Data : 20 05 2018
KryeTitujt :

Ja se si nuk mund të përmbytet Shqipëria nga shirat

 

 

PermbytjetINTERVISTA/ Flasin Prof. Ago Nezha, Prof. Lush Susaj, Prof. Tritan Shehu

Albert Z. ZHOLI

 

Të paharruarit, Akademikut të shquar Farudin Hoxha në një intervistë të zhvilluar në vitin 2015 në lidhje me përmbytjet ai shprehet: “Pse ndodhin? Pasi janë prishur argjinaturat, janë prishur hidrovoret, deltat e lumenjve janë deformuar, devijuar nga ndërtimet dhe janë bërë ndërtime në fusha ku dihet që bëhen përmbytje. Janë bërë ndërtime në fushë mbi argjinatura. Po të eliminohen këto për disa ditë rregullohet çdo gjë. Problem tjetër prerja e pyjeve. Pyjet. Pyjet janë metalurgji prodhimesh. Sa kalon Qafë-Thanën dhe futesh në Maqedoni është natyrë tjetër. Sepse çdo zonë ka rojtarët e vet. Kjo varet nga mirëmbajtësit e pyllit. Ata kanë mirëmbajtje të çdo peme me numër. Pylli është një kombinat i madh pa fund. Pylli ka mishin dhe lëkurën e kafshëve të egra pa fund, si derrin, kaprolli, dhelprën. Në Lezhë ka pasur derra të egra pa fund dhe tani aty nuk janë më sepse filluan të presin pyllin. Po ku janë sot pyjet? Toka është një betonarme. Rrënjët e pemëve e bëjnë të patundur tokën. Toka rri në krye. Pylli nuk është vetëm që e bën zero erozionin. Pylli është një rezervuar i madh i lagështisë dhe i ujit. Në vendet ku ka pyje, në behar vazhdon e rrjedh uji. Pylli është një kompleks industrial që ka disa uzina dhe disa fabrika. Duke filluar nga kërpudhat, që nuk shiten në Shqipëri, ndërsa në vendet e perëndimit ato janë me shumicë. Aty ku ka pyje ka reshje. Pyjet në zonat tona malore janë të zhveshura dhe zona rrezikohet nga erozioni” Ndërsa shkrimtari Ismail Kadare, tek “Courier International (1999)”, në analizën e tijë rrëth sëmundjes së kahershme të fiktivitetit dhe kapërdisjes idiote të drejtuesve dhe nëpunësve ballkanas dhe shqiptarë në veçanti, shkruan se: “Në periudhën komuniste mburrjet verbale të udhëheqjes, kërcënimet ndaj botës perëndimore dhe vetëdehja për të ashtuquajturin lulëzim të vendit, mbetën më tepër në sferën teorike, si pjesë e një sistemi politik të dështuar……Koha e kapardisjes së madhe i erdhi shqiptarëve, ose më mire klasës politike të tyre, atëherë kur ajo pritej më pak: pas rënies së regjimit komunist. Mund të thuhet pa frikë se, për dhjetë vjet, njerëzit e politikës shqiptare, u mburrën e u ngrefosën më shumë se gjithë paraardhësit e tyre, gjatë dhjetë shekujve. Ishte një trishtim i madh të vëreje se si një pjesë e këtyre politikanëve harruan krejtësisht se çfarë u besoi historia: nxjerrja nga mjerimi e nga tronditja psiqike e një populli që kishte vuajtur aq shumë e që kishte nevojë më në fund për jetë, për shëndoshje trupore e shpirtërore, me fjalë të tjera për normalitet”. Lind pyetja, përse ka përmbytje në disa zona?Kush është fajtori kryesor? A mund të minimizohen dhe të zerohen përmbytjet? Kush janë faktorët kryesorë të përmbytjeve?

 

Flet, Prof. Ago Nezha: Problemet janë të mbartura, të akumuluara, edhe pse qeveria është angazhuar për tu dhënë zgjidhje emergjente.

-Si do ti cilësoje problemet e përmbytjeve që ndodhin në Shqipëri?

Këto probleme nuk janë të sotme. Me gjithë punën që po bën Qeveria Rama 2 problemet e akumuluara nuk mund të përmirësohen për 4 vjet.  Këto janë probleme të mbartura për 28 vjet, pasi në Shqipëri nuk është punuar me strategji për të përballuar situata të tilla të agravuara në vite. Në këto 28 vjet, Shqipëria është lënë në mes të katër rrugëve. Sipas mendimit tim këto përmbytje kanë ardhur sepse: -Janë prishur të gjitha argjinaturat dhe kanalet e dyta dhe të treta të kullimit të ujërave në tokat e punueshme. Janë prishur thuajse të gjitha stacionet hidro-metereologjike, të cilat paralajmëronin situata të tilla. Lumenjtë kanë devijuar nga shtretërit, si rezultat i ndërtimeve dhe marrjes së inerteve pa llogari, dhe si zor që këto shtretër të mund të disiplinohen më. Brezat pyjorë që ishin mbjellë në luftë kundër erozionit (gërryerjeve), janë prerë dhe shkatërruar në mënyrë të përbindshme. -Pyjet nëpërmjet rrënjëve të pemëve thithin 70 % të ujit, që tashmë kalon në gjendje të lirë, pa pengesë. Janë prishur hidrovoret dhe të gjithë kolektorët. Gjatë këtyre 28 vjetëve janë bërë ndërtime pa kriter duke ndërtuar shtëpi banimi mbi argjinaturat e lumenjve që kanë ndërprerë rrjedhjen natyrale të tyre.

Çfarë do të ndodhë pas këtyre përmbytjeve?

Tokat e përmbytura nuk do të jenë në gjendje pjellorie natyrale, mikroelementet kanë shkuar në det dhe toka nuk do të mund të rigjenerohet. -Riaftësimi i tokës për prodhim bimor, kur uji qëndron për ditë të tëra mbi tokë, prishen ekuilibrat kimikë dhe vdesin mikroorganizmat, gjë që do kohë të riaftësohet. Detyrë e shtetit është që në mbjelljet e pranverës duhet të investojë për fermerët që ata të kenë mundësi ta plehërojnë me plehra kimikë, që ta riaktivizojnë pjellorinë e tokës. Njëkohësisht duhet të mbillen kultura leguminoze që kanë aftësi për ta pasuruar tokën me mikroelementët e domosdoshëm. Përmbytja nga lumenjtë në Shqipëri është bërë një fenomen i frikshëm që përsëritet çdo vit nga Jugu në Veri. Ka ardhur koha që të bëhet një studim ekspertësh për investime kapitale, për zgjidhje permanente dhe jo zgjidhje të përkohshme si deri më sot, që fenomeni i përmbytjes përsëritet çdo vit i frikshëm dhe me pasoja të rënda  për banorët dhe buxhetin e shtetit. Dalja e përvitshme e shumë lumenjve nga shtrati si Vjosa, Shkumbini, Buna, etj. është  tepër emergjente që të bëhen investime kapitale duke  thelluar shtratin e lumenjve , riparuar argjinaturat, të prishen ndërtimet që pengojnë rrjedhjen natyrale të lumenjve dhe të mbillen breza pyjor  në periferi të tyre.  Pa një studim specifik për veçoritë dhe kushtet ekzistuese dhe rreziqet që paraqet secili lumë në veçanti, situata e përmbytjeve do jetë kërcënuese gjatë gjithë periudhës së dimrit me prurje të shumta të reshjeve. Kjo kërkon një studim nga grup ekspertësh nga të gjitha fushat, për të hartuar një plan makroekonomik që të marrë zgjidhje përfundimtare.

 

 

Prof. Lush Susaj: Kjo situatë turpëruese dhe kërcënuese është krijuar nga shpërdorimi, nepotizmi dhe fiktiviteti i investimeve në 28 vjet.

-Përse ndodhin përmbytjet e tokave dhe shumë shtëpive?

Shqipëria ka një fat të madh, mbi 99% të tokës bujqësore e ka mbi nivelin e detit dhe lehtësisht të kullueshme, lehtësisht të ujitshme dhe lehtësisht të administrueshme. Situatën kaotike në kullim dhe ujitje, si dhe dhimbjet, dëmet dhe frikën nga përmbytjet i ka krijuar keqadministrimi dhe vjedhja e donacioneve, fondeve dhe projekteve që nuk u investuan kurrë e për pasojë, prej tyre nuk mbeti asgjë në 28 vjet. Përmbytjet nuk kanë asnjë bazë natyrore, ato janë fatkeqësi dhe realitete të shkaktuara nga njerëzit, nga sjelljet dhe politikat e bazuara në nepotizëm, hajdutëri dhe mediokritet.  Për këtë arsye, ka kohë që shqiptarët jetojnë në një situatë të frikshme, trishtuese nga ku mund të dilet vetëm përmes përvojave dhe politikave europiane të zhvillimit të cilat bazohen në ligje, në dije, në teknologji, në kontroll dhe në llogaridhënie. Kjo vjen për shkak se rrjeti i kanaleve kulluese dhe ujitëse në mbi 60% të rasteve, është jashtë funksionit për shkak të  dëmtimit  të tyre nga  ndërtimet pa kriter  si dhe për shkak të mungesës së investimeve reale. Dosjet fiktive ekzistojnë për shumicën e tyre, ndonëse atje nuk është bërë asgjë. Kësaj situate absurde ka kontribuar edhe harresa, degradimi e ujëmbledhëseve malor. Nuk ka asnjë dyshim që ujëmbledhësit kodrinor e malor, janë shpirti i zgjidhjes së problemit të ujitjes dhe eliminimit të sigurt të përmbytjeve. Me asnjë ndërhyrje apo zgjidhje tjetër, nuk mund të parandalohen dhe as të përballohen përmbytjet apo dhe thatësira e përvitshme. Nuk mendoj se ka tjetër mënyrë që të mund të parandalojë rimoçalizimin dhe rikripëzimin gradual të tokës së ultësirës perëndimore të vendit. Në këtë këndvështrim, vizioni dhe politikat bujqësore meritojnë seriozitetin maksimal sepse lidhen me thelbin e ekzistencës dhe të vazhdimësisë njerëzore në këtë vend. Kjo situatë turpëruese dhe kërcënuese për fatet e vendit, është krijuar nga shpërdorimi, militantizmi, nepotizmi dhe fiktiviteti për punë dhe investime që asnjëherë nuk u bën, asnjëherë nuk i pa e as nuk i preku askush në 28 vjet. Problemet nuk janë të sotme por të akumulauara. Duhet ligjshmëri: Në këtë kontekst, administrimi i fondeve, kontrolli dhe llogaridhënia për investimet dhe shërbimet në bujqësi, duhen ngritur mbi një sistem ligjesh dhe institucionesh me përgjegjësi të përcaktuara, njëlloj siç është vepruar dhe po veprohet në vendet e rajonit dhe Europës. Shkatërrimi i mekanizmave të oponencës së mirëfilltë shkencore, shkatërrimi i procesit të supervizionit tekniko-shkencor, mënjanimi i vazhdueshëm i specialistëve, kapaciteteve dhe përvojave më të mira të universiteteve nga projektet dhe studimet e fizibilitetit të veprave të kullimit, ujitjes, pritave malore, sistemimeve, pyllëzimeve, etj, ka shërbyer dhe do të shërbejë vetëm për devijimin e parave dhe investimeve në drejtim të arkës së klaneve që fshihen nën logon e partive. Investimet e kryera gjatë periudhës 1975-1990 në sistemimet malore dhe veprat e kullimit dhe ujitjes, edhe në kushtet ekstreme të harresës, fiktivitetit dhe abuzimit me investimet për mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre, duket se e përballuan mjaft mirë situatën deri nga fundi i vitit 2000. Më pas, pasojat e shpërdorimit dhe mungesës së seriozitetit në drejtim të mirëmbajtjes dhe rindërtimit të veprave të reja kulluese, ujitëse dhe sistemuese, janë rritur në shkallë eksponenciale. Kjo ndodh për shkak të specifikës së ligjeve të natyrës dhe ambientit të dhunuar që kundërpërgjigjet me njëqindfishin e përmasave të dhunimit që i është bërë. Nga demagogjia, shpërdorimi dhe fiktiviteti i investimeve dhe projekteve në bujqësi, sot dhe për një kohë të gjatë, nuk mund të pritet asgjë më tepër se sa dëmtimi i madh i tokës bujqësore, i ndërtimeve dhe i investimeve bujqësore. Mjafton minimumi i një vullneti politik që situata e rëndë e ujitjes dhe kullimit në Shqipëri, të normalizohet dhe të zgjidhet dhe të shmangen përmbytjet. Po kështu mund të flas edhe për prerjen pa kriter të pyjeve që janë një mburojë ndaj përmbytjeve.

 

 

Tritan Shehu, deputet i PD: Qarku i Gjirokastrës është lënë në harresë këto 5 vite

 

Si është gjendja në qarkun e Gjirokastrës dhe si i mbani lidhjet?

Qarku i Gjirokastrës është një nga qarqet më të prekura nga përmbytjet dhe kjo jo rastësisht por  e ka bazën tek nënvleftësimi dhe neglizhenca që është bërë nga ana e qeverisë në  gjithë këto vite. Pra shikohet një neglizhim i madh në  ndërtimin e infrastrukturës si dhe neglizhimit për zgjidhjen e problemeve të mëparshme.  Po të shikosh kemi ende probleme të hapura të dhjetorit  ku unë sapo kam folur me Kryetarin e Bashkisë së Dropullit ku më informoi për situatën dhe  në krahasimin me problemet e dhjetorit nuk ka asnjë përmirësim. Por me sa shoh probleme ka në gjithë qarkun  ku në Memaliaj ka ujë të papastër, pra ujit të pijshëm ku rrjeti i kanalizimeve është i gjithë i amortizuar i shkatërruar. Në këtë kohë që flasim ka dhe zona të tëra pa drita si në zonat e Memaliajt, Tepelenës dhe Gjirokastrës. Një ndër zonat më të izoluara është Zhulati  ku është prishur aksi rrugor që e lidh me rrugën nacionale.  Pra në tërë këtë zonë është një masakër urbane që rrezikon qindra qytetarë. Pra të gjitha këto probleme i kalon kufijtë e pushtetit lokal  dhe duhet ti kaloj përgjegjësia pushtetit qendror. Realiteti është i dhimbshëm dhe qeveria duhet të marri masat për të parandaluar një katastrofë në këtë zonë. Pra është një situatë problematike, alarmante që duhet marrë shumë në konsideratë pasi Qarku i Gjirokastrës është lënë në harresë këto 5 vite.

 

Mos janë probleme të mbartura në vite?

Po ka dhe probleme të mbartura, por qeverisja 5-vjeçare duhej ti kishin minimizuar problemet dhe jo ti linin krejtësisht në harresë.   Kërkoj sidomos në Gjirokastër dërgimin e ekipeve të specializuara për të vlerësuar gjendjen, shkaqet e rrëshqitjes dhe perspektivën e të gjithë.
Nga ana tjetër duhen nxjerre edhe përgjegjësitë për sa është studiuar, lejuar, ndërtuar, duke krijuar aty një “masakër” urbane me pasoja shumë të rënda, gjë për të cilën prokuroria e Qarkut është vënë në lëvizje.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit