Data : 27 05 2018
KryeTitujt :

INTERVISTA/ Flet shkrimtari, ish-kampioni i boksit,”Mjeshtri i Madh” Ahmet Golemi

 

-Ju tregoj kur dhe si erdhi prishja e korifenjve Kadare-Agolli

 

 

- Kritika kundër Kadaresë ishte iniciuar nga Kryeredaktori Miço Verli, kurse në fakt në krye të kësaj fushate ishte indirekt Ramiz Alia

 

-Agolli mbetet një majë e lartë e letërsisë por Kadare është Everesti i letërsisë shqiptare

 

Nesër do të lexoni: Ismailin e kishte për zemër Enver Hoxha, Dritëroin, Mehmet Shehu, ndërsa Fatos Arapin e simpatizonte Hysni Kapo

 

 

Albert Z. ZHOLI

Me Ahmet Golemin më ka lidhur krijimtaria e tij, por më shumë kujtimet e tij. Ai është një bibliotekë e pa zbuluar dhe pse si pasion ka pasur boksin. Transmetimet e tij në televizion në ndeshjet ndërkombëtare të boksit profesionist të mbajnë të përqendruar para ekranit.  Kur bisedon flet qetë, me fjalë të plota, të ndara, që ke qejf ta dëgjosh. Në çdo bisedë është i qeshur dhe kurrë nuk zemërohet. Ish-i dënuar politik, ai nuk vuan nga kompleksi i hakmarrjes, përkundrazi. Nga shumë biseda që kam zhvilluar me të, biseda e fundit që u kërkua nga vetë ai, ka të bëjë me dy personalitetet më të mëdha të letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin. Nga biseda e zhvilluar, por edhe nga kujtimet e shumë shokëve të tij, kam mësuar se  në vitet e pjekurisë letrare, Ahmeti ishte një nga shokët më të afërm të Kadaresë.  Por ajo që është për tu shënuar dhe ndoshta më e pabesueshme për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, është se Kadareja ishte ndër të rrallët  që e ka takuar dhe e ka përkrahur kur ai ka dalë nga burgu. Madje, i ka dhënë kurajë kur disa të quajtur miq shmangeshin ta takonin, ndërsa Kadareja e ka përqafuar miqësisht në sy të ministres Tefta Cami, e cila është befasuar. Lidhja e tyre tregohet qartë edhe në përcaktimin e titullit të romanit “Fundi i dorezave të zeza” që ja ka rekomanduar Kadareja. Po kaq lidhje kishte dhe me Agollin, i cili kur doli nga burgu ndali dhe i tha: Nuk ta kemi hequr emrin nga Lidhja e Shkrimtarëve. Miqësia me këta dy korifej është shumë interesante, por në fund Ahmeti, nuk i shpëton dot simpatisë së madhe që ka për Kadarenë duke e quajtur Everest të letrave shqipe. Madje një poet i ka thënë se, monografinë e Kadaresë duhet ta shkruash ti, se e njeh shumë mirë.

***

 

-Kohët e fundit po bëhen shumë zhurmë për figurën e Agollit, miqësinë me Kadarenë dhe qëndrimet e tyre në regjimin komunist. Duke qenë se ishit anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të asaj kohe, duke qenë se keni pasur miqësi me të dy këta korifenj, çfarë dkujtimesh mund të na japësh nga jeta e tyre letraro-artistike?

Vërtet, shoh se po bëhet një zhurmë e madhe në lidhje me Dritëroin dhe me Kadarenë. Disa hedhin baltë për Dritëroin se gjoja ka dënuar shkrimtarë, disa të tjerë akuzojnë Kadarenë se ka qenë shkrimtar oborri. Dhe kjo akuzë ka bërë që ai sot të mos marrë çmimin Nobel. Unë i kam njohur nga afër të dy këta kolosë, por di të them se me Kadarenë kam qenë shumë i afërt. Kjo lidhje me Kadarenë ka filluar në vitin 1963 kur unë kam botuar poezinë e pare dhe më vonë tregimin e parë në gazetën “Drita”. Mund të them se  ne njiheshim më parë ai si shkrimtar, unë si një boksier i njohur; të dy gjirokastritë  dhe e treta ai ishte i dhënë shumë pas boksit, sepse në rini të tij ka qenë në rrethin e boksit në Gjirokastër, ndërsa unë si boksier isha shumë I lidhur më letërsinë. Kjo miqësi kishte rënë shumë në sy në atë kohë sa poeti Koçi Petriti më thoshte se” Vetëm ti mund t’ja bësh monografinë Ismail Kadaresë.

 

Kur e ke takuar kohët e fundit Ismailin Kadarenë?

Nuk ka veçse pak kohë kur më mori në telefon botuesi Bujar Hudhri dhe më tha se donte të pinte një kafe me mua Kadareja tek “Juvenilja” . Kisha disa kohë që nuk  kisha takuar. Shkova me shumë dëshirë. Në këtë takim folëm për shumë gjëra por në fund Bujari më tha se: Ti ke shumë kujtime për Ismailin, ndaj të lutem hidhi në letër që ti botojmë.  I thashë po, do ulem. Kur u ndava i them Bujarit ti je njeriu më i lumtur që ke botuar të gjitha veprat por dhe që rri pranë këtij gjeniu.  E takova sërish pas disa ditëve. Këto dy takimet e fundit me të ishin  takimet nga më të bukurat e jetës time.

 

-Si janë  në sytë e tu këta dy kolos të letrave shqipe? Si do ti përcaktoje këta dy kolosë sipas mendimit, njohjes dhe idesë tuaj?

Në sytë e mi janë të dy të mëdhenj, por Kadare është, një majë më e lartë. Këtu flas në sensin e krijimtarisë. Kadare ka arritur Everestin. Të dy janë të mëdhenj, janë gjenialë por me disa karakteristika…Agolli ishte pak tip flegmatik. Shumë i  talentuar, që kishte privilegje por dhe shumë  popullor. Ndërsa Kadare është tip sanguin. Në dukje duket paksa si i përhumbur, por përbrenda ka shumë perceptime. Nën syzet e tij me dy lloj xhamash, percepton dhe thith shumë. Merr, akumulon, zhbiron, sodit, përcjell, depërton. Është një tip shumë interesant brenda natyrës së tij. Luante shah në klubin e Lidhjes dhe kur e shikoja ashtu mendoja çfarë ka ky njeri që është kaq i jashtëzakonshëm, ndryshe nga ne të tjerët? Kadare dhe Agolli ishin shokë të mirë dhe krijues të rrallë. Ftohja :Nisi” kur Dritëroin e emëruan Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Dritëroit ja donte puna që të kërkonte dhe llogari, pasi ishte një komunist  i pozicionuar, ndërsa Kadareja, ishte emëruar Nënkryetar i Frontit Demokratik dhe nuk qe aktiv në punët e partisë.  Madje, nuk e kishte shumë qejf anëtarësimin në parti, pasi edhe stazhin e bëri në gjirin e klasës punëtore, ku ata ndiheshin të lumtur që e kishin  në gjirin e tyre. Agolli ishte shpirt njeriut, babaxhan, ulej këmbëkryq me këdo, pinte me këdo, ishte pijetar i zellshëm, ja merrte këngës me të krahinës së tij dhe një komunist i “mire”. Por duhet ta dini se, ai komunizmin nuk e shikonte si e shikonin në tërësi komunistët,  ai e shikonte ndryshe, siç ishte, jo si thuhej. Ai  ishte një komunist bohem. Por “gabimi” tij ishte se duke qenë komunist pinte kur statute i partisë nuk i donte njerëz të tillë (qesh). Ismaili hyri në parti i dyzuar, ndoshta ngaqë kundërvënia do krijonte mëdyshje ose diskutime.

 

-Si erdhi ndarja e madhe mes dy korifenjve? Ka shumë hamendësi, shumë variante, por ju që ishit mik i ngushtë me Kadarenë si do ta përcillnit të vërtetën?

-Mendoj  dhe besoj qe “goditja” që mori Kadareja në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve edhe nga një pyetje e Kryetarit Agolli. Kjo solli prishjen e madhe. Por që kjo “kritikë” në fakt ishte e imponuar nga dyzimet, dilemat, alibitë, kundërvëniet, që krijoi tek anëtarët e Plenumit, (kuptohet që ishin shkrimtarë, piktorë, artistë) romani i sapo botuar i Kadaresë “Nëpunësit e Pallatit të Ëndrrave”. Më ka mbetur në mendje pyetja e drejtpërdrejtë që Dritëroi i drejtoi Ismailit: Çke dashur të thuash me fabulën e romanit? Dhe të tjerët: Mos bën analogji Sulltanatin me Sigurimin e Shtetit? Kjo gjendje Ismailin e vuri në pozitë të vështirë.  Do bëj një parantezë: Gjatë kohës së hetuesisë në orën një të natës, dy hetues më kanë thirrur madje më kanë futur në dhomë me pranga (jashtë rregullit) dhe pyetja kryesore ishte:Na fol për atë mikun tënd shkrimtarin e njohur (nuk ma përmendën emrin e Kdaresë)?. Ngurrova dhe shtrëngova dhëmbët. Njëri rrinte ulur ndërsa tjetri në këmbë pranë meje më goditi me gju poshtë barkut dhe më pështyu kur u bind se unë nuk do ja plotësoja kureshtjen dhe nuhata që ishte paksa i pirë. Gjatë këtyre minutave, ngaqë ngulmonin shumë munda t’ju them: E kuptoj, doni kokën e tij në tavë, por nga unë mos prisni gjë!

Këtu filloi ndarja Agolli Kadare… Romani  “Pallati i ëndrrave” e jep realitetin e kohës dhe të njerëzve të saj prapa metaforave të tilla të gatshme. Aty dalin me të gjitha cilësitë dhe mangësitë, intrigat  nëpunësit dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe bash-ëndrra. Të gjitha këto Kadaresë ia ofroi mekanizmi i ndryshkur i shtetit të fuqishëm të perandorisë otomane në fundin e tij, por në fakt indirekt ishte sistemi që ai jetonte vetë.. Karakteri shumëkohësh i ” Pallatit të Ëndrrave”, përkundër karakterit shumëkuptimësh të një vargu veprash të tjera të Kadaresë, lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicien të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigante të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor. Kadareja i ka dhënë karakterin e një konflikti të përjetshëm marrëdhënies pushtet/individ. Kjo vepër ishte një grusht i rëndë për burokracinë e shtetit të saj kohe. Të gjithë krijuesit e nënkuptonin fabulën e romanit ndaj dhe trembeshin. E parë nga koha e sotme, mendoj se Agolli ishte i detyruar ta bënte atë pyetje, pasi ja diktonte pozicioni, ja diktonte vendi punës, tesera e partisë. Çdo gjë duhet vënë në kohë. Kjo mbetet për mua thyerja e madhe ku Isamili desh u bë kokë turku për paranojën e diktatorit. Ndërkohë që, shumëkush e dinte që paranoja e Enverit për të zbuluar armiqtë e partisë dhe të shtetit  vinin nga letrat anonime që, edhe pse të ndaluara me ligj, ai u bënte thirrje hapur shqiptarëve që, për çdo dyshim që kishin për njerëz në çfarëdo posti të lartë, t’ja bënin të ditur nëpërmjet denoncimit me letra të futura në zarf…

 

-   E ke parë ndonjëherë të stresuar apo në gjendje të vështirë Ismailin?

-   Kur Ismaili e kishte shtëpinë në hyrje të Pazarit te Ri “Lugij Gurakuqi”, pallati me kolona, sapo kishte botuar romanin “Dimri vetmisë së madhe”. Një roman epik, që u përpi nga lexuesit por që ngriti shumë dilema. Ajo çka i zemëroi komunistët fanatikë, fillonte qysh me titullin  çka nënkuptonte se RPSH ishte një vend tërësisht i izoluar nga bota mbarë. Ky ishte një realitet, por fanatikët dhe të tjerë që u vinin pas kishin parasysh se PPSH i dilnin në krah partitë e tjera m-l në botë, si kundërvënie të dy superfuqive që dëshironin që ky vend të mbetej si peshku pa ujë. I hodhi benzinë zjarrit shkrimi i parë që u botua në gazetën “Zëri Rinisë”, (që ishte ndër më të lexuarat) nga inxhinieri Eduart Shalsi me të cilin u hap fushata kundër Ismailit. Pas këtij artikulli ai u bë objekt i sulmeve të cmirëzive dhe pritej që Ismaili ta pësonte keq. Vetë, kohët e fundit Ismaili e ka pohuar që nga Enver Hoxha të shpëtonte vetë Enver Hoxha. Thënie kjo mbështetur në shkuarjen e Enver Hoxhës në Kombinatin Metalurgjik Elbasan, ku midis kuadrove  drejtuese të partisë dhe të klasës punëtore midis të tjerave shtroi dhe pyetjen: Po për romanin e Kadaresë “Dimrii vetmisë së madhe çfarë mendimi keni? Shumë nga të pranishmit mbështetën kritikat e thëna në gazetën “Zëri Rinisë”  që këtij mendimi ju bashkëngjit edhe fjala e Drejtorit të Kombinatit, anëtarit të Byrosë Politike Hajredin Çeliku. Ahere Enveri  me “zgjuarsinë” e tij u tha: Po kapitujt që flasin për mbledhjen e Moskës ku jam dhe unë personazhi kryesor?- pyetje e cila u zgjerua dhe më tej nga vetë udhëheqësi i partisë dhe që i vuri kapakun hamendësive  dhe gjithë debatit. Në ato ditë unë trokita tek Ismaili për ti çuar me autograf librin me tregime. Çuditërisht, Ismaili hapi derën dhe ashtu i parruar siç ishte, me pizhame (çka tregonte se nuk kishte dalë ditë të tëra nga shtëpia), për habinë time tek dera më pa në dritë të syrit dhe duke ditur që unë isha kryetar i rrethit letrar tek Pallati Kulturës Ali Kelmendi pyeti: Po për romanin tim çfarë thonë? I thashë që është mirëpritur shumë mirë nga letrarët e rinj dhe madje Roland Gjoza është shprehur se ky roman duhet të marrë çmimin Nobel. Vonë u mësua se kritika kundër Kadaresë ishte iniciuar nga Kryeredaktori Miço Verli kurse në fakt në krye të kësaj fushate ishte indirekt Ramiz Alia.

 

-Cilat nga rikrijimet  e tjerë të Kadaresë kanë krijuar problem gjatë botimit?

Së pari ka qenë novela “Përbindëshi”  botuar në revistën “Nëntori”. Nga çfarë kisha mësuar, redaktori shkrimtari i njohur Sterjo Spasse dy herë ja kishte krasitur për ta bërë të botueshme  që Kadare të mos kishte andralla. Por botimi nxori në pah dobësinë ideologjike kur në qendër ishte fabula që revizionizmi nuk goditet nga disa shishe birre që studentët i hodhën mbi një  objekt të dyshimtë  si kontenier duke hamendësuar që aty brenda ishin fshehur diversantët. Goditja e dytë  erdhi pas botimit në gazetën “Drita” të tregimit “Mina”. Goditja e radhës erdhi nga botimi po në revistën “Nëntori” të novelës “Provokacioni”. Një fabul që kishte të bënte me postën kufitare në rrethin e Korçës përballë postës kufitare të Greqisë. Ishte nata e Vitit të Ri, një dimër i acartë. Në postën përballë ushtarët grekë po festonin duke pirë në mënyrë të hapur duke provokuar ushtarët tanë me festim modest. Me ushtarët grekë ishin dhe tre femra studente greke për tu treguar rojeve greke që nuk jemi të vetmuar. Në një atmosferë të ndezur provokuese këndonin  dhe ata nga qejfi shkrepën dhe armë në drejtim të postës tonë. Përgjigja ishte e menjëhershme dhe si rezultat njëra nga studentet që kishte ardhur për festë për shoqëri, u plagos. U ngrit një flamur i bardhë çka tregonte që na ndihmoni në dobi të shëndetit, pasi ushtarët grek e dinin se posta jonë kishte dhe infermier. Gabimi i parë (që u hodh në diskutim) ishte një kompromis i heshtur dhe e plagosura erdhi në kapanonin e ushtarëve tanë. Ndodhi që komandanti i postës kishte shkruar pranë familjes për vit të ti. E dyta nga dëbora e madhe ishte ndërprerë lidhja telefonike me qendrën për të njoftuar ç’po ndodhte (pasi u shkrepën armë). Posta ishte e izoluar dhe me qendrën nuk lidhej. Studentja gjatë kohës që qëndroi tek reparti ynë u shërua dhe shkoi tek posta e ushtarëve grekë, por problemi ideor  që u ngrit nga kritizerët ishte që si mundët që posta të shkëpuste çdo lloj lidhje me qendrën. Pra kjo novelë binte ndesh me parimet tona, me korrektesën tonë, me sigurinë tonë, me disiplinën  tonë. U kritikua shumë. Jehona e novelës “Provokacioni” u shua, ndërkohë që Kadaresë ju faturua dhe një gabim tjetër ideor. Por ajo çka Kadarenë e dogji më shumë ishte poema “Pashallarët e kuq” që u bë gati për tu botuar në gazetën “Drita” ( të shtunën në darkë për të dielën) por që vigjilenca e komunistëve të shtypshkronjës “Zëri Popullit” ndërkaq e bëri problem më lart dhe ajo u ndalua. U hoq nga botimi. Ndërkohë që Kadareja me këtë poemë donte të godiste burokracinë, nënkuptohej në bazë, që pashallarët e kuq (burokratët) i kemi në ndërtesën e KQPPSH. Ishte rasti i parë kur Enver Hoxha e pa Kadarenë si një person të përkëdhelur nga partia dhe pushteti dhe që donte  ti vinte stërkëmbësin unitetit parti-popull. Pasojat? Kadareja shkoi për tu riedukuar në një kooperativë në rrethin e Beratit.  Një “shthurje ideologjike” (në fakt e vërteta e hidhur) e Kadaresë  kishte ardhur  nga qe lexonte letërsinë e disidentëve rus. Ndikimi prej tyre ishte një shtysë që shkrimtari yshtej për të trajtuar në letërsinë tonë, me tema, konflikte, fabula mbresëlënëse të veçanta, që për to kishte bërë autokritikë (pas jehonës së “Pashallarëve të kuq”)  në Lidhjen e Shkrimtarëve në prani të redaktorëve të gazetës “Drita” dhe revistës “Nëntori”. Tek poema, indirekt kritikohej apo shigjetoheshin udhëheqësit e Byrosë politike. Kjo vinte pasi Ismaili lexonte shumë disidentët rusë. Mbase ishte ndikimi i tyre. Në bibliotekën e tij kisha parë disa libra të tillë që më vonë ai i fshehu.

 

-              Çfarë të bënte përshtypje tek Kadareja?

Kadare nuk ishte njeri i zyrave të luksit, thashethemeve apo i zymtësisë. Ai zhytej në detin e krijimtarisë dhe nuk donte as makinë, as kushte zyrash që të rinte. Ai çdo moment donte vetëm të krijonte. Nga natyra Kadare ishte shume i ftohtë, cerebral. Ata që e donin i respektonte shumë. Për mendimin tim dobësia e vetme e Kadaresë ishte që ngulmonte të mbronte krijimtarinë e tij kur ishte e diskutueshme deri në kokëfortësi. Mbaj mend që, një ditë, duke drekuar me të në restorantin “Vollga” vjen Nasho Jorgaqi. Në atë kohë ishte redaktor në shtëpinë botuese Naim Frashëri pranë stabilimentit “Mihal Duri”. Në bisedë e sipër i thotë se romani “Gjenerali ushtrisë vdekur” sërish është vënë në diskutim për tu botuar, ngaqë  redaktoja përkatëse, Donika Omari ngulte këmbë që të redaktohej episodi kur plaka Nicë zbulon kolonelin të cilin e kishte vrarë me sëpatë dhe e kishte varrosur në oborr. Ismaili u prek, nuk i erdhi mirë, duke pasur parasysh se ai ishte një nga kulmet  e dramacitetit dhe urrejtjes që kishte populli shqiptar ndaj pushtuesve italian. Në anën tjetër, për lexuesit shqiptarë, një skenë e tillë ishte tejet makabre, çka do të tregonte që shqiptari (akoma me keq një femër) është tejet mizore. Por romani u botua ashtu siç e dëshironte Kadareja.

-Po kur shkove në burg a mbajte lidhjet me Kadarenë?

Nuk kisha si ti mbaja. Nuk mundesha sikur dhe ai të donte unë nuk mund ta pranoja këtë sakrifice .

 

 

Nesër do të lexoni:

 

- INTERVISTA/ Flet shkrimtari, ish-kampioni i boksit,”Mjeshtri i Madh” Ahmet Golemi

 

-Kur dola nga burgu Kadareja më përqafoi përzemërsisht në sy të ministres Tefta Cami

 

-Po kur dole nga burgu si rifilloi miqësia?

Kur dola nga burgu me amnistinë e bujshme të nëntorit të vitit 1982 (70-vjetori i pavarësisë) isha i vrarë shpirtërisht. Para burgosjes punoja në gazetën Sporti Popullor në Ministrinë e Arsimit. Puna e donte që të shkoja në zyrën e kuadrit për të marrë  librezën e nëpunës. Një ditë kur po drejtohesha për tek ministria, tek banka e shtetit, u përballa me Kadarenë. Isha takuar dhe më paorë me çiftin Kadare në bulevard kur ata bënin ritualin e mbrëmjes, bash aty ku është ndërtuar pallati Kongreseve. Helena ishte e para që më vuri re dhe entuziaste i tha Ismailit që përballë kemi Metin. U përqafuam në kujtim të një miqësie të mëparshme. Por këtë radhë të dytë (takimi tek banka) Ismaili u tregua shumë dashamirës . Ku po shkon më pyeti? I thashë në Ministri për të marrë librezën e punës në zyrën e kuadrit. Bukur, shkojmë së bashku se kam lënë takim me ministren më tha. Tek porta e ministrisë ndaluam ndërkohë që ishim future në një bisedë për krijimtarinë. Tek porta ishte makina e ministres ku shoferi kishte hapur derën dhe po priste të dilte ministrja Tefta Cami. Ajo doli, na pa, mblodhi buzët u vrenjt dhe u ul në vendin e parë tek shoferi duke pritur që Ismaili të shkëputej nga unë dhe të vazhdonin rrugën. Ndodhi e kundërta, për të mos thënë shumë, por kaluan 5 minuta kur Ismaili vazhdonte të bisedonte me mua ndërkohë që i thashë: Ismail po e tepron por të pret ministrja! Nuk i bëri përshtypje kjo gjë, qëllimi ishte ti tregonte ministres që ke të bësh me një njeri që unë ruaj një respekt shoqëror. Për më tepër, më përqafoi më shtrëngoi dorën si dy miq. Këtë gjest e bënte një gjeni si Ismaili.

 

-Po me Dritëroin u takove pas burgut?

Po. Rastësisht afër Lidhjes së Shkrimtarëve.  Sapo mora kthesën e rrugës u gjenda ballë për ballë me të. Doja të shmangesha por ai më njohu dhe më foli. Ahmet, afrohu, afrohu! Si ke kaluar? Dëgjo edhe pse ishe në burg nuk ta kemi hequr emrin nga anëtarësia e Lidhjes së Shkrimtarëve. Më befasoi kjo  deklaratë  dhe u përlota (loton).  Pasi më bëri disa pyetje më tha do largohem por kur të më shohësh në rrugë më fol, mos u shmang. Sa i lehtësuar u ndjeva.

 

-Po tek veprat e tua të tjera të tuat a ke pasur një lloj  mbështetje nga Ismaili?

Ah, po! Kur bëra novelën “Përbindëshi i bardhë” ku zura çmimin e tretë në kuadrin e 30-vjetori të çlirimit të Atdheut në gjininë e novelës (pas novelës së Helena Kadaresë). Më parë novelën ma kishte lexuar në dorëshkrim Ismaili dhe ma pëlqeu. Më tha, mos i hiq asnjë presje. Ndërsa për  romanin  “Fundi i dorezave të zeza”, duke parë që ai kishte impenjim të madh, shumë pak kohë të lirë, i thashë:  Të lutem dua një ndihmë! Kam tre tituj për romanin dhe dua të më japësh një mendim se e di s’ke fare kohë ta lexosh.  Titujt janë “Ngjadhnjyesi i ri”, “Braktisja e ringut” dhe “Fundi i dorezave të zeza”. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe më tha, këtë të tretën duhet të mbash. Pra atë titull të romanit tim më të lexuar e të bujshëm, e ka pagëzuar Ismail Kadareja. Me atë sqimën e tij, me atë heshtjen e tij, me atë zhbirimin që të bënte kur të shikonte, kurrë nuk linte ti binte fjala në tokë.

-A kishte dashuri për sportin Ismaili?

Ndoshta s’të besohet. Ismalili ishte shumë boks dashës. Kur ishte pionier, ishte anëtar i rrethit të boksit në Shtëpinë e Pionierit të Gjirokastrës. Të njëjtën gjë bëja dhe unë në Shtëpinë e Pionierit në Tiranë, po në rrethin e boksit. Këtu kujtoj që jemi të dy të datëlinjdes 1936, gjë që e mësova kur lexova romanin e Helenës “Kohë e pamjaftueshme”. Dhe pse atëherë ishte e ndaluar të shikoje stacionet e huaja, kur kishte boks, Ismaili më thërriste gjithmonë dhe i shikonim ndeshjet e mëdha të Kleit, Frezerit, Formanit tek shtëpia e vëllait të tij Shahinit tek “Pazari i ri” ( i kishin shtëpitë përballë). Në këto ndeshje nuk mungonte kurrë Helena. Vëllai i tij Shahini, kur kishte shkuar për specializim 6 mujor në Rumani kishte sjellë një televizor “Filips” të mirë.  Edhe Ismaili kishte televizorin e tij më parë të markës “Rekord” që kishte sjellë nga Rusia që për arsye ekonomike e kishte shitur. Ndoshta nuk ju besohet sa jetë të thjeshtë bënte Ismail Kadareja.  Një gjë të dish, kur është martuar Ismaili në shtëpi nuk kishte as krevat dopjo, por bashkoi dy krevate tek. Kjo është e vërteta. Por kurrë se jepte veten dhe dilte i veshur si zotni.

-Para se të ikte në Francë a e keni takuar?

Jo, se unë pas burgut të parë fillova punë në Kombinat si kaldajist. Pas tre vjetësh më arrestuan dhe më futën në burg prapë. Ç’të të them. peripeci pa fund.  Unë u lirova në prag të proceseve demokratike. Ikjen e tij në Francë e kam mësuar kur si i burgosur punoja në galeritë e minierës së Tërnovës në veri të Shqipërisë. Mbaj mend që kemi qenë në nja nga galeritë, kur një nga minatorët me një melodi kënge më dha të kuptoj që zogu fluturoi, pra Ismaili u “arratis”. Ishte një përcjellje lajmi ndryshe. Po ato ditë mësuam nga radio dhe televizorit që Ismaili  ishte arratisur në Francë. U lirova në prag të proceseve demokratike. Ishin zhvillime interesante për të gjithë ndërkohë që Ismali tashmë bënte jetën e tij prej “disidenti” (siç e etiketuan) në Paris, gjë që në fakt Ismaili se ka pranuar kurrë. E theksoj, që, Ai, ashtu sikundër edhe unë s’mund ta quajmë veten disidentë, por thjesht të dyzyar. Dritëroin e takova sërish pas burgut dhe ai si përherë babaxhan, dhe shpirt njeriu më takoi përmallshëm si pas burgut të parë. Por tashmë gjërat kishin ndryshuar.

 

 

Kur e ke takuar Ismailin në vitet e demokracisë për herë të parë?

Më duket se ishte viti 1996, viti kur diskutohej që të bëhej president. Unë në atë kohë botova romanin “Pasionet”. E takova për ti dhënë romanin.  Ishte me Helenën, tek “Pjaca”.  Dorëshkrimin e tij dhe librin “Fije bari” të Uitmen gjatë kontrollit të banesës ma kishte sjellë si objekt akuze, hetuesi dhe operativi i Lidhjes së Shkrimtarëve. Në faqen përkushtuese, kisha shkruar dedikimin për nënën së cilës nuk kisha mundur ti hedh një grusht dhe mbi varr kur vdiq. Ndërkohë Helena  kishte lexuar disa faqe dhe e prekur me pyet: Meti të ka vdekur nëna?! Po, i them, më ka vdekur kur isha në burg.  Biseda solli bisedën, por në rend të ditës atë kohë ishte zgjedhja e presidentit. Nuk po gjendej një figurë dhe kudo diskutohej  emri i Isamil Kadaresë. I them, Ismail pse nuk pranon të bëhesh president? Ai më vështroi me ngulm dhe duke psherëtirë më tha: Lëre këtë bisedë! Këtu është bërë si Kandahar. S’ka as drita, as siguri, as ngrohje, asgjë që të bjerë era shtet, asgjë nuk është në vend të vet. Por do thuash, që për këtë të vëmë president, të na rregullosh situatën! Unë jam gatuar për tjetër gjë. Unë nuk e bëj dot atë punë. Nuk është punë për mua. Do doja të bëja diçka të mirë për atdheun, por atë punë se bëj dot mirë. Unë bëj mirë të shkruaj. Nuk bëhet punë me këtë politikë të ashpër. Si duroj dot dredhitë, shpifjet, ofendimet, zënkat, të bërtiturat. Nuk janë në natyrën time. Ndaj e lëmë këtë bisedë.

-Kush është grupi që e ka sulmuar më shumë Kadarenë?

Grupi që e ka sulmuar sistematikisht Kadarenë ka qenë Fatos Lubonja,  Kasem Trebeshina, Adrian Vehbiu, e ndonjë tjetër … të gjithë këta e kanë penguar duke e sulmuar për të mos marrë çmimin Nobel duke e quajtur sipas idesë së tyre, shkrimtar oborri. Po çfarë shkrimtar oborri ishte Kadareja kur nuk kishte asnjë privilegj, kur jetonte si gjithë të tjerët?

-Po me Agollin kur ke botuar, prozë apo poezi,  si i keni pasur relatat e ndihmës dhe kritikës mes njeri-tjetrit?

Kur Agolli botoi librin e parë me tregime  “Zhurma e erërave të dikurshëm” unë kam qenë Kryetar i rrethit letrar në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” .Kishim shumë aktivitete. Ishim të gjithë të dashuruar me letërsinë. Më parë ishin një grup i mirë letrarësh si Agim Cerga, Vath Koreshi, unë  ( e la Vath Koreshi të qenit kryetar, e mora unë), Klara Kodra, Sazan Goliku,  Agim Fortuzi (korrektor letrar), Kocco Kosta, Bedri Myftari, Agim Pepa, Zyhdi Moarava, Faik Ballanca, etj… Pra, kur botoi këtë libër ne e ftuam për ta uruar Dritëroin në rrethin tonë letrar, pasi për atë libër e kishin kritikuar. Ne e vlerësuam pozitivisht dhe Dritëroi u prek deri në përlotje.

Pse u kritikua derisa u hoq dhe nga qarkullimi ky vëllim?

Në këtë libër midis tregimeve të tjera kishte dy tregime ndryshe “Kapedani” dhe “Ajo” . Tek tregimi “Kapedani”, personazhi kryesor që ishte komandant nuk përfillte komisarin, dilte mbi komisarin. Pra nuk dilte roli udhëheqës i partisë. Nënvleftësohej ai rol. Ndërsa tek tregimi “Ajo” thuhej që ishte shumë tregim intim.  Gazetari “ZP”, personazhi kryesor ishte shkruar në vetë të parë.  Vetë në kujtimet e tij Dritëroi ka thënë se ka dashur të bëhej veteriner. Sa herë që shkonte me shërbim në Lezhë gazetari shkonte tek një miku i tij veteriner ku gruaja e tij e simpatizonte gazetarin. Në një episod tregohej se, kur ishte gazetari në shtëpi, vijnë dhe e kërkojnë veterinerin se ishin dy lopë të sëmura. Veterinari ngrihet  i shqetësuar dhe niset me vrap për tek stalla. Gruaja e veterinerit i thotë, gazetarit: Po ky ç’burrë është, lë gruan vetëm dhe ikën pas lopëve?! Më e rëndësishme gruaja apo lopët janë?! Pra ky çast intim u kritikua ashpër, ndërsa ne e mbrojtëm duke theksuar se ngjarjet ndodhin por në fakt kritikohet fenomeni romantik.

Ky ishte rasti i vetëm?

Jo! Njëherë tjetër u ndesha me Dritëroin para “Klubti të Gjuetarëve” me bocetat e romanit “Komisari Memo” në dorë. Në fakt, tek bocetat titullin e romanit e ka pasur “Busti” (sipas filmit). Ndihej i mërzitur.Çfarë ke i them? Po ja, ma kanë ndërruar titullin, nga “Busti” në “Komisari Memo”. Hiçgjë i them unë, vëllimin tim me tregime në redaksinë e prozës ja ndryshuan titullin nga “Natën e mirë e dashur” në “Elektricisti i turnit”. Qeshi i lehtësuar. S’të themi kot Klei ynë ( më tha).

Si ishte në poezi Ismaili?

. Ishte shumë i thellë, shumë. Duhej ta studioje poezinë e tij që ta kuptoje.  Kur shtëpia botuese “Naim Frashëri” i botoi Kadaresë librin me poezi, pasi e lexova i thashë:  Po pse nuk i ke futur poezitë e Moskës? Mi hoqën më tha, mi hoqën nuk e di. Më thanë se janë shumë intime, jam befasuar. Ismaili ka qenë shumë intim në poezi, shumë. Kishte shumë detaje.

Po Dritëroin e ke gjetur ndonjëherë të shqetësuar?

Të gjithë njerëz prej mishi dhe gjaku jemi. E kishte shqetësuar nevrikosur Skifter Këlliçi (se diku e kishte kritikuar), që vazhdonte deputet edhe pas përmbysjes së komunizmit. Pra, i privilegjuar dhe dje dhe sot. Komunist dje, demokrat sot. Kur e takova një ditë, më tha: Skifteri të ka dal dëshmitar në gjyq?! Jo i thashë! Miqësisht i them, ore Dritëro, përse  akoma vazhdon  deputet, ti e di që do të sulmojnë. Ti je Dritëroi! Një mal i rëndë, sado të sulmojnë nuk të tundin nga vendi. Ti ke qenë komunist pak i flaktë, i thashë duke qeshur. Dritëroi nuk ju përgjigj Skifter Këlliçit. Por Agollit poemën “Devoll, Devoll” ja kam recituar në Konkursin Kombëtar të Fjalës Artistike në qytetin e Vlorës, pasi kam qenë një recitues i mirë që në vogëli. “Devoll, Devoll” e recitoi edhe Dhimitër Orgocka. E recitoi me një pathos të paparë.  Këtë poemë ma sugjeroi për konkurrim Fiqirete Shehu që ishte e pranishme në Konkursin e Fjalës Artistike për Tiranën. E prekur nga sa dëgjoi, duke parë që “Devoll, Devoll” nuk ishte në program,( pasi doli nga botimi pasi ne kishim bërë provat) më tha: Këtë poemë e dua ta recitosh ti. Dhe unë në Vlorë shkova me këtë poemë.  Ajo e donte shumë Agollin. Ishin të ndarë në atë kohë këta kolosë. Ismailin e kishte për zemër Enver Hoxha, Dritëroin, Mehmet Shehu, ndërsa Fatos Arapin e simpatizonte Hysni Kapo.  Kjo është e gjitha.  P.sh, tek kjo poemë, Agolli në fund ka strofën epilog: E di që snajperët e përtej deteve/ në shënjestra më kanë vënë/ Por unë  unë s’trembem, s’e ul zënë, mbetem komunist në jetë të jetëve”!  Për këtë e kanë kritikuar në demokraci. Ismaili në poemën “Përse mendohen këto male” ka shkruar: …”…dhe priste Shqipëria, me vite priste, që të vinte partia Komuniste”. Për këto i kanë kritikuar këta korifej, pa i vënë ngjarjet në kohë, ligjet e kohës. Mu kujtua që në gazetën “Drita” ishte botuar një poezi e poetit të bujshëm sovjetik Evgjeni Jevtushenko. Më kujtohet se kur shkoja tek shtëpia e Ismailit tek kolonat, në korridor kishte një musendër me libra, të mbuluar me perde. Tejet miqësisht për të më besuar një seret, ndërmjet  atyre librave merr njërën dhe e shfleton dhe prej andej nxjerr një fotografi dhe më tregon. Ishte Evgjeni Jevtushenko i ri, nga pas dedikimi për Kadarenë. E mbante si amajli. Ne atëherë pak e njihnim Jevtushenkon, pasi ai kritikohej se ishte poet i oborrit të Kremlinit. Nuk lejohej të botohej tek ne. Evgjeni Gerasimov në Plenumin e Shkrimtarëve rus deklaron se Jevtushenko në peozitë e tij anshkalon vijën e partisë. Kjo ishte një akuzë. Ai i përgjigjet: Ti Evgjeni, unë Evgjeni/ Ti s’je gjeni, e unë s’jam gjeni. Ti fekale unë fekale, Unë jo prej kohësh,  ti je prej kohësh….”. Ndoshta kjo tingëllon edhe si analogji me Plenumin ku Ismail Kadareja u kritikua për “Pallatin e ëndrrave”.

 

Përtej debatit të kohës, në ditën e vdekjes së Agollit, Kadare theksoi se në këtë dimër të ashpër, ngjarja më e hidhur është vdekja e Dritëroit të madh. Si do ta komentoni këtë fakt?

Këtu është gjenialiteti i madh i Kadaresë. Ai e vlerësoi shumë, shumë pasi nuk është xheloz, apo njeri me smirë. Ai vlerësoi artin, letërsinë, arritjet, veprën e madhe të Agollit. Fjala e Kadaresë  u dëgjua më shumë se çdo fjalë tjetër për figurën e madhe të Agollit të madh. Njerëzit e mëdhenj dinë të vlerësojnë ashtu siç dinë të mposhtin dhe hedhin tej grindjet dhe mëritë. Kadare u tregua gjenial, ashtu siç është në të vërtetë.

 

 

 

 

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit