Data : 16 10 2018
KryeTitujt :

Ilirian Dhima: Ishte viti 1982, kur Greqia filloi të importonte grurë nga Shqipëria

INTERVISTA/ Flet ish-oficeri i xhenios, reparti ushtarak  3205 i Porto Palermos, Ilirian Dhima: “Ishte viti 1982, kur Greqia filloi të importonte grurë nga Shqipëria. Një rast i rrallë, i cili diskutohet shumë edhe sot. Portet kryesore të transportit ishin ai i Sarandës dhe i Himarës”

 

Një ish-oficer i xhenios, që ka marrë pjesë në ndërtimin e disa veprave ushtarake, duke nisur nga Porto Palermo në Himarë, deri në Morinë të Kukësit. Kujtimet e Ilirian Dhimës janë ndër më befasueset dhe të pabesueshme sot, për vetë karakterin e detyrës dhe punën heroike që ka kryer. Ka marrë pjesë në ndërtimin e më shumë se tetë objekteve fortifikuese ushtarake, ndër më të diskutuarat sot. Gjatë kësaj interviste me “Albanian Free Press”, ai paraqet detaje interesante rreth tyre…

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Në një bisedë të zhvilluar vite më parë, duke folur për Porto Palermon dhe ndërtimin e saj, ju veçuat një ardhje të befasishme të Kadri Hazbiut aty. Pse ishte kjo ardhje?

 

Po, e mbaj mend si sot. Ishte viti 1982. Ishte viti kur Greqia filloi të importonte grurë nga Shqipëria. Ishte një rast i rrallë, i cili në Greqi diskutohet shumë edhe sot. Kishte disa ditë që kishte filluar ky transport, ku portet kryesore ishin i Sarandës, por edhe ai i Himarës. Ato ditë kam parë makina pafund të ushtrisë që çonin grurë në portin e Himarës, i cili në përgjithësi ka qenë porti i vogël dhe shumë i qetë. Por ato ditë ishte ndër portet me më shumë gjallëri në Shqipëri. Të gjithë banorët e asaj zone ishin habitur në fillim me gjallërinë  me makina dhe lëvizjet në port. Kur u mor vesh që do transportohej grurë drejt Greqisë, të gjithë ndjenin një gëzim për solidaritetin dhe gjestin human të shtetit shqiptar. Ky gjest na bënte krenar si komb. Kjo ishte pikërisht edhe arsyeja e ardhjes së Kadri Hazbiut në Porto Palermo. Ai u takua vetëm me komandantin dhe komisarin e bazës. Hyri urgjentisht drejt e në zyrë. Të gjithë ne rrinim si të ngrirë. Ishte hera e parë që vinte Kadriu në Porto Palermo dhe kjo shënohej si një ngjarje e rrallë. Kur doli, të gjithë neve sa ishim në oborr, na dha dorën duke na thënë: “Këto ditë të rrisni gatishmërinë”. Më vonë, komanda na vuri në dijeni për ardhjen e tij dhe detyrat që la. Qëllimi i vizitës ishte që të rrisnim vigjilencën dhe gatishmërinë gjatë transportit të grurit për në Greqi. Të shmangeshin incidentet pasi shtypi i huaj po shkruante shumë për këtë ngjarje. Ishte një ditë me shi. Pas ikjes së tij ne ndenjëm plot 48 orë në transe. Nuk ishte parë kurrë një gatishmëri e kësaj natyre.

 

 

 

Kur shkuat ju, në ç’fazë ishin punimet në Porto Palermo? Cilat ishin disa nga parametrat e bazës?

 

Ishin në fazën përfundimtare. Duhet të theksoj se puna kishte filluar që në vitin 1968. Pra, afërisht 13 vjet punë, por duhet të dini se ishte një punë e jashtëzakonshme, një punë që as mund të mendohet sot, se nuk ishin këto mjete. Kishte dy projekte, një rus dhe një kinez. Ne vumë në zbatim projektin kinez, pasi në bazë kishim disa specialistë kinezë, që nuk krijonin shoqëri me ne, por që punonin me përkushtim. Duhet të them se tuneli kryesor ishte  8 metra e 60 cm nën ujë dhe 8 metra e 10 cm mbi ujë, pra në total 16 metër e 70 cm.. Tuneli me gjithë shumë xhepa anësorë ishte 1280 metra i gjatë. Kjo bazë u ndërtua kryesisht për të qenë në gatishmëri për t’u strehuar nëndetëset në rast lufte. Ishin bërë 4 vendbazime për nëndetëset (aq nëndetëse kishim), por edhe për luftanijet dhe katerat silirues. Sipas rregullores paraprake, nëndetëset do futeshin të fikura nëpërmjet një arganelloje,  pasi kishin zhurmë shumë të madhe dhe sillnin dridhje të tunelit që mund të shkaktonte çarje. Pra, e gjithë hapësira ishte llogaritur për katër nëndetëse dhe rreh 20 katera silirues.  Ishte një punë gjigande dhe një vepër e sigurt që të bënte krenar. Madje dua të them se në një vizitë, që ka bërë ish-inxhinieri i ndërtimeve hidroenergjetike shqiptare, Farudin Hoxha, nuk e besonte që pas ikjes së kinezëve këtë vepër madhështore e bënë vetë oficerët xhenierë shqiptarë. I dukej e pabesueshme. Më vonë shumë oficerë të NATO-s i kanë bërë vlerësimet maksimale. E tillë ishte Porto Palermo, një vepër e paarritshme dhe me vlera të jashtëzakonshme në kushte lufte.

 

 

 

Kë do të veçosh nga oficerët që punonin në këtë objekt dhe nga komandantët provizorë të bazës?

 

Dua të them se kur shkova oficer i ri, aty gjeta oficerë dhe nënoficerë të shkëlqyer, të dashur, punëtorë që më pritën si mos më mirë. Në fillim, dua të flas për Zydi Turre, gjeometri i fortifikimit. Njeri punëtor, i dashur, korrekt. Pastaj po ndalem tek Kasem Omeri, komandanti i lavdishëm i Porto Palermos. Pastaj vijnë me radhë, oficerët Xhorxhi Koçi, Vasil Mala, Kasem Omeri, Mark Jahja nga Tropoja, por edhe inxhinieri civil Selimllari. Pra, këta ishin oficerë shembullorë, por edhe njerëz të ndershëm, patriotë dhe miq të sinqertë.

 

 

 

Kush nga udhëheqësit e kohës vinte të shikonte punimet në Porto Palermo?

 

Vinin disa, por më shumë vinte Prokop Murra Ai shumë herë takonte vetëm komandantin dhe komisarin, ishte tepër strikt. Ka ardhur Simon Stefani, por edhe Alfred Moisiu atë kohë. Drejtor i Përgjithshëm i armës xheniere dhe më pas zv/ ministër. Të gjithë e dinin rëndësinë e kësaj vepre, por dinin dhe përgjegjësinë ndaj ishin tepër të vëmendshëm ndaj saj.

 

 

 

Si vazhdoi më pas karriera juaj ushtarake?

 

Në vitin 1983, kaloj në batalionin e Fortifikimit në Morinë të Kukësit, ku bëmë disa tunele për rezervat dhe për drejtimin e shtabit në rast lufte. Në vitin 1984, më emërojnë përkohësisht në uzinën e armëve në Poliçan, ku shkova disa muaj për thellimin dhe ristrukturimin e dy tuneleve për uzinën e armëve në Poliçan. Në ato pak muaj, aty pashë një uzinë moderne dhe tepër të fortifikuar. Pozicioni gjeografik e bënte atë të padallueshëm dhe shumë të maskuar. Në këtë uzinë kishte disiplinë të lartë dhe kërkesa llogarie. As miza nuk mund të futej aty. Në vitin 1985-1986, pas dy vjetësh shkoj në Rep 5100 me qendër në Qyteti Stalin  në Regjimentin e Fortifikimit, konkretisht në qendrën e fortifikimit në fshatin Brezhdan afër Beratit. Aty ndërtuam dy tunele dhe dy depo për rezervat e shtetit dhe komanda në raste lufte.

 

 

 

Çfarë mban mend nga Brezhdani?

 

Një ditë lëvizja me këmbë nga Brezhdan për të shkuar në Berat. Ishte 11 prill 1985, dita  kur vdiq Enver Hoxha. Nuk dija asgjë dhe ecja me këmbë për të gjetur ndonjë makinë. Një kalimtar ndalon pranë meje dhe më thotë i tronditur: “E more vesh, vdiq  Enver Hoxha”. E pashë me dyshim.  Kur shkoj në Repartin e Beratit pashë flamurin në gjysmë shtizë dhe të gjithë me kokë të ulur. Askush nuk fliste. As stërvitje nuk zhvillohej. Në gjithë repartin shikoje një gjendje të nderë. Sa u takova me eprorët më thanë të shkoja urgjent në repart, pasi kishim kaluar në gatishmëri numër një. Komisari më bëri  me dije të kisha kujdes, sepse atë kohë në xhenio ishin ushtarët me biografi të keqe (kur e kujtoj sot qesh). Në fakt, ata ishin ushtarë më liberalë dhe nuk kishin gatishmëri. Rrallëherë kishim situate të tilla. Pesë ditë fjeta në repart pa lëvizur. Ishte një situatë që nuk i vije emër. Por ushtarët nuk kishin atë ndjeshmëri dhe as që kalonin stres. Ata sikur e ndjenin se do të përmbysej sistemi pas këtij momenti.

 

 

 

Gjithmonë larg Tiranës kanë qenë emërimet e tua?

 

Jo.! Në vitin 1987 emërohem në Regjimentin e Rinasit në kompaninë autonome të Dajtit. Në fillim bëmë disa punime special në tunelet e avionëve luftarakë Mig, që ishin strehuar aty dhe disa rregullime në fushën e aviacionit. Pas disa muajsh kaluam në malin e Dajtit. Do ndërtonim tunele për makinat “Benca” të udhëheqësve në raste lufte. Ndërtuam dy tunele me  gjatësi 38 metra  me disa xhepa. Njëkohësisht edhe dy ofiçina moderne brenda tuneleve. Kishin pajisje shumë të mira.

 

 

 

Kush i ndiqte këto punime?

 

Aty vinin disa nga udhëheqësit e kohës Prokop Murra, Simon Stefani, Foto Çami, por punimet i ndiqte i pari.

 

 

 

Çfarë kujton në këtë periudhë, veç punës për ndërtimet e tuneleve në Rinas dhe malin e Dajtit?

 

Kujtoj një stërvitje të madhe të zhvilluar në këtë vit (1987) në Kavajë. Ishte një stërvitje masive ku merrnin pjesë dhe shumë trupa të xhenios. Aty takova për herë të parë Alfred Moisiun. Ai takoi trupat xheniere duke na orientuar për stërvitjen. Ishte shumë praktik dhe komunikues. Foli shkurt dhe prerë dhe me shumë përgjegjësi. Në fund, na foli për rëndësinë e stërvitjes dhe  ku duhet të përqendrohemi për të arritur rezultatet e duhura. Ai theksoi se udhëheqja i ka dhënë rëndësi kësaj stërvitje për vetë zhvillimet e fundit politike në vend dhe në Ballkan. Fjala e tij na mobilizoi më shumë. Vërtet me këto orientime ne u vlerësuam shumë mirë në stërvitje. Në Regjimentin e Rinasit qëndrova deri në vitin 1988 dhe pastaj u zhvendosa në batalionin e Shupalit, me detyrë Shef Shtabi Batalioni. Më pas në Repartin, Brigadën, 49-30 në Tiranë ku u emërova komandant batalioni në Rep. 34-48 në Uzinën “Traktori”, deri sa u largova nga ushtria. Në këtë repart zhvillonim stërvitje të ndryshme.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :