Data : 20 07 2018
KryeTitujt :

Katastrofat natyrore të përmasave biblike në botë dhe në Shqipëri.

Katastrofat që kanë tronditur Shqipërinë, tragjeditë dhe dëmet e tyre në shifra
DOSSIER/ Flet ish-oficeri i lartë i ndërtimeve, punimeve dhe ndërhyrjeve xheniere ushtarake, Ramiz Feçori: Lista e tyre nis me ortekun në Batër të Martaneshit, shkurt 1965; atë në Feken të Tiranës, në shkurt 1981 ku vdiqën 11 veta; tragjedia e Librazhdit, por edhe ajo e Himarës në 1979-tën dhe 1981-in ku vdiqën mjaft persona të tjerë, etjFatkeqësitë natyrore janë veprime, ngjarje e dukuri që na sjellin dhimbje, hidhërime, vuajtje, por edhe dëme të mëdha. Sigurisht, situata të tilla, meritojnë jo vetëm të lexohen, por edhe të studiohen, sidomos në nivelin intelektual, pasi vetëm kështu mund të ndërtohen masat që duhen të merren për parandalimin e tyre. Në Shqipëri, përmbytjet kanë qenë të shumta,duke nisur  nga lumenjtë, përrenjtë , drejt tokave, fushave, fshatrave apo familjeve. Dhe teksa janë shoqëruar edhe me dëme, masat e pas-përmbytjeve dhe menaxhimi i tyre kanë qenë të pakta e jo profesionale. Në Shqipëri, tragjedi kanë sjellë edhe zjarret, djegia e shtëpive, fabrikave, deri edhe në djegien e pyjeve. Kanë vepruar repartet, skuadrat, mjetet, makinat, grupet vullnetare të zjarrfikëseve, por marrja e masave të nevojshme që të mos ndodhë e keqja, për të mos u dëmtuar, për t’u mbrojtur nga çdo rrezik, nuk kanë qenë në nivelet e duhura. Duke pasur parasysh këto katastrofa, në këtë intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”, eksperti Ramiz  Feçori tregon me detaje sesi kanë ndodhur disa prej tyre, duke nisur që nga përmbytjet, tërmetet, zjarret, apo edhe ortekët etj.

 

 

 

 Albert ZHOLI

 

Z. Feçori, flitet për shumë katastrofa natyrore të përmasave biblike në botë që në hershmëri. Mund të na përcillni disa prej tyre?

 

A keni dëgjuar se një herë në jetë, ka ngrirë krejt Deti i Zi? Kjo ka ndodhur në vitin 401, kur nga të ftohti i madh ky det ngriu cep më cep. Po kështu, edhe në vitin 763 është përsëritur një rast tjetër, kur Gryka e Dardaneleve u ngri nga akulli me një trashësi të paparë. Kurse në vitin 882, të gjithë lumenjtë e Evropës u ngrinë sa për një muaj rresht. Më tej, në vitin1194 u ngri krejt lumi Po, në Italinë Veriore. Kurse në vitin 1234, në Lombardi, u ngrinë të gjitha sasitë e verërave që gjendeshin në bodrume dhe fuçitë u çanë me sëpata. Madje, në vitin 1236 ngriu komplet lumi Danub, në të gjitha shtetet ku ai kalon. Duhet thënë se në shekullin e XV-të kanë bërë shumë dimra të egër. Kështu, në 1408-tën, kancelarit të Parlamentit të Parisit u ngriu melami dhe u vendos që të mos nënshkruhet. Edhe dimrat e vitit 1432-1433 qenë shumë të egër, saqë pulave dhe gjelave u ngriu lafsha. Madje, në vitin 1435 në shumë vende u gjetën edhe zogj të ngrirë. Sidomos, në vitin 1608, kur Mbretit të Madh Enrikut të IV-të i ngrinë mustaqet, kur ishte duke ndenjur pranë mbretëreshës, edhe buka i ngriu në tavolinë. Më tej, në vitin 1658, Mbreti i Suedisë, Karli IX me ushtrinë e tij kapërceu lumin Beli që kishte ngrirë. Në 1683-in, akulli mbi lumin Tamiz arriti në trashësinë 60 cm dhe për disa ditë, ai pothuajse nuk ishte. Në 1684-tën, Parisi u zhduk nën mjegullën e akullit. Kurse në  vitin 1709 të ftohtit qe aq i madh, saqë shumë gurë të mëdhenj plasshin nga akulli. Disa vite më pas, në 1740-tën, në Petërburg u krijua një shtresë akulli 52 këmbë i gjerë e 20 këmbë i lartë. Gjithashtu, në 1775-tën mbeti i ngrirë lumi Tamiz dhe për një muaj, aty u ndalua lundrimi. Një vit më pas, shumë kambana duke rënë u copëtuan dhe shumë sahate u ndaluan. Dhe në vitin 1789, në tërë Francën kishte ngrirë buka, saqë nuk hahej pa u ngrohur në zjarr. Shekulli i XIX-të ka provuar dimra të ftohtë. Dhe në vitet 1814, 1830, 1845, 1848 në Evropën Perëndimore ka patur shumë dëme në blegtori.

 

Po katastrofat në dy diga italiane?

 

Po, në rajonin italian Longaremo, në vitin 1963 ndodhi një katastrofë nga rënia e një shkëmbi malor mbi një digë, që shkaktoi një valë uji jashtëzakonisht të madhe dhe kjo quhet “katastrofa e Longaremos”. Një pjesë mali u shemb dhe ra në liqen, duke shkaktuar një dallgë uji jashtëzakonisht të madhe, e cila e çau digën e liqenit dhe përmbyti luginën mbarë duke sjellë dëme të mëdha dhe mbi të gjitha, u mori jetën 2118 personave. Konkretisht, katastrofa e Terezos u shkaktua nga çarja e digës e ndërtuar me dhe të ngjeshur, që ishte ngritur mbi lumin Stava për të krijuar një rezervuar uji.

 

Dhe pas këtyre fatkeqësive botërore, le të analizojmë dhe të përcjellim tek lexuesi, fatkeqësitë natyrore më të mëdha shqiptare? Cilat kanë qenë ato?

 

Po i marr me radhë. E para, orteku në Batër, Martanesh. Në muajin shkurt 1965, një ekspeditë gjeologjike ishte vendosur në shpatin lindor të malit të Dhoksit, në një shesh të rrethuar me pyllin e ahut, i mbrojtur nga erërat dhe i ftohti. Njëri nga pjesëtarët e ekspeditës, sondisti Neshat Coku, u kërkoi shokëve të vet disa ditë leje për të shkuar në familje në fshatin Kllopçist, se i kishte lindur një fëmijë. Pasi qëndroi disa ditë në familje, u nis për të shkuar në vendin e punës pranë ekspeditës. Më 21 shkurt, arriti në qytetin e Bulqizës dhe pasi bëri një pushim të shkurtër, u nis për rrugë. Shokët që takoi aty, e këshilluan që të mos nisej, se binte dëborë dhe fyente erë e fortë. Rruga qe e vështirë dhe e gjatë, por Neshat Coku u nis dhe pasi i u afrua vendndodhjes së ekspeditës në perëndim të diellit, ai rrëshqiti në shkëmbinjtë e akullt dhe u rrokullis në thellësitë e humnerës. Tri ditë kaluan, por Neshati nuk u duk. Atëherë, shokët pyetën në familjen e tij, por ato e dinin në Batër. Pas dy ditë kërkimi, u gjet një dorezë buzë shkëmbit të Batrës. Ditën e tretë, rreth 30 punëtorë filluan gërmimet në dëborë që i kalonte 2 metra. Çdo 30 minuta ndërrohej turni me nga 10 veta të cilët punonin e 10 çlodheshin. Në ditën e tretë të kërkimit, në orën 10.15 të datës 25 shkurt 1965 nga faqja e malit u shkëput një ortek i madh dëbore dhe i përlan të gjithë punëtorët që kërkonin shokun e tyre. Shtatë veta që ishin lidhur dorë për dore orteku i përplasi anash, kurse 10 të tjerët i mori përpara e i hodhi në humnerë duke i mbuluar me dëborë disa metro trashësi vdekjeprurëse. U dha alarmi, në ndihmë shkoi ushtria, helikopterët dhe populli, por qe e pamundur nxjerrja e 10 vetave, të cilët i mbuloi orteku së bashku me shokun e tyre, Neshatin. Ata ishin Avdyl Verloku, Dilaver Rupla, Emin Pershaku, Mynyr Nurçe, Skënder Tomja, Hysen Toska, Myslym Nazari, Shaban Hoxha, Neshat Rupla, Subi Kadria. Të 11 burrat mbetën së bashku me emrin e përbashkët “11 Heronjtë e Batrës”. Vetëm pas dy muajsh, në maj u gjetën 11 trupat pa jetë, të paprishur. U organizua një ceremoni madhështore në varrimin e tyre, ku morën pjesë mijëra banorë. Ata ranë me një motiv patriotik, dashuria për shokun, dashuria për jetën, për një motiv solidariteti të pashembullt, për jetën e shokut. Shembuj të tillë të rrallë kanë ndodhur edhe në raste të tjera, si në atë të Kaptinës së Martaneshit e të tjera.

 

Po tragjedia e 6 shkurtit 1981 në Feken të Tiranës? Çfarë kujtoni prej saj?

 

Kjo është dita, kur një fatkeqësi e natyrës mori jetën e re të njëmbëdhjetë studentëve dhe oficerëve. Një ortek dëbore shkëputet nga maja e malit dhe përlan të gjitha çfarë gjen përpara duke mbuluar e marrë jetën e 11 vetave dhe afro 100 studentë të plagosur, studentë të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve në zonën e Fekenit, ku ndodheshin në stërvitje gjatë një fushim dimëror. Në mëngjes, si çdo herë tjetër kolona me studentë u nis e qetë përmes shpatit të malit të Meçekut, që është i lartë 1827 m. I gjithë shpati ishte atëherë me pemë dru të rralla. Frynte një erë, e cila sa vinte dendësohej dhe vinte një zhurmë e madhe, sikur kalonin një skuadrilje aeroplanësh. Papritmas, shikohet një masiv dëbore në gjerësi, duke iu afruar kolonës së studentëve. Pamje e trishtë, tym mjegull, zhurmë e madhe. Në një pjerrësi prej 75 gradësh, masive të mëdha dëbore godasin trupat e studentëve duke i rrëzuar, ata mundoheshin të ngriheshin, u kapën dorë pas dore, por forca e paparë, e paimagjinuar, i mbulonte, i shtynte llava. Nga pedagogët u dha alarmi, që njëri u zhyt në dëborë, u dhanë urdhra, u nisën shokët nga kazerma. Përleshje me katastrofën. Secili ndihmonte shokun. Në krye udhëhiqnin oficerët e rinj, me trup e fuqi luani, por natyra u tregua e tërbuar. Lufta për jetën nuk kishte të ndalur. Kjo luftë zhvillohej nga ora 9-10 e gjithë paradites së datës 6 shkurt, ku të dëmtuarit pasi nxirreshin, transportoheshin me krahë për në kazerma. U dha alarmi edhe në ministrinë e Mbrojtjes, nga ku shumë veta u nisën me shpejtësi për në Feken, midis të cilëve isha edhe unë, shkruesi i këtyre rreshtave. Kur u nisëm nga Tirana ishte një diell i ngrohtë, një kohë e bukur. Por sapo kaluam qafën e Priskës ishte një botë krejt tjetër, kurse kur vajtëm përballë shpatit të ndodhisë nuk merrej vesh se ku ishim. Kishte një zhurmë të padëgjuar. Sapo zbritëm nga një Zis i mbuluar, mua më mori era e më përplasi në një pemë me gjemba, më humbi kapela dhe nuk më linte forca e erës të ngrihesha dhe lëviza barkas e këmba dorës. U errësua, u bë natë shumë shpejt. Të nesërmen po zbardhte drita shpejt, doli dielli, po shkrinte akulli, një qetësi përrallore dhe aty pranë në një çerek barake ndodheshin dy djem, kufoma, që ishin zbritur natën nga shpati i mallkuar, për t’i dërguar në Spitalin Ushtarak. Raportohej se kishin ngelur në dëborë pa gjetur akoma edhe dy persona të tjerë. “Me veten time, – thosha, – a kam qenë mbrëmë këtu apo jo, shikoj anash ku isha zvarritur dhe pashë kapelën time në mes të një ferre dhe dhjetëra të tjera që rrinin aty. U takova me oficerin që kërkoja dhe morëm masa për të hapur rrugën e bllokuar me një buldozer, i cili filloi punën. Unë u nisa të shikoj rrugën nga ana e kazermave. U futa aty ku ishin të plagosurit. Kazerma afro 90 metra e gjatë, e mbushur me krevate dysh nga 2 në çdo anë numëronte 95 veta, të gjithë pa përjashtim të fashuar, kush në kokë, këmbë, krah, por secili kishte ndonjë lidhje të bardhë dhe ishin shtrirë. Bashkë me mua i ka takuar edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj. Pastaj unë u mora me hapjen e rrugës që lidhte qendrën e kazermave me rrugën kryesore, si dhe me nxjerrjen e dy vetave që akoma nuk ishin gjetur. Ata që dhanë jetën duke luftuar me dëborën për të shpëtuar jetën e tyre, por edhe për të nxjerrë e shpëtuar të tjerët, Çlirim Pulaj, Dushan Shameti, Nikollaq Bero që ishin oficerë nga më të mirët. Të tjerët qenë studentë, edhe këta nga shokët që nuk u gjendej shoku si Nexhip Çoba, Besnik Shehu, Aleko Gjoni, Pëllumb Rrapo, Qemal Lika, Bilbil Pashaj, Ilir Gramatikoi dhe Bujar Ago. Në gjithë ushtrinë, në gjithë vendin pati ditë zie, një hidhërim i madh pati pllakosur me vdekjen e këtyre djemve. Por jo pak dhimbje shkaktuan edhe afro 100 të plagosurit; disa shpëtuan duke luftuar, disa shpëtuan nga shokët etj. Një ndihmë të madhe atëherë kanë dhënë mjekët e infermierët e Spitalit Ushtarak që kurdoherë kanë qenë në gatishmëri.

 

 

 

Tragjedia e 15 janarit 1979, Librazhd

 

17 janari 1979 për gjithë rrethin e Librazhdit ishte caktuar ditë aksioni për rininë e rrethit, që do merrte pjesë në hapjen dhe shtimin e tokave të reja. Duhej të zbatohej detyra: “T’u qepemi kodrave e maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”. Atë ditë në kodrat e Spatharit do të punonin djem dhe vajza, aksionistë nga i gjithë rrethi. Për të shkuar te këto kodra, kalimi në anën tjetër të lumit Shkumbin nga rruga kryesore për në fshatin Spathar bëhej nëpërmjet një ure të varur, e cila qe ndërtuar me kavo dhe dërrasa. Aksionistët nisen në rresht njëri pas tjetrit, për të kaluar në anën tjetër. Në një moment, kabllot e çelikut këputen dhe dhjetëra aksionistë ranë në dallgët e lumit të rrëmbyeshëm e të ftohtë. Një pjesë mundën të shpëtonin me not disa me ndihmën e njëri- tjetrit. Por disa e patën të vështirë, nuk u qëndruan dallgëve të ujit të ftohtë e të rrëmbyeshëm dhe me gjithë përpjekjet, nuk u gjetën. U deshën disa ditë e javë që disa të gjendeshin, u angazhuan policia, banorët, polumbarët e flotës detare dhe forcat e ushtrisë. Kufoma e fundit, e shtata u gjet në fushën e Labinotit, 20 km larg vendit të tragjedisë nga banorët e zonës rastësisht, teksa mblidhnin dru zjarri.

 

Tragjedia e Himarës, 23 nëntor 1989

 

Kanë ndodhur edhe ngjarje si ajo që i thonë “Tragjedia e Llogarasë”, kur në datën 23 nëntor 1989, në të dalë të qytetit të Himarës, pikërisht aty ku është një e përpjetë e fortë, shoferi i autobusit që transportonte studentë të Institutit Lartë Bujqësor, duke u munduar të ndërrojë marshin, i doli automjeti jashtë kontrollit dhe ka rrëshqitur në humnerë në një thellësi rreth 70 metra. U vranë 23 studentë dhe u plagosën shumë prej tyre. U trondit krejt Shqipëria. Qeveria dhe Shtabi i Emergjencave vendosën të dërgojnë 2 helikopter me nga tre veta ekuipazh, si dhe në kthim 7 veta ekip mjekësor. Pasi helikopterët mbërrijnë në vend marrin të plagosurit e kthehen, por ndodh katastrofa e dytë me helikopterët. Që të dy zhduken dhe rrëzohen në tokë, në shpatet e maleve. Erdhën nga Tirana dy helikopterë Mi-4, njëri komandant Vangjel Postoli, pilot Tafil Agaj e teknik Pandeli Xhumba e tjetri komandant Agron Galanxhi, pilot Veledin Resuli e teknik Enver Haka, si dhe ekipi i mjekëve të spitalit me Agim Qorri, Dionis Markuçi, Zana Floqi dhe Dhurata Leka dhe dy mjekë nga Himara.

 

 

 

Aksidenti automobilistik në Pukë

 

E gjithë Puka më 18 korrik është në zi. Kjo krahinë malore, plot halle e derte duhet të kalonte edhe fatkeqësinë e radhës nga më të rëndat, vdekjen e 14 bijave e bijve të saj në një aksident automobilistik. Pesha e zisë pushtoi disa fshatra si Arrëzi, Gjegjani, Shkoza, Kusuli e të tjerë.

 

 

 

Megjithëse nuk janë fatkeqësi natyrore ato hyjnë në tragjeditë njerëzore, që me kujdesin e gjithanshme të njerëzve, organeve vendore dhe institucioneve shtetërore mund të evitohen

 

Tragjeditë e marsit në Shqipëri

 

 

Megjithëse nuk janë fatkeqësi natyrore ato hyjnë në tragjeditë njerëzore, që me kujdesin e gjithanshme të njerëzve, organeve vendore dhe institucioneve shtetërore mund të evitohen. Duke i kujtuar viktimat e shumta, jo vetëm që tregojmë respekt për vetë viktimat e njerëzit e tyre, por kujdesemi për t’u bërë më njerëzorë për të kujtuar dhe për të marrë masat që nevojiten, për t’u prerë rrugën, për të mos mbjellë vdekje e humbje jetësh si nga aksidentet, nga fatkeqësitë e natyrës, nga përmbytjet e rreziqet e tjera. Më 9 mars 1996, ishte një ditë e zezë, e paharruar për dibranët, kur 30 djem të rinj, djem nënash, u mbytën e humbën pa nam e nishan në ujërat e ftohta të Otrantos. Donin të kalonin detin për bukën e gojës, disa të krijonin familje, disa të rrisnin fëmijët, disa të ndihmonin familjet. Iknin e sakrifikonin me jetën e tyre, por rruga e zgjedhur ishte pa fat për ta, i kujtojmë , por një vend për një tufë lule dhe për t’i qarë nuk kanë.

 

Më 30 mars 1997 ndodhi tragjedia më e madhe, ku u mbytën mbi 70 veta , si shkak i përplasjes në det të anijes të vogël shqiptare me refugjatë të ngarkuar, me anijen ushtarake italiane “Sibila”. Ishin të gjithë burra, gra, fëmijë të vegjël që akoma nuk kishin folur fjalën e parë dhe nuk kishin hedhur hapin e parë në tokë. Anijen e përmbysën dhe e mbytën në fund të detit. Tragjeditë e marsit në Shqipëri, sa herë na kujtohen, veç dhimbje na japin.

 

29 Prill 1997

 

Shpërthimi i depove të municionit Selitë, Qafë-Shtamë

 

Ishte mëngjesi i 29 prillit 1997. Pranë depove nëntokësore, disa persona kishin hapur depot e municionit. U morën municione, por fatmirësisht nuk u shkaktua ndonjë viktimë. U morën gëzhoja, por për predha artilerie nuk u interesua njeri. Kjo pati nisur që në ditët e para të marsit. Në muajin prill nisi tregtia e gëzhojave të këtyre predhave me përmbajtje bronxi. Banorët e fshatit të vogël në rrëzë të malit pranë depove të municioneve, hynin në depo merrnin predha, i zbraznin barutin dhe i dërgonin në vendin e grumbullimit të gëzhojave. Por në tunel ishte errët dhe filluan të përdorin qiri, elektrik dore e çfarë të mundin. Por diku, baruti u ndez dhe aq e pati të merrte flakë i tërë tuneli dhe më pas të gjithë tunelet. Asnjeri nga ato që qenë aty nuk pati kohë të largohej. Banorët dëgjuan zhurmë, i tërë rrethi i Matit dëgjoi zhurmë, pa flakë e shumë tym, zjarr i paparë u ngjit në qiell dhe më vonë u pasqyrua në lajmet e ditës, kur u dha në televizor. Fshatarët e kuptuan se kishte ndodhur gjëma, u nisën me vrap dhe nisen kërkimet, por vetëm tym, shkrumb e hi; vendi krejt i ndryshuar, ndërtesat përpara tuneleve i kishte mbetur vetëm skeleti. Lotët e britmat nuk kishin të sosur, nënat kërkonin fëmijët, gratë, burrat, fëmijët prindërit. Vetëm fëmijë ishin 12 veta. Në mes të errësirës nuk mund të shikoje asgjë. Shpërthimi vazhdonte me predha të veçanta brenda në tunel. Kush mund të hynte brenda ?! U bë alarm në qeveri, në ministri, erdhën helikopterët, por asgjë s’mund të bëje. Vetëm një ditë më vonë, banorë të fshatit, ushtarakë, punonjës policie nisën kërkimet për gjetjen e trupave pa jetë, Hazis, Selman e Lik Dishani gjetën forca për të rrëfyer ngjarjen aq sa dinin. Pas më shumë se një muaj kërkimesh në tunele, u gjetën eshtrat e 11 viktimave, ndërkohë që 12 prej tyre ende nuk janë gjetur. Familja e Hazis Dishanit ishte nga më të mëdhatë që la jetë në tunele plot 7 veta. Lik Dishanit i mungonin tre njerëz të afërm, po kaq edhe S.Kurtit e Z.Dishanit, Ferit Uka e Murat Dishani humbën nga dy të afërm. Ndërsa Selman, Ali, Halil, Besnik e Dyl Dishani nuk kishin në gjirin e tyre nga një familjarë. Fatkeqë qenë edhe Hysen Rama, Rifat Barci, Osman Haxhiu. Këto tunele janë varri i 23 personave, zjarri e flaka e barutit përpiu 12 vajza e 11 djem, vetëm 5 prej tyre ishin të martuar, 5 veta kishin kryer shërbimin ushtarak, të tjerët qenë fëmijë të vegjël. Varfëria e tejskajshme i detyroi prindërit të dërgonin fëmijët në tunelin e vdekjes për të mbledhur gëzhojat të cilat shiteshin në tregun e zi.

 

 

 

Tragjedia e Farkës, 6 mars 2008

 

Më 6 mars 2008, në bregun lindor të liqenit të Farkës, në një klub organizohej një dasmë. Mbas përfundimit të festimeve, gëzimit e haresë dasmorët dëshironin të largoheshin dhe hipën në një varkë që ishte në breg të liqenit afër klubit. Pa u menduar shumë, hipën shumë veta, mbi normën e peshëmbaj-tjes dhe varka u përmbys duke mbytur 16 veta, disa prej të cilëve nga një familje e nga një fis. Kjo ngjarje e papritur u përjetua si një fatkeqësi shumë e rëndë. Shkaku dhe arsyet e saj rodhën si pasojë e moszbatimit të kërkesave, kontrolleve si nga pushteti vendor, institucionet shtetërore, biznesit e shumë të tjera.

 

 

 

Tragjedia e Gërdecit, 15 mars 2008

 

Më 15 mars 2008 ndodhi çudia me vetë shtetin shqiptar, kur deri tani në të gjitha ngjarjet e përmendura në këtë libër shteti ishte i paaftë e sehirxhi, tani ka marrë rolin e organizatorit dhe pa dashje, “gabimi teknik-teknologjik” vret dhe shkrumbon qytetarët e tij. Në ballë i printe Ministria e Mbrojtjes, që duhet të mbronte njerëzit e saj. U vranë 26 persona dhe u plagosën qindra vetë, që nga fëmijë, burra e gra dhe u shkatërruan 1300 shtëpi. Pamjet e filmuara dhe i gjithë territori ishin sikur ishte hedhur bomba atomike në Hiroshima, por jo “Gërdec-shima”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :