Data : 24 09 2018
KryeTitujt :

INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Ju tregoj se çfarë blija për Enver Hoxhën në Paris

INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Ju tregoj se çfarë blija për Enver Hoxhën në Paris

 hasan-luci-264x280

“Bananet që vinin nga Franca, i provonte dikush

para se t’i hante Enveri”

 

Ai shkoi në Paris, kur u shpall prishja e PPSH- së me ish- kampin socialist, pas raportit të Enver Hoxhës në Kongresin e IV-t, nëntor 1961 deri në vitin 1968. Dhe ndërsa më parë, diplomatët tanë kishin ndihmesën e selive të vendeve mike socialiste, tashmë që u prishën edhe marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Francës dhe me shoqatën e miqësisë Francë-Shqipëri, që ishte nën tutelën e saj, ish-zbuluesit politik të Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi, iu desh të kërkonte dhe të zinte miq të rinj. Teksa edhe prishja me Kinën krijoi tensione të reja me një pjesë të miqve dhe të shoqatës së re franko – shqiptare, por ai përjetoi vetëm fillimin, sepse u kthye në atdhe. Pikërisht, detaje interesante të atyre viteve mbërrijnë posaçërisht për “Albanian Free Press”, në një rrëfim të veçantë të tij. Gjithçka mbi dërgesat për ish-diktatorin komunist drejt Shqipërisë dhe si kontrollohej çdo gjë…

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Zholi

 

Z. Luçi, në kujtimet tuaja ju keni shkruar se kishit një njohje të veçantë me Sulo Gradecin. Si u njohe me të dhe çfarë komunikimi kishit me besnikun e Enver Hoxhës?

Me Sulo Gradecin u njoha mirë gjatë qëndrimit të tij në Paris, ku vinte shpesh si shoqërues i familjarëve të Enver Hoxhës. Shpejt e psikologjisa tipin e tij. Ai e kishte në majë të gjuhës fjalën “shoku…” për Enverin; rrallë thoshte “i madhi” apo  “shoqja…” për Nexhmijen. Çdo gjë e paraqiste porosi të tyre, duke treguar letra në duar, por që s’i lexoja dot, veç atyre që më shkruante me kërkesa të sakta kryesisht për Enverin dhe gjysmë-përçues e ndonjë gjë tjetër për Sokol Hoxhën. U njoha mirë dhe i shoqëroja gjithnjë edhe Ilirin e Sokolin me gratë e tyre. Suloja afrohej ngadalë dhe kishte zakon të bënte: “Hëm! ë?!” dhe kapte hundën me dorë, pastaj të fuste krahun dhe ecte për të biseduar në lëvizje, apo duke u ndalur në kafe. Rrallë bisedonte ndonjë gjë në banesat e Parisit apo në ambasadë, se i zbatonte rregulloret, dukej dhelpër e sekretit.

Ju ishit vartës i tij, apo kishit detyrë specifike?

sulo gradeci

Unë isha bërë një nëpunës i Sulos, sepse ai me miratim nga lart më kishte lënë një fond (rrallë merrja hua në arkën e ambasadës) dhe blija sendet e porosive që bënte, si libra, stilografë, këpucë, çorape, syze, copa stofi, ilaçe, etj.

Cilat ishin sendet dhe ushqimet më të spikatura që merrnit dhe si vepronit për t’i nisur, sipas porosisë. A kishit vështirësi në blerje dhe në dërgim?

Më vështirë e kisha me bananet, të cilat duhej t’i blija në vende ku mundësisht të mos njihesha nga shitësit, se kush isha dhe asnjëherë në të njëjtin dyqan frutash. Pastaj, direkt do shkoja në ambasadë, ku  t’i mbaja në frigorifer, t’i vulosja me dyllë të kuq dhe t’i dorëzoja në Tiranë me korrierët diplomatikë, apo me ndonjë diplomat nga ne, apo ata që kalonin tranzit në Paris, se porosia duhej të dërgohej me përparësi në kohë. Në Tiranë i provonte dikush para se t’i hante Enver Hoxha. Në dy raste, siç më thanë, nuk i kishte ngrënë, pse ishin o të pjekura shumë, ose ende të pabëra mirë dhe njëherë dyshuan se nuk qenë të rregullta. Por besoj se nuk u helmua asnjëri nga ata që i kullufitën. Hajde të gjeja peshën e farmacistit. Unë rrija me gjak të ngrirë për një kohë, jo se dyshoja te vetja, por shkoja nëpër mend rastësinë që bananet të ishin të sëmura nga Zoti, mundësinë që dikush mund të ndërhynte për keq dhe përgjegjësia më mbetej mua, më të voglit dhe më të largëtit. Shyqyr, nuk më ndodhi gjë me bananet, se drejtësia e punës sonë ishte legjendare dhe e pashpërblyer, kështu është edhe sot e kësaj dite. Ne kishim bindje dhe besim në të drejtën komuniste dhe nderin e gjakut të familjes, se ishim me ndërgjegjie të pastër, i shërbenim familjes, atdheut dhe kombit, virtyte që sot janë braktisur jo pak.

Si i merrnit porositë dhe cilat ishin ato që kishin rëndësi? Po ngjyrat dhe modelin kush e përcaktonte?

Për t’i blerë këpucë a çorape, më dërgonin edhe modelin e ngjyrën, të marra këto në revista mode, por pa shënuar as emrin e revistës, as datë e as në ç’vend qe modeli, por vetëm e prerë me gërshërë me kujdes. Kështu që nuk mund të gjeja të paktën dyqanet a firmat ku mund të qenë tregtuar. Bridhja dyqaneve e butikëve franceze me orë e ditë të tëra, por zor se gjeja të njëjtin model a ngjyrë se dukej qartë se u kishte ikur moda. Blija gjëra të përafërta. Vetëm njëherë nuk m’u pëlqyen një palë këpucë bezhë e hapur, ndofta sepse qenë majat e ngushta dhe këmba e shqiptarit me gunga. Më lehtazi gjeta stilografët e viteve ’30, markën “Parker” në dyqanet e rrethinave të Parisit, ku mbaheshin mallra antike nëpër depo, sidomos në pazarin e quajtur “Pazari i pleshtave”, ku gjeje çdo vjetërsirë kohe deri në 20 vjet e shumta. Edhe për syzet nuk kishte ndonjë vështirësi, se ato i porosisja te markat e mira të firmës “Lissac”, se për çmimin e kripur as bëhej fjalë. Disa herë pronari më ofroi syze falas mua si dhuratë, sigurisht jo të asaj cilësie që porosisja, pasi kudo kur blije herë pas here, të sajdisnin që të të mbanin lidhur si klient. Por atëherë druheshim të merrnim edhe dhurata, se krijuam bindje për këtë gjë dhe jo vetëm se duhej malli që s’na e mbante ta blinim me xhepin e shpuar, por edhe se dyshonim tek dhuratat, siç thuhet për grekët.

Nuk ke pranuar asnjëherë dhurata?

Vetëm njëherë mora një palë syze dielli të thjeshta që s’binin në sy, por ua bëra të ditur edhe shokëve, pasi këto blerje i bënim vetë i dytë dhe kësaj here isha së bashku me Bahri Zikon, sekretar i tretë. Duke qenë vetë i dytë bëhej plotësisht transparenca e blerjeve, siç thuhet sot. Njëherë që po blinim së bashku me mikun tim, dr. Pavllo Milon nga Vunoi,  mjek në klinikën e udhëheqjes, morëm dhuratë nga një këllëf të mirë se pronari i dyqanit ku blemë syza, më pa se ç’këllëf kisha, kur nxora syzet të lexoja faturat.

Vetëm në Francë i bëje blerjet?

Në  shkurt 1975 shkova në Zvicër për një porosi të Enver Hoxhës. Kisha kaluar tranzit me tren që në nëntor 1961, duke ndërruar trenin në Bazel, megjithëse kisha djalin 6 muajsh dhe bagazhet. Kalova edhe në 1965-ën me gruan e fëmijët dhe kësaj here patëm problem, se treni s’kishte ujë të nxehtë për t’i përgatitur vajzës 5-muajshe Rozetës qumështin, e cila e thithte shishen nga uria me pluhurin e tij për bebe të pabërë mirë, se gruaja nuk kishte gji t’i jepte. Kur bëmë ndërrimin e trenit, e patëm mjaft vështirë edhe kësaj radhe. Nga Parisi në Gjenevë shkova me avion dhe kësaj here mora gruan si shoqëruese, pasi shokët e tjerë qenë zënë me udhëheqësit që ishin për mjekim. Në Gjenevë mora veturë me qira dhe shkova në Lozanë, ku pasi lashë djathtas qytetin, u ngjita në male tek ndërmarrja “Kudelski-Nagra Recorders”, ku takova Urs Gallman, supervizor i shërbimit të eksportit,i cili më ndihmoi për blerjen e magnetofonit me pajisjet për Enver Hoxhën, i cili mesa mora vesh, mbeti i kënaqur. Ursi qe inxhinier zviceran që kishte studiuar në SHBA, më falënderoi që zgjodhëm për blerje këtë firmë dhe mbajti qëndrim të mirë ndaj vendit tonë, më pritën mirë dhe mbarova punë pa u vonuar. Por vajti vonë dhe zura hotel. Pasi darkuam në restorant, ku çmimet qenë të kripura për fjetje e ushqim, sa nuk më doli dieta e Parisit për të përballuar shpenzimet, kështu që shtova nga xhepi. Filloi të binte dëborë dhe kjo na shqetësoi, por fjetëm. Pasi hëngrëm mëngjesin përgatita veturën, se kisha edhe zinxhirë. Zbritëm ngadalë pa probleme në Lozanë, ku shëtitëm qytetin dhe bregun e liqenit. Gjatë rrugës për në Gjenevë, bëra fotografi duke ndaluar në vende të bukura. Këto fotografi janë nga më të bukurat që kam bërë, pasi ishte kohë e mirë me diell dhe pamjet zviceriane fantastike. Kur m’i pa dikush fotografitë më tha se me to mund të merrja pjesë në konkurse për fotografi artistike. Nuk e kam bërë këtë punë, megjithëse kam foto nga Moska, Parisi e Shqipëria etj. Pa mbërritur në Gjenevë, gjatë rrugës hëngrëm ca fruta dhe pa e ndaluar veturën plotësisht,iu afrova një koshi në anë të rrugës dhe hodha qesen e mbeturinave, por ajo ra jashtë kazanit të plehrave. Ndërkohë nga një pallat karshi, një grua e moshuar më bërtiti, duke bërë shenjë me dorë: “në kosh,zotëri, në kosh!”, dhe unë kështu bëra dhe e falënderova nga larg gruan qytetare,e cila më dha një mësim të mirë. Një qëndrim të tillë të kulturuar e kam ndeshur edhe në Vjenë, Berlin e Stokholm. Në Gjenevë qëndrova më gjatë, pasi avioni nisej vonë dhe bëmë shëtitje buzë liqenit e në qytet, ku patëm mbresa të pashlyera.

 

Porosia më e vështirë

 

“Ç’kam hequr

t’i sillja makinën e

shkrimit Enverit”

 

“Kam hequr keq me porosinë për makinën e shkrimit, që ma ngarkoi Haxhi Kroi në Tiranë kur isha me shërbim. Gërmat që kërkonte ai për Enver Hoxhën dilnin aq të mëdha, sa të bëhej një makinë shkrimi e stërmadhe, sa gërmat nuk mund të radhiteshin në tastierë. Pas disa këshillimesh, edhe me Sulon vendosëm t’i thoshim përfundimisht se qe e pamundur të gjenim ashtu siç duhej dhe ky ishte mendimi i tërë specialistëve që pyetëm. Duke u hequr edhe si budallenj, megjithëse ne thoshim: “na falni se ne nuk marrim vesh fare nga kjo punë, por a është e mundur të gjendet a të bëhet një makinë shkrimi me këto germa?!”. (dhe jepnim modelin e shkronjave). Kështu vuajtëm edhe për një palë syze në vitet e fundit dhe për të njëjtat arsye nuk u gjetën. E kështu, Enver Hoxha përdori lente zmadhuese e tjera metoda për lexim. Këtë punën e gjyzlykëve nuk e zgjidhi as prof. Iv Poliken, të cilin e takuam edhe para vitit 1979 kur e vizitoi vetë  Enver Hoxhën në Tiranë.

 

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Zënka me Sulo Gradecin, donte t’i firmosja faturën e një blerje që s’e kisha parë

 

“Si ia zgjidhja rrobat Enverit në

Paris, çakmakët i donte prej floriri”

 

Në këtë pjesë të dytë të rrëfimit të tij të posaçëm për “Albanian Free Press”, ish-zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi, flet kryesisht mbi marrëdhëniet e tij me të besuarin e Enver Hoxhës, Sulo Gradecin. Por edhe sendet specifike që Enveri kërkonte, si edhe debatet për blerjet të cilat nuk gjendeshin. Sipas Hasanit, grindja e parë me Sulon u bë se ai i kërkoi të firmoste një faturë për një shumë të vogël, por duke qenë se nuk kishte qenë i pranishëm kur ishte blerë malli, ai nuk e firmosi. Në fakt, diplomacia ishte mbulesë për rolin e tij si zbulues politik i atdheut…

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Zholi

 

Stofrat e rrobave për Enver Hoxhën, ku dhe si i blije, pasi ai vishej shumë bukur.

Stofrat i blija sipas mostrës që më dërgonin apo e sillte Suloja. Kur nuk gjeja të njëjtën mostër, në Paris të jepnin copa fare të vogla stofi si të tilla, se shpesh nuk arrija të vendosja. Kulmi ishte kur shkoja ta blija, por përsëri për të marrë një copë tjetër si mostër, sipas kërkesës, që t’i mbushej mendja për ta blerë ose jo. Ç’t’i bësh detyrës kur të zë rrota bishtin?!

Për të gjitha këto blerje, a mbaje shënime, llogari, a kishe fatura, a merrje lekë me dokumente?

Unë mbaja llogari të veçantë dhe shënime, që i kam edhe sot, duke i mbajtur qëllimisht se nuk dija çfarë mund të pëlciste ndonjëherë. Dhe vërtet, kur u mor në hetuesi e doli në gjyq Sulo Gradeci, mua më shkoi mendja se do të më thërrisnin si dëshmitar, por kjo nuk ndodhi. Isha kurioz të dija pse-në?! Këtë e mësova në tetor 1999 në Tiranë, kur isha me mikun tim Pëllumb Tare, kryeredaktor i gazetës “Labëria”, ku unë shkruaja artikuj dhe ky më njohu me vëllain e vet Rustemin, të cilin e njihja si fytyrë, por nuk e dija se qenkëshin vëllezër, paçka se ngjanin në tërësi. Kur Pëllumbi i tha se kush isha, Rustemi tha se më njihte shumë mirë, por sidomos kur bëri revizionimin, si kontrollor i shtetit të llogarisë së Sulo Gradecit. Pa e lënë të më shpjegonte, nxitova dhe i thashë se prisja të më thërrisnin si dëshmitar, por kjo s’ndodhi. “Këtë të mirë e ke nga unë, -vijoi ai, -se ti ishe në rregull me llogaritë. Ato i gjetëm edhe në Paris në ambasadë të hedhura në një papafingo, ku kishin shpëtuar nga dëmtimi edhe i minjve, për çudi. Të lumtë”, shtoi ai më në fund. Unë u mburra me fjalët: “unë zbatoj parullën e vjetër labe: po s’je i zoti të fshehësh, mos vidh, apo harami harrëm bëhet!”. Qeshëm se paskëshim qenë të tre të prerë me këtë kut: ndershmërinë!

A je grindur ndonjëherë me Sulo Gradecin?

Në fillim, Sulo Gradeci kujtoi se unë do t’i shkoja sipas mënyrës së tyre (shoqëruesve të Bllokut, një pjesë e të cilëve bënin ngrënie si ariu e jo si miu). Grindja e parë me Sulon u bë se ai më kërkoi të firmosja një faturë për një shumë të vogël, por unë s’kisha qenë i pranishëm kur ishte blerë malli dhe nuk e firmosa. “S’ka gajle, – tha Sulua, – se ishim ne të dy (ata kishin firmosur), por tani kërkohet edhe firma e tretë, sipas rregullores financiare”. Unë ngula këmbë përsëri i prerë dhe u thashë: “Më falni, por unë e kam parim të vjetër apo huq timin dhe të zanateve të mia: pa parë me sy nuk firmos asgjë, le të jetë kush të dojë”. “Pse trembesh?!, – theksoi Suloja i nervozuar, – hënë, – duke përpëlitur sytë dhe fërkuar hundën mashalla, – këto janë blerë për ata, – shtoi ai. “E kotë, Sulo, – i thashë, – nuk firmos, gjej ndonjë tjetër”. Kjo na hidhëroi të dyve, por për motive të ndryshme. Megjithëkëtë, vajtëm në kafe dhe e qerasa, ndërsa ai turfullonte në hundë, sikur ishte në ndonjë lëmë shirje dhe e bezdisnin pluhurat e purtekave, që shinin grurin. Ai e gjeti kollaj firmën e tretë, Haxhi Taga e ndonjë tjetër. Kjo gjë më ndodhi edhe me mjekët kur blinin ilaçe, por edhe atyre ua firmosa faturat vetëm kur isha i pranishëm në blerje në farmaci, paçka se nuk i dija porositë e sakta, por të paktën i shikoja me sy.

Kishte kërkesa që nuk plotësoheshin dhe për çfarë arsyesh?

Enver Hoxhës i blija edhe fletore shkrimi me ngjyra të ndryshme, me vija të gjera, me kuadrate ose jo, në të cilat, ai shkroi ditarët e tij dhe veprat. Po kështu, bleva edhe diktofonë. Hysni Kapoja hodhi idenë t’i blinim këto edhe për shokë të tjerë të Byrosë Politike, por siç duket, për arsye shpenzimesh, nuk e vuri në jetë. Veç tre të udhëheqësve të parë, të tjerët nuk i bënin vetë veprat dhe fjalimet e tyre. Në fakt, kam dëgjuar me veshët e mi, kur më kanë treguar si shkruanin të tjerët për ta dhe vetëm sa vinin firmën. Kështu më ndodhi edhe mua. Në veprën “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, unë kam shkruar pjesën për veprimtarinë e reaksionit shqiptar të jashtëm. Materialin ma kërkoi Selim Beqiri, të cilit pasi e përgatita, ia dorëzova dhe u habita kur e lexova të plotë, pa hequr as një presje në këtë vepër të Enver Hoxhës. Kopjen e materialit e ruaj ende sot, së bashku me atë kopje të njëjtë që ma ktheu edhe Selimi, pasi kishte mbaruar punë, pasi nuk jepja asgjë pa mbajtur kopje. Dhe meqë jemi te Enveri edhe te Suloja, me këtë të fundit më ndodhi edhe kjo gjë: gabimisht në llogarinë e tij, kisha futur një faturë prej 60 frangash të një të malli tjetër. Suloja ma ktheu me shënimin se nuk i takonte atij. Iu përgjigja duke i kërkuar të falur dhe e falënderova se edhe unë e kërkoja për t’i çuar llogarinë tjetrit, por s’gjeja faturën. Kështu shpëtova edhe nga pagesa nga xhepi. Çudi si s’bënte gabim të tillë ai, kur kishte fatura më shumë se unë?!

Në një bisedë më keni thënë që u vutë në kërkim të zërit të Enver Hoxhës, të inçizuar në Francë nga gazeta e PKF-së “Hymanite”. E gjetët?

Në fakt, Remzi Përnaska gjeti diçka mbi një minutë, por kur kjo punë bëhej më mirë në rrugë private. Dh. Lamani bëri një ndërhyrje zyrtare që të merrte lavdërimet dhe e prishi punën. Jo vetëm kaq, por neve na akuzoi si fajtorë. Ndërhyrja e Sulo Gradecit me grupin e vet që shkuan edhe në universitetin e Monpelies (Monpelier), ku pati studiuar Enver Hoxha nuk u dha rezultate. Sidoqoftë, ne nuk patëm pasoja direkte, pasi e shpjeguam çështjen me argumente bindëse, por Dh. Lamani nuk e mori dot lavdinë që shpresoi. Nuk mund të them me saktësi nëse qe ose jo ai zëri i Enver Hoxhës që u paraqit në Tiranë.

Keni trajtuar edhe disa herë blerjen e çakmakëve për Enver Hoxhën. Ku ishte e veçanta e tyre?

Vërtet, njëherë bleva dy copë të shtrenjtë, floriri dhe që peshonin rëndë, se ashtu i pëlqente ai. Njëherë, njëri prej tyre m’u kthye dhe e ndërrova me një model tjetër. Pas disa kohe, m’u kthyen njëri pas tjetrit për t’i riparuar. Megjithëse qe jo e lehtë kjo punë, dyqani ku i kisha blerë i mbajti disa ditë dhe m’i ktheu të riparuar. Por nuk shkoi gjatë dhe erdhi Suloja e kërkuan çakmakë të rinj dhe i bleu, por unë nuk i pashë. Më vonë shikoja se ata çakmakë të hequr nga përdorimi i Enverit, i përdorte Suloja. Vlen të shënoj se në një rast, shoferi ynë Stavri Zoraqi që kishte guxim të zinte me dorë çdo gjë dhe ta hapte, riparoi njërin çakmak, por nuk vazhdoi gjatë. Ai hapte edhe radio, televizor, magnetofon etj., e kishte borxh të nxirrte të tepërt ndonjë vegël dhe prapë aparati të punonte. Ai u bë legjendar për këtë cilësi. E kundërta e tij ishte shoferi Shyqyri Uba, të cilin Stavri s’e përfillte fare, se njëherë Shyqyriu i dha edhe rastin ta tallte. Sa e kishim blerë veturën “Citroen”, breshkë e modës, siç i thoshim, se ngrihej lart kur ecte. Në kohën që ai shëtiste në rrethinat e Parisit me H.Kapon e J.Malon, vetura iu prish dhe ata nuk u kthyen me një mjet tjetër, por pritën sa vajtëm dhe i morëm. Në fakt, Shyqyriu kishte gabuar se ai nuk dinte se “Citroeni” kishte një marsh më tepër dhe kështu bëri manovrim të gabuar. Nganjëherë, Shyqyriu kalonte edhe në dritë të kuqe, se nga lodhja e zinte gjumi. Kur ne i bëmë vërejtje, ai thoshte: shyqyr që shpëtoj! Këtë fjalë ia mori avaz edhe Beqir Balluku se Shyqyriu e përdori 2-3 herë kur bënte muhabet me të. “Dëgjoni Shyqyriun, – qesëndiste Beqiri, – kur bën shyqyr, se…”.

Shpesh në tranzicionin demokrat është shkruar se Enver Hoxha paska patur marrëveshje sekrete me Francën, për të mbajtur të hapur dritaren franceze për veprime të veçanta, si vendosje të banesave atje, takimeve sekrete etj., si dhe ambasadat e të dy vendeve, në Tiranë e Paris, paskan pasur status të veçantë! Është e vërtetë?

E vërteta është se unë nuk kam nuhatur që të ketë pasur ndonjë marrëveshje sekrete, por një qëndrim që u bë traditë në kushtet e luftës së ftohtë. Perëndimi la në Tiranë në vitet 1946-1947 si antena vëzhguese zbuluese, ambasadën franceze dhe italiane, ndërsa Shqipëria e re hapi e mbajti legatat e veta në Paris e Romë që në vitin 1946. Dhe kjo ishte një lojë e dyanshme mes dy kampeve në atë kohë. Adriatiku qe dritarja shqiptare për të dalë në botë, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë titiste. Ishte mëse normale në diplomaci, që shteti shqiptar të bënte kujdes të veçantë që marrëdhëniet me Francën e Italinë t’i mbante në një kurs të veçantë pavarësisht se edhe këto dy shtete vepronin kundër Shqipërisë në kuadrin e NATO-s, të bashkimit evropian të Këshillit të Evropës, por edhe për llogari të interesave të tyre më të ngushta. Franca qe një vend i domosdoshëm për propagandën shqiptare se nëpërmjet saj ajo rrezatonte në botë (shtypi, revistat, librat, lidhjet me diasporën ekonomike shqiptare e kosovare, çame, arvanitase e arbëreshe), filmi, grupet sportive, kalimi i delegacioneve në SHBA, Evropë etj., grupe turistike, vizita miqsh etj. Lidhjet kryesore me diasporën ekonomike, Shqipëria i bënte përmes ambasadës së Parisit me atë në Amerikën Veriore e të Jugut, Kanada, Australi, Zelandë e Re, Afrikë e deri në Lindjen e Mesme derisa u hapën ambasadat, misioni në OKB e konsullatat në vende të tjera më vonë. Po kështu, prej andej kontrollohej edhe mërgata politike dhe bëheshin përpjekje për zgjerimin e lidhjeve tregtare. Një veçanti qenë edhe marrëdhëniet me partitë e organizatat m-l dhe shoqatat e miqësisë që mbështesnin Shqipërinë e re në Perëndim.

 

POHIMI

“Enver Hoxha nuk ka qenë

vetë për kurim në Francë”

“Vetëm Enver Hoxha nuk ka qenë vetë për kurim në Francë, por mjekët e shquar francezë të përzgjedhur nga mjekët tanë më me zë dhe nga ata francezë, kanë ardhur në Tiranë për ta vizituar e kuruar atë. Ai ka qenë në Francë pas çlirimit vetëm në 1946 në Konferencën e Paqes, kur e kanë mbrojtur kryesisht komunistët shqiptarë të mërguar atje, veç grupit shoqërues shqiptar dhe organeve të sigurimit qeveritar francez që mbronin pjesëmarrësit e asaj konference etj., sipas praktikës diplomatike botërore. Franca mbante në tërësi marrëdhënie normale me Shqipërinë, si e ngarkuar për ndjekjen e situatës në Shqipëri dhe për interesat e saj të veçanta të frankofonisë për influencë kulturore, meqenëse vendi ynë fliste frëngjisht në organizatat ndërkombëtare, kishte një katedër të frëngjishtes në Tiranë dhe një të gjuhës shqipe në Gjuhët lindore në Paris, kishte një shoqatë miqësie lidhur me PKF deri në vitin 1961, pastaj vijoi tjetra më e fortë e më pluraliste. Në vitet’60-’70 u rrit numri i shkëmbimeve kulturore (studentë e pasuniversitarë, lektorë e studiues), ndërsa marrëdhëniet tregtare ecën si breshka për arsye politike dhe jo se s’kishte kushte për tregti mallrash e mineralesh. Shkurt, gjeopolitika e kohës, kushtëzoi edhe marrëdhëniet dhe sjelljet e dy qeverive mes dy vendeve.

 

CITIMI

Sharl Dë Goli, ka thënë për Enver Hoxhën:

“Enver Hoxha është lideri më patriot në Europë. Falë luftës, mbrojtjes dhe ndërtimit të atdheut të tij, ai meriton respekt. Askush më shumë se Enver Hoxha nuk e meriton thënien “Lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon !”.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :