Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Kujtimet e Rita Markos: Enveri nuk i donte takimet zyrtare me masat, u shkonte gjithmonë befas

Kujtimet e Rita Markos: Enveri nuk i donte takimet zyrtare me masat, u shkonte gjithmonë befas

Kujtimet e Rita Markos: Enveri nuk i donte takimet zyrtare me masat, u shkonte gjithmonë befas
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko 

“Enveri ankohej, që kundër dëshirës së tij, shokët e rretheve bënin ndonjë lajmërim kur zbriste në bazë. “Kështu nuk fjalosemi dot shtruar me njerëzit e punës, nuk arrijmë të marrim vesh ç’halle e ç’probleme  kanë”, tërhiqte vëmendjen ai. Kur arrinte të shkonte në fabrika, në kantiere , në ndërmarrje dhe në ara tek punëtorët dhe kooperativistët, pa e marrë vesh kush, ndjente kënaqësi të madhe”. Kjo është një anë tjetër e karakterit të ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, që Rita Marko, ish-anëtari i Byrosë Politike, përcjell në dorëshkrimet e tij të radhës që “Albanian Free Press” po sjell ekskluzivisht për lexuesin për të dhjetin numër radhazi.

 

“Nga populli, gjithnjë ke ç’mëson. “Mësuesi i madh dhe i pagabueshëm popull!”, citon gjithashtu Marko se thoshte Enveri. Ndërsa tregon edhe episode të tilla, si ai i një takimi me minatorët, ku Enveri ua dha dorën edhe pse ata e ndaluan që ta bënte një gjë të tillë; apo edhe takimi i thjeshtë me një fshatar rrugës, nga i cili mësoi më shumë nga sa mund t’i raportonin drejtuesit e asaj zone…

 

 

 

Përgatiti: Albert Zholi

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Ishin ditët e para të Çlirimit…

 

Episodi sesi Enver Hoxha i kërkoi informacion Rita Markos për mosmarrëveshjet e krijuara me Këshillin Nacional-çlirimtar të Elbasanit, gjë e cila doli se nuk ishte e vërtetë

 

Qeveria e zgjedhur në Berat, sapo kishte hyrë në Tiranë. Shokun  Enver e kishin informuar se disa  kuadro të Brigadës  XX, me veprimet e tyre mospërfillëse kishin krijuar mosmarrëveshje me Këshillin Nacionalçlirimtar të Elbasanit, kishin “bërë  fjalë” me kryetarin e tij, që në atë kohë  ishte një hoxhë,  i lidhur  qysh në fillim me luftën. Sapo e merr vesh, shqetësohet, më thërret e më porosit: “Të shkosh menjëherë  në vend, të hetosh si është puna dhe të më raportosh për masat  ndaj atyre, kushdo qofshin ata që janë sjellë keq me njerëzit e pushtetit”. “Ne luftuam dhe derdhëm gjak për këtë pushtet, prandaj atë duhet ta ruajmë e ta forcojmë vazhdimisht, se është pushtet i popullit”, m’u drejtua më tej shoku Enver. Mora detyrën dhe u nisa. Sa mbërrita në Elbasan, thirra shokun Tasi Mitrushi, zëvendës-komisarin e Brigadës dhe i kërkova shpjegime. Më pas, fola edhe me vetë kryetarin e këshillit, i cili, kur i dhashë të falat e Komandantit, qeshi i tëri nga gëzimi. U ktheva në Tiranë dhe i raportova shokut  Enver, që këshilli nuk kishte ndonjë ankesë dhe se ajo çka kishte ndodhur, ishte thjesht një keqkuptim e keqinterpretim i ndonjë fjale të shkëmbyer. Kryetari i  këshillit, me gojën e vet, më pati thënë: “Djemtë i kemi partizanë shumë të mirë, na pyesin e na dëgjojnë. Po ne nuk arrijmë t’i bëjmë siç duhet ca punë; nuk i sistemojmë dot për fjetje, edhe për të ngrënë me të keq i rregullojmë. Janë liruar ca shkolla  ku janë futur të sëmurët, po përsëri keq jemi. Mua nuk më ka ngacmuar njeri. Ndonjë fjalë, helbete, edhe e kemi bërë, veç për të mirën e punës. Kjo na shtyn  të punojmë  më shumë e të gabojmë  më pak”. I thashë se me vete kisha sjellë edhe dy nga kuadrot e brigadës. Shoku Enver më ndoqi gjatë  raportimit gjithë vëmendje. E vura re se ndjeu lehtësim që çështja nuk doli siç e kishin informuar. “Shiko sesi përpiqen të na dizinformojnë e të na  ngatërrojnë!”, – më tha. Dhe  vazhdoi: “Mirë, ata shokët nuk paskan faj, le të ikin. Por thuaju nga ana ime, që të bëjnë kujdes. Pushtetin e kemi të shenjtë dhe nuk do të lejojmë të  na e marrin nëpër këmbë. Edhe njerëzit që kemi në këshilla  do t’i dëgjojmë, se flasim dhe punojnë në emër të popullit”.

 

Pas kësaj, Enveri do të më thërriste përsëri me po të njëjtin merak për respektimin e këshillave dhe të këshilltarëve, për zbatimin nga të gjithë të rregullit të vendosur prej tyre.

 

 

 

Pak ditë kishin kaluar nga çlirimi i Tiranës

 

Dëmet e para që vetë partizanët nisën të krijonin pas luftës, por që me urdhër të Enver Hoxhës, nisën të kontrolloheshin e të bëheshin zap

 

Pak ditë kishin kaluar nga çlirimi i Tiranës. Qyteti qe mbushur me partizanët e brigadave që morën pjesë në luftime. Atyre ende nuk u kishin dhënë detyra të reja luftarake. Në ato çaste  merreshin me likuidimin e  mbeturinave të reaksionit dhe vendosjen e rregullit e të qetësisë në kryeqytet. Mjaft godina të administratës së vjetër u kthyen në kazerma. Pati edhe partizanë që u vendosën në Pallatin e mbretit të dënuar. Të hutuar nga mobilimi e luksi, ata që përgjithësisht ishin djem fshati, nisën të bëjnë edhe ndonjë dëm. “Në djall të venë të gjitha këto, se gjaku ynë, gjaku i popullit është”, – thoshin dhe nuk e kishin për gjë që prishej ndonjë mobilje a pajisje tjetër. Shokut Enver i pati shkuar fjala në vesh. Ndërsa më takoi një ditë, më foli: “Tiranën e çliruam, por jo që ta prishim! Tani jemi shtet i organizuar; kemi pushtetin e popullit, prandaj duhet të marrim masa që asgjë të mos dëmtohet e të humbasë. Të vihen roje atje ku duhet. Në mungon gjë, të gjendet e të vihet në vend. Asgjë të mos bëhet pa pyetur  Këshillin Nacional-çlirimtar. Rregullat e vëna nga ai të respektohen nga të gjithë. Ca nga shokët, siç kam dëgjuar, zaptojnë shtëpi dhe hyjnë brenda. Nuk është e drejtë. Strehimin  këtej e tutje do ta bëjë pushteti për të gjithë e jo secili me kokën e vet!”.

 

Pas kësaj porosie, të dhënë me shumë shqetësim nga shoku Enver, morëm masa. Nxorëm jashtë këdo që kishte hyrë  pa  leje në banesa dhe vendosëm roje në Pallatin e sotëm të Brigadave, në pallatet buzë Lanës e gjetkë. Banesat nisën të jepeshin me autorizim të Këshillit Nacional-çlirimtar.

 

Kujdesi i shokut Enver për forcimin e rolit dhe të autoritetit të organeve  të pushtetit, ka qenë i pandërprerë. Ai ka kritikuar rreptë çdo shfaqje të formalizmit në veprimtarinë e këshillave popullorë dhe ka kërkuar që të zbatohen me përpikëri të drejtat dhe kompetencat e tyre, “…të cilat,-thoshte ai,- nuk duhet lejuar kurrë që t’u merren nga organet ekzekutive”.  Vetë i respektonte rigorozisht rregullat organizative dhe të drejtat që u ishin   dhënë këshillave popullorë. Sado që ai ishte autoriteti më i lartë i Partisë dhe i shtetit, nuk ia lejonte vetes që të jepte urdhra në kundërshtim  me kompetencat e organeve të tjera.

 

 

 

Enveri i respektonte rregullat dhe organet

 

Një episod, sesi u bë pjesë e diskutimit të Rita Markos dhe një fshatari, për zgjidhjen e një problemi të këtij të fundit

 

Tek dilja një ditë nga Komiteti Qendror, (ishte viti 1954),  më ndalon një fshatar. “Kam ardhur, – më thotë, – të ankohem në Komitetin Qendror për një padrejtësi që më është bërë. Më kanë marrë tokën pa më pyetur. Vete të ankohem e nuk më japin të drejtë. Erdha këtu, se vetëm ju në Komitetin Qendror i qani hallet tona, na i zgjidhni  problemet”. E sqarova  fshatarin, duke e udhëzuar si të vepronte. Ndërkohë, po dilte shoku Enver dhe tek na pa duke biseduar, u afrua, u përshëndet  me fshatarin  he e pyeti se ç’hall e kishte sjellë deri në Tiranë. Pasi e dëgjoi me vëmendje, i tha: “Nuk e ke mirë. Pa shiko atë pishën atje. Ajo i ka rrënjët thellë në tokë, prandaj qëndron drejt e rritet. Edhe ne, Komiteti Qendror,  i kemi rrënjët në bazë, në celulat e Partisë, tek pushteti që është afër popullit. Këto rrënjë i duam të forta dhe që të mos thahen. Partia dhe këshillat në fshat e në rreth janë ngarkuar  t’i  bëjnë këto punë. Pa shko njëherë  atje. Po të kesh të drejtë, shokët do të ta japin hakun”. Dhe i rrahu krahët fshatarit…

 

Enveri i njihte mirë dhe dinte t’i mbronte e t’i zbatonte, si ligjet e rregullat e shoqërisë, ashtu edhe normat  juridike. Ishte njeri i thjeshtë i popullit. I respektonte organet e pushtetit rigorozisht. Dhe këtë e kërkonte edhe nga të tjerët.

 

Shoku Enver i mësonte anëtarët e partisë dhe kuadrot që të lidheshin me masat dhe të tregonin vazhdimisht kujdes, që këto lidhje të ishin sa më të gjalla, aktive e të dobishme.  Ai vetë ishte shembull i përkryer i lidhjeve me punëtorët e fshatarët, me intelektualët dhe ushtarakët, me të moshuarit dhe të rinjtë, deri dhe me pionierët dhe fatosat. Te populli Enver Hoxha gjente frymëzimin e madh e të pashterur për të përballuar punët e tij të shumta e të mëdha. Nga bisedat me popullin, me njerëzit e të gjitha shtresave dhe me kuadrot  bënte përgjithësime të thella shkencore, arrinte në konkluzione të rëndësishme, nxirrte probleme e shtronte detyra për punën e partisë, të organeve të pushtetit, të organizatave shoqërore dhe të sektorëve të tjerë. Ai kurdoherë gjente ç’të diskutonte  me punëtorët, kooperativistët, shkencëtarët, artistët e me këdo. Aty për aty, më pas, nga bisedat nxirrte shënime, që kohë pas  kohe i përdorte në fjalime dhe kur shkruante. Kur dëgjonin Enver Hoxhën të fliste për diçka, njerëzit thoshin: “Si i ka marrë vesh të gjitha! Flet tamam sikur të ketë jetuar e punuar së bashku me ne”. Ishte vërtet kështu. Enveri, me mendje dhe me zemër, ishte në mes të popullit. Punonte në ditët e tij të gjata, që shpesh përfshinin edhe netët, binte në gjumë e zgjohej me mendjen te populli. Ato që ai thoshte, i dëgjonte nga njerëzit e thjeshtë,  i lexonte në letrat e shumta që i vinin nga të gjitha anët e atdheut, i nxirrte nga shtypi, nga materialet e njoftimet e tjera. Shkurt, i merrte nga masat e ua kthente përsëri  atyre të gjykuara e të peshuara me mendjen e tij të ndritur; u shtronte detyra, u bënte thirrje për  mobilizim më të madh. Përherë në këto raste shpërthenin vrulle të reja.

 

 

 

Tek njerëzit, shoku Enver shkonte me gëzim të madh

 

Rita Marko rrëfen sesi ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha i respektonte njerëzit e punës dhe flet mbi raportet e afërta që ai krijonte me ta

 

Nga populli, gjithnjë ke ç’mëson. “Mësuesi i madh dhe i pagabueshëm popull!”, thoshte  ai. Takimet zyrtare dhe të bujshme me masat nuk i donte. Shpesh ankohej, që kundër dëshirës së tij, shokët e rretheve bënin ndonjë lajmërim kur  zbriste  në bazë. Në këto raste, vetvetiu, nga dëshira e madhe për t’u përshëndetur  me të, grumbulloheshin shumë njerëz  dhe shpeshherë nisnin mitingje spontane shumë entuziaste. “Kështu nuk fjalosemi dot shtruar me njerëzit e punës, nuk arrijmë të marrim vesh ç’halle e ç’probleme  kanë”, tërhiqte  vëmendjen ai. Kur arrinte të shkonte në fabrika, në kantiere , në ndërmarrje dhe në ara tek punëtorët dhe kooperativistët, pa e marrë vesh kush, ndjente kënaqësi të madhe. Fliste me ta shtruar, i pyeste, dëgjonte ç’mendime kishin për punët e drejtuesit. Këto lidhje i jepnin atij mundësinë të njihte aq thellë e aq mirë jetën, veprimtarinë e masave. Këtë mënyrë të kontakteve na e këshillonte edhe neve.

 

Për punëtorët e për kooperativistët, për njerëzit e thjeshtë  të punës, kishte nderim të veçantë. Takohej me ta gjithë gëzim dhe kur ishin njerëz që i kishte njohur e takuar edhe herë të tjera, takimet bëheshin prekëse e ishin të përmalluara. Në vitet e para të Çlirimit, herë për festën e 1 Majit dhe herë për  të biseduar me naftëtarët, shkonte  me dëshirë të madhe në Kuçovë. Këshillohej me ta për të ardhmen e kantierit  vajguror, për perspektivat e naftës. Minella Sava, Veli Allajbeu, Ndreko Nakuçi etj., pionierë të lëvizjes sulmuese,  së bashku  me gjithë punëtorët  e Kuçovës, me fjalën e Enverit i vunë shpatullat punës, i mëkëmbën puset e shkatërruara e të sabotuara nga armiku dhe shtuan naftën për atdheun. Ai nuk i linte nga goja. Kur diskutohej për ndonjë problem në naftë, u drejtohej shokëve: “Po Veliu me shokë, ç’thonë? I keni pyetur? Pa këshillohuni dhe me ta, se janë të  vjetër e të vuajtur; i ka argasur puna, prandaj dhe dinë shumë”.

 

 

 

Takimet e drejtpërdrejta të Enverit me punëtorët

 

Rita Marko tregon episode të veçanta nga takimet e ish-udhëheqësit komunist me punëtorë, për shembull me minatorët në Drenovë, apo edhe një fshatar në Korçë, etj.

 

Shkon njëherë shoku Enver në Korçë, në minierën e Mborje-Drenovës. E priti Zisi Avrami, në atë kohë drejtor  i ndërmarrjes. Ndërroheshin turnet. Shoku Enver shkoi drejt një grupi minatorësh, që sa po dilnin nga galeria. Shpërthyen brohoritjet. Kur shoku Enver nderi dorën për t’u takuar, një minator, i thotë: “Mos, shoku Enver se do ndoteni! Ne jemi të pluhurosur me qymyr”. Shoku Enver vuri buzën në gaz: “Ç’është ajo fjalë! Ju jeni flori dhe nxirrni flori. Keni shpirtin dhe zemrën e bardhë, prandaj unë nuk kam pse ruhem që të mos ndotem”. Dhe u takua një për një me minatorët entuziastë e plot gjallëri, që e vunë në mes.

 

Një herë tjetër, në janar a shkurt të vitit 1949, kur isha në Korçë, shoku Enver kërkoi të vinim në fshat. Unë isha  sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Punës për Korçën. Pa lajmëruar, shkuam së bashku  në Lumalas. Ishte ditë e diel. Nuk gjetëm ndonjë nga drejtuesit. Ndjeva shqetësim. Me kë do të flasë shoku Enver këtu. Kush do ta informojë  për punët. Këto e të tjera mendime më lindën natyrshëm. Në këto e sipër,  na del përpara një djalë i ri, 17-18 vjeçar, që punonte në llogarinë e kooperativës. Zenun Shahollari e quanin. Enveri e takoi, i krijoi atmosferë sikur ta kishte njohur prej kohësh dhe ia nisi muhabetit për bukuri me llogaritarin. Mua m’u largua shqetësimi. Shoku Enver kërkoi të dinte se me merreshin forcat gjatë dimrit, si jetonin kooperativistët, si iu dukej puna e përbashkët, etj. Djali përgjigjej. Biseda u gjallërua edhe më shumë kur  shoku Enver filloi ta pyeste për shtëpinë e vet, për njerëzit që kishte në familje, për hallet e vështirësitë. Ai përgjigjej gjithnjë e më i shpenguar dhe me dëshirën e madhe, që të thoshte gjithçka. Tregoi se kishte shumë njerëz në familje. I ati kishte shkuar  në kurbet, por nuk i pati shkuar  mbarë. Reforma u kishte dhënë tokë dhe ata ishin të kënaqur.

 

Gjatë bisedës, e pashë shokun Enver që mbante edhe ndonjë shënim. Para se të largoheshim, megjithëse kishte rënë shumë dëborë, kërkoi të shikonte një vresht, që kishte krijuar kooperativa. Rrugës u shkëmbyem me disa gra kooperativiste  dhe ai u përshëndet përzemërsisht me to. U tha se vreshtat dhe pemët duhet t’i shtojmë shumë, që të ketë rrush e fruta për popullin. Kur ktheheshim për në Korçë, më foli me dhembshuri për vuajtjet e popullit e hallet e tij, për ata që varfëria i kishte detyruar të linin  familjen e atdheun dhe të  merrnin udhën e kurbetit, të shkonin në dhe të huaj, nga ku, shpeshherë  nuk ktheheshin më. Me dhimbje përmendi edhe një vëlla të tij, që kishte shkuar në Amerikë, që ishte kthyer i sëmurë  dhe, ca më pas, kishte vdekur  nga tuberkulozi. Dukej që biseda me kooperativistin nga Lumalasi i kishte lënë mbresa… Më vonë, në një konferencë, e dëgjova tek zbërtheu  dhe analizoi shkaqet e emigracionit ekonomik, duke e karakterizuar  atë si një plagë  të  rëndë të së kaluarës.

 

Stepja dhe mëdyshjet përballë problemeve që nxirrte jeta, ca më shumë lëkundjet dhe zvarritjet, shokun Enver e zemëronin pa masë. Donte që të gjithë shokët të këshilloheshin mes tyre. Të merrnin mendime edhe nga të tjerët, por kur t’i futeshin zgjidhjes së një problemi, të vepronin energjikisht, me vendosmëri, pa hallakatje dhe të mos i shpinin  punët tërkuzë.

 

 

 

EPISODI

 

Rasti i kooperativës së Pojanit, mbi të cilin u krye një analizë e thelluar

 

Këshilla e Enverit: Të lëkundurit do t’i bindim me durim!

 

“Qëlloi që në kooperativën e Pojanit në Korçë, aty nga viti 1949, pak kohë pas krijimit të saj, na ndodhi një grindje! Disa njerëz, madje edhe komunistë, të paqartë dhe të paformuar ideologjikisht, dolën me mendimin që kooperativa  të ndahej më dysh, sipasn dasive fetare të asaj kohe! Atë vit, Pojani doli  keq. Detyrimet ndaj shtetit nuk i shlyente, buka i mungonte. U shfrytëzua kjo  gjendje dhe u kërkua  ndarja e kooperativës,  që punët të shkonin gjoja më mirë. Isha atëherë sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, në moshë të re dhe pa përvojë. Çështja qe delikate. Mjaftonte një qëndrim i gabuar apo lëkundje dhe përçarja bëhej fakt. Kishte të ngjarë, që kjo dukuri negative të shtrihej edhe në kooperativa të tjera. Me shokët vendosëm që gjendja e krijuar të analizohej  në organizatën-bazë e në popull. Siç doli, përgjegjës kryesor për situatën e rëndë ishte një komunist, shok i luftës, njeri i mirë thoshin,  por që në fakt kishte gabuar rëndë. Ai dhe disa shokë të tjerë, për mendimet dhe veprimet e tyre përçarëse, u përjashtuan nga partia. Njoftova për këtë gjendje shokun Enver. Nuk zgjati shumë e ai, gjeti rastin dhe  erdhi në Korçë, sqaroi dhe vuri mirë në vend çdo gjë. Na foli për qëndrimet konsekuente, që duhej të mbanim në këto raste. “Kooperativat do t’i ngrejmë mbi baza të shëndosha, ashtu siç i do partia dhe fshatarësia jonë patriote. Të lëkundurit do t’i bindim me durim. Duhet të jemi të vendosur në rrugën  që kemi nisur. Kolektivizimi është e ardhmja e  bujqësisë sonë. Ju keni  vepruar drejt, por mos e largoni vëmendjen nga Pojani”, na shpjegoi. Dhe në bazë të këshillave e udhëzimeve që na dha, iu përveshëm punës. Gjendja u shëndosh dhe Pojani që  atëherë   deri në vitin 1990 ka qenë ndër  kooperativat më të mira”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :