Data : 18 08 2018
KryeTitujt :

Intervista/ Flet inxhinieri dhe specialisti i riparimit të avionëve gjuajtës-bombardues, Fillota Koruni

 

 

-Francezët të parët që sollën avion në Korccë në vitin 1917

Albert Z. ZHOLI

Dëshira dhe pasioni i tij për aviacionin ka qenë e hershme, që në kohën e vegjëlisë, kur avionët e transportit ajror “Albatrosët” apo “Junkerët F-13” (që në atë kohë korçarët u kishin vënë nofkën “posta”) niseshin për në fluturim nga Tirana në Korçë dhe uleshin në aeroportin e vogël të “Tebojës”, që ndodhej poshtë varrezave të ushtarëve francezë të rënë në Luftën e Parë Botërore. Atëherë  ish-fëmijët e vegjël të “kopshtoreve” apo “filloreve”, me vrap shkonin në Tebojë për të parë këto makina fluturuese që ngriheshin në ajër sikur të ishin zogj. Por ky pasion për këtë armë të bukur, krenare dhe njëkohësisht të “rrezikshme”, do të rritej së tepërmi kur mbi hapësirën ajrore të qytetit të Korçës do të fluturonin aeroplanët luftarakë, gjuajtës italianë (në vitet ‘39-40 ushtria italiane ngriti një aerodrom luftarak gjuajtës-bombardues në rrugën që të çon për në Boboshticë, tek kryqëzimi i rrugës së Drenovës) Tashmë ai me shokët ishin rritur dhe me kënaqësi shikonin jo vetëm ngritjen e tyre nga pista, figurat e pilotazhit apo ndonjëherë dhe luftime ajrore midis pilotëve italianë dhe grekë (Lufta Italo-Greke në vitet 1940 – 1941).

Fillota Koruni është një ndër pionierët e specialistëve të riparimit të avionëve gjujtës-bombardues. Ai e filli këtë rugë në dhjetor të vitit 1952 dhe e la ne vitin 1985. Një rrugë e gjatyë plot të papritura dhe mes shumë ëvshtirësish, pasi Shqipëri nuk kishte eksperiencë në këtë specialitet, nuk kishtë pasur kurrë avion luftarakë dhe nuk kishte patur kurrë pilot  të avionëve të tillë. Pra çdo gjë filloi nga e para aq më tepër riparimi – avionëve që këkronte specialsitë të mirëfilltë, uzina për riparim dhe pjesë ndërrimi, por dhe inxhinierë të specifikuar për këto armë të panjohura.

 

 

 

Mund të na përcillni një vështrim historik mbi zhvillimin e aviacionit ushtarak shqiptar?

 

Dëshira e shqiptarëve për të fluturuar ka qenë e hershme. Nuk kishin kaluar ende 10 vjet kur vëllezërit amerikanë Ërigte, konstruktorët dhe pilotët e parë në botë, demonstruan në vitin 1908 në Europë avionin e tyre për të joshur qarqet ushtarake të vendeve perëndimore. Dhe pas kësaj periudhe do të shihnim që këta avionë do të perfeksionoheshin dhe armatoseshin nga konstruktorët europianë për t’i përdorur për qëllime ushtarake. Në vitin 1910, disa avionë francezë morën pjesë në një stërvitje ajrore. Por formacioni i parë luftarak që mori pjesë në luftime kundër objektivave tokësore në fushën e betejës u zhvillua në vitin 1910 në luftën italo-turke në Libi. Një skuadrilje e përbërë nga 10 avionë italianë u përdorën si zbuluesa, por në të njëjtën kohë ata ata bombarduan objektet në fushën e betejës në lartësi të ulëta, duke hedhur bombat me dorë nga bordi i avionëve. Në Luftën Ballkanike në formacionet e ushtrisë bullgare, u inkuadruan për herë të parë edhe pilotët rusë me avionët e tyre. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, aviacioni mori një zhvillim të madh dhe u bë pjesë e forcave armate të ushtrive të shteteve të fuqishëm të asaj kohe. U zhvillua me përparësi aviacioni gjuajtës, gjuajtës-bombardues i distancave të largëta etj. Dhe kështu, krahas forcave tokësore dhe detare, u krijuan dhe forcat ajrore në shtetet e fuqishme, si SHBA, Angli, Gjermani, Rusi, Itali, Austri etj. Në periudhën e Luftës së Parë Botërore territori i vendit tonë u pushtua nga forcat ndërluftuese. Në pjesën jugore ishin vendosur forcat e armatës franceze (Armata e Lindjes me qendër në Selanik) kurse në Veri armata austro-hungareze. Në këtë kohë në territorin tonë, krahas luftimeve tokësore, janë zhvilluar edhe beteja ajrore ndërmjet aviacionit francez dhe atij austriak. Ja ç’na tregojnë të moshuarit që në ato vite ishin të rinj: “Në vitin 1917, në fshatin Opar të rrethit Korçë, një avion “kaçator” qëlloi kundër një grupi fshatarësh, kryesisht fëmijë që kullosnin bagëtinë. Nga zjarri avionit mbetën të vrara dy motra, njëra në moshën 14 vjeçare, e quajtur Angje, dhe më e vogla Zoica”. Të dy vajzat ishin të Thomaidha dhe Qirjako Petrollarit, që banonin në Opar. Në vitin 1939 së bashku me dy fëmijët e tyre, Pavlinën dhe Gaqon, që u lindën më vonë, u shpërngulën nga Opari dhe shkuan të jetonin në qytetin e Korçës, në lagjen pranë Kishës “Shën Thanasi”. Pasardhësit e tyre sot banojnë në Korçë dhe Tiranë. Avioni që hapi zjarr kundër fëmijëve të pafajshëm ka qenë francez dhe kishte fluturuar për qëllime zbulimi në zonën e Oparit të pushtuar nga austriakët. Në të njëjtën kohë aviacioni austriak iu kundërpërgjigj francezëve (forcat e tyre ndodheshin në qytetin e Korçës) Në po atë vit aviacioni austriak bombardoi qytetin e Korçës në Rrugën “Shën Gjergji” (shih foton në fund të kapitullit). Sipas një informacioni që munda të marr nga shoku im Gaqo Bezhani, djali i Koci Bezhanit, pronar i Pastiçerisë “Kristal”, President i Klubit të Futbollit “Skënderbeu” të Korçës në periudhën e monarkisë, në shtëpinë e tyre që ndodhej pranë “Kristalit”, ka ndenjur me qera një kapiten aviator francez. Avionët qendrën e kishin në aeroportin e Tebojës (poshtë varrezave të ushtarëve francezë të rënë në Luftën e Parë Botërore). Pra kjo qe fusha e parë e avionëve në qytetin e Korçës nga ku ngriheshin dhe uleshin avionët francezë për kryerjen e detyrave luftarake, përfshi dhe zonën e Oparit, ku ishin përqendruar trupat e kundërshtarëve të tyre austriakë.

-Por, sa beteja ajrore apo bombardime janë kryer në territorin e vendit tonë nga vitet 1914 deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore?

 

Në këto vite pas luftës një zhvillim të madh mori transporti ajror. Qytetarë të botës filluan të fluturonin me avionë nga një vend në tjetrin, duke shkurtuar kohën, rrugën e stërzgjatur me anije, trena, si dhe rrugët e vështira automobilistike. Ky sistem transporti bëri të mundur afrimin dhe këmbimin me shpejtësi të marrëdhënieve midis shteteve të botës në fushën e ekonomisë, kulturës, shkencës etj. Me këta avionë nuk ka munguar edhe dëshira e shqiptarëve për të fluturuar, siç ishin emigrantët, tregëtarët apo studentët e ndryshëm që shkonin nëpër botë, si në Greqi, Turqi, Bullgari, Rumani, Egjipt, Amerikë etj. Faktorët e lartëpërmendur bënë të mundur dhe ishin një frymëzim që shqiptarët me këta avionë jo vetëm të fluturonin nëpër botë, por edhe të mbronin vendin si gjithë shtetet e tjera të Europës. Dhe kështu shohim që në vitin 1920 të diskutohej dhe për krijimin e një reparti të vogël të forcave ajrore. Njoftimi i parë, por jo zyrtar, vjen nga shtypi i huaj, në një gazetë italiane e quajtur “Prela”, që botohej në Itali (i përkiste Ambasadës së Italisë në Tiranë) ku njoftohej për krijimin e një reparti të vogël aviacioni në Shqipëri. Gazetari Sh. Gjika në një shkrim botuar më 6 korrik të vitit 1923, shkruan: “Në vitin 1920 u formua një kompani aviacioni…” Sipas këtij shkrimi, aeroplanët ishin blerë në Itali. Por kjo e dhënë nuk është konfirmuar nga ndonjë burim arkivor shtetëror. Ndërkohë orvajtja e parë për të krijuar aviacionin ushtarak u debatua zyrtarisht në Këshillin Kombëtar pranë (Parlamentit) në vitin 1921. Ish ministri i Luftës, kolonel Selaudin Shkoza, propozoi që pranë ushtrisë shqiptare të krijohej dega e aeroplanëve dhe për këtë duhej të dërgoheshin oficerë në Europë për t’u aftësuar për përdorimin e tyre. Por në një dokument që mban datën 9 shtator të atij viti, ministri Shkoza i drejtohej Ministrisë së Punëve të Jashtme: “Lajmëroheni se Ministria e Jashtme tash për tash s’mund të blejë aeroplanë mbasi si oficerë dhe as njerëz teknicientë dhe mashinistë për përdorimin e tyre nuk kemi”. Një vit më vonë, në nëntor të vitit 1922, sipas një përgënjeshtrimi të Ministrisë së Luftës, publikohej një shkrim në Fletoren “Koha”, e cila botohej në qytetin e Korçës, ku u zbuluan të dhëna mjaft interesante e midis të tjerave thuhej: “Në gazetën me titull “Dita e re” (që njihej nga qeveria shqiptare si gazetë zyrtare) në numërin e saj të datën 26 nëntor të vitit 1922, kënduam disa rreshta mbi mungesën e veshjes e të mbathjes së ushtarëve, ashtu edhe pak fjalë për aeroplanët ku thuhej se erdhën, por tani na mungojnë aviatorët. Besohet në pak kohë të kthehen nga Viena, ku kanë vajtur me mësue”.

Ja përgjigja e Ministrisë së Luftës drejtuar gazetës: “Sa për aeroplanët nuk kishim nevojë të japim shpjegime se fletorja ka për të përgënjeshtruar veten kur të shohin fluturimin e aeroplanëve sipër qyteteve të Shqipërisë”, dhe pa kaluar dy muaj në po atë gazetë, më 14 janar të vitit 1923, botohej një njoftim i Ministrisë së Luftës lidhur me problemin e aerolanëve shqiptarë. Në gazetë thuhej: “Bëhet me ditë se aeroplanët e shumë përfolur para pak kohe tashmë kishin nisur edhe fluturime mbi qiellin shqiptar”. Gazeta shkruante me tonë disi ngadhnjyese: “Aeroplanët të prurë (të sjellë FK) nga Ministria e Luftës janë duke fluturuar shumë mirë…njeni nga ata më 10 të këtij muaji shkoi në Durrës me një fluturim 7 minutësh, ndër këto ditë do të shkojë në Shkodër”.

Pas këtyre të dhënave për krijimin e kompanive ajrore të aviacionit shqiptar të botuar në gazetat e huaja apo shqiptare, pati njëfarë heshtjeje. Me ardhjen në fuqi të Qeverisë Demokratike të Fan Nolit në vitin 1924, qeveria nënshkroi një marrëveshje me Shoqërinë Ajrore Gjermane “Lufthansa”. Shoqërisë gjermane iu dha konçesioni 10 vjeçar për transportin ajror, ku si rrjedhojë u krijua shoqëria e përbashkët gjermano-shqiptare “Adria-Aer-lloyd”. Kompania nisi fluturimet e para nga Tirana në Shkodër, Korçë dhe Vlorë. Për jehonën që pati kjo ngjarje në Shqipëri, do të bëhej një përshkrim i shkurtër me titullin “Aviacion dhe Korça”.

Pas rrëzimit të Qeverisë Demokratike të Nolit dhe ardhjes në fuqi të Mbretit Zog, përpjekjet për krijimin e aviacionit luftarak shqiptar vazhduan. Për herë të parë në nëntor të vitit 1929 u dekretua: “Ligji mbi organizimin e fuqive armate”, sipas të cilit ushtria emërtohej “Ushtria Kombëtare Shqiptare”. Organi më i lartë i saj ishte Komanda e Mbrojtjes Kombëtare. Sipas këtij ligji ushtria ndahej për herë të parë në tre lloje forcash: 1-Forca Tokësore, 2-Forca Detare, 3-Forca Ajrore. Për këtë ishin miratuar edhe tre dekrete që do të viheshin në zbatim në vitet 1931 – 1934 nga Mbreti Zog. Por këto dekrete apo vendime asnjëherë nuk u zbatuan dhe nuk u vunë në jetë, por mbetën në letër. Aviacioni luftarak u krijua vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Më 24 Prill 1951, për herë të parë u ngrit mbi qiellin shqiptar aeroplani luftarak gjuajtës “Jak-9P”, me flamur shqiptar i montuar nga teknikët, inxhinierët dhe specialistët shqiptarë, dhe i pilotuar nga piloti korçar Peço Polena.

 

-Po aeroplanët e parë të Transportit Civil kur shkelën mbi hapësirën ajrore të Shqipërisë?

 

Aeroplanët e parë të Transportit Civil mbi hapësirën ajrore të Shqipërisë, u ngritën nga Vlora dhe u ulën në aerodromin e Tiranës më 27 mars të vitit 1925. Ishte një eveniment i rëndësishëm historik për Shqipërinë dhe ajo u fut në Librin “Gines”, vetëm për faktin se vendi ynë edhe pa patur asnjë km rrugë hekurudhore, me një industri dhe bujqësi të prapambetur, vendosi përdorimin e transportit ajror në shërbim të popullit. Lajmin mbi fillimin e fluturimeve në vendin tonë, në veçanti në Tiranë dhe Korçë, u përhap shumë shpejt dhe me gëzim. Banorët e këtyre qyteteve vraponin në fushat e blerta për të parë aeroplanët. Nga data 4. 9. 1924, ditën kur u nënshkrua marrëveshja për krijimin e shoqërisë shqiptaro-gjermane dhe deri më datën 27. 4. 1925, kur aeroplanët erdhën në Shqipëri, “Gazeta e Korçës”, nuk ka rreshtur së dhëni informacione të herëpashershme mbi akt – marrëveshjen, tipat e aeroplanëve, fluturimin në ajër nga Gjermania në shtetet europiane dhe deri në mbrritjen e tyre në Vlorë, Tiranë dhe Korçë. Më poshtë po citoj disa lajme apo artikuj të botuar në gazetën korçare të atyre viteve (Parë në Bilbiotekën “Thimi Mitko” në Korçë)

Më datën 22. 11. 1924, gazeta e Korçës boton artikullin: “Udhëtimi me aeroplan në Shqipëri”. Drejtori i Shoqërisë “Adria Aer Lloud”, zoti Haber Mellgh arriti në Korçë, në qytetin tonë, dhe pasi kqyri viset ku mund të qëndrojnë aeroplanët, u nis prapë në Tiranë. Ai është drejtor i shoqërisë dhe ka marrë konçesionin nga qeveria jonë për të punuar në Shqipëri për të shpënë postën edhe qytetarët. Pas saj mësojmë  aeroplanët qendrën do ta kenë në Tiranë dhe do të fluturojnë në këto drejtime: Tiranë-Shkodër, Tiranë-Korçë dhe Tiranë-Vlorë. Fluturimi tani për tani do të bëhet me aeroplanë që transportojnë deri 800 kg, dmth udhëtarë apo plaçka. Udhëtimi Korçë-Tiranë mban 50 minuta dhe çmimi do të jetë 3-4 napolona. Aeroplanët janë bi plane me shpetësi 120 km në orë. Ata nisen më 20 të këtij muaji më 1924 nga Berlini, duke flutuar mbi Zvicër-Austri-Itali dhe arrijnë pas katër-pesë ditësh në bregdetin e Shqipërisë. Një herë tjetër do të flasim për këtë çështje që ka rëndësi të posaçme për vendin tonë, sepse e lidh Shqipërinë me anë të erës me botën e jashtme”.

Por pas njoftimit zyrtar të kasaj gazete, dmth nga 22 nëntori 1924 deri më 16 janar 1925, një heshtje në gazetën “Korça”, asnjë lajm për aeroplanët. Mesa duket trazirat që ndodhën në vendin tonë për të rëzuar Qeverinë e ligjshme të Fan Nolit, bënë që të shtyhej realizimi i marrëveshjes midis Nolit dhe shoqërisë ajrore gjermane. Dhe pas stabilizimit të vendit dhe marrjes së pushtetit nga Zogu, shohim se gazeta e Korçës datë 14 mars 1925, në lajmet e brendëshme me titull “Aeroplanët…”, njoftonte se të gjithë po i presim me padurim aeroplanët. Puna e tyre qëndron kështu…” Kur aeroplanët ishin gati të fluturonin, mbi Serbi zunë mjegulla që e ndaluan fluturimin dhe kur u hoq mjegulla, kishte kaluar afati i lejës. Shoqëria kërkoi lejë të re, por kur pa se po zgjatej kjo punë, i zbërtheu aeroplanët dhe i dërgoi me anë të Triestes në Vlorë. Sot aty ka vajtur mekaniku i shoqërisë për t’i mbledhur copat dhe për t’i vënë në rregull (për të montuar aeroplanët). Kemi shpresa që së shpejti të fillojë fluturimi”. Dhe ja lajmi tjetër i gazetës “Korça” të datës 28. 3. 1925, me titull: “Fluturimi i aeroplanëve nga Vlora në Tiranë”: “…Dje gjithë populli i Tiranës së bashku me autoritetet e vendit kishin dalë për të pritur me padurim mbrritjen e aeroplanëve “Adria Aer lloud”. Lajmi i nisjes së tyre nga Vlora ishte përhapur si vetëtimë dhe kushdo vraponte në hangarin e aeroplanëve për të parë fluturimin e parë. Midis popullit ndodheshin gjithë zyrtarët e ministrive të ndryshme, po ashtu edhe përfaqësuesi i Shoqërisë Ajrore “Lufthansa”, i cili kishte përgatitur dy buqeta me lule për t’ia dorëzuar aeroplanistit të parë që do të takonte. Aeroplanët me Nr. 125 dhe 151 arritën në orën 5 midis duartrokitjeve të popullit.

Çdo aeroplan kishte dy pilotë dhe një mashinist, emrat e të cilëve janë: Kështu Hans, Bissell. Kapiten Trein Gdroff, Kuat, Simon dhe Imragen. Prej aeroplanëve në fjalë ai me Nr. 151 fluturimin nga Vlora në Tiranë e bëri 38 minuta dhe 48 sekonda. Aeroplanët marrin pasagjerë, përveç personelit 330 kg, dmth secili prej tyre 3-4 veta. Aeroplanët nesër nisen për në Shkodër dhe pastaj në Korçë. Janë fare të mobiluar dhe kanë mjete për të përballuar çdo rrezik që do t’i ndodhë, së shpejti do të marrin pasagjerë për në Shkodër, Korçë dhe Vlorë”.

Dhe ja lajmi tjetër i gazetës “Korça”, i datës 25.4. 1925 me titull: “Aeroplanët ulen për herë të parë në Korçë”: “Pardje të dielën erdhi për herë të parë në qytetin tonë nga Tirana një nga aeroplanët që do të udhëtojnë për në Shqipëri. Këtë javë çdo dy ditë ka ardhur dhe ka shkuar aeroplani. Udhëtimi Korçë-Tiranë e bën për 55 minuta. Siç lajmërohemi, shoqëria ka hyrë në marrëveshje me Greqinë dhe Serbinë për lidhje me aeroplanë dhe se qytetin tonë kanë ndërmend ta bëjnë një qendër të madhe aeroplanësh. Populli i Korçës me gëzim dhe hare shkoi grupe-grupe për të parë aeroplanin e parë që u ul në Korçë. Pjesëmarrja e korçarëve qe e jashtëzakonshme dhe këtë e tregon fotoja e parë e realizuar me mjeshtëri nga fotografi i shquar korçar Sotiri, i cili bashkë me vëllain e tij Vangjo Sulidhi, kishin një vit që kishin ardhur nga Amerika, ku kishin studion e tyre dhe që punonin si fotografë”. Por ç’ishte Korça dhe korçarët kur filluan fluturimet e para me aeroplanët albatros mbi qytetet kryesore të Shqipërisë? Ky qytet së bashku me trevat e saj: Kolonjën, Devollin, Oparin, Gorën, Mokrën apo qytetin e Pogradecit, historikisht ka dhënë një kontribut të shquar për lirinë dhe pavarësinë e vendit, për arsimin, kulturën dhe diturinë.

A nuk ishte Korça ajo që “La pas shoqet e saj”, kur ajo hapi shkollën e parë shqipe në vendin tonë më 7.3.1887?

Kur u hap në vitin 1917 Liceu i parë në qytetin e Korçës, i cili u kthye në një institucion arsimor, nga bankat e të cilit, me djersën e mësuesve francezë dhe shqiptarë, përgatiste intelektualë të mirëfilltë, të etur për dituri, që transformimin e atdheut të tyre në një vend të qytetëruar e quanin domosdoshmëri historike.

Ja ç’ka thënë drejtori administrativ i Liceut të Korçës, më vonë Profesor Sotir Papakristo: “Liceu i dha Shqipërisë falanga të rinjsh me kulturë dhe ndjenja patriotike”. Korça në ato vite kishte ndryshime nga qytetet e tjera të Shqipërisë, pasi korçarët kishin shkuar të emigronin nëpër botë, si në Greqi, Bullgari, Rumani, Turqi, Francë, Australi, Egjipt apo Amerikë dhe këtë nuk e kishin për gjë. U dukej sikur shkonin në Tiranë, Elbasan apo Shkodër. Në emigracion ata fituan jo vetëm para, por mësuan të punojnë, të mësojnë, të shkollohen dhe vite më vonë, kur Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore u bë një shtet demokratik, ata u kthyen nga emigracioni për të ndërtuar qytetin, fshatrat e rrethit dhe vendin tonë.

Të shumtë ishin grupet apo individë të ndryshëm që u kthyen nga emigracioni në vitet 1920, 1921 dhe më vonë me kontributin e tyre ia ndryshuan faqen Korçës, e bënë atë jo vëtm qytetin më të bukur të Shqipërisë, por edhe në Ballkan, me arkitekturë të veçantë në ndërtime, me rrugë të drejta dhe të pastra, ballkonet me kangjella të jeshiluara me lule, me jargavanë të ngjashme me ato të godinave dy-tre katëshe të lagjeve të vjetra të Parisit, që me të drejtë këtij qyteti do t’i jepnin emrin e lakmuar “Parisi i vogël”!

Pra në Korçë kishte filluar të frynte era e qytetërimit europian, gjendja ekonomike kishte filluar të ndryshonte rrënjësisht në raport me qytetet e tjera të Shqipërisë. Bujqësia kishte filluar të lëvizte, tokat e lëna djerrë po mbilleshin nga fshatarët, shfrytëzoheshin minierat, sigurisht me mjete të thjeshta. Artizanati filloi të përhapej gjerësisht, u krijuan esnafet dhe tregëtia jo vetëm brenda qytetit, por edhe me botën e jashtme, si me Selanikun, Manastirin etj.

Një zhvillim të madh në ato vite mori kultura. U krijuan në mënyrë të organizuar shoqata të ndryshme artistike, si ajo e “Arteve të Bukura”, themeluar në vitin 1920, dhe fill pas kësaj u ngrit kori prej të rinjsh (30-35 veta) përgatitur dhe drejtuar nga Mihal Ciko (i porsaardhur nga Rumania, ku kishte mbaruar konservatorin në Bukuresht) i cili dha shfaqje më 28 Nëntor 1920 me këngë patriotike të kënduara apo të kompozuara nga rilindasit tanë vite më parë.

Në vitin 1924, Shoqëria e Arteve të Bukura u quajt “Djelmoria Korçare”, kurse në vitin 1927 u quajt Shoqëria Korale “Lyra”. Në të bënin pjesë të rinj, nxënës të liceut, zanatçinj, tregëtarë apo profesorë të liceut, që në rast festash jepnin koncerte, shfaqje teatrale në vende të ndryshme publike të qytetit.

Ardhja e Bandës Kombëtare “Vatra” nga Amerika në Shqipëri, nën drejtimin e dirigjentit të saj Thoma Nasi, i dha një shtytje të madhe zhvillimit të artit e kulturës të qytetit të Korçës dhe në të njëjtën kohë ajo dha një kontribut të madh për çlirimin e vendit. Kënga e famshme “Vlora, Vlora, bjeri moj të lumtë dora”, e kompozuar nga Thoma Nasi, u bë lejtmotivi që frymëzoi dhe ngriti popullin e Vlorës për të shporrur okupatorët nga vendi ynë.

Ja ç’tregon zoti Fori Terpini në librin e tij “Djelmoria Korçare”, që këndoi “Dua më shumë Shqipërinë” në ditën kur erdhi Banda “Vatra” në Korçë: “Me ardhjen e Bandës “Vatra”, më 23.7.1920 u bë një manifestim i madh. Në të mori pjesë i gjithë populli i Korçës. Për këtë buçitën këmbanat, hidheshin qorr fishekë, dyqanet dhe zyrat u mbyllën dhe të gjithë së bashku me bandën e tyre parakaluan në gjithë rrugët e Korçës. Manifestim madhështor! Populli gjithë natën festoi me gëzim triumfin e parë që pati Shqipëria…” (sipas kujtimeve të zotit Kristaq Mitace, Kryetar i Shoqërisë “Artet e Bukura” në Korçë 1920)

Pra korçari ishte bërë i vetëdijshëm se pa lirinë, demokracinë, arsimin, artin, kulturën, pa bujqësinë, tregëtinë etj. nuk mund të zhvillohej vendi. Ja pse “fluturimin” e kaçatorrëve të parë në Shqipëri, ai e priti me gëzim të madh që do t’i jepte një shtytje zhvillimit të transportit ajror brenda vendit, si dhe lidhjen me botën e jashtme.

Këtë tabllo të atyre viteve na e përshkruan kompozimi me mjeshtëri nga Sotiri në foton e tij “Aeroplani i parë në Korçë”, ku sintetizohet shkalla e zhvillimit të qytetarëve korçarë, dëshira e tyre e madhe për ta bërë Korçën që t’u ngjante qyteteve europiane, simpatia e këtij populli për të rejat e shkencës të “Aeronautikës”, e cila sapo kishte filluar të pushtonte hapësirat ajrore të kontinentit amerikan, europian dhe më gjerë.

Kjo dëshirë dhe simpati e korçarëve ndaj aviacionit që shprehet në shtypin e Korçës të atyre viteve, si dhe kompozimi i Sotirit do të vazhdojë për dekada të tëra dhe rinia korçare do të jepte kontributin e saj jo vetëm në zhvillimin e aviacionit shqiptar, por edhe më gjerë. Këtë po mundohem ta argumentoj më poshtë:

Nga viti 1925 deri më 1927, transporti ajror realizohej nga tre albatrosë, ekipazhet e të cilëve ishin gjermane. Por duke parë kërkesat se po rriteshin, në gusht 1927 Shoqëria “Adria-Aer-Lloyd”, u ble nga zyra e aviacionit civil “Shoqëria Mesdhetare Italiane”, e cila drejtohej direkt nga ministri i aviacionit italian. Kjo shoqëri hapi linja të reja dhe ALBATROSËT përveç Shkodrës, Korçës dhe Vlorës shkonte në Elbasan, Gjirokastër, Kukës etj. Shoqëria italiane u kompletua me avionin tip “Junker F-13”, 4 vendësh. Në prill të vitit 1928 u bë inaugurimi i linjës së parë ndërkombëtare civile Brindizi-Vlorë-Brindizi, ndërsa në maj të vitit 1931 filloi linja e brendshme me avionë të rinj tip S-71 shumë vendësh të Shoqërisë Ajrore “ALA LITORIA”.

Kësisoj transporti ajror në atë kohë mori njëfarë zhvillimi dhe sipas statistikave arkivore të asaj kohe, numëri i pasagjervëe për muajin shtator të vitit 1928 arriti në 262 veta. Në linjat e brendshme apo të jashtme filluan të lëviznin jo vetëm pushtetarë, diplomatë, tregëtarë apo studentë, por edhe qytetarë të thjeshtë për nevojat e tyre personale.

 

-Çfarë do të vecosh nga lindja e aviacionit të transportit civil?

Një ngjarje, që për atë kohë ishte sensacionale, ishte dasma e Gjergji Cancos nga Boboshtica e Korçës, i cili në ditën e dasmës shkoi në Shkodër me dasmorët, mori nusen dhe krushqit shkodranë me aeroplanë dhe i solli në Tiranë. Kjo ishte një ngjarje e pazakontë për atë kohë, por edhe për kohën e sotme, sepse dhëndurët për të marrë nuset e tyre përdornin llandonet (pajtonët) apo veturat luksoze të markave të ndryshme…prandaj Gjergji Canco mbeti dhe hyri në historinë e aviacionit si dhëndër i parë shqiptar që mori nusen me aeroplan.

Para se të flas për jetëshkrimin e Profesor Cancos, do të bëj një përshkrim të shkurtër për fshatin e lindjes, Boboshticën. Ajo shtrihet në juglindje të Korçës, rrëzë maleve të Moravës, 6-7 km larg qytetit të Korçës, që ka nxjerrë figura të shquara dhe që i ka dhënë kombit tonë kontribute në të gjitha fushat, në artet figurative, shkencat ekzakte (fizikë, matematikë) muzikë, fushën e mbrojtjes apo dhe të aviacionit tonë dhe atij botëror.

Në Boboshticë ka lindur piktori Viktor Karpaçi (venedikas) kompozitori Harallamb Kristofor  Koço, autor i operas së parë shqiptare në Petersburg të Rusisë, ku kishte mbaruar konservatorin, artisti i shquar Kristaq Koço (bashkëshort i Tefta Tashkos) Artistët e Merituar Kostandin dhe Vani Tashko, shkrimtarët Gjergji dhe Dionis Bubani, fizikani i shquar dhe shefi i katedrës së fizikës të USHT, Profesor Sotir Kuneshka.

Në Boboshticë ka lindur Viktor Eftimiu, poeti, shkrimtari, dramaturgu i shquar shqiptar, i cili u largua nga vendi ynë kur ishte në moshën 10 vjeçare. Ai jetoi në emigrim larg Shqipërisë, në Rumani, por zemra e tij rrahu tërë jetën për Boboshticën dhe Atdheun e tij. Ka shkruar rreth 150 libra në poezi, dramaturgji etj. Ishte anëtar i Akdemisë dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Kishte një miqësi të vjetër me Aleksandër Moisiun, e lidhur gjatë Luftës së Parë Botëtrore. Në vitin 1915, Moisiu ishte aviator në ushtrinë gjermane. Kapet rastësisht rob në Francë dhe burgoset. Gruaja e tij Johana Terëin (Moisiu) i dërgon një letër Eftimiut që të ndërhynte për Moisiun për ta liruar. Viktor Eftimiu, duke pasur shumë miq në ambasadën franceze në Bukuresht, ndërhyri dhe mundi ta lironte Moisiun nga burgu. Që në atë kohë ata mbetën miq të dashur për tërë jetën. Kur në vitin 1920, Viktor Eftimiu bëhet Drejtor i Përgjithshëm i Teatrove të Rumanisë, e ftoi bashkëatdhetarin e tij, A. Moisiu, për një vizitë në Bukuresht. Me rastin e kësaj vizite u organizua një pritje nga shqiptarët e Bukureshtit, që u shndërrua në një festë madhështore, ku edhe interpretoi artisti ynë i madh, Aleksandër Moisiu.

Boboshtica i ka dhënë kombit tonë edhe shumë figura në fushën ushtarake, si në periudhën e Rilindjes, në Luftën e Parë Botërore dhe veçanërisht në LANÇ. Kështu, mund të përmendim shefin e shtabit të MKA (Mbrojtjes Kundërajrore) të Korpusit të Veriut, gjeneral Sotir Filto etj.

Nga Boboshtica e ka origjinën kozmonauti shqiptaro-amerikan, Viljam Grigori, i cili më 2 mars të vitit 1995, u ngrit në hapësirën kozmike dhe u ul në tokë më 18 mars të vitit 1995, duke vendosur rekordin e fluturimeve kozmike në 16 ditë e 15 orë.

Nga Boboshtica ishte djaloshi 18 vjeçar Jovan Kacori, i cili në vitin 1959 hyri në shkollën e parë të aviacionit shqiptar, u bë pilot luftarak për Mig-15. Mjerisht ra në krye të detyrës gjatë stërvitjeve ajrore (është shpallur Dëshmor i Atdheut)

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit