Data : 14 12 2018
KryeTitujt :

Ina Zhupa: PD aleancë me PS? Nuk mund të bashkëjetojmë me krimin!

Ina Zhupa: PD aleancë me PS? Nuk mund të bashkëjetojmë me krimin!

Ina Zhupa: PD aleancë me PS? Nuk mund të bashkëjetojmë me krimin!
INTERVISTA/ Flet zëdhënësja e shtypit e Partisë Demokratike, Ina Zhupa: Opozita po bën një betejë në çdo drejtim, duke mos përjashtuar asnjë mundësi aksioni opozitar, por dhe duke mos u kufizuar në vetëm një opsion beteje opozitare siç janë protestat. 

“Partia Socialiste sot është shndërruar në Rilindjen e Krimit dhe asgjë nuk mund të na çojë në një bashkëjetesë me krimin në kurriz të shqiptarëve”. Ky është opinioni që zëdhësja e PD-së, Ina Zhupa, jep në një intervistë të posaçme me “Albanian Free Press”, mbi një bashkëqeverisje të mundshme me Partinë Socialiste, të cilën ajo e mohon kategorikisht. Më tej, ajo shprehet se “opozita ka qenë aktive edhe përpara shtatorit, me denoncime dhe demaskime të përditshme, ashtu siç edhe vazhdon në shtator”. Dhe se me nisjen e sezonit të ri parlamentar, sigurisht që betejat shtohen, edhe më e rëndësishmja është ajo e vetingut të politikanëve. “Qeveria “Rama” është në vitin e saj të pestë dhe është më e dështuar se kurrë më parë, sepse çdo ditë në qeverisje ata e përdorin për t’u pasuruar vetë dhe miqtë oligarkë, apo kriminelë dhe për t’u varfëruar e arratisur populli”, shton ajo…

Intervistoi: “Albania Free Press”

 

Qeveria “Rama” për herë të parë këtë vit shkollor dha libra falas për shkollat fillore. Si do ta komentonit?

 

Kjo ishte propaganda më e turpshme që ka bërë Rama me fëmijët dhe me arsimin, ndërkohë që u ka dhënë klasave vetëm 1-4 libra borxh, që duhet t’i kthejnë pa u bërë asnjë shënim, ndryshe prindërit e tyre do t’i paguajnë. Kjo u bë që të fshihte faktin se çmimet e librave janë rritur të gjitha për arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, për të fshehur që janë mbyllur 150 shkolla, mes tyre shkollat në vendlindje të Fishtës dhe Asdrenit, për të fshehur që në katër vjet 130 mijë nxënës kanë braktisur mësimin, për të fshehur protestat që bënin prindërit për moshapjen e shkollave, për të fshehur korrupsionin në arsim për një vend mësuese. Por kjo nuk funksionoi, sepse njerëzit e shikojnë dhe e ndjejnë dështimin me arsimin në Shqipëri, që nuk i mbulon dot një live në Facebook duke dhënë libra borxh në përdorim.

Është theksuar qysh në muajin qershor se bashkë me shtatorin opozita pritej të niste vrullshëm aksionin politik me protesta. Ku konsiston ky aksion sipas jush?

 

Opozita ka qenë aktive edhe përpara shtatorit, me denoncime dhe demaskime të përditshme, ashtu siç edhe vazhdon në shtator. Me nisjen e sezonit të ri parlamentar, sigurisht që betejat shtohen, edhe më e rëndësishmja është ajo e vetingut të politikanëve. Por edhe aksioni qytetar nuk ka munguar dhe nuk do mungojë, kemi një protestë për teatrin, që ka vazhduar gjatë gjithë kohës, kemi protesta nëpër rrethe sipas problematikave të caktuara. Pra, opozita po bën një betejë në çdo drejtim, duke mos përjashtuar asnjë mundësi aksioni opozitar, por dhe duke mos u kufizuar në vetëm një opsion beteje opozitare siç janë protestat.

 

 

 

Cilat janë rezultatet e qeverisë në këtë një vit drejtimi të PS-së pa LSI-në? A është një vit qeverisje më i suksesshëm apo dështak dhe pse?

 

Qeveria “Rama” është në vitin e saj të pestë dhe është më e dështuar se kurrë më parë, sepse çdo ditë në qeverisje ata e përdorin për t’u pasuruar vetë dhe miqtë oligarkë, apo kriminelë dhe për t’u varfëruar e arratisur populli. Ja disa të dhëna konkrete nga dështimi i tyre: nga janari 2018 në gusht 2018 janë mbyllur 9260 biznese, kjo do të thotë se 33 biznese mbyllen çdo ditë. Shqiptarët sot paguajnë 13 mijë lekë për kalimin në Rrugën e Kombit, rrugë kjo që është ndërtuar me taksat e tyre. Shqiptarëve u janë rritur taksat, çmimi i ujit, çmimi i dritave, edhe papunësia ka mbuluar vendin, sidomos ajo rinore. Jemi të dytët azilkërkues në Europë pas sirianëve. Ndërkohë, ka lulëzuar ndërtimi i kullave në Tiranë edhe pse bizneset nuk kanë rritje të kredive apo të të ardhurave, ka lulëzuar industria e lojërave të fatit, kanë lulëzuar inceneratorët, edhe PPP për klientët, të gjitha këto të lidhura me pastrimin e parave të krimit dhe pasurimin e qeveritarëve. Sepse sot kemi ministrin e Brendshëm të vetmin në botë, që ka vëllain trafikant ndërkombëtar droge, anëtar i grupeve të strukturuara, anëtarët e së cilës kontrollojnë lojërat e fatit. Kemi kryetarin e grupit parlamentar Balla, që për miqësinë e tij me trafikantin ndërkombëtar ka dhënë 14 milionë euro tendera shtetëror. Kemi anëtarin e bandës Shullazi të bërë deputet, si Cyrbja etj, etj. Pra, një situatë ku oligarkët dhe kriminelët pasurohen dhe populli robërohet.

 

 

 

Si do ta komentonit ju mospjesëmarrjen e opozitës në seancat e para parlamentare pas pushimeve? Ka një strategji?

 

Opozita ka një strategji të qartë, që lidhet me pastrimin e politikës nga lidhjet me krimin dhe shkëputjen përfundimtare të politikanëve që u shërbejnë krimit. Sot që ne flasim, opozita ka dërguar draft kushtetues në parlament për vetingun e politikanëve, ka qenë pjesëmarrëse në komisionin parlamentar për çështjen e Teatrit Kombëtar. Pra, opozita ka zgjedhur të jetë në anën e qytetarëve dhe të jetë në parlament për aq kohë se mund t’i shërbejë interesit qytetar, me iniciativa ligjore siç është vetingu. Opozita po denoncon situatën e rëndë të krimit në të gjithë vendin, ajo ishte në Jalë, ku edhe u kërcënua deputeti Shehaj, nga banditë të veshur me pushtet nga Edi Rama. Strategjia është e qartë, vetingu që pastron politikën dhe çliron institucionet e vendit nga banditët dhe kriminelët të bërë njësh me pushtetin.

 

 

 

Flitet për një bashkëpunim qeverisje PS-PD. Mendimi juaj për një bashkëqeverisje apo bashkëpunim të mundshëm mes këtyre dy forcave politike?

 

Nuk është folur kurrë për diçka të tillë, PD është në krye të një fronti të bashkuar opozitar që ka për detyrë t’i sigurojë Shqipërisë zgjedhjet e lira edhe të ndershme, të largojë politikanët e korruptuar dhe të bërë ortak me krimin, si edhe të udhëheqë Shqipërinë drejt standardeve europiane: në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në çdo aspekt të jetës së përditshme të qytetarëve. PS sot është shndërruar në Rilindjen e Krimit dhe asgjë nuk mund të na çojë në një bashkëjetesë me krimin në kurriz të shqiptarëve.

Cili është aktualisht vlerësimi i organizmave ndërkombëtarë për qeverinë “Rama” kur jemi duke kërkuar çeljes e negociatave?

 

Shqipëria, siç e konfimoi edhe vizita e ministrit të Jashtëm gjerman nuk ka një datë për çeljen e negociatave dhe sivjet ndryshe nga sa ishte propaganduar dështoi hapja e tyre. Dhe dështimi vjen pikërisht nga vlerësimi shumë i detajuar që kanë organizmat ndërkombëtare për situatën në vend, për të gjitha dështimet që ju përmenda edhe më lart. Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij thotë që vendi ynë është në rrezik të madh pastrimi parash nëpërmjet ndërtimit dhe lojërave të fatit. Dhe situata në Tiranë e tregon fare qartë me lejet e kullave, sesi është shndërruar në lavatriçe të pastrimit të parave të pista. Raporti i organizatës “Transparency International”, mbi shkallën e korrupsionit në botë e ka radhitur Shqipërinë në vendin e 91-të, duke shënuar kësisoj përkeqësim të gjendjes në krahasim me një vit më herët kur ajo ishte radhitur në vendin e 83-të. Po ashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve mikpritëse për bizneset amerikane. Sot ne nuk kemi investitorë të huaj që zgjedhin Shqipërinë, kemi vetëm biznesmenë pa emër, ish-të dënuar që marrin tendera dhe koncesione nga qeveria. Pra, në çdo drejtim, vlerësimi i raporteve të besueshme ndërkombëtare është negativ, duke konfirmuar edhe gjendjen reale të shqiptarëve.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :