Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

INTERVISTA/ Flet, ish-piloti Njazi Nelaj: Historia e rrallë dhe vdekja enigmë e Juri Gagarinit

INTERVISTA/ Flet, ish-piloti Njazi Nelaj: Historia e rrallë dhe vdekja enigmë e Juri Gagarinit

Ish-piloti Njazi Nelaj: Si e pashë nga afër në Rusi fluturimin e parë në hapësirë para 57 vitesh, të Juri Gagarinit
INTERVISTA/ Flet ish-piloti Njazi Nelaj, student në ish-Bashkimin Sovjetik kur Juri Gagarin kreu fluturimin e parë në hapësirë 

“Juri Gagarini ishte i pari që u hodh në orbitë dhe do të kujtohet përjetë si i tillë”. Kjo është një nga frazat që zgjedh të thotë gjatë një rrëfimi të posaçëm për “Albanian Free Press”, ish-piloti Njazi Nelaj, pikërisht rreth personit që kreu fluturimin e parë në kozmos, plot 57 vjet më parë. Kohë në të cilën në fakt, ai gjendej si student në ish-Bashkimin Sovjetik dhe e ka parë nga afër atë ngjarje historike, për të cilën u fol gjatë në gjithë globin. “Fluturimi i parë i Gagarinit, në hapësirën kozmike frymëzoi e frymëzon mjaft të rinj e të reja për akte heroizmi në lëmin e fluturimeve ndërplanetare”, pohon mes të tjerash Nelaj…

 

 Albert Zholi

 

Z. Nelaj, ju keni qenë për studime në Rusi në vitin 1961. A patët fatin të shkoni në aerodromin e Batajskut, qarku i Rostovit mbi Don, ku u nis Juri Gagarin? Konkretisht, ku ishit atë ditë?

 

Ishte një ditë e atij prilli fatlum të vitit 1961. U ndodhëm në aerodromin fushor të Batajskut, qarku i Rostovit mbi Don, rajoni i Kaukazit të veriut. Vendi ku ndodheshim ne ishte tepër larg nga poligoni, ku u krye hedhja e kozmonautit. Kishim dalë në aerodrom, për të fluturuar me aeroplanët e lehtë mësimorë, me helikë, Jak-18A, në “rreth”. Grupi i studentëve të shërbimit të radhës, të cilët shtronin startin ( shenjat e lëvizjes të aeroplanëve në tokë ), e kishin kryer detyrën dhe të gjithë ishim në pritje të fillimit të fluturimeve. Një urdhër “nga lart” bëri që ato të anuloheshin, gjë e cila ndodhte rrallë. Ishim tepër kuriozë të mësonim shkakun që bëri të na anuloheshin fluturimet. Padurimi ynë për të mësuar ndodhinë e pazakontë pleksej me njëfarë inati e pakënaqësie. Mendonim se po na bëhej një padrejtësi e qëllimshme. Disa nga shokët tanë ishin në prag të lëshimit vetëm, me aeroplan dhe ndërprerja e fluturimeve, qoftë edhe për një ditë, mund të sillte vonesa në këtë eveniment me rëndësi jetike për ne. Grupi i shërbimit të startit mblodhi shenjat dhe i çoi parashutat në depo; aeroplanët u parkuan në stojankë ( vendqëndrim) e u mbyllën. U grumbulluam rreth një altoparlanti  të fuqishëm, aty, në start, të ulur mbi barin që kishte bujisur dendur, në atë pranverë të begatë. Aty, në shesh u improvizua një minimiting. U mblodhën mjaft ushtarakë, të aviacionit dhe të specialiteteve në shërbim të fluturimit. Pjesëmarrësit ishin të kombësive të ndryshme, por të gjithë kuptonin rusisht. Mes tyre kishte rusë, shqiptarë, hungarezë, kubanezë, vietnamezë, laosianë, ukrainas dhe nga republikat e jugut të Bashkimit Sovjetik. Grumbulli mori ngjyrat e një tubimi ndërkombëtar. Folësi i njohur i Radio Moskës, çifuti Levitjan, me atë zë kumbues, me të cilin çoi peshë njerëzit e hapësirave sovjetike, në vitet e Luftës së Dytë Botërore njoftoi lajmin historik: “Piloti i forcave ajrore sovjetike, Juri Gagarin, ishte hedhur, me sukses në hapësirën kozmike”. Njerëzit që ishin grupuar, siç kishin mundur, në atë shesh mbuluar nga bari i njomë, duartrokisnin e brohorisnin pareshtur. Të gjithë ishin të gëzuar dhe kënaqësia e tyre nuk kishte kufi. Kishte ndodhur ajo që dëshirohej e pritej, prej kohësh. Shkenca dhe teknika hapësinore sovjetike ishin të përkushtuara seriozisht, për ta zgjidhur çështjen e rrugëtimit të njeriut, në kozmos dhe ja, tek ndodhi. Ndonëse pritej, ajo ngjarje historike na erdhi në mënyrë të beftë e na surprizoi. Për ne, studentët shqiptarë, që po përgatiteshim për t’u bërë pilotë luftarakë, atë pranverë e emërtuam fatlume se na erdhi me nisjen e udhës ajrore. Gëzimit që na solli fillimi i fluturimeve, sot iu shtua një tjetër kënaqësi, tashmë me përmasa globale: lëshimi i një piloti, në orbitë. Mbasi e dëgjuam kronikën, ashtu, në eufori, të rrëmbyer nga ai sukses i padiskutueshëm i shkencës dhe teknikës ndërplanetare sovjetike, të cilën e llogaritnim dhe si arritjen tonë, shkuam në dhomën e kulturës, e cila ndodhej brenda mjediseve të banimit. Erdhën dhe studentët shqiptarë që fluturonin në helikopterët “MI-4” e “MI-1”, nga heliodromi, në Mokrij Batajsk. Tashmë, në sallë kishte vetëm studentë shqiptarë, të grumbulluar përballë aparatit televiziv, bardhë e zi, 21-polësh. Në atë kohë, teknika televizive nuk e kishte zhvillimin që ka marrë sot dhe ai aparat ishte i vetmi, në përdorimin tonë. Me qëllim që ndodhinë spektakolare, ta shikonin në transmetim të drejtpërdrejtë edhe njerëzit, në rajonet më jugore të Kaukazit të veriut, u ngrit në ajër një aeroplan, me aparatura të posaçme që emetonin valë televizive. Nga kjo përfituam dhe ne. E ndoqëm kronikën.

 

Si përcillej nga televizori kjo ngjarje historike? Cilat momente përcillte ai?

 

Në televizion përcillej momenti kur kozmonauti i parë, Juri Gagarin kishte zbritur në tokë, brenda një kapsule kozmike, e cila zbriti së bashku me atë, të varur në një parashutë. Zbritja u realizua në rajonin e Semipalatinskut, por heroi i asaj dite, Juri Gagarin, atë ditë duhet të vinte në Moskë, ku e priste një miting madhështor, në të cilin morën pjesë disa  qindramijë qytetarësh. Dita “po thyhej “ e mitingu ishte gati. Në tribunën gjigande, pranë mureve të Kremlinit, përballë njerëzve të shumtë që kishin mbushur Sheshin e Kuq, qëndronte hijerëndë udhëheqja më e lartë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe pushtetarët më të lartë të vendit. Pritja që u organizua me atë rast ishte, me të vërtetë madhështore, spektakolare, siç ishte ai fluturim i parë i njeriut, në orbitë. Kozmonauti Juri Gagarin, erdhi në Moskë, nga rajoni i Jugë-Lindjes, ku kishte zbritur në tokë, me një aeroplan transporti “TU-104”, i cili shoqërohej, nga afër, prej 5 aeroplanëve gjuajtës – bombardues  të sofistikuar “MIG-21”. Aeroplani që solli Gagarinin u ul në aeroportin qeveritar të “Vnukovos “, në buzëmbrëmjen e datës 12 prill të vitit 1961. Njeriu që u kthye nga kozmosi, i zbriti shkallët e aeroplanit “TU-104”, me një krenari të ligjshme, serbes dhe me kokën lart. Kishte veshur një kapotë ushtarake, e cila i qëndronte bukur, në atë trup  të gjatë dhe elegant. Me kapelen e bukur të aviatorit në kokë e me spaletat e majorit, në supe, Juri Gagarin ngjante me një yll, i cili ishte shkëputur nga yllësitë, për të na ndriçuar me dritën e tyre kozmike. Kozmonauti ishte hedhur në orbitë me spaletat e kapitenit të dytë dhe zbriti prej andej me gradën e majorit. Ishte graduar në ajër dhe ky përbënte një sensacion për ne. Juri Gagarin, iu afrua tribunës qendrore, nderoi ushtarakisht dhe u takua me udhëheqjen e lartë të partisë e të shtetit. E takuan dhe e përqafuan, të gjithë, me radhë, sipas pozitës që mbanin . Juri zuri vend në tribunën qendrore, pranë udhëheqësve kryesorë. Afër tij ishin

 

 

dhe familjarë të heroit.

 

Kush e mbajti fjalën e rastit në këtë moment historik?

 

Fjalën përshëndetëse e mbajti Nikita Sergejeviç Hrushovi, në atë kohë Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik. Ai evidentoi vlerat e fluturimit të parë të njeriut në kozmos, theksoi faktin që ky njeri ishte sovjetik dhe i thuri lavde guximit e trimërisë që tregoi heroi i kësaj ndodhie. Mbaj mend, oratori falënderoi kolkozianët e rajonit ku zbriti kozmonauti, të cilët e kishin punuar mirë tokën dhe i siguruan ulje të butë Juri Gagarinit. Një mesazh të veçantë falënderimi, Hrushovi u dërgoi edhe grave e nënave ruse, cilësoi me emër nënën e Gagarinit, për kontributin e tyre për rritjen dhe edukimin e heronjve si ai. Ajo ngjarje spektakolare dhe pritja madhështore që pasoi, prunë mjaft gëzim dhe entuziazëm, në mbarë hapësirat sovjetike, e më gjerë. Ato patën ndikime pozitive e prunë mobilizim të ri, edhe në radhët tona. Ishim në valën e “aksionit” për t’u lëshuar në fluturime vetëm dhe kjo ndodhi na bëri mirë. Ndodhia e paparë u përcoll me komente e opinione marramendëse. Superfuqia sovjetike, në garë të ethshme me superfuqinë amerikane, për zotërimin e kozmosit, kishte fituar një farë epërsie, e cila u konkretizua me lëshimin në orbitë të njeriut të parë. Të papara e të papritura ishin dekorimet dhe vlerësimet për heroin që bëri xhiro rreth globit tokësor. Juri Gagarini u shpall “Hero i Bashkimit Sovjetik”, u gradua para kohe, madje kur ishte akoma në ajër, iu akorduan tituj të çuditshëm si “Mjeshtër Sporti”, për mbajtjen e ndërlidhjes në distanca të largëta, nga kozmosi etj. Atij iu atribuan tituj e lëvdata të merituara e të sajuara. Një eufori e paparë dhe e shfrenuar pasoi atë sukses të padiskutueshëm të shkencës hapësinore sovjetike.

 

Në këndvështrimin tënd, çfarë kureshtjesh dhe enigma ka lënë pas Gagarini i madh ditën e zbritjes në tokë?

 

Dua t’ju bëj me dije dhe një kuriozitet: Kur zbriti në tokë, në poligonin e Semipalatinskut, në një parcelë të punuar bukur, Juri la kabinën kozmike, e cila, siç dihet është bartëse e rrezeve radioaktive dhe doli në rrugën automobilistike që kalonte pranë. Ishte i veshur me kostumin e kozmonautit dhe kjo u bëri përshtypje kalimtarëve. I nxori dorën një makine kolkozi dhe shoferi e ndaloi mjetin. Kozmonauti u ngjit në karroceri dhe i dha urdhër shoferit të bëjë përpara. Ndaloi në një bateri raketash, zbriti nga kamioni e vrapoi drejt centralit telefonik për të njoftuar në qendër, zbritjen e tij në tokë. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes kishte çuar një helikopter për ta marrë Gagarinin e për ta çuar në Moskë. E kërkoi ekuipazhi i helikopterit Jurin, nëpër fushat përqark vendit të rënies, por nuk e gjeti dot. Juri Gagarini u transportua me një aeroplan transporti “TU-104, nga baza ajrore më e afërt”.

 

Po si u komentua vdekja e papritur në aksident e Juri Gagarinit më vonë?

 

Siç duket, euforia e pabazuar, zbriti deri në nivelet më të ulëta të reparteve e njësive të aviacionit dhe u shoqërua nga shkujdesje e nënvleftësime, të dëmshme. Nuk kam kapacitetet as dëshirën të bëj analistin por një gjë e them fort: Vrasja e Juri Gagarinit, në atë fluturim rutinë, natën, kur pilotonte  në zonë, vetë i dytë, me një aeroplan mësimor reaktiv të tipit “Mig-15”, më 27 mars të vitit 1968, ishte fare e pajustifikueshme e më ka hidhëruar pa masë. Për të nxjerrë në dritë shkaqet e katastrofës ajrore, ka kohë që flitet e përflitet. Janë ngritur komisione e grupe pune, me ekspertë nga më të mirët, shpesh të kryesuar nga funksionarë të lartë, por deri më sot, e vërteta bindëse nuk ka dalë në shesh e hamendësitë e njerëzve vazhdojnë. Shumë hipoteza qarkullojnë e mjaft komente janë në qarkullim; të gjitha qëndrojnë larg të vërtetës, të cilën, siç ka ndodhur rëndom në praktikë e ka marrë me vete viktima. Nuk përjashtohet versioni i një intrige dashakeqe, me motive xhelozie.

 

Po në ditën e vdekjes, a u bë ceremoni madhështore si ajo e pritjes kur zbriti nga kozmosi?

 

Pas vdekjes, heroit të kozmosit, iu bënë nderime të shumta e të merituara. Trupi i tij u dogj e hiri u vendos ne Murin e Kremlinit, atje ku prehen komandantët legjendarë të Rusisë. Nderimet janë një gjë; përcaktimi i shkaqeve të katastrofës ajrore që shkaktoi vdekjen e heroit, është domosdoshmëri. Gruaja e Juri Gagarinit, Valentina dhe dy vajzat e tij, Helena dhe Galina, si dhe të afërmit e tij, ka kohë që presin dhe duan të dinë të vërtetën. Ka kohë që fluturimi i parë i njeriut në orbitë u krye e u pasua nga të tjerë fluturime të kësaj natyre. Mirëpo Juri Gagarin ishte i pari dhe mbetet njësh është vetëm një. Fluturimi i tij i parë, në hapësirën kozmike frymëzoi e frymëzon  mjaft të rinj e të reja për akte heroizmi në lëmin e fluturimeve nderplanetare. Juri Gagarini ishte i pari që u hodh në orbitë dhe do të kujtohet përjetë si i tillë.

 

A ke shkuar pas viteve ‘90 në Rusi dhe a ke vizituar vende për të cilat kishe nostalgji si këto aerodrome që folëm?

 

Në fundvitin 1993, u ndodha në Moskë. Në një vend të dukshëm, afër qendrës të metropolit rus,  ashë një përmendore gjigande, kushtuar Juri Gagarinit. Një raketë kozmike, drejtuar nga qielli, me fytyrën e tij në qendër, hijeshonte atë mjedis e përjetëson veprën e heroit të kozmosit. Nuk e fsheh dot respektin për veprën së tij heroike dhe nostalgjinë për figurën e tij të ndritur. E vrojtova gjatë atë kompleks artistik, të përkryer dhe nuk ngopesha duke e parë. Në heshtje (ndoshta dhe me zë) theksova: “ Hallall” atyre që e kanë projektuar e realizuar këtë madhështi. Nuk e paskan harruar njeriun e parë, i cili i dëftoi botës se çfarë është në gjendje të bëjë një tokësor. Polemikat dhe hamendësitë rreth vrasjes të Juri Gagarinit, nuk mund t’i errësojnë vlerat e aktit të tij heroik të tij; përkundrazi, ato i përjetësojnë arritjet e atij fluturimi historik, sikundër bën dhe kjo përmendore  gjigande.

 

 

 

BIOGRAFIA

 

Kush ishte Juri Gagarin?

 

I lindur në vitin 1934, në një pjesë të largët të Rusisë pranë qytetit të Gzhatsk, ai i mbijetoi pushtimit nazist, edhe pse kjo e pengoi të shkonte në shkollë të mesme. Shokët e tij të fluturimit mbajnë mend se ai e kishte të vështirë të ulte avionin në fillimet e tij. Ai realizoi fluturimin e parë kozmik në moshën 27 vjeçare, ndërsa u nda nga jeta kur sapo i pati mbushur 34 vjet. Dihet tashmë gjithçka për atë fluturim të paharruar 108-minutësh që ai kaloi në orbitë. Por pothuajse gjithçka edhe për vdekjen e tij tragjike gjatë fluturimit si pilot kolaudator me aeroplan. “Pas disa minutash, anija e fuqishme kozmike do të më çojë në hapësirat e largëta, honet e thella të Gjithësisë. Çfarë mund të them në këto minutat e fundit përpara nisjes? E gjithë jeta ime më duket mua tani si një çast i mrekullueshëm. Gjithçka që përjetova, çdo gjë që kam bërë përpara kësaj, e kam bërë për hir të kësaj minute. Unë provova ndjenjën e lumturisë së papërshkruar që të jem i pari njeri në hapësirën kozmike, të ndeshem një me një me natyrën. A mund të ëndërrojë vallë për ndonjë gjë më të madhe njeriu?”,  janë fjalët e thëna prej tij para nisjes në fluturimin historik.

 

 

 

VLERËSIMET

 

Njeriu që i dha jetë profesionit të “kozmonautit”

Ishte pikërisht Gagarini, ai që i dha start edhe vetë profesionit të “kozmonautit”. Tani në orbitë punojnë anëtarët e ekuipazhit kryesor të ekspeditës së vazhdueshme kozmike të 18-të të Stacionit Kozmik Ndërkombëtar – Yuri Lloncakov dhe Michael Fink – kozmonauti i 402 dhe 433 i botës. “Ja sa janë shtuar tani radhët tona”, thotë mjeku Valeri Polakov, një nga kozmonautët e Rusisë. “Por çdo gjë nisi me 108 minutat e Gagarinit në kozmos. Ai ishte i pari. Ndërsa i pari u prin të tjerëve. Të gjithëve ne na joshi në hapësirën kozmike pikërisht ai. Dhe unë mendoj, se njeriu, i cili dikur do të shkelë në sipërfaqen e Marsit, do të shprehet për Gagarinin kështu:”Ai na bëri thirrje të gjithëve ne për në Mars”.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :