së shtëpisë ishte e vërtetë, jo bllof: gjermanët kishin hyrë në qytet nga rruga e Korçës! Një pjesë e batalionit partizan “Reshit Çollaku”, që ishte me shërbim atë natë në atë anë të qytetit, nuk e kishte kryer detyrën si duhej, kështu që rrezikoi të gjitha forcat partizane. Që të dyja palët, si gjermanët, edhe partizanët, u gjendëm ballë-përballë brenda në qytet. Duhej bërë një tërheqje e shpejtë dhe me shumë kujdes përmbi qytet, mbi gështenjat. Dhe ashtu vepruam. Që andej filluam të godisnim kundër forcave naziste. Nga ana e Kalasë, u tërhoq batalioni partizan “Reshit Çollaku”. Në tërheqje e sipër ra  komandanti i tij, vëllai i Reshitit, Muharremi dhe u plagos i ati. Me vështirësi të madhe u tërhoq edhe Hasan Lesheci (Moglica) Ai u ndodh në rrezik të madh, sepse ishte nga ana e plazhit. Duke mos përballuar goditjen tonë të ashpër, gjermanët u tërhoqën në panik, por në tërheqje e sipër vranë njerëz të pafajshëm. Unë pashë me sytë e mi tetë veta të vrarë nga nazistët gjermanë te mulliri. Edhe armiqtë pësuan humbje. Por… më shumë u dëmtuam ne. Dhe kjo erdhi nga që komanda e qarkut nuk pati marrë masa për koordinimin e veprimeve midis forcave partizane. Jo shumë vonë, batalioni partizan i Gorë-Oparit, që ishte inkuadruar në Brigadën IV-S, zhvilloi luftime të ashpra në Starovë, Pogradec, Plloçë, ku zuri  mjaft material luftarak dhe shumë robër mercenarë që kishin ardhur të bënin raprezalje në popullsinë vendase. Vetëm në hotelin e qytetit u zunë robër rreth 300 ballistë, të cilët, pasi u çarmatosën dhe u bë sqarimi i nevojshëm, u lanë të lirë. Pogradeci është një qytet që gjatë luftës ka rënë herë në duart e okupatorit dhe herë në në ato të partizanëve. Dhe kjo për pozitën e tij gjeografike. Banorët e tij ishin me partinë dhe kanë mbështetur kurdoherë aksionet e partizanëve. Në Pogradec, u krijua “Klubi” i parë, ku partizanët hanin e pinin.

 

Ndërkaq, megjithëse Gora është vend me male të ulëta dhe jo shumë të pyllëzuara, ajo ka bukurinë e saj që të tërheq. Fshatra të vegjël shtrihen njëri pas tjetrit, të lidhur si rruazat. Duke filluar nga Maliqi, deri te Guri i Kamjes, shtrihet një varg i tërë vargmalesh. Në to, si në të kaluarën dhe, sidomos gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, janë  zhvilluar luftime të ashpra. Që të kishe në dorë situatën, duhej t’i zotëroje medoemos këto kodra, ndryshe do të ishje gjithnjë në rrezik nga armiku.

 

 

 

Ishte vjeshtë e vitit 1943

 

Si u vra komisari i batalionit, Skënder Çaçi. Dëshira e tij e fundit, të shkruante në bllokun se ishte ndeshur me ballistët. “T’i shfarosim ata tradhtarë!”, shkroi ai

 

Batalioni partizan Gorë-Opar qe vendosur nga Guri i Kamjes deri mbi fshatin Pirg. Detyra e tij ishte të mos lejonte  armikun të hynte në Gorë e në Mokër, i cili filloi të sulmonte nga Maliqi. Aty ishin grumbulluar të gjitha çetat e Ballit Kombëtar. Korrierët tanë që i kishim dërguar për në Këshillin Krahinor të Moçanit, ishin zënë robër. Midis tyre qe edhe Pilo Shtika, një djalë i mitur, shok i ngushtë i vëllait tim të vogël. Kur e shikoja atë, më kujtohej im vëlla, i cili atëherë ndodhej në burg, arrestuar nga okupatorët italianë. Ballistët u informuan mbi pozicionet tona dhe na sulmuan. Sidoqoftë, ne përballuam sulmet e tyre dhe kaluam në kundërsulm. U bë një luftim trup më trup. Korrierët tanë mundën t’u iknin  ballistëve nga duart dhe pasi erdhën tek ne, na treguan lidhur me situatën e armikut. Përpjekja u bë shumë e ashpër. Ballistët morën këtu një mësim të mirë, sidomos  i biri i Maliq Beut, Et’hemi. Ata u shpartalluan dhe u larguan me bisht në shalë. Vetëm në qytet e ndalën vrapin. Ne kapëm prej tyre shumë armatime. Nga ana jonë u plagos dhe pak më vonë, vdiq komisari i batalionit, shoku ynë i mrekullueshëm, Skënder Çaçi. Kur mora vesh se ishte plagosur Skënderi, u mallëngjeva pa masë. Një plumb e kishte goditur në ezofag. Nuk kishte mundësi të fliste. I dhashë bllokun tim dhe ai shkroi atje se ishin ndeshur me ballistët. “T’i shfarosim ata tradhtarë!”. Kjo ishte dëshira e tij e fundit.

 

 

 

Poezia plot ndjenjë për Skënder Çaçin, Hero i Popullit

 

Poetët do t’i thurnin vargje plot ndjenjë komisarit zemër zjarrtë.

 

 

 

Di pse rron e di pse vdes 

 

Rrugë e gjatë e përpjetë

 

Nëpër pyje gjarpëron

 

Malet ngrihen gjer në retë

 

Lumi grykave ushton.

 

 

 

Kishim net që s’kishim fjetur

 

Kishim ditë që s’kishim ngrënë

 

Dikush zbathur kishte mbetur

 

Dhe këpucë s’kish në këmbë.

 

 

 

Kjo luftë që ndezi vendë

 

Djemtë i bëri burrërorë

 

Hekurin e hanë me dhëmbë

 

Guri i Bletës nëpër Gorë.

 

 

 

Por ty zemra peshë të ngre

 

Dhe me vrullin e shqiponjës

 

Turresh porsi një Ante

 

Përmbi strofkën e ulkonjës

 

 

 

Era shkrumb, era barot

 

Me tym vendi është mbuluar

 

Oh! Ç’ka ngjarë që s’lëviz dot

 

Ç’plumb i zi të ka qëlluar?!

 

 

 

Don të flasësh, por nuk mundesh

 

Gryk’ e nofull janë dërmuar

 

Atë që s’e thotë  dot goja

 

Na e thonë sytë e shkruar

 

 

 

Kërkon laps e shkruan letër:

 

“Se liria nuk dhurohet,

 

për atë s’ka rrugë tjetër

 

veç me gjak ajo fitohet”

 

 

 

Guri i Bletës ç’i ul kryet

 

Dhëmbjen s’mund  ta duroj dot

 

Ndonëse s’deshi t’i lëshojë

 

Mbi faqe i rrodhën lot…

 

 

 

Atje pranë Gurit të Bletës

 

Në një shesh o përmbi bar

 

Trimi ynë fali jetën

 

Dhe atje mbeti  pishtar.

 

 

 

Lufta me ballistët nga batalioni i parë i Brigadës së katërt Sulmuese

 

Rrëfimi i sulmit në Devoll të brigadës së katërt sulmuese.

 

Batalioni i parë i Brigadës së katërt Sulmuese ishte vendosur në Ziçisht dhe në Vërlen, kurse kompania e parë e këtij batalioni ndodhej në lagjen  e poshtme të Ziçishtit, ndërsa dy batalionet e tjerë të brigadës u dislokuan në fshatrat përreth.

 

Ishte fillimi i viti 1944. Bënte dimër. Forcat tona, pasi sulmuan Bozhigradin e Sulin, u vendosën në këto fshatra. Nga dreka, roja që kishim nxjerrë në rrugën automobilistike Bilisht-Bozhigrad, na njoftoi se një grup ballistësh po vinte nga Bilishti për t’u ardhur në ndihmë shokëve të tyre në Sul. Mora një skuadër prej 10-15 shokësh dhe bashkë me rojet që ishin në xhade, u bëmë nja njëzetë veta. Vrapuam në drejtim të rrugës, anës lumit të Ziçishtit, të futur gati deri në gju  në ujë. Kështu ishim më mirë të maskuar. Ashtu siç ishim, u mbështetëm në ledhe dhe i lamë ballistët të afroheshin. Sa hap e mbyll sytë, hapëm mbi ta zjarr të befasishëm. “Trimat” ngritën duart lart dhe u dorëzuan. Pasi i çarmatosëm, i vumë përpara dhe i çuam në Ziçisht. Aty, pasi u sqaruan, u lanë të lirë me porosi të mos merrnin pjesë herë tjetër në luftime kundër partizanëve. Suksesi i këtij aksioni ishte shumë inkurajues për qarkun dhe ndikoi për demoralizimin e ballistëve. Të gjitha veprimet e Brigadës e katërt sulmuese në Devoll ishin të studiuara. Radhët e saj u mbushën  me partizanë të rinj.

 

***

 

Janar 1944. Batalioni i 4 i Brigadës IV Sulmuese duhej të shkonte nga Dushari në Moglicë-Shënepremte dhe, pas tij, në këtë rrugë do të kalonte e gjithë brigada. Ballistët janë vendosur në Moglicë e Shënepremte; kanë zënë vahet e lumit Devoll dhe urën e Leshecit. Është dimër i madh. I ashpër. Lumi ishte plot e përplot me ujë. Të ftohtit të priste brisk. Vendosëm që një pjesë e kompanisë së dytë të kalonte nëpër urë duke sulmuar. Kjo ishte e rrezikshme. Ura ruhej nga armiku dhe mund  të kishim humbje të mëdha. Për të lehtësuar këtë aksion, një  grup shokësh kaluan lumin në një vend shumë të vështirë dhe të rrezikshëm, që nuk i shkonte ndër mend armikut dhe  që nuk e ruante. Kalimi u bë pikërisht  në Leshec, ku lumi kishte thellësinë më të madhe. Mbasi arritëm në bregun tjetër, prapa armiqve që ruanin urën, pa u vënë re  prej tyre, i qëlluam me pushkë. Armiqtë u çoroditën dhe e humbën toruan. Lehtësuam kalimin e shokëve tanë nëpërmjet urës. Suksesi i aksionit ishte i madh. Armiku u shpërngul nga Moglica dhe Shënepremtja u çlirua.

 

 

 

SAKRIFICAT

 

Operacioni i Dimrit, prova e madhe e papërkulshmërisë së partizanëve

 

Në dimrin e viti 1943-1944, Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare ishte shtuar shumë; zona e çliruar ishte zgjeruar së tepërmi dhe armiku kishte ngrënë grushte të forta dhe të njëpasnjëshme. Si pasojë, ai ishte strukur në qytete dhe vende të  mbrojtura. Për të dalë nga kjo situatë dhe për t’ia prerë hovin zhvillimit të mëtejshëm të luftës, pushtuesit gjermanë  së bashku me ballistët tradhtarë, organizuan kundër forcave partizane në Shqipërinë e Jugut (Korçë,Berat, Vlorë, Gjirokastër) operacione ushtarake që morën emrin: Mësymja e Përgjithshme e Dimrit, ose Operacioni i Dimrit. Kjo ka hyrë në historinë e luftës sonë si një periudhë plot vendosmëri, heroizëm e sakrifica nga ana e partizanëve tanë trima. Operacioni i Dimrit më gjeti në Opar, në  batalionin  IV të Brigadës IV-S. Na u ngarkua detyra që t’i zinim pritë armikut në Kullat  e Gjergjevicës. Këtu bora arrinte 1 metër. Atë ditë, në kompaninë e dytë erdhën edhe disa partizanë  e partizane të reja, të porsadala nga qyteti i Korçës. Midis të parëve  edhe Memka Vërleni, një shoqe e vendosur, që kudo tregoi veten trimëreshë. Jetën dhe luftën partizane ato e fillonin në kushte shumë të vështira. Po kalonin përnjëherësh nga dysheku i ngrohtë i qytetit, në “dyshekun” kallkan të borës së ngrirë, nën qiellin e hapët e në acarin e dimrit. Për t’u lehtësuar këtë gjendje, i pritëm me humorin dhe optimizmin partizan. Me këtë humor e me këtë optimizëm ne kishim  përballuar sa e sa vështirësi dhe kishim dalë fitimtarë. Mbresat e para kanë të bëjnë shumë për moralin e njeriut. Tërë natën forcat e Brigadës IV e kaluan jashtë, mbi dëborë. Ishte një i ftohtë i madh që e mbajmë mend tërë jetën. Dremitnim në këmbë dhe binim mbi dëborë. Shpirti na kishte ardhur në majë të hundës, veç nuk dilte jashtë, siç thotë populli. Lëviznim për t’u nxehur pakëz, që të mos ngrinim. Disa shokëve u ranë mishrat e këmbëve ngaqë u ngrinë nga të ftohtit. Dielli i mëngjesit na verbonte sytë me shkëlqimin e dëborës. Brigada ishte vendosur në një front të gjatë, nga Shtylla, në Voskopojë. Detyra  jonë ishte t’i ndalonim forcat  gjermano-balliste, që të mos futeshin në thellësi të zonës së Gorë-Oparit. Batalioni IV kish zënë pozicione mbi Dersnik, në rrugën  e Gjonomadhit dhe në Kullat e Gjergjevicës. Shoku im i ngushtë, Gole Ruçoja, komandant i kompanisë, me një togë partizanësh luftoi heroikisht dhe dha jetën. Golja ishte një  ndër partizanët e parë të qarkut të Korçës, komunist i vjetër, trim dhe i thjeshtë. Rënia e Goles ishte një humbje e madhe për brigadën. Duke ruajtur rrugën nga Gjonomadhi, natën vumë re se po na afroheshin njerëz veshur me të bardha! Mos vallë na gabonin sytë, apo me të vërtetë ishin  njerëz?! Pati dhe ndonjë supersticioz që mendoi se ishin lugetër! Atëherë kishte akoma  ndonjë partizan të prapambetur në këto çështje, sidomos nga ata që sapo  kishin ardhur në radhët tona. Duke vëzhguar më me kujdes, pamë se ishin forca gjermane, që ecnin njëshkolonë. Dhe na sulmuan! Në përpjekje me ta na u plagos një shok. Nazistët, megjithëse i kosiste plumbi partizan, vazhdonin sulmin. Këtu e pashë veten  më  ngushtë se çdo herë tjetër. Duhet siguruar naganti, mendova me vete dhe një plumb ta ruaj në fole për çdo rast, që të mos bie në dorë të armikut. Luftuam  heroikisht. Vramë mjaft armiq, por edhe ne patëm humbje. U detyruam të tërhiqeshim në drejtim të Qafës së Beçit e të Lavdarit. Ato dy-tri ditë ishin ditë të një lodhje dhe rraskapitje të tmerrshme.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :