Data : 18 08 2018
KryeTitujt :

Koha dhe familja-Opnion: Nga Albert ZHOLI

Koha dhe familja

Nga Albert ZHOLI
Erosi është marrëdhënia e cila lidh ose më mirë bashkon  dy njerëz me besim, përballë pasqyrës së tjetrit. Dashuria është një vulë qe erosi mund ti rezistoj kohës dhe se ne jetojmë për njeriun tonë dhe ai për ne. Seksi është gjithmonë një grackë. Jep një kënaqësi të pamatë dhe ndoshta mbylljen në vetvete deri në takimin për të shijuar sërish kënaqësinë. Por nëse gjatë kësaj periudhe pritjeje, ngulitet në mendje vetëm mendimi për të patur atë ëmbëlsirë aq të shijshme dhe jo se si do ta bëj të qëndrueshme një lidhje atëherë një marrëdhënie nuk do përfundoj kurrë në dashuri, por do mbetet aty, si një rast marrëdhënie seksuale. Dashuri nuk do të thotë seks. Ajo është vetëm njëra anë.
Kur femrat bien në dashuri, ndjejnë se përjetojnë një ëndërr shumë herë të ëndërruar, një ëndërr të bukur, të cilën nuk e ka jetuar askush tjetër në atë mënyrë. I dashuri i tyre është ideali, i përkryeri, më i bukuri nga të gjithë, shpirti binjak dhe së bashku fluturojnë në qiellin e shtatë. Femra mbi të gjitha dëshiron të ndjej se për mashkullin që ka në krah është gjëja më e mirë qe i ka rënë në pjesë, ka nevojë për admirimin e tij që të mundet ti jepet dhe seksualisht.
E kundërta thuhet se ndodh me meshkujt. Bie në dashuri …ose më mirë fjala eros në mendjen e një mashkulli ka të bëjë dhe lidhet drejtpërdrejt me seksin. Pra mashkulli fillon nga e kundërta …fillon me seksin që të përfundoj te bashkëjetimi erotik.
Dhe përveç këtyre, vendosin të jetojnë s ëbashku me qëllim të zbresin në tokë erosin dhe ta kthejnë në dashuri. Dashuria bëhet pista e qelqtë mbi të cilën kërcehet nën ritmet, së pari të bashkëjetesës dhe më pas të martesës. Bëjnë plane, i vënë në zbatim dhe pastaj fillon golgothaja….në skenë del “fisi” që jep mendime dhe njohuri. Mërzitjet dhe qejfmbetjet e para fillojnë të zymtësojnë qiellin dhe retë ngjyrë rozë të dashurisë marrin ngadalë-ngadalë ngjyrën e ankthit.
Ka ca vite që shoqëria na tregon se çifti i lirë dhe bashkëjetesa, do s’do është diçka si paradhomë martese, një pasaportë për familjen dhe një garanci e përjetshme në aspektin e mbajtjes nga ana ekonomike (derisa vdekja të na ndaj). Skenari që  duhet të  ndiqet me përpikmëri  në shoqërinë patriakale shqiptare është ky:… Zgjedh dikush një të dashur, fejohet, marrin pjesë të lumtur e gjithë hare në një ceremoni dhe pas kësaj hyjnë në një lloj “burgu” që quhet “fole erotike” dhe të

jetojnë të lumtur si dy pëllumba që mos të bëhen gaz i botës …Por ja që është e pamundur se…më pas….
Është ora të vendosin për një fëmijë, i cili jo shumë herë vjen kur e duan. Një nga të dy ndoshta mund të ketë një dëshirë tjetër për momentin… Mund të humbasin punën dhe të përballen me një katastrofë familjare. S’kanë ende shtëpi. Shpeshherë jeta intime dhe ekonomike ndryshon dhe foleza kthehet në një bumerang. Problemet e shumta familjare, shqetësimet, fëmijët, puna e zgjatur, kriza ndikojnë në çdo hap të jetës intime. Koha e çon këtë marrëdhënie në vendin e fundit.
Për çudinë e madhe të të gjitha çifteve, një nga gjërat kundërerotike për meshkujt është kur  i vendosin partnerit të tyre erotik tabelën e gruas….dhe fillojnë justifikimet: Problemi është që je e ftohtë…ndihesh e lodhur…të dhemb koka sa herë kërkoj të bëjmë dashuri…ke humbur fantazinë…etj, etj.

Dhe nga ana tjetër, gruaja e shtëpisë që luan rolin e punëtores,  të nikoqires dhe të nënës së mirë duke lënë me të drejtë pas dore që ka ende pak vend mes punëhalleve që të shijoj erosin. Jeta në familje është shumë komplekse, ajo i ngjan një uzine ku n.q.s një repart nuk funksionon mirë, prodhimi del skarco. Jeta intime është si një tatuazh i shkruar në gjak i cili kalon të përtejmen e dëshirës  për të dy. Është ajo dëshirë që duhet të  lidh me një fjongo mëndafshi, si një realitet të pazgjidhshëm ëndrrën që hallet dhe problemet e venitin.  Dashuria në këtë çast nuk duhet parë si një ëndërr kalimtare por si një realitet që duhet përjetuar ashtu si të vijë.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :