Data : 22 05 2018
KryeTitujt :

INTERVISTA/ Flet Nerim Topalli, nipi i Nafije Pllumbit, “Virgjëreshës së përbetuar”, vajzës që zuri për dekada me radhë vendin e burrit në krye të familjes

INTERVISTA/ Flet Nerim Topalli, nipi i Nafije Pllumbit,  “Virgjëreshës së përbetuar”, vajzës që zuri për dekada me radhë vendin e burrit në krye të familjes. Vdiq 96 vjeçe dhe iu bë varrim madhështor. “Vetëm me pasaportë njerëzit mund ta besonin se ishte grua…”

 

“Virgjëresha e përbetuar, pinte

 raki, duhan dhe vishej si burrë”

 

“Virgjëreshat e përbetuara” në Shqipëri kanë përshkruar traditën që zgjati me qindra vite. Ajo lindi në mënyrë që familjet pa trashëgimtar mashkull, të ruanin pasurinë, trashëgiminë familjare, të mbanin në  këmbë familjen, trungun, mbiemrin. Për këtë, vajza duhej të  rritej si djalë. Ato mund të bëheshin “virgjëresha” edhe pas prishjes së ndonjë lidhje fejese, apo hasmërie, kur shtëpia nuk kishte më mashkull, por duke hequr dorë përjetësisht nga e drejta për t’u martuar. “Virgjëreshë e përbetuar” është termi që i jepet femrës biologjike në Ballkan që zgjidhet, zakonisht në moshë të re, të marrë përjetësisht identitetin social të mashkullit. “Tradita daton me qindra vite dhe kjo ishte e domosdoshme në shoqëritë që kanë jetuar brenda klaneve fisnore, të ndjekur nga Kanuni, kodi arkaik ky i drejtësisë, dhe që mbahet si një rregull shtypës mbi gjininë femërore. Kanuni thotë se të gjitha gratë janë pronë e burrave”, thotë Jill Petters. Por me vendosjen e sistemit komunist ky zakon, traditë, apo ligjësi e kanunit u prish. E pikërisht rreth kësaj, “Albanian Free Press” realizoi një bisedë, në familjen e Ymer Pllumbit, ku një vajzë ka zënë për dekada me radhë vendin e burrit…

 

Intervistoi: Sulejman Muça

sulejman muca

Z. Nerim, pse Nafija mori rolin e “Virgjëreshës së Përbetuar”?

Nafije Ymer Pllumbi është nga fshati Fullqet, Bashkia Klos, rrethi i Matit. Ajo ka lindur në vitin 1924 dhe ka pasur dy vëllezër dhe një motër. Nëna e Nafijes quhej Gjyle, ndërsa babai Ymer. Në moshën 18-vjeçare, Nafijes i vdesin të dy vëllezërit, që ishin më të mëdhenj, brenda tre ditësh. Në këtë kohë, ajo ishte një vajzë me flokë të gjata dhe shumë e bukur, Por pasi Nafija ngaqë babai i kishte vdekur dhe nuk kishte më mashkull në shtëpi, vendos të bëhet ajo mashkull dhe të bëhet burrë i shtëpisë me qëllim që të mos shuhej trungu familjar, të ruhej trashëgimia e mbiemrit, të ruhej pasuria edhe emri i shtëpisë. Ajo u betua  para bajrakut të fshatit, pleqësisë se “unë do bëhem mashkull, do bëhem burrë në konak në vend të babait”.

Cili ishte reagimi i familjes që i kishte kërkuar dorën për fejesë?

Reagimi i familjes që i kishte kërkuar dorën për djalin në fillim ishte jo i mirë, ngelën qejfprishur, por me kalimin e kohës duke parë evadimin dhe pranimin e pleqësisë i dhanë shumë të drejtë për vendimin e marrë. Më vonë, ata e kanë respektuar më shumë se kushdo, pasi e njohën nga afër karakterin dhe vendosmërinë e saj në bazë të Kanunit, për të mbajtur hapur derën e babait. Ajo po sakrifikonte rininë, gjininë, ëndrrat, për një qëllim të madh që e njihte Kanuni.

Mbas këtij vendimi dhe nisme kaq të madhe çfarë roli ka luajtur Nafija në derën e babait, për të mbajtur konakun hapur?

Menjëherë pas marrjes të vendimit dhe pranimit nga bajraku, pleqësia e fshatit, ajo u qeth shkurt si burrat në prezencë të pleqësisë. Atë ditë që u mor vendimi. U vesh me rroba burri, bleu kuti metalike fakfoni, duhani ku brenda mbante eshkë. Veshi rroba tradicionale të zonës. Pas asaj dite, ajo rrinte me burra, pinte raki me burrat. Këto zakone nuk i hoqi deri në vdekje. Për çdo lloj problemi, për çdo lloj gëzimi, hidhërimi, për çdo lloj diskutimi ajo ishte pjesë e odës së burrave dhe i dëgjohej shumë fjala. Ajo nuk qëndroi kurrë me gratë por pinte raki me dolli dhe fund dhe kërcente si burrat në çdo dasmë.

Çfarë roli ka luajtur Nafija në kohën e luftës?

Krevati ku ka fjetur per 32 vjet Nafija

Në kohën e luftës, Nafija ka luajtur një rol të madh për ta ndihmuar me të gjitha mundësitë atë. Madje, ka luajtur rol shumë të madh në fshat edhe më tej. Ka shërbyer edhe si korriere, edhe si lajmëtare, edhe si bazë strehuese. Shtëpia e saj u kthye bazë lufte, pasi ajo tashmë ishte kryefamiljare. Njëherë kur do rrethohej një shtëpi në fshat ajo ka dalë mes italianëve sikur do merrte ujë në çezmë dhe ka lajmëruar njerëzit të largoheshin. Shtëpia e saj ka qenë baza më e madhe e luftës deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ajo nuk kurseu asgjë për luftën dhe pse ishte çdo ditë e rrezikuar.

A ka marrë vlerësim pas çlirimit për këtë rol që ka luajtur?

Po. Pas çlirimit u miratua pllaka përkujtimore, që do vendosej në shtëpinë e saj si “Bazë e rëndësishme e luftës”. Motivacioni: “Kjo shtëpi, gjatë gjithë luftës ka qenë një nga bazat më të rëndësime të zonës, ku strehoheshin partizanët”. Firmosur nga drejtori i Muzeut Historik Mat, Vladimir Barhani, shkresë e cila mban datën 31 tetor 1976. Madje, dua të theksoj se shtëpia e Nafijes u kthye në depo furnizimi për ushqime, por edhe për veshmbathje. Të gjitha ndihmat  me ushqime dhe me veshmbathje, i sillnin në shtëpinë e saj.

Me ardhjen e sistemit komunist, njerëzit e fisit çfarë i besonin Nafijes?

Ajo luante rolin e një kryefamiljari me pushtet të plotë. Pra, ajo kishte shtëpinë e saj dhe gëzonte po ato të drejta që gëzonin kryetarët e familjeve të tjera të fisit Pllumbi, pra trajtohej si burrë dhe asnjëherë si grua. Madje duke pirë duhan, duke pirë raki, duke u qethur shkurt,  duke u veshur si burrë ajo kishte marrë pamjen e një burri të vërtetë. Në të gjitha martesat, fejesat, gëzimet, hidhërimet, takimet e ndryshme, ajo merrte pjesë si burrë, madje e vlerësonin më shumë se një burrë për zgjuarsinë dhe karakterin e fortë. Në të gjitha këto që thamë, ajo luante rolin e xhaxhait apo të dajës, në raport me çka kishte fisi. Dhe pse në pasaportë figuronte me emrin Nafije, ajo ishte në jetën e përditshme një burrë zakoni. Vetëm me pasaportë njerëzit mund ta besonin se ishte grua.

Pse pikërisht Nafija qëndroi me ju, pse nuk qëndroi me fëmijët e tjerë të fisit tuaj? Kur erdhi në shtëpinë tuaj? Ju çfarë e kishit në të vërtetë Nafijen?

Unë quhem Nerim Ramiz Topalli dhe Nafijen e kam pasur teze, pra motrën e nënës time. Kur Nafija shkoi rreth 58 vjeç kërkoi që të qëndroi me mua, se nuk mund ta linim vetëm në shtëpinë e babait të saj. Ishte vetë vendimi i saj të qëndronte me mua. Pasi i vdiqën vëllezërit dhe babai i kishte vdekur më parë, ndërkohë që dhe nëna u martua për herë të dytë, Nafija vendosi të kthehej në burrë. Pra, ishin disa  shtysa të kohës, ngjarje të njëpasnjëshme që e detyruan të marrë këtë vendim.  Në shtëpinë e saj ajo qëndroi deri në vitin 1982 vit në të cilin ishte paksa e plakur dhe nuk mund të qëndronte vetëm në shtëpinë e të parëve. Dua të theksoj se unë që i vogël rrija në shtëpinë e saj dhe ajo më trajtonte si fëmijën e saj. Isha në klasë të tretë fillore kur prindërit më thanë të shkoja të rrija në shtëpinë e Nafijes.

Çfarë pune ka bërë Nafija?Mjatas Dr Muca me nipin e Nafijes

Nafijen nuk e linin të bënte punë fizike,. Ka pasur shtat të shkurtër dhe duke qenë se ishte pjesëmarrëse në luftë e pa ndonjë përkrahje, sistemi i kohës nuk i jepte punë të rënda krahu. Ajo shkonte u çonte bukën traktoristëve, bënte rolin e postieres, diku pastronte, pasi të gjithë e donin dhe nuk e linin të lodhej.

A e pranoi sistemi në këtë mënyrë, që të ndërronte gjini?

Po, e pranoi. Ajo njihej në gjithë zonën dhe nuk mund të ndryshonte në moshën 26-vjeçare sërish. Ajo kishte marrë të gjitha zakonet e burrave dhe ashtu ishte pranuar. Askush nga partia apo këshilli i asaj kohe nuk i tha gjë. Ajo vazhdonte jetën e saj normale si burrë dhe pse ishte femër. Pra, me ardhjen e një sistemi të ri ajo gëzoi po të njëjtin status atë të burrit. Nuk pati reagime nga askush në atë kohë.

Në çfarë moshe ka vdekur Nafija?

Nafija ka vdekur në moshën 96-vjeçare.  Në shtëpinë time ajo ka ndenjur plot 28 vjet. Ka vdekur në vitin 2010. Varrimi i saj u bë madhështor. Erdhën nga e gjithë zona. I madh dhe i vogël, pasi e quanin njeri shekullor. Ai varrim ka qenë i rrallë. Të gjithë filluan ta ndjejnë mungesën e saj, pasi ajo ishte dhe berbere e fshatit.

Berbere?

Po, po, berbere. Fshati ynë nuk ka pasur berber dhe të gjithë burrat, fëmijët por dhe gratë e fshatit vinin dhe qetheshin tek Nafija. Madje ajo s’i merrte lekë askujt. Por fshatarët nuk ia linin borxh, i çonin çfarë të mundimin, por ajo kurrë nuk kërkoi një lek. Ia dinin të gjithë për nder. Kur ajo ngeli e verbër, të gjithë psherëtinin se s’kishin ku të qetheshin. Ishte mjeshtre në të qethur. Kishte gërshërë të mira dhe një makinë qethëse dore, jo me korrent. Me ato i qethte të gjithë ku gjithkush gëzonte për dorën e saj të lehtë.

Ka vuajtur nga sëmundje Nafija?

Asnjëherë. Edhe pse pinte duhan dhe raki ajo nuk e njihte spitalin dhe ilaçet. Ajo pati vetëm një sëmundje se ngeli e verbër dy vitet e fundit.

Në këtë zonë, a ka pasur dhe gra të tilla, virgjëresha të përbetuara?

Në fshatin tonë ka qenë i vetmi rast, por në zonën tonë ka pasur 4 të tilla. Një ishte në fshatin Bein, një në fshatin Gurra, dhe një në Plan të Bardhë. Pra, katër gjithsej. Unë i kam njohur të gjitha.

 

 

PRANIMI

 

“Askush nuk e ka

paragjykuar në

atë sistem”

 

Askush nuk e ka paragjykuar. Askush nuk e ka fyer dhe në atë sistem, edhe pse ai kishte rregulla të qarta. Për sjelljen e saj, për urtësinë, karakterin, mirësinë, ndihmën që u jepte të gjithëve, atë e pranonin kudo ashtu siç ishte. Në fshat dhe në lokalitet gëzonte një respekt të jashtëzakonshëm. Të gjithë kur e shikonin, e takonin dhe kudo që kërkonin ndihmë atë thërrisnin të parën. Edhe për punë pleqësie për të dhënë mendim të pjekur më shumë thërrisnin Nafijen. Të mëdhenj dhe të vegjël e donin të gjithë dhe ajo kurrë nuk ka bërë sherr me njeri, kurrë nuk ka ofenduar njeri, kurrë nuk ka lënduar kurë nuk ka përtuar për të qarë hallin e çdokujt. Ajo ishte aty ku ishte halli i njerëzve. Ajo ishte shumë e zgjuar dhe pse ka pasur katër klasë fillore.

 

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :