Data : 18 08 2018
KryeTitujt :

INTERVISTË/ Flet shoferi i hidrocentralit të Fierzës, Agim Laze:

 

Në Fierzë  kur vinte Farudin Hoxha të gjithë prisnin të dinin a kishin gabuar

 

Albert Z. ZHOLI

 

DSC03339

Ka punuar mbi dy vjet përgjegjës i ofiçinës ë automjeteve në hidrocentralin e Fierzës. Ishte koha kur për ndërtimin e saj vinte Mehmet  Shehu, Adil Çarçani por më shumë Farudin Hoxha.

 

Ju keni qenë shofer dhe përgjegjës ofiçine në Fierzë kur po ndërtohej hidrocentrali i madh në vendin tonë, çfarë kujtimesh ruani nga ky ndërtim?

 

Unë në Fierzë kam shkuar në vitet 1975-1077, kur Fierza ishte në kulmin e ndërtimit. Shkova pasi mbarova ushtrinë dhe dëgjova se kishte shumë kërkesa për punë aty. Unë kisha mbaruar kursin e shoferëve 2-vjeçar në atë sistem. Të bëje një kurs për shofer në atë kohë ishte sit ë mbaroje një universitet. Një kërkesë llogarie e madhe, një disiplinë shembullore. Ata që na drejtonin ishin shoferë dhe inxhinierë të shkëlqyer. Ne i dinim pjesët e makinave në majë të gishtave.  Pra doja të shkoja në Fierzë të ushtroja profesionin e shoferit. Kur shkova aty në fakt më vunë përgjegjës të ofiçinës. Nuk kundërshtova urdhri ishte urdhër. Kur shkova aty u habita. Në atë kohë Fierza kishte mbi 3 mijë punëtorë. Dukej një qytet I madh dhe gjithmonë I gjallë. Aty nuk kishte kurrë pushim, kurrë. Natën punohej po ashtu si dhe ditën. Kishte nëj organizim të përsosur, por mbi të gjitha një shoqëri të jashtëzakonshme. Ishte kjo shoqëri që na e bënte të lehtë punën. Zhurma ishte e pranishme kudo. Mbulonim kokën me batanije që të na zinte gjumi. Në dimër ishte shumë ftohtë, acar. Duart na bëheshin thela-thela nga të ftohtit.

 

Çfarë makinash kishit në atë kohë?

Ah makinat e saj kohe nuk I sheh sot. Ishin dy lloje makinash me tonazh mbi 20 ton, “Centaura” dhe “Perlin”. Vetëm me ato mund të ndërtohej Fierza. Në fillim puna filloi me ripotabla kineze deri 4 ton, por ato sa here kovat e skavatorit hidhnin gurë apo dhe përsipër shqyheshin. Ishin dhe “Saurela-t” deri 10 ton. Me ato nuk mund të ndërtohej Fierza, ishte e pamundur. Atëherë qeveria vendosi të blejë këto makina gjigante. Kushtuan sasira të mëdha ari, aq të shtrenjta ishin. Madje firmat ku u blenë u habitën se si u blenë menjëherë një shumë kaq e madhe makinash kaq të rënda që bliheshin shumë rrallë.  Ato makina dukeshin si male gjigande sa të befasonin me madhështinë e tyre. Kur lëviznin dukeshin si male lëvizës sa makinat e vogla ripotabla kineze dukeshin si lodra.

 

Si ishte ushqimi, po  trajtimi dhe jeta artistike?

Fierza ishte qytet dhe kishte çdo gjë. Orientimi partisë ishte që të kishim në çdo drejtim një trajtim të veçantë. Ushqimi ishte I mirë për kohën, por jo duke e krahasuar me kohën e sotme. Pra në mensë e gjeje dhe mishin dhe fasulen apo gjellë të tjera ndryshe nga tregu shqiptar që ishte bosh. Fjetinat nuk ishin luks por kishin ambient kënaqshëm për kohën.  Kishte dhe aktivitete, ku shpesh herë vinin estradat e qyteteve, teatrot dhe këngëtarë të ndryshëm.

 

Kur ishte më i vështirë dimri apo vera?

Secili kishte vështirësitë e veta, por mund të them se dimri ishte shumë I ashpër. Në fillim nuk lejoheshin në lokale pijet alkoolike por më pas duke parë se sa vështirë ishte të punoje ën dimër u lejuan. Në lokale gjeje fërnet, konjak, raki frutash të cilat ishin të domosdoshme të filloje punë në dimër.

Kush ishin drejtuesit e hidrocentralit të Fierzës në atë kohë?

Besnik Bekteshi ishte Drejtor i Përgjithshëm, ndërsa Ibrahim Hamza ka qenë sekretar I Partisë së Fierzës. Ishin të dy bura të mirë, të komunikueshëm, të afruar me njerëzit dhe mund të them se rrinin mes punëtorëve gjithmonë. Edhe ata ashtu si ne aty në kantier e kalonin kohën më të madhe. Pyesnin, kërkonin llogari, zgjidhnin hallet dhe shqetësimet. Kishin një lloj mirësie të veçantë në sjelljen e tyre.

Po nga udhëheqësit e asaj kohe kush vinte më shumë?

Mbaj mend që ka ardhur Mehmet Shehu dhe Adil Çarçani. Kur vinin aty puna gjallërohej më shumë. Rritej mobilizimi. Por unë dua të veçoj vizitat që bënte i madhi i hidrocentraleve Farudin Hoxha. Ai vinte dhe pyeste me detaj për çdo gjë. Kalonte sa në një front në frontin tjetër. Jepte udhëzime dhe kërkonte të dinte imtësira. Vinte edhe ën dimër edhe në verë. Sa herë vinte tek ofiçina më porositëte të kujdeseshim për automjetet. Pa këto automjete nuk bëhet Fierza më thoshte. Këto kanë kushtuar sa qimet e kokës ndaj duhet të kujdeseni si për veten tuaj. Po nuk qenë në gatishmëri këto makina Fierza bën stop. Fliste thjesht dhe me dashuri. Kishte një zë të veçantë. Kur mora vesh që ndërroi jetë u ndjeva keq. Ky shkrim le të jetë dhe një homazh. Nuk e harroj kurrë fytyrën e tij dhe shqetësimin për punën. Për përgatitjen e tij flitej shumë në Fierzë.  Na thoshte se cilësia e betonit dhe gatishmëria e automjeteve janë çelësi i suksesit në këtë punë të madhe. Fierza është diçka gjigande ndaj dhe përgjegjësia jonë duhet të jetë e madhe na udhëzonte.  Fierzë nuk ka as Ballkani madje mund të ketë një Europa na thoshte. Habitesha me këtë lajm. Ngeleshim të nemitur. Madje me sa kisha dëgjuar ai ishte këmbëngulës që rrogat tona të ishin më të larta nga çdo lloj vepre që ndërtohej. Dhe në fakt ashtu ishin. Rrogat e shoferëve dhe të muratorëve ishin më të mëdha se të Sekretarëve të Parë të asaj kohe. Pra shteti e vlerësonte këtë punë të madhe.

Ku shkuat pasi u larguat nga Fierza?

Nga Fierza edhe doja edhe nuk doja të largohesha. U ambientova me të. Të dukej se dhe vetë ishte pjesë e një vepre gjigande. Por me kërkesën e Kryetarit të Tropojës unë shkova shofer me Bajram Nezën Kryetar, Kryetar i Komitetit në Tropojë shofer. Punova rreth 5 vjet pastaj shkova në Skrapar ku mora një makinë të re “Saurrel” ku mora pjesë në ndërtimin e shumë rezervuarëve në rrethin e Skraparit.  Njëherazi në këtë shkrim dua të theksoj se në Tropojë jam ndjerë mirë, jam respektuar më shumë se në zonën time. Gjeta njerëz punëtorë që e respektonin shumë mikun.  Deri në vitin 1990 punova si shofer dhe pastaj me përmbysjen e sistemit  u mora me tregti në Çorovodë. Sot kam tre furra buke në Tiranë dhe biznesi më ecën mirë.

Ndihmat humanitare

Jam munduar që të ndihmoj sadopak në çdo drejtim që kam mundur. Nga ndihmat mund të veçoj ato të viteve  2012 dhe 2014 në Shkodër gjatë përmbytjeve ku kam çuar disa herë makinat me bukë në ndihmë të të dëmtuarve që ishin në situatë emergjente. Aktualisht sponsorizoj me veshje 4 ekipet e futbollit  të “FC  Laprakë”.  U-9, U-11, U-13, U-15. Jam i dhënë shumë pas futbollit.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit