Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

ISA BOLETINI – KOMANDANTI I PARË I GARDËS SË SHQIPËRISË

 

(15 janar 1864 – 23 janar 1916)

Komandant i Gardës 29 nëntor 1912-14 mars 1914

 

- Emri i Isa Boletinit përmendet me nderim e dashuri në klubet shqiptare “Bashkimi”; në shtëpinë e Gjergj Qiriazit në Manastir në vitet 1909-1911; por edhe në restorantin e hotelit “Liria” të vëllezërve Gërmenji.

- Kreshniku i Kosovës mbiquhej nga Fletoret e huaja të kohës si “ … Gjenerali që mundi ushtrinë turke dhe që ngjallte trimërinë e moçme shqiptare…”.

- Kishte fytyrë burrërore, emri i tij, para çlirimit nga zgjedha turke, ushtoi si kushtrim lirie në rrethet e patriotëve, duke bërë që emri i Shqipërisë të dëgjohej me respekt, ishte zemërmadh….

- Ai bën pjesë në galerinë e luftëtarëve të shquar të Shqipërisë, duke mbetur Hero i Cernalevës

- Isa Boletini është shok idealesh dhe armësh i Ismail Qemalit, duke bërë dallueshëm në fushën e betejës atë që Ismail Qemali e bëri në fushën e politikës dhe të diplomacisë.

- U vra tragjikisht te ura e Podgoricës.

- Mbetet ndër paraardhësit, që e ka dashur me shpirt Shqipërinë, duke qënë i gatshëm kurdoherë që të bëjë akte të shumta therrorie për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

 

Jetëshkrimi i shkurtër i Isa Boletinit

Isa Boletini lindi më 15 janar 1864 në fshatin Boletin, pranë qytetit Mitrovicë në Kosovë. Vjen nga një familje e veçuar për shërbimin e shquar patriotik ndaj Mitrovicës, që me gjyshin Mursel, çka edhe ndikoi drejtpërsëdrejti në formimin e Isait si atdhetar.

Qysh herët, lidhja me popullin dhe vënia e gjithëçkaje në shërbim të Çështjes Kombëtare, e bënë Isa Boletinin jo vetëm të njohur, të dashur e të respektuar, por edhe që ta pranonin atë për prijës. Burrë i madh i shqiptarizmës, nisi veprimtarinë e tij në dobi të çështjes kombëtare shqiptare që kur ishte 17 vjeç.

Në vitet 1870-1878, kur rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare ishte jo vetëm i mundshëm por edhe real, Isa Boletini u përfshi në Lëvizjen Popullore, të drejtuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e krijuar më 10 qershor 1878, për të mbrojtur tërësinë territoriale. Ai u shpreh fare qartë kundër vendimit të Kongresit të Fuqive të Mëdha të 13 qershorit 1878, i cili, midis të tjerash, e konsideronte Shqipërinë “… një shprehje gjeografike”. Ishte vetëm 14 vjeç. Ai i ra tej e mbanë Kosovës duke organizuar kuvende popullore, fjala e tij atdhetare e zjarrtë prekte zemrat jo vetëm të djalërisë por edhe të moshuarve.

Çdo ditë që kalonte e formësonte jo vetëm si luftëtar të guximshëm por edhe si prijës dhe udhëheqës popullore, duke fituar jo vetëm admirimin e bashkëluftëtarëve por edhe të prijësve politikë dhe ushtarakë më të shquar të kohës si I. Qemali, L. Gurakuqi, H.  Prishtina, B. Curri, të cilët gjenin tek i riu një patriot të vendosur dhe të zjarrtë për realizimin në praktikë të programit politik të Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit. U shqua si luftëtar trim i kësaj Lidhjeje, veçanërisht në betejën e Sllovës më 24 prill 1881.

Në vitet e mëvonëshme u dallua në kuvende dhe beteja si atdhetar dhe strateg popullor i kryengritësve kosovarë. Me luftën që bëri u radhit me meritë krah Haxhi Zekës, Bajram Currit dhe burrave të tjerë atdhetarë të Lidhjes së Pejës (1899-1900) për organizimin e qëndresës kundër sundimtarëve turq dhe qarqeve shoviniste të fqinjëve serbo-malazesë. Më 1901-1902 u shqua jo vetëm për guxim e trimëri, por edhe për aftësi organizative e komanduese në luftën kundër serbo-malazesse por edhe qëndrimeve antishqiptare ruse dhe austro-hungareze. Pas kësaj u thirr në Stamboll ku u mbajt i izoluar deri më 1906. Përkrahu lëvizjen e turqve të rinj, por prej saj mbeti i zhgënjyer, prandaj vijoi luftën për çlirimin nga turqit.

Aqë sa fitonte dashuri dhe admirim në popull, po aqë baltosej me mallkimin dhe urrejtjen e kundërshtarëve brenda vendit, por sidomos të atyre jashtë territorit shqiptar. Më 22 nëntor 1908 forcat ushtarake turke, nën komandën e Xhavid Pashës, mësynë në Boletin duke rrethuar kullën e Boletinajve, të cilën e vunë drejtpërdrejt nën shënjën e goditjeve të artilerisë turke. Në këtë betejë Isai shpalosi, krahas trimërisë dhe guximit edhe aftësi organizative në fushën ushtarake, çka ja rritën më tej autoritetin në popull. Me daljen në skenë të turqve të rinj, sidomos në vitin 1909, Kosova dhe Boletinajt acarohen edhe më shumë me Turqinë. Duke e çmuar autoritetin e Isait tek populli, për ta shmangur si drejtues të tij, kryeministri turk Uilmi Pasha, i propozoi dhe ofroi strehim politik dhe pasuri të bollshme në Anadoll, të cilat ai i refuzoi me neveri. Në të kundërtën, bashkë me drejtues të tjerë kryengritës, midis të cilëve spikat Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. ata vendosën të fillojnë kryengritjen e armatosur, sulmuan Pejën dhe Gjakovën. Isa Boletini komandonte forcat kryengritëse në Vuçiternë, Shalë, Llap dhe Mitrovicë, ku edhe gëzonte popullaritet të padiskutueshëm. Kështu në kryengritjet e viteve 1910-1911 ai mbetet një nga frymëzuesit, organizatorët dhe drejtuesit më të talentuar dhe me besueshmëri të padiskutueshme në popull. Janë të njohura luftimet e ashpra dhe të përgjakshme në Shtimje, Cërnalevë, Drenicë, Prishtinë, Mitrovicë…

Në këto vite në Ballkan marrin jetë luftrat kundër sundimit të tejzgjatur osman, por ato për shkak të prezencës së ndjenjave të ngushta nacionaliste si dhe ato shovene, degjeneruan në agresive, sidomos kundër tërësisë territoriale të Shqipërisë. Prandaj më 14 tetor 1912, I. Boletini e B. Curri, pasi kishin rënë në ujdi edhe me H. Prishtinën, pas një mbledhjeje në Shkup, vendosën të njoftojnë Fuqitë e Mëdha të Evropës se, populli shqiptar do të rrokë armët për t’i dalë zot vatanit dhe jo për të ruajtur pushtetin turk në Ballkan. Tashmë ishte burrë i formuar 48 vjeçar.

Koalicioni Ballkanik triumfoi ndaj forcave turke, por ushtritë serbe kaluan luginën e Drinit duke pushtuar territoret shqiptare Lumën, Mirditën, Matin dhe dualën në Lezhë. Një pjesë e forcave u drejtua për Durrës, ndërsa tjera në bashkëpunim me forcat malazese rrethuan Shkodrën. Tashmë fare qartë duket se fatet e Shqipërisë janë vënë në pikpyetje, prandaj patriotët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, u vunë në lëvizje për mbrojtjen dhe shpëtimin e atdheut, duke gjykuar si rrugë të vetme shpalljen e pavarësisë. Më 21 nëntor 1912 I. Qemali me një grup atdhetarësh nga jashtë vendit arriti në Durrës për të marrë rrugën për në Vlorë ku do të mblidhej Kuvendi Kombëtar për shpalljen e pavarësisë. Po këtë ditë I. Boletini, Ajdin Draga, Mehmet Pashë Dërralla së bashku me delegatët e Dibrës u nisën për në Elbasan, për të shkuar sëbashku me delegatët e Elbasanit në Vlorë. I. Qemali, i shoqëruar nga delegatët e Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Shijakut arritën në Vlorë më 25 nëntor, dhe të gjendur përballë rrezikut real, që i kanosej vendit tonë, vendosën që mbledhja e Kuvendit Kombëtar të bëhej më 28 nëntor në orën 14.oo, për të shpallur sa më shpejt pavarësinë. Për shkak të kohës së keqe dhe rrugës së gjatë I. Boletini me shokë, i shoqëruar edhe nga 100 luftëtarë të armatosur, arriti në Vlorë në pasditen e 29 nëntorit. U prit me dashuri dhe mirënjohje nga populli i Vlorës. Isai u ngarkua prej Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës me detyrën e komandantit të forcave të armatosura për të mbrojtur Vlorën dhe personalitetet e shtetit të sapokrijuar. Këtu ze fill edhe qënia e tij si komandant i Gardës së Shtetit për ruajtjen dhe mbrojtjen e Personaliteteve të Larta të Shtetit dhe të Institucioneve Shtetrore. Këtë detyrë do ta përmbushte deri në mars 1914, hark kohor në të cilin nuk është regjistruar asnjë incident.

Trajtimi dashakeq i çështjes shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në dhjetor 1912, bëri domosdoshmëri intensifikimin e qëndresës mbashqiptare. U gjykua që të intensifikohej edhe procesi diplomatik, prandaj I. Qemali nën shoqërinë e L. Gurakuqit dhe I. Boletinit muarën rrugën drejt disa shteteve evropiane. Në fillim të majit 1913 arritën në Londër, ku vijonte punën Konferenca e Ambasadorëve. Isa u takua me zyrtarë të lartë anglezë dhe deputetë të parlamentit. Zgjidhjen e drejtë të problemit shqiptar ai e konsideronte si bazë për paqen në Ballkan, çka flet për një vizion të qartë të tij lidhur me këtë problem, prandaj edhe shprehej : “Në është se Evropa nuk do ta zgjidhë drejt çështjen e kufijve të Shqipërisë, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi”, por edhe përgjegjësia nuk do të jetë e shqiptarëve. Për vetë qëndresën e tij si udhëheqës por edhe si diplomat, Isai la mbresa të veçanta në rrethet diplomatike. Kështu, Aubreu Nerbert shkruan edhe: “… Figura më piktoreske e këtij reputacioni është Isa Boletini, Robin Hudi i Shqipërisë, ai ishte njeriu me reputacion të madh e të drejtë për kurajo dhe fuqi burrëneshë”.

Fillimi i Luftës së Parë Botërore e vuri në pozitë edhe më të vështirë çështjen shqiptare : në dhjetor 1914 Italia pushton Vlorën; në prill 1915 nënëshkruhet Traktati i Fshehtë në Londër, i cili vuri në lëvizje Serbinë për të kërkuar dalje në Adriatik përmes territoreve shqiptare, ndërsa Mali i Zi synonte aneksimin e Shkodrës etj. I. Boletini në këto rrethana la Krasniqen dhe niset për Shkodër, por hasi në forcat malazese rrethuese. Duhej gjetur një rrugëdalje, prandaj më 23 janar 1916 provon të largohet nga Podgorica, por tek ura e Podgoricës xhandarët serbë e rrethuan në tradhëti dhe i kërkuan të dorëzohej. “Jo besa, nuk ia kam dorëzuar as krajlit as mbretit”, u përgjigj Isai dhe luftoi deri sa dha frymën e fundit bashkë me dy djemtë, dy nipat dhe tre bashkëluftëtarë të tij. Në ceremoninë e varrimit u ndodhën gjithë shqiptarët me banim në Podgoricë.

I. Boletini kujtohet me respekt e dashuri si personalitet dhe udhëheqës i madh i popullit shqiptar. Ai mbetet simbol guximi, organizatori kryengritës, luftëtari të paepur, orator popullor dhe diplomat i shquar.

 

Disa vlerësime për Isa Boletinin.

Ato janë të shumta por po veçojmë disa prej tyre. Më 23 janar 1999, u organizua një veprimtari “Homazh” për për veprën heroike të Heroit të Popullit, Isa Boletinit, në 83-vjetorin e rënies. Një drejtues i Gardës së Republikës u shpreh edhe: “…Është në nderin e efektivit të Gardës, të pohoj se, de facto Ai ka qënë një nga komandantët e parë të Gardës së Shqipërisë. Lidhja e Prizrenit krijoi edhe Forcat e Armatosura dhe, një nga komandantët ushtarakë rezulton Isa Boletini, të cilat përveç funksionit të mirëfilltë për të mbrojtur trojet nga synimet shovene të fqinjëve, njëherësh, me një trupë të zgjedhur, siguronin edhe jetën e Personaliteteve Udhëheqëse dhe Drejtuese të Lidhjes, duke përbërë kështu vijimin e drejtpërdrejtë të Gardës Pretoriane të Shekullit Pesëmbëdhjetë.

Në vitet 1908-1909, edhe viset shqiptare marrin flakë, ashtu si në vitet 1911-1912, ato do të ringrihen përsëri, për t’u shkëputur përfundimisht nga zgjedha e tejzgjatur osmane. Në këto zhvillime I. Qemali përbën figurën qëndrore politiko-diplomatike, ndërsa I. Boletini përbën figurën madhore ushtarake, duke qënë strategu, frymëzuesi dhe Komandanti i Forcave Kryengritëse. Plaku i Vlorës vinte nga selitë e diplomacisë së Evropës, ndërsa Komandanti Legjendar nga vija e frontit, duke e lënë Kosovën të përfshirë në flakë e zjarr. Isa Boletini, në krye të 100 luftëtarëve nga Kosova, mori në mbrojtje zhvillimin e punimeve të Kuvendit Kombëtar në Vlorë. Këto forca, të shumuara në numur edhe me luftëtarë të tjerë nga trevat e jugut të vendit, në fakt formuan të PARËN GARDË KOMBËTARE në mbrojtje të Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës.

Shteti Shqiptar, me Kabinetin Qeveritar të drejtuar nga statisti i mirënjohur I. Qemali, ka meritë të lavdërueshme që, pas krijimit të Forcave të Armatosura më 4 dhjetor 1912 nën drejtimin e gjeneralit Mehmet Pashë Dërralla, do të krijonte edhe Forcat e Ruajtjes së Rendit, në përbërje organike të të cilave ishte edhe një Bërthamë e Mirëfilltë Speciale me mision krejt të përcaktuar qartë: për të siguruar Personalitetet Shtetërore.

  Personalitete në zë të shkencës së shtetit fqinj të përtej detit, Italisë, pohojnë se, ky Repart Special quhej  GARDA E  SHTETIT. I. Boletinit, ishte kualifikuar me meritë si “Gjenerali më i madh i Kosovës”, por që Fan Noli e veçon si  “Gjeneralin më të madh të Ballkanit për atë kohë”.  Duke vlerësuar kontributin e “Gjeneralit që mundi ushtrinë turke dhe që ngjalli trimërinë e moçme të shqiptarëve”, efektivi i Gardës së Republikës ndihet i nderuar për komandantin trim, por edhe i obliguar për të ecur me vendosmëri në Rrugën e Nderit dhe të Lavdisë, të cilën  I.  BOLETINI, na e ka lënë të qartë dhe të pastër.

  Prof. Hysen Kordha, qartazi pohoi se moto e I. Boletinit ka qenë: “… unë jam mirë, kur asht mirë Shqipnia”.

Në kullat e Boletinëve ishin zhvilluar 24 beteja, ato u shkrumbuan 6 herë, dhe Boletini luftoi 35 vjet si hero. Ishte komandant ushtarak, lider popullor, tribun, luftëtar, udhëheqës… Luftoi në Shtimje dhe Çernalevë, “Titan do ta quash…?!!”. I tillë ishte në fakt… I urtë, i qetë, fisnik në sjellje, i ngadaltë në bisedime, i pafriksuar nga vdekja, me kurajo të pamposhtur…Komandoi si strateg i shkëlqyer në Drenicë e Podujevë, Pejë e gjetiu tjetër kudo ku e kërkonte interesi i Kosovës, gjatë viteve 1911-1912.

Anglezët e krahasojnë me Robin Hudin, gjermanët me Til Ulenshpingel, italianët me Garibaldin, amerikanët me Xhorxh Uashingtonin etj., pra me heronjtë kombëtarë popullorë më në zë…Kryetarit të Komisionit për Caktimin e Kufijve të Shqipërisë i tha: “Nuk kam ardhur këtu për Mitrovicën time, por për çdo pëllëmbë të truallit shqiptar”.

Më 23 janar 1916 e vranë në Podgoricë në pabesi bashkë me dy djemtë. Gjergj Fishta, duke ju referuar popullit thotë se, konsulli i Francës në Shkodër, e mashtroi, dhe kjo duket edhe në një këngë popullore:

… laviret e Parizit dhe të Londrës i gatuan këto të këqija…

…Kushtrim ! Kushtrim! A gjallë me nder, a dekun me turp…

…Merrmëni mua e më bëni fli për Shqipërinë…

   I nipi, Isa Boletini, u shpreh edhe sa vijon: “…. Isai i dha Ismail Qemalit si shoqëruesa personalë dy luftëtarë trima dhe të vendosur, të besës: Halim Bejgora dhe Ahmet Llapi…  Nga të nëntë djemtë e tij Isai pesë i kishte akademistë…”.

Arif Hasko, veteran i Luftës Antifashiste NÇl., vetëm i përlotur, mundi të shprehej edhe sa vijon: “… Një nga Vlora e jonë thotë se Ismail Qemali dhe Isa Boletini ishin të pandarë…, njeri ishte shtiza, tjetri ngriti flamurin…”.

Artisti i Popullit, Lazër Filipi, do të recitonte vargje nga krijimtaria e popullit dhe e Gjergj Fishtës, kushtuar figurës madhore të Isa Boletinit, por edhe të heroizmit të popullit shqiptar. Vetëm një interpretim i tillë i fuqishëm, sugjestiv, shprehës dhe emocionues, do të shkaktonte shkëlqim në sytë e pjesëmarrësve, por edhe lotë në sytë e gjeneralit Arif Hasko. Rrallë është përlotur gjenerali, kur humbiste shokët e idealit dhe të llogores në luftën për liri; kur pas çlirimit u ledhatonte mermerin e bardhë, kur u vendoste tufa lulesh në banesën e përjetëshme… Por gjenerali në këtë aktivitet ishte gati i përlotur gjatë gjithë kohës… Lëvizte buzët ngadalë, shoqëronte këngët patriotike… Meditonte dhe mendonte gjenerali për fatet e kombit… I buronte nga kujtesa edhe marrshimi pranë kullës së Boletinëve, e cila ishte kthyer në kala në njëzet sulme të pashallarëve turq…

   Por vlerësimi më i plotë vjen nga Aubrey Herbert, poliglot, historian, kolonel nga Anglia, pjesëmarrës në Luftën e Parë Botërore dhe përkrahës i çështjes shqiptare; mikpritës i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër; mik i ngushtë i Isa Boletinit dhe disa përkrahësve të luftës për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë; ka vizituar Shqipërinë shumë herë në vitet 1907-1913 në gjithë viset e saj; interesin për Shqipërinë e ka patur deri sa vdiq më 1923; për Isa Boletinin, nga kujtimet e tij, rezervon këto mendime:

“ … Ishte e martë 27 gusht 1912. U futa në një dhomë të madhe ku u përballa me Isa Boletinin, një burrë shumë i gjatë dhe që dukej tepër i shkathët, një shqiptar i vërtetë, si shqiponjë, me një vështrim përpirës dhe i pashëm, me një pamje të rreptë, i veshur me kostum geg. Një nga djemtë e tij, më i madhi nga të nëntë që kishte, qëndroi në dhomë me ne për të na përkthyer nga italishtja…Isai nxorri të gjithë njerëzit e tij jashtë, me përjashtim të njërit, dhe ne të dy bashkë u ulëm në një divan të ulët pranë dritares…Më tha se shqiptarët e adhurojnë Anglinë…

Në këtë moment nga dritarja u dëgjuan të shtëna…Isai mënjanoi perden dhe vështroi jashtë dritares në dritën e hënës… Papritur njerëzit e tij ia behën në dhomë, morën armët e varura në mur dhe dolën me shpejtësi jashtë. Isai u ngrit menjëherë në këmbë duke marrë armën dhe më tha:  “Shtëpia është rrethuar nga turqit. Unë po shkoj që të luftoj të bëj detyrën time…”.

- Ju përgjigja: unë dua të vij bashkë me Ju, pasi po qe se unë do të jem prezent turqit nuk do të guxojnë t’ju vrasin.

- M’u përgjegj:  “Në asnjë mënyrë. Ju jeni miku im. Nderi nuk ma lejon një gjë të tillë. Merrni në mbrojtje vetëm tim bir…”. .. dolën jashtë…Pas pak ata u kthyen përsëri. Ishte vërtet një mrekulli se si vepruan njerëzit që e rrethonin Isa Boletinin. Ata ishin realisht njerëzit në burim, aktivë dhe të shkathët si panterat… Figura më piktoreske e delegacionit ishte Isa bej Boletini, Robin Hudi shqiptar,... me një famë të madhe dhe të merituar për trimërinë dhe mendjemprehtësinë e tij. Bëmat e tij ishin kthyer në legjendë, ndërsa mënyra se si u kishte shpëtuar kurtheve të turqve e serbëve në fabula…

Çështja e shpërbërjes së Shqipërisë ishte rrahur shpesh në shtyp. Unë dhe majori Paget ishim të vetmit që kishim njohuri për Shqipërinë, të tjerët na ishin bashkuar thjesht për faktin se vlerësonim lirinë. Më vonë edhe zonja Durham u bashkua me ne si dhe kapiteni Evan McRury….Shqiptarët që erdhën në Angli lanë një përshtypje të shkëlqyer…Komiteti Shqiptar bëri ç’ishte e mundur për t’i kënaqur shqiptarët në Angli…Një pasdite duke lëvizur drejt rrugës Regent Strit pamë që ishte vendosur një poster ku shkruhej :  “Vrasja e Njaziut nga i biri i Isa Boletinit”. Të gjithë u befasuan, por dukej që kjo ishte një shpifje…. E pyeta Isanë në se i besohej kjo, dhe mora përgjigjen:

- “E ç’ rëndësi ka. Mos ka kjo gjë të bëjë me mua në se ka ndodhur?…Pas kësaj po shtoj, unë besoj se kjo duhet të ketë ndodhur, pasi e di mirë që im bir është po aqë i vendosur për të vrarë Najziun sa edhe ky vetë për tim bir”…. Mandej mendueshëm tha: – “I kini të gjitha në kafaze në këtë park, me përjashtim të djallit. Unë dua lirinë”….Dikur vijoi “Dhe më së fundi mund të them, me gjithë madhështinë që ka Londra, ëmbëlsinë tuaj angleze të sjelljes, përsëri unë nuk do të ndërroja kurrë gjithë këto me shkëmbenjtë dhe lumenjtë e vendit tim”.

Isa Boletini kishte thjeshtësinë e një fëmije dhe ishte një burrë i fuqishëm me një trimëri të pashoqe dhe gjithnjë besnik i idealit të tij…Miqtë e tij, jam i bindur se nuk do ta harrojnë kurrë…, përfundon anglezi i respektuar.

Janar, 2017

 

 Safet N. Ramolli

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit