Data : 18 11 2018
KryeTitujt :

INTERVISTA/ Shkrimtari, Albert Zholi: Kam bërë 21 libra, 130 redaktime, 3 mijë intervista

 

Nga Fadil Shehu

albert-zholiZ.Albert. Prej më se dy dekada,ju ende vazhdoni rrugëtimin pa mbarim të letrave shqipe. Në se një ditë do të duhej të ktheheshit në kohë, si do i kujtonit hapat  e para  të këtij misioni?

Më kujtohen. Kur mora këtë vendim përfundimtar isha në Greqi. Shkruaja në disa organe shtypi shqiptar por pa një synim përfundimtar, Shkruaja më shumë për hobi. Ishte vitit 1992. Nëntor ka qenë dhe në ambasadën tonë në Athinë, festohej dita e flamurit. Aty takova dy persona që më shtynë përfundimisht në rrugën e ëndërruar që në fëmijëri. Këta ishin i madhi Artistidh Kolja (arvanitas) shkrimtar, piktor, avokat, mik i shqiptarëve, mbrojtës i flaktë i të drejtave të emigrantëve dhe një burrë i vjetër Gaqo, nip i Koto Hoxhit, që lufta e dytë botërore e la në Greqi. Atyre u dhashë disa skica nga jeta e emigrantëve në Greqi. Më inkurjauan. Xha Gaqua më tha që sa më shumë të shkruash aq më i fortë bëhesh. Duhen bashkuar shkrimet që të formojnë një kurrorë. Eshtë si puna e bashkimit të trimave rreth Skënderbeut. Ndërsa arvanitasi i shquar Aristidh Kolja më tha: Albert, këto skica janë pjesa më e dhimbshme e jetës së emigrantëve në Greqi. Këto dikush duhet ti hedhë në letër. Njëri prej tyre je dhe ti se ke të dhëna që shkruan mirë. Në qoftë se do lihen në heshtje këto halle dhe probleme në momnetin që ndodhin, atëhere një pjesë e historisë shqiptare do të ngelet bosh. Askush s’do ti imagjinoj dot se si ndodhën në këtë kohë. Kjo ditë shënoi ditën e fillimit të gazetarisë sime si profesionist.

Njiheni  si ndër emigrantët e parë në Greqi, madje si veprimtar, themelues i gazetës së vetme  shqiptare “Vëllazërimi” dhe organizator i disa prej demostratave për të drejtat e emigrantëve. Sa kanë ndikuar  këto tre aspekte në formimin tuaj profesional dhe të qenurit emigrant në Greqi?

Mendoj se asnjë politikani, shkencëtari, histroiani, analisti, nuk ja merrte mendja se në Shqipërinë e pas viteve 90-të, do të ndodhte një emigracion i përmasave gjigande. Jeta ime në Greqi më lidhi me të gjithë grupmoshat e emigrantëve, të cilët, për çdo moment, për çdo hall, problem, shqetësim, vrasje, gëzim më informonin, më mbanin në korent. Unë u jam borxhli të gjithëve që shumë histori, ngjarje, nuk i lanë të “vdisnin”, por të hidheshin në letër dhe të bëheshin kujtesa e gjallë në vitet e ardhëshme për të gjithë shoqërinë shqiptare. Për emigracionin shqiptar në Greqi kam botuar librat “Ikja e Madhe”,“Vite  emigracioni” dhe “Endërrat e mërgimit”. Këto ishin shtysat e mia që më hodhën në detin e madh të halleve të emigracionit, por dhe në shpresën e bukur të njerëzve  të sakrificës që i japin energji të pa kurseyer çdo ditë atdheut. Ata janë drita e pastër në qiellin gri të tranzicionit shqiptar.

Në  sheshet “Omonia’’,”Kanigo’’,”Menidhi’’ etj, shpesh dilnin emigrantë  për të kërkuar punë, por në mjaftë raste ata dhunoheshin nga policia greke.Si e cilësonit këtë fakt të pamohueshëm, dëshpërues, i pranishëm në demostrat antiraciste të shqiptarëve,skena të cilat i kemi ndier dhe mbi shpinat tona, gjatë viteve të emigracionit në Athinë…

Momenti më i vështirë ka qenë kur unë isha në sheshin Omonia (Athinë) në një demostratë në mbrojtje të luftës së drejtë të vëllezërve tanë kosovare, kundër regjimit diktatorial serb. Ishte shoqata “Vëllazërimi” që unë e kisha krijuar dhe drejtuar për 5 vjet, që e zhvilloi këtë demostartë. Demostartë në mes të Athinës. Askush nuk mund ta besoj sot. Diku lash çantën e gazetarit që kam 20 vjet që se heq nga krahu. Kur u shpërndamë më kapi policia. Më kërkoi dokumentat. S’po gjeja çantën. Më futën në birucë 8 ditë. Vetëm me një avokat dhe pasi u gjendën dokuemnatat mundën të më lironin por duke lënë pas shumë dritëhije. Kisha shumë foto dhe filmime nga ajo ditë që nuk munda ti gjeja. Pas këtij momenti dhe miqësisë me Aritidh Kolën, qëndrimi im në Greqi ishte jo i favorshëm për mua. Pas vdejkes së Aritidh Koljës, unë u detyrova të kthehesha në atdhe. Ndërsa momenti i dytë ishte kur policët grekë arrestuan dy emigrantë dhunshëm  dhe i qëlluan me shkelma. Ata ishin të pangrënë, të palarë sapo kishin ardhur. Atehere isha me vizë dhe ju luta policëve të mos i qëllonin. Ata më panë me inat, por duke më parë me kollare dhe duke treguar kartën e gazetarit, i ulën shkopinjtë. Veprime të tilla janë me dhjetra, pasi telefonatat për ngjarje të tilla mirrja çdo ditë nga të katër anët e Greqisë.

ALBERT-ZHOLI-PROMOVIMIN-E-LIBRIT-mpg-v-SxZAErDXfqASi jeni ndjerë kur keni zhvilluar  intervistën tuaj të parë si gazetar profesionist?

S’mund të them se jam ndjerë keq kur kam bërë intervistën e parë si profesionist. Më kujtohet një intervistë sponatne me ish Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Karolos Papulos në vitin 1993.(Sot President i Greqisë). Ai erdhi në ambasadën tonë në Athinë me rastin e ditës së Flamurit që e festonte ambasada. E pyeta për mardhëniet shqiptaro- greke dhe për arvanitasit. Të gjithë më panë me habi për guximin. As unë se di si e mora guximin. Intervistën e dytë e bëra me ambasadorin shqiptar në Greqi. Por këtë të dytën u përgatita dy ditë. Z Çabej më priti me shumë përzemërsi. Eshtë më vështirë të bësh një intervistë profesionale se sa një analizë profesionale (për mua). Pasi duhet të lexosh shumë rreth personit dhe jo të pyesësh atë për të gjitha ato që ti si di fare. Mendoj se në këtë drejtim me gjithë defektet, mund të kem një rekord. Mendoj se intervistat në gazetarinë e shkruar janë shumë më të përgjegjshme dhe më të vështira se intervistat fonike apo vizive. Ato mbeten në letër

është e vështirë për një gazetar,publicist,shkrimtar në Shqipëri, të pasqyroj të vërtetën në  intervistë me njëpolitikan apo drejtues komuniteti?

Të jesh gazetar në Shqipëri do të thotë të ecësh mbi autostradë stresi, ku dihet rruga, por s’dihet çfarë ka poshtë asfaltit në dukje të bukur. Mes tyre mësova se sekreti i krijimtarisë është të dish të fshehësh burimet. Në gazetari duhet të jesh vetvetja, ta duash si profesion ashtu si duan të tjetërt profesionet e tyre.

Në librat tuaj. ju tregoni ngjarje rrënqethëse, emocionuese të jetës gri të emigrantëve shqiptar në shtetin Grek. Keni paraqitur personazhe real, që nëpërmjet guximit e pasionit, janë integruar në jetën e këtij vendi ballkanik. Mendoni se në këtë trysni, qëndron dhe portreti i Albert Zholit si emigrant dhe gazetar?

Sigurisht. Në shumë tregime jam dhe unë, është një pjesë e jetës sime, është rrugëtimi im brenda dhe jashtë Shqipqërisë. Shkrimtari në qoftë se nuk është në lëvizje, apo në kontakt, shteron  sado imagjinatë të fuqishme të ketë. Bota është e bukur se është e shumllojëshme, dhe sa më shumë vende apo shtete të shohësh, sa më shumë njerëz të profesioneve të ndryshme të takosh, aq më shumë krijimtari të pasur do të kesh. Letërsia bëhet e bukur kur ka lëvizje dhe dhimbje, Dhe unë në tregimet e mia sidomos në Greqi, kam kërkuar aty ku kishte dhimbje, ku kishte probleme, ku kishte fyerje, poshtërime, por dhe punë për të mbijetuar, ndaj besoj se duke qenë pranë dhimbjes së vërtetë, krijimtaria mund të ketë dalë jetësore e besueshme.

Në rrugëtimin e 20 viteve si krijues, madje i njohur si një maratonomak udhëve të botës, ju keni  shkruar 15 vepra nga gjini të ndyshme letrare. Ndjeheni krenar për podin ku ju ndodheni sot?

Kurdoherë  në çdo krijim timin, gjithmonë kam patur parasysh të krijoj individualitetin e vet.  Nuk dua të jem përsëritës. Kam parë që dhe poetë të mëdhenj në Shqipëri, disa herë kanë pasur si pikë referimi poetë të huaj. Në këtë drejtim e them me bindje, jam Alberti me të mirat dhe me të këqijat e mia. Natyra ime e të shkruait është ndjenja. Pra shkruaj kur ndjej dhe më pas mendoj. S’ka krijimtari të bukur në qoftë se nuk është primare ndjenja. Letërsia është ndjenjë e shpirtit. Ajo mund të lind kur se pret, në rrugë, në avion, në det, në mal, duke bërë dashuri,,,,Kur ti mendon se si të krijosh i ke hequr letërsisë, krijimtarisë, të vërtetën, organikën, pjalmin, esencën.

Njiheni si një nga gazetarët më të vecantë madje me mjaftë “bereqet” në drejtim të gjinisë së intervistës ku nëkorikuliumin tuaj ndodhen më se 1600 intervista të zhvilluara me njerëz nga të gjitha fushat e jetës, brenda e jashtë vendit. Sa ju ka shërbyer ky rrugëtim si qytetar dhe gazetar?

Në çdo kohë më ka tërhequr jeta e figurave të shquara. Zhvillimi i intervistave ka ndikuar mjaftë në krijimtarinë time, kryesisht në librat me tregime.Duke zhvilluar intervista me Profesor, akademikë, artiste. poetë, shkrimtarë, aktorë, inxhinier, agranom, njerërz të thjeshtë, futbollistë…them se ende di shumë pak edhe pse mendoj se komunikimi i tyre me ka dhënë aq dije,sa të kisha studiuar në disa universitete.Vërtetë në korikuliumin tim numëroen më se 1600 intervista, them se nuk janë pak ,por edhe nuk janë shumë. Gjithësesi intervista edhe pse është një zhanër që kërkon shumë dije, bagazh, dhe gjithmonë në kërkim të figurave të vlerësuara,të konsumon mjaftë kohë, përsëri ajo është e bukur.

Në  rrugëtimin tuaj keni patur një  krijimtari të larmishme dhe  të sukseshme. Mendoni se krahas urimeve, keni patur zhgënjim  apo mos mirënjohje nga ndonjë person i veçantë?

 

Ndjehem edhe i gëzuar edhe i hidhëruar, por më shumë i motivuar. Ndjejem i gëzuar sepse të bësh 15 vepra të gjinive të ndryshme në 16 vjet nuk është pak, por kur ndonjëherë nuk merr atë sadisfaksion që ke menduar kalon në plogështi, në një stepje. Çmimet jepen sipas grupimeve pa ditur se kur dhe ku jepen këto çmime (!!) Sot egziston një xhelozi mes shkrimatrëve apo poetëve. Shihen grupime që i shërbejnë njërit krah apo një krahu tjetër të politikës. Jam ndjerë keq kur dhe shokë më të afërt, nuk më kanë thënë urime për një libër të ri, apo nuk kanë shkruar qoftë dhe dy fjalë kritikuese për librat. Personalisht nuk di që të ketë shkrimtar në Shqipëri apo jashtë atdheut që të ketë bërë një vepër letrare dhe unë të mos kem bërë një kritikë apo të mos i kem marrë një intervistë. Ndoshta se kam merituar një intervistë, por dy fjalë sa për sy e faqe i meritoj…Por megjithatë disa herë, heshtja e miqëve më motivon më shumë.Ndaj nuk do të ndaloj së shkruari.

Eliona-Thomaraj-dhe-Albert-ZholiKrijimtaria juaj letrare e deritanishme është e vlerësuar nga pena të shquara të letërsisë shqiptare, mes tyre Dritëro Agolli ,do të shprehej se  Albert Zholi shkruan me një penë të ëmbël dhe të qetë, sikur valëzonXhevahir Spahiu “Mjeshtër i madh”…thotë se ; Berti, edhe kur zhvillon intrevista, i bën në mënyrë poetike, ndërkohë shkrimtarja Elena Kadare,do tëprononcohej me fjalët: Alberti shkruan me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me gjuhë të rrjedhëshme dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë. Po kështu poeti i shquar Agim Shehu midis të tjerave tha: … Nga momenti nëmoment meriton respekt…mbi të djitha tregimet kanë nëj frymëfisnike Shqipërie. Si jeni jeni ndier përballë këtyre  thënieve?  

Kanë thënë dhe ndoshta shumë, por unë i marrë me rezerva. E di mirë se deri ku arrij dhe çfarë mund të bëj. Jam racional dhe ruaj një raport të ekuilibruar mes modestisë dhe mëndjemadhësisë: Mëndjemadhësia është injorancë, ndërsa modestia e tepruar mëndjemadhësi.

Çfarë cilësi vlerëson në jetën e një njeriu?

Padyshim sinqeritetin dhe vullnetin për të punuar, ku njëherazi i buzëqesh hidhur të pabesit, servilit dhe të pa aftit për pozicionin që i kanë ofruar.

Kujt i mbeteni borxhli në jetë për këtë rrugëtim të sukseshëm që keni përshkuar?

Patjetër ajo që ka sakrifikuar më shumë për mua, është familja dhe të afërmit e mi.

Kohët e fundit u paraqitët para lexuesit me Monografinë kushtuar Luftar Pajës,”Artist i Popullit”,  promovuar  në disa biblioteka  publike të vendit. Mendoj se i jeni kushtuar edhe librit edhe Luftarit. Me cilin prej tyre jeni lodhur më shumë?

(Buzeqësh lehtë)Patjetër me Luftarin.Megjithëse ishte i “padisiplinuar” si Çobo Rrapushi, vetëm për ti bërë disa pyetje në lidhje me librin e tij, më duhej të konsumoja një ditë të tërë, sepse rrugëve nuk linte njeri pa u takuar…

Jeni vlerësuar me titullin:”Anëtar  Nderi”nga shoqata “ Lidhja e Emigrantëve Shqiptarë në Greqi. Çpërbën për  ju ky vlerësim?

E ndjeva veten të “përkëdhelur’, sepse një çmim zëmre, vlen sa për dhjetë dekorata bindjesh politike. Fola dy fjalë zëmre dhe dhashë mijëra urime zëmre. Mendoj se intelektualët,në veçanti shteti ,kanë detyrime ndaj personave që kërkojnë mbrojtje për të drejtat e tyre, sidomos ndaj emigrantëve tanë në Greqi,të cilët ende vuajnë mbi supe racizmin nga politika e vjetër dhe e sotme Greke.  Nëse do që të gjesh atë që kë ëndërruar, gjithë jetës beso në atë që ke dhënë me shpirt – thotë një fjalë e urtë popullore.

Cila është krijesa juaj më e re, ku ju jeni duke i dhënë “dorën e fundit”?

Ndodhet  në proçes botimi vëllimi i dytë i librit publicistik “Sekretet e gazetëreve të RTSH”. Pas suksesit të vëllimit të parë besoj se dhe ky vëllim do të ketë të veçantat e veta. Flitet për personazhe dhe institucionin, që shënoi fillesën e medias vizive në Shqipëri në Prill 1960, nga dyert e të cilit, kanë dalë kuadro dhe prezantues të papërsëritshëm. Historiku i R.T.SH-së, është historiku më i bukur i medias, por edhe pjesë e artit shqiptar. Pa atë media, qindra filma, teatro, drama, cirqe, apo tetaër për fëmijë. do kishin kaluar në heshtje, pa gjurmë. R.T.SH.-ja është nëna, është fidanishtja e të gjithë mediave fonike dhe vizuale shqiptare, ndaj ai edhe sot duhet respektuar.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit