Data : 14 11 2018
KryeTitujt :

“IKJA E MADHE” e shkrimtarit të talentuar Albert Z. ZHOLI

“IKJA E  MADHE” e shkrimtarit të talentuar Albert Z. ZHOLI

 Dr. Sulejman Muça

ssss

“Ikja e madhe” një libër që të mrekullon. E lexon dhe e rilexon.  Me këtë libër emigracioni  është bërë më i prekshëm. Janë  pikërisht këto faqe libri të autorit Albert Zholi që na sjellin kaq afër, kaq përmbledhtas, atë epope mërgimi që përfshiu gjithë tokat e Shqipërisë me fillimin e dekadës ’90. Fundshekulli XX e rrudhi edhe njëherë Atdheun tonë. Edhe ashtu i pakët siç ka qenë, me pjesë të tëra territori e popullsie të ndarë nga trungu, kur priste t’i rritej shtati duke u bashkuar me Kosovën martire, ky dhe u mpak nga njerëzit që po i iknin, shumica pa kthim.

Kjo lëvizje popullsie në drejtim të shteteve të perëndimit e kryesisht, drejt Greqisë, në fillim ngjau si gëzim pas ndrydhjes së gjatë nga shteti totalitar: pastaj, kuptimi i mërgimit e ktheu ikjen në tragjedi, ndërsa tani, gëzimi dhe tragjedia kanë depërtuar te njëra-tjetra fatalisht dhe përjetohen me ankth. Sepse të shumta kanë qenë humbjet, vdekje të ndryshme, por më shumë tragjike e të parakohshme. Vdekje nga krimet, por edhe nga përpjekja e stërmundimshme për të arritur “tokën e premtuar”. Autori me një analizë të plotë të të gjitha shkaqeve që çuan këtë shkulje të rrënjëve shqiptare, na sjell pamje, episode e ngjarje rrëqethëse, që shoqëruan dhe vazhdojnë të shoqërojnë këtë emigracion të paparë në histori për përmasat, popullsinë e vendit, dhe kohën e  shkurtër.

Libri “Ikja  e madhe “është gjithashtu një pasqyrë e historisë së marrëdhënieve të vjetra e më të reja midis Shqipërisë dhe Greqisë, këtyre dy vendeve ballkanike të cilat vërtetë  shumë ngjarje i kanë  bashkuar, por kanë mjaftuar edhe pak syresh që të inspirojnë  ndjenja armiqësore e skepticizmi. Vetë dyndja e emigrantëve drejt Greqisë krijoi përsëri një klimë të re, diku mirëkuptimi, diku mosbesimi, thotë autori  por ai ka shpresën se ashtu si shtrëngatat e qindra shekujve nuk i shpunë kurrë  këta banorë  të vjetër në luftë midis tyre, edhe  kjo lëvizje  e re do të jetë vetëm një urë miqësie. Autori nuk pretendon të këtë përshkruar gjithçka nga peripecitë  e shqiptarëve në rrugën e tyre drejt Greqisë e në Greqi. Duke jetuar e punuar në Athinë, A. Zholi rreh të tregojë për jetën e “athinjotëve” shqiptarë, hallet problemet, rritjen e mirëqenies së tyre ekonomike, por edhe përndjekjet, përbuzjen dhe mungesën e arsimit të fëmijëve të tyre  në gjuhën  amtare . Ai nuk  harron  t’u drejtohet  edhe studiuesve arvanitas për  të hequr një paralele të qartë midis emigrantëve të kahershme shqiptare dhe tani në kohërat  moderne.

Të gjitha ngjarjet në emigracion autori nuk i ka ndarë asnjëherë nga zhvillimet e fundit në Shqipëri. Duke e vendosur veten  në krah të ndryshimeve  demokratike, ai tregon zhgënjimin e madh që i pushtoi emigrantët për politikën mediokre, amatoreske të qeverisë shqiptare ndaj gjithë zhvillimeve ekonomike e shoqërore, por sidomos për mospërfilljen totale ndaj emigrantëve. Shembja e të ashtuquajturve skemave piramidale,-nënvizon A. Zholi, -përbën shembjen përfundimtare të besimit të shqiptarëve emigrantë në qeverinë postkomuniste  të Berishës.

“Ikja e madhe” është një përpjekje serioze për të pasqyruar një nga dramat më të mëdha të popullsisë shqiptare dhe nga ky këndvështrim, ai është një kontribut me vlerë në publicistikën e re shqiptare.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :