Data : 19 08 2018
KryeTitujt :

Kryeministri Rama: Në shtator nis rruga Kardhiq-Delvinë

Kryeministri Rama, pas mbledhjes së qeverisë në Gjirokastër,  doli në një deklaratë ku foli për investimet në këtë qytet.

Sa i përket projektit për transformimin e të gjithë qytetit, Rama u shpreh se faza e parë është mbyllur, ndërsa faza e dytë do të nisë në muajin shtator për të mos penguar turizmin gjatë kësaj periudhe.

“Përgatitemi për të filluar fazën e dytë, e cila është gati, por është rënë dakord që punimet të fillojnë në shtator për të mos penguar turizmin”, tha Rama.

Kryeministri bëri njoftimin se së shpejti do të fillojë ndërtimi i “bypass”-it të Tepelenës, si edhe të rrugës Kardhiq-Delvinë, për të cilën Rama tha se është një ndërtim strategjik. Kryeministri tha se janë edhe një sërë projektesh të tjera.

“Ndërhyrje të rëndësishme në ujësjellësa. Si dhe projekte që janë pjesë e programit të qeverisë për 300 qendra shëndetësore, të cilat do të transformohen rrënjësisht dhe 52 shkolla që nisin rindërtimin muajin e ardhshëm, ku dhe Gjirokastra ka pjesë. Do të rindërtohet shkolla profesionale. Gjirokastra si qark është edhe pjesë e programit të fshatrave, me 13 fshatra të përzgjedhura për të nxitur turizmin”, tha Kryeministri

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :