Data : 24 05 2018
KryeTitujt :

“Kasaphana” e ushtrisë serbe në Bërdicë, më 9 shkurt 1913

Perparim Rexhepaj

Pas katër muajsh luftime të përgjakshme ( tetor 1912-janar 1913), me humbje të rënda, ushtria e Malit të Zi, që kishte pretenduar se do ta pushtonte Shkodrën për 10 ditë,  nuk kishte mundur të pushtonte as edhe një sektor të rëndësishëm të mbrojtjes së saj, si Taraboshi, Shtoji, Bardhaj i Madh dhe Bërdica.  Ndërkohë , më 3 dhjetor 1912, u bë armëpushimi i Çatallnxhasë (qytet ne Turqi) për ndërprerjen e veprimeve luftarake ndërmjet ushtrsië otomane dhe aleatëve ballkanikë( Serbia, Greqia, Bullgaria, Mali i Zi).

Mbret Nikolla i Malit të Zi i kërkoi komandantit të Garnizonit të Shkodrës, Hasan Riza Pashës që ta zbatonte armëpushimin, por ai iu përgjigj se ”Tashmë, Shkodra është një qytet shqiptar që nuk mund të marrë urdhëra nga një komandë turke dhe se qyteti dëshiron të mbrojë pavarësinë e vet kundër malazezëve”.

Hasan Rizaja hyri në bisedime me krerët e malësorëve katolikë të Mbishkodrës, rreth 12 mijë vetë, që po luftonin përkrah ushtrisë malazeze. Ai u dërgoi mesazh atyre se Shkodra po mbrohej për llogari të Shqipërisë dhe jo të Turqisë, prandaj     duhet të bashkëpunonin kundër ushtrisë malazeze.

Sipas idesë së Hasan Rizasë, trupat shqiptaro turke të Garnizonit të Shkodrës do të sulmonin grupimin kryesor të ushtrisë malazeze, të dislokuar në Shtoj dhe Vrakë, kurse malësorët do të sulmonin malazezët pas shpine. Kështu do të asgjësohej grupimi kryesor armik dhe do të hapej rruga për të hyrë edhe në Podgoricë. “Në këmbë u ngrit Hasan Rizaja, në Podgoricë falet xhumaja”.

Por më 31 janar 1913, pasdite, pasi piu kafe tek shtëpia e Esad Pashë Toptanit, i cili ishte zëvëndësi i tij, Hasan Rizaja u vra pabesisht nga truproja kryesore e Esadit, Osman Bali. Esadi mori komandën e Garnizonit të Shkodrës. Puna e parë që bëri ishtë dërgimi i një letre krerëve të ushtrisë malazeze dhe të asaj serbe, (që ishte dislokuar në rajonin Bushat-Lezhë), duke kërkuar armëpushim dhe bisedime.

Nga pala serbe dhe ajo malazeze erdhi përgjigje negative, pasi sipas tyre, kjo kërkesë ishte bërë më parë prej tyre, por ishte hedhur poshtë nga Hasan Rizaja. Gjithashtu, malazezët dhe serbët, pasi kishin përfunduar përgatitjet e fundit për një mësymje të përbashkët kundër Shkodrës, ishin të sigurtë që do ta pushtonin qytetin me luftë. Ndërkohë, sipas kujtimeve të Edit Durham, e cila shoqëroi trupat malazeze në luftën e Shkodrës,  qindra gra malazeze, të pajisura me sopata e litarë, pasi kishin grabitur më parë fshatrat shqiptare, nganjëherë edhe telat e telefonit të ushtrisë malazeze, prisnin përreth Shkodrës që të binte qyteti dhe ato të vazhdonin punën e tyre.

Sipas planit të miratuar nga mbret Nikolla dhe koloneli serb Popovic, goditja kryesore e ushtrisë malazeze do të jepej në Bardhaj të Madh dhe Tarabosh, kurse forcat serbe të tri divizoneve “ Shumadija” , “Drini1” dhe “Drini 2 “ do të bënin një sulm demonstrativ kundë rajonit të forifikuar në Bërdicë.

Mbret Nikolla ngutej ta pushtonte Shkodrën sa më parë sepse vazhdonte punimet Konferenca e Londrës, që po vendoste për kufijtë e shtetit të ri shqiptar. Franca dhe Rusia e kishin këshilluar mbret Nikollën që sa më shpejt ta bënte “fakt të kryer” pushtimin e Shkodrës, në mënyrë që ata të kishin një argument të fortë në dorë se Shkodra duhet ti jepej Malit të Zi. Por humbjet e mëdha që kishte pësuar ushtria malazeze nuk jepnin garanci se Mali i Zi i vetëm mund ta merte Shkodrën. Mbret Nikolla u detyrua të kërkojë ndihmën e Serbisë, që pranoi me kushtin që Mali i Zi që të hiqte dorë nga Peja, Gjakova dhe Prizreni.

Më 7 shkurt 1913, pas një përgatitje të gjatë me artileri, ushtria malazeze u hodh në mësymje kundër rajoneve të fortifikuara në Tarabosh, Shtoj dhe Bardhaj të Madh. Vetëm në Bërdicë nuk luftohej. Përleshje shumë të ashpra e të përgjaakshme vazhduan, deri në datën 8 shkurt. Malazezët mundën të pushtojnë vijën e parë të mbrojtjes në Bardhaj të Madh, Shirokën dhe dy transhe në Tarabosh, kurse në Shtoj nuk bënë dot asnjë hap përpara. Humbjet ishin tepër të mëdha. Në Tarabosh u vranë 1500 luftëtarë malazezë, në Bardhaj grupimi i Zetës humbi 40 përqind të efektivit, kurse në Shtoj, rreth 2 mijë vetë.

Komanda e Garnizonit të Shkodrës futi në luftim rezervat e saj dhe i hodhi në kundërsulm për rimarrjen e vijës së parë të mbrojtjes në Bardhaj të Madh. Trupat e grupimit të Zetës, sipas një autori malazez, “me shpirt në dhëmbë” mezi po qëndronin. Në këto kushte, Komanda e Lartë e ushtrisë malazeze i kërkoi me këmbëngulje komandës serbe që të sulmonte në Bërdicë, me shpresën se do të lehtësohej presioni i ashpër i trupave shqiptaro-turke.

Në këto kushte, në datën 8 shkurt në darkë, komaandanti i forcave operacionale serbe, koloneli Popovic vendosi të sulmonte të nesërmen,  herët në mëngjez Bërdicën me dy kolona. Nga krahu i majtë-një regjiment i përforcuar , nga krahu i djathtë-dy regjimente, gjithsejt 11 batalione.

Kolonat serbe e kaluan natën në formacion luftimi. Trupat e kolonës së krahut të majtë, duke ecur në një terren tepër mocalor në Trush e Shirq, me baltën e ujin deri në brez, nuk rezistuan dot më dhe u ndalën. Komandanti i kolonës së majtë, në kushtet e errësirës dhe terrenit të vështirë mocalor, humbi ndërlidhjen me  Popovicin dhe vendosi që të mos avanconte përpara.

Në orën 03.30 të datës 9 shkurt 1913, këmbësoria serbe e kolonës së krahut të djathtë u hodh në sulm kundër rajonit të fortifikuar të Bërdicës, në krahun e majtë të rrugës aktuale Bushat-Shkodër. Për të ruajtur fshehtësinë e veprimeve serbët nuk bënë përgatitje me artileri. Vetëm pak minuta përpara sulmit një bateri malore nga Melgusha shtiu disa herë kundër pikëmbështetjeve të para në Bërdicë ( ishin katër të tilla, me disa transhe dhe 8 radhë me tela me gjemba).

Këmbësoria serbe kishte një detyrë tepër të vështirë. Ajo duhet të përparonte në një errësirë të thellë dhe terren tepër mocalor, që shtrihej para vijës së parë të mbrojtjes në Bërdicë. Toka pranë telave me gjemba, në shumë raste, ishte me gropa të thella të mbushuar me ujë dhe llucë. Disa gropa ishin aq të thella, sa luftëtarët duhet ti mbushnin me trupat e tyre që të kalonin të tjerët.

Kur iu afruan gardhit me tela me gjemba para transhesë së parë, ushtarët serbë ndezën dsa llampa dore dhe filluan të bërtisnin “Zhivio Petër”( Rroftë mbreti Petër). Ata u munduan të shkatërronin telat me gjemba me bajoneta, qyta pushkësh, sakica, etj. Megjithë errësirën e madhe të natës, sa që ushtarët nuk mund të dalonin njeri tjetrin, qindra prej tyre mundën të depërtonin brenda telave me gjemba, kurse pjesa tjetër vinte rrotull nëpër ujë e baltë që të gjente një shteg për tu futur. Ndërkohë, nga trupat e rajonit të Bërdicës mbahej një heshtje e thellë, asnjë zhurmë dhe asnjë e shtënë.

Kur komanda e rajonit të Bërdicës u sigurua se brenda telave me gjemba ishte futur një numër i madh i ushtarëve serbë, dha urdhër të ndizej një prozhektor i madh me diametër 900 mm, i vendosur në lartësinë 168 metra. Drita e e fortë e prozhektorit ndricoi krej terrenin dhe i verboi ushtarët serbë. Menjëherë, kundër tyre filloi një zjarr i fuqishëm, i kombinuar i pushkëve, mitrolozëve dhe topave me qitje të shpejtë. Sipas gazetarit serb Jasha Tomiq, i cili ka qenë dëshmitar okular, ushtarët serbë, të tmerruar dhe të zënë në befasi, ja filluan në kor një ulurime kobzezë  “Lele, kuku majko za mene”°.

Redifët shqiptarë (rezervistët dibranë, devolli dhe elbasanli,) si dhe nizamët u hodhën në kundërsulm, duke i goditur nga krahët dhe nga prapa ushtarë serbë, të mbërthyer nga paniku. Shumica e tyre u vranë në distancë të afërt dhe me bajonetë. Kur zbardhi dita, trupat e qinra ushtarëve serbë vareshin në gardhet e telave me gjemba. Vetëm rreth 600 ushtarë serbë mbeten gjallë nga efektivi i skalionit të parë që u fut brenda transheve të Bërdicës. Skalion i  dytë, që pa kasaphanën, u tërhoq në panik drejt Melgushës. Sikur redifët shqiptarë të mos ishin dhënë pas plackës, por të kishin vazhduar ndjekjen e armikut, humbjet e tyre do të ishin edhe më katastrofike.

Sipas mareshalit turk Fevzi Cakmak dhe Nazif e Kirametin ( oficerë të Shtabit të Garnizonit të Shkodrës), nga efektivi i rajonit të Bërdicës u vranë 45 vetë, kurse nga raporti që dha misioni i shëndetësisë turke, serbët patën më shumë se 1550 të vrarë, mes tyre 39 oficerë dhe dy tre fish të plagosur. U zunë rob 8 oficerë, një kapiten, tre togerë, si dhe 450 nënoficerë e ushtarë, nga këta 100 ishin të plagosur, që u dërguan në spitalet në Shkodër.

Një numër ushtarësh serbë  të plagosur u vranë nga redifët në vend, për shkak të urrjejtjes, që kishin krijuar luftëtarët shqiptarë për serbët nga masakrat e tyre në Kosovë e Shqipëri. Për hakmarrje, forcat serbe vranë dhe shkuan në bajonetë të gjithë banorët shqiptarë që gjetën në Barbullush.

Shtypi serb i kohës e quajti këtë përleshje “Kasaphana e Bërdicës” dhe një nga humbjet më të mëdha, gjatë gjithë Luftës së Parë Ballkanike. Serbia mbajti tre ditë zi për oficerët dhe ushtarët e saj, që lanë kockat në Bërdicë.

Edhe në këngët popullore shkodrane është ruajtur kujtimi për disfatën e rëndë të ushtrisë serbe në Bërdicë. “Taraboshi e Bërdica, po bajnë shkinat kukavica. Kukavica, kukumene, nga kanë ngelë serbt ndër tela”.

Grushti i rëndë që morën malazezët dhe serbët në luftimet tre ditore i konsumoi pothuajse plotësisht kapacitetet e tyre mësymëse. Këtë e tregojnë faktet se ushtria malazeze, nga data 9 shkurt e deri sa Esad Pashë Toptani e dorësoi Shkodrën ( 22-23 Prill 1913) nuk ndërmori asnjë veprim mësymës, me përjashtim të një sulmi të kufizuar në Tarabosh, më 31 mars edhe ky pa sukses dhe me humbe të rënda. E vetmja “luftë” e ushtrisë malazeze dhe serbe ishte bombardimi pa pushim, ditën e natën, pa dallim të lagjeve myslimane dhe ato katolike të   Shkodrës për të ndikuar në thyerjen e moralit të popullit dhe luftëtarëve të saj.

Edhe e ashtuquajtura “Trupa bregdetare serbe”, megjithëse u përforcua me rreth 30 mijë forca, të ardhura nga Selaniku me anije greke, të pajisura me  artileri dhe një skuadrile avionësh luftarakë, nuk guxoi të sulmonte më Shkodrën. Ajo manovronte forcat nga njeri drejtim në tjetrin, deri sa më 15 prill, qeveria serbe e detyruar nga presioni i Fuqive të Mëdha, urdhëroi  tërheqjen e ushtrisë serbe  nga rrethimi i Shkodrës, pasi më 23 Mars 1913, ajo ishte caktuar nga Konferenca e Londrës,  brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit