Data : 26 09 2018
KryeTitujt :

Kryengritje që u spiunua nga shteti shqiptar (R.Alia e N.Hoxha)

Në vitin ‘79 me plan ushtarak konkret, Enveri mbështeste kryengritjen e armatosur për vetëvendosje të Kosovës

Liliana Hoxha

 

Kosova u krye, po Shqipëria?

 

Lakonizmi epiko-filozofik, por edhe modern i të shprehurit nga shqiptarët e Kosovës për fitoren e pavarësisë, përmban tërë diapazonin ndjesor të ndërgjegjshëm e atë instiktiv, me ngarkesë tronditëse. “Bacë u krye!”, realizon në vetvete historinë shekullore, të pasqyruar njëherësh me përpjekjet e pashoqe për pavarësi. Aty përfshihet përbetimi popullor për çlirim, me çdo kusht e sakrificë sublime, aty përfshihet vetë-himnizimi i ditës së fitores si finale e pashmangshme për popullin martir të Kosovës, për heronjtë e kësaj e asaj bote që i përkisnin çështjes. I drejtohet Rugovës, Adem Jasharit e familjes së tij, të gjithë personazheve historikë, së paku që nga Lidhja e Prizrenit, që përfaqësojnë padyshim ndërgjegjen kombëtare. Por nëpërmjet simboleve kombëtare, populli i Kosovës i drejtohet vetvetes. O popull kreshnik i Kosovës, në dinjitet të kombit shqiptar, për besë e kreve me lavdi amanetin!  Këtij lakonizmi filozofiko-modern në kohë e hapësirë të vullnetit popullor, thellësisht të mbrujtur për të ndenjur këmbëkryq mbi baltën e tij të çliruar, iu përgjigj solemnisht protokolli zyrtar i shpalljes së pavarësisë. Përveç brezit të luftës (mosha e tretë) që përjetuan çlirimin, të tjerët, ai themelori, 40 deri 60 vjeç e mosha e re në tërë variacionin e saj, nuk ka jetuar ditë më sinjifikative së vetëndjeri shqiptar. Ndaj, 17 shkurti, është një ditë historike e jashtëzakonshme për të gjithë kombin shqiptar. Atë ditë të ngulur sa më pranë TV, ajo që shihnim: përmbajtja fisnike, tejet sqimatare e emocionit në Parlamentin e Kosovës, do të ishte arsyeja e përlotjes, prej lumturisë sonë për dinjitetin që po na vishnin të tërin si komb, në kohën që e gjithë bota s’kishte se si të mos përfillte këtë dinjitet ceremoniali fitoreje.

* * *

Qëllimisht shkruaj pas shumë ditësh, që të më lejojë jo vetëm etika, por edhe ndërgjegjja, për të parë ditën e ceremonialit jo vetëm rozë, por as bardhë e zi, siç na detyron fatkeqësisht media-politika. Kush nuk do të donte të ishte në datën 17 në Prishtinë?! Pikërisht të hënën, (e nesërme 18 shkurt), TV Vizion Plus, kuturis të intervistojë znj. N. Hoxha, çka do të ishte tepër normale të uronte Kosovën madje dhe në emër të Enver Hoxhës. TV Vizion Plus, si kurrë ndonjëherë media deri më sot, kërkon “të reja historike” prej saj në lidhje me përpjekjet e Enver Hoxhës për pavarësinë e Kosovës. Por nuk pyetet qëllimisht nëse Enver Hoxha ka qenë i gatshëm në vitin ‘79 me plan ushtarak konkret të mbështeste kryengritjen e armatosur për vetëvendosje të Kosovës. Kryengritje që u spiunua nga shteti shqiptar (R.Alia e N. Hoxha) dhe u asgjësua nga UDB-ja, kohë kur vriten drejtuesit e saj, Isuf Gërvalla me shokë që udhëhiqnin kryengritjen andej, e Mehmet Shehu (komandanti i operacionit të mbështetjes ushtarake nga Shqipëria) këtej. Pra, N. Hoxha qëllimisht nuk u pyet siç është pyetur R. Alia, për të mos gënjyer edhe ajo si ai. A do mundej E. Hoxha t’ia dilte thjesht ushtarakisht krahasuar me fuqinë ushtarake të Jugosllavisë, kjo është çështje që s’do shpërdoruar së paragjykuari siç bëri Alia, duke ditur që do të përdorte dhe faktorin ndërkombëtar, nëpërmjet imponimit për të drejtat ndërkombëtare ndaj OKB. Për këtë ka dëshmuar hollësisht Veli Llakaj, në atë kohë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Për këtë dokument, ka dijeni ish – shefi arkivit në KQPPSH. Ka dijeni Shaban Sinani, kalemxhiu i R. Alisë e ish-drejtor i Arkivit të Shtetit. Përse i vetmi person që mund të bënte transparencë zyrtare përveç Alisë, gruaja e E. Hoxhës, eviton edhe sot këtë, ndërsa i bën elozhe NATO-s e hipokrizish shprehet për bashkimin e kombit!?

 

* * *

Kosova e çeli rrugën e saj të pavarësisë, me gjithë pengesat në vazhdim të faktorit rus. Sot Kosova e pavarur përveç vullnetit të saj të pathyeshëm, njihet çdo ditë nga faktori ndërkombëtar. Shteti i ri i Kosovës i kërkon denjësisht Shqipërisë të lobojë në njohje më të gjerë të pavarësisë së saj. Ky akt, ngjall dhimbsuri të pamat e na bën më të ndjeshëm kundrejt politikës reale e asaj mediatike shqiptare. Kundrejt qëndrimeve të pastra për Kosovën, çdo qëndrim tjetër, sado rastësor në dukje apo i maskuar si çështje niveli apo “lapsusi” në të vërtetë mision, vetvetiu do të evidentohet siç ka ndodhur deri më sot. Kështu,  Andi Bushati, nipi i Hysni Kapos, (ambasadori i parë shqiptar në Beograd), loboi para zgjedhjeve të nëntorit në mbështetje të projektplanit rus për investime të rëndësishme në Kosovë, me kusht heqje dorë nga pavarësia. Sepse është pikërisht kjo kënetë postkomuniste, që pa asnjë pengesë teorike (ideologjike), por veçse me qëllime të hapura në sabotim mafioz, e kanë lënë vetë Shqipërinë mbrapa si zhvillim në vetvete, e aq më keq drejt integrimit evropian. Nëse Kosova ecën e sigurt përpara, me ndihmë të merituar ekonomike kryesisht nga SHBA e BE, Shqipëria duhet të shohë çfarë e pengon të bëjë hapa përpara nga brenda.

06 mars 2008

Gazeta “Ndryshe”

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit