Data : 16 10 2018
KryeTitujt :

Hysen Qendro: Vijat më të fortifikuara në botë – “Mazhino”; “Manrehejem”; “Zig-Frid”; “Stalin”; “Metaksa”; “Volo-Alpino” dhe “Kizenberg”

Ish-sekretari i Mehmet Shehut: Fortifikimi i Shqipërisë, si më të fuqishmit e luftërave botërore

INTERVISTA/ Flet Hysen Qendro: Vijat më të fortifikuara në botë - “Mazhino”; “Manrehejem”; “Zig-Frid”; “Stalin”; “Metaksa”; “Volo-Alpino” dhe  “Kizenberg”

Fortifikimi i Shqipërisë, realizuar gjatë viteve të komunizmit  përqasej shumë me ata më të fuqishmit e luftrave të kaluara botërore. Një fakt të tillë e pohon gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, Hysen Qendro, ish-sekretari i ish-kryeministrit shqiptar gjatë komunizmit, Mehmet Shehu. Sjellim ndër mend faktin se që në luftërat e mëdha të zhvilluara qysh në kohët e lashta, nga Aleksandri i Madh i Maqedonisë, Jul Çezari etj, veprimet luftarake janë ndeshur me fortifikata. “Ata gjatë fushatave luftarake, jo vetëm që kanë hasur në objekte fortifikuese, por edhe vetë kanë ndërtuar të tilla. Historia tregon se fortifikimet, që janë ndërtuar dhe po ndërtohen, janë një faktor i rëndësishëm për mbrojtjen”, sqaron ai. Duke i qëndruar idesë se dhe ato të kryera në vendin tonë, janë të ngjashme me to. “Objektet  fortifikuese dhe fortifikimi shprehin nivelin e zhvillimit të shoqërisë, të ushtrisë, të teknikës, armatimit dhe mjeteve të tjera, që përdoren në luftim ndërmjet palëve”, pohon ai…

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si organizohet dhe si veprohet në kohë paqeje për ndërtimin e vijave të fortifikuara?

Ndërtimi që në kohë paqeje i rajoneve dhe vijave të fortifikuara, kushtëzohet nga nevoja që të jetë gati për të përballuar goditjet fillestare të fuqishme të palës kundërshtare, me qëllim që të mund të mbrohen forcat dhe mjetet nga këto goditje. Por dhe për faktin që ndërtimet, përveç vlerave materiale e monetare, kërkojnë kohë dhe angazhime të mëdha të fuqisë njerëzore për përgatitje, gjëra që, gjatë zhvillimeve të luftimeve janë të pamundura të kryhen. Edhe atëherë shfrytëzimi i periudhës paqësore me rendiment të lartë ka qenë me vlera të mëdha në interes të mbrojtësit. Natyrisht, mënyrat dhe format e objekteve dhe të vijave të fortifikimit kanë qenë dhe janë të ndryshme. Kështu, mund të përmendim fortesat e qytet-shteteve, kështjellat, muret e larta, si Muri i Madh Kinez, barrierat dhe pritat e mëdha etj.

Në kohët e mëvonshme, fortifikimet u bënë më komplekse e më të qëndrueshme. Kështu Çitadela, që u ndërtua në vitet 1600, shtrihej në një terren fushor që zinte disa dhjetëra hektarë tokë. Qendra quhej “zemra” e saj dhe ka formën e një ylli me pesë cepa të theksuar. “Zemra” është e rrethuar me një mur të trash e të lartë. Në të pesë cepat e yllit janë pesë fortifikata, nga ku hapej zjarr me armët e kohës. Sistemi i zjarrit ishte i organizuar që të rrihte çdo pikë të faqeve të murit të lartë. Disa kilometra përpara “zemrës” kishte tri vija qarkore, njëra pas tjetrës, me fortifikata betonarme, të cilat përshkonin perimetrin e jashtëm të saj. Pas këtyre vijave, vinin me radhë pengesat e ndryshme xheniere, si: rrotullat me tela, një brez i pyllëzuar dendur dhe një hendek i gjere e i thellë me ujë përreth “zemrës” së Çitadelës. Brenda këtij objekti të rrallë të fortifikuar qëndronte një garnizon me 3000 ushtarë, me të gjitha mjediset e jetesës e të furnizimeve të nevojshme. E rëndësishme është që ajo nuk u arrit të pushtohej asnjëherë. Fakti është që ajo ekziston edhe sot e ruajtur dhe e mirëmbajtur. Objektet  fortifikuese dhe fortifikimi shprehin nivelin e zhvillimit të shoqërisë, të ushtrisë, të teknikës, armatimit dhe mjeteve të tjera, që përdoren në luftim ndërmjet palëve.

Si ka ardhur në vite përmirësimi i fortifikimeve në botë dhe cilat janë vijat fortifikuese më të shquara në histori? 

Përvoja e përgatitjes së terrenit në pikëpamje xheniere, flet për rajone, vija dhe breza të fortifikuar, gjë që tregon se fortifikimi ka ardhur përherë duke u forcuar e përmirësuar, si në pikëpamje sasiore, teknologjike e ndërtimore, ashtu dhe në përdorimin taktik e operative-strategjik. Në luftërat e mëdha botërore, shumë shtete ndërtuan vija të fortifikuar të fuqishme, që përfshinin sektorë të rëndësishëm të kufirit shtetëror, shumë më të përpunuara nga ato të ndërtuara më parë. Të tilla janë vijat: “Mazhino”; “Manrehejem”; “Zig-Frid”; “Stalin”; “Metaksa”; “Volo-Alpino”;  “Kizenberg” etj.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe më parë, veprimet mësymëse janë ndeshur me rajone e vija të fortifikuara, të cilat gjithnjë e më shumë gjetën një përdorim të gjerë. Qëllimi i mbrojtjes në kushte të tilla, ishte që të rritej qëndrueshmëria dhe të mbroheshin forcat dhe mjetet nga goditjet e mësymësit, për të pamundësuar përparimin e mësymësit në ato drejtime që ishte ndërtuar.

Për mësymësin, fortifikimi krijonte gjendje të vështirë, të veçantë për shpërthimin e mbrojtjes, që i kushtonin shumë humbje sesa në drejtimet ku mësymja zhvillohej në terrene të zakonshme, të pafortifikuara. Në këtë mënyrë rajonet dhe vijat e fortifikuara u bënë një pengesë tepër e madhe për mësymësin. Ata, pas humbjesh të mëdha, dështonin dhe detyroheshin të gjenin mjete e të përdornin forma e metoda të reja shpërthimi të këtyre rajoneve e vijave. Në mjaft raste është dashur të shmanget sulmi ball për ballë ndaj tyre, duke u dalë në krah dhe në shpinë rajoneve dhe vijave të fortifikuara.

Çfarë kanë pasur parasysh inxhinierët për ndërtimin e fortifikimeve? 

Të gjitha vijat e fortifikuara kanë mbajtur parasysh shfrytëzimin e terrenit. Tipik ka qenë ndërtimi i vijës së fortifikuar  “Manrehejem” në Finlandë, e cila, duke u mbështetur në ngushticën e Kolerisë, ku u ndërtua, u ndërthur me një terren tepër të thyer e kompleks, me pyje të shumtë, thuajse të pakalueshëm, shkëmbinj të mëdhenj, blloqe graniti si dhe mjaft liqene e këneta, të cilat favorizonin së tepërmi ndërtimin e vijave të fortifikuara.

Fakt është sesa më i fuqishëm dhe i plotë të ishte rajoni e vija e fortifikuar me fortifikata dhe elemente të tjerë të qëndrueshëm dhe me pengesa aktive, të vendosura brenda rajonit, aq më mirë do të ruheshin forcat  nga goditjet e mësymësit, më e fortë qëndrueshmëria dhe më të mëdha vështirësitë dhe humbjet për mësymësin. Kështu,vijat e fortifikuara të Luftës së Dytë Botërore përbëheshin nga ndërtime mbrojtëse me karakter të përhershëm. Vetëm në vijën “Manrehejem”, që u përdor për mbrojtje dhe si bazë nisje për mësymje kundër forcave sovjetike, më 20 nëntor të vitit 1939, u përqendruan 15 divizione  këmbësorie, ndërsa sovjetikët përdorën 20 divizione. Në frontin e fortifikuar prej 100-110 km të gjatë, forcat sovjetike patën suksese të pjesshme, vetëm në brezin e sigurimit, ndërsa në brezin kryesor, veprimet mësymëse pothuajse dështuan. Kjo ndodhi për shkak të qëndrueshmërisë së mbrojtjes finlandeze dhe të mosvlerësimit të plotë të sistemit të fortifikimit prej sovjetikëve.

Në vijën e fortifikuar “Mazhino”, e ndërtuar nga francezët nga viti 1929 deri 1936, e përmirësuar  në vitin 1940, me një gjatësi prej 700 km, thellësi  10-15 km, ishin ndërtuar rreth 5520 qendra zjarri. Në muajt maj-qershor 1940, trupat gjermane mësynë përballë vijës “Mazhino” me Gruparmatën “C”, por pa sukses. Vetëm kur forcat gjermane e shpërthyen mbrojtjen franceze në krahun e majtë të saj, pra kur dolën në shpinë të vijës së fortifikuar, atëherë mundën ta kapnin atë vijë.

Këto fortifikime janë marrë parasysh në fortifikimin e vendit tonë në komunizëm?

Këto përvoja, fitoreje dhe dështimi,  janë mbajtur parasysh  edhe në mbrojtjen tonë, duke i dhënë thellësi të madhe fortifikimit, që kundërshtari të mos ketë hapësira, për të dalë në shpinë, qoftë edhe me përdorimin e desantit ajror. Fortifikimi u ndërtua me breza të njëpasnjëshëm, pa lënë hapësira bosh, për të thyer sulmet e kundërshtarit që në vijën e parë të kufirit shtetëror të Shqipërisë, e gjatë gjithë thellësisë së vendit. Edhe në rast se mësymësi, si rezultat i epërsisë së madhe në forca dhe mjete, do të mund të pykëzohej në rajone ose breza të caktuar, kundërsulmet dhe kundërgoditjet tona do të fillonin nga baza të nisjes dhe vijat e sulmit të fortifikuara, përgjatë gjithë pykëzimit, deri në asgjësimin e plotë të armikut.    Rajonet dhe vijat e fortifikuara, për të kryer funksionin e tyre mbrojtës, ishin bërë në përshtatshmëri me terrenin, me vështirësitë e tij për t’u kapërcyer, të kombinuar me pengesa të ndryshme xheniere.  Kjo ndërthurje ka shumë rëndësi.

Në vijën “Zig-Frid”, më 9 shkurt 1945, gjermanët, duke hedhur në erë digat mbi lumin Rur, mundën të ngadalësonin mësymjen e forcave anglo-amerikane dhe si pasojë, mësymja vijoi vetëm pasi ra niveli i ujit, më 23 shkurt. Vija “Borljev”, që u ndërtua nga izraelitët, në tokat arabe të pushtuara, në luftën e vitit 1967, përgjatë kanalit të Suezit, përveç 36 qendrave të zjarrit, në ndërhapësirat e tyre ishin ndërtuar barriera prej rëre, mbi të cilat ishin 300 pozicione zjarri për tanket, 100 metra larg njëri-tjetrit. Për të rritur qëndrueshmërinë e mbrojtjes, çdo qendër zjarri e fortifikuar ishte rrethuar me tela me gjemba dhe fusha të minuara, që shtriheshin në 200 m thellësi.

Pjesa më e madhe e qendrave të zjarrit ishin pajisur me depozita me lëndë djegëse, e cila me anën e tubacioneve, dërgohej në kanalin e madh të Suezit, ku elektrikisht ndizej lënda djegëse duke krijuar flakë të madhe gjatë gjithë kanalit, me temperaturë deri në 700 gradë Celsius. Kështu, barriera me rërë, me 36 qendrat e zjarrit të fortifikuara, mundën të thyenin sulmin e 36 batalioneve të këmbësorisë, të përforcuara me artileri dhe tanke.

Muri i Madh Kinez, filloi të ndërtohej nga perandori i Kinës në vitin 220 p.e.s. dhe përfundoi në vitin 206 p.e.s. Ai funksionoi si një fortifikatë gjigante mbrojtëse, në verilindje të Kinës, për të ndaluar dyndjet barbare nga ai drejtim. Fortifikata u ndërthur me barriera dhe pengesa natyrore malore të pakalueshme. Gjatësia e fortifikatës mur, arrinte 6859 km e 600 m, pa pjesët e pakalueshme natyrale, ndërsa bashkë me to shkonte deri rreth 9000 km gjatësi.

Të vendosura në drejtimet më të rëndësishme operative-strategjike të vendit, këto rajone e vija  fortifikuese ishin caktuar për të plotësuar detyra të shkallës strategjike të karakterit mbrojtës. Në të njëjtën kohë ato shërbyen edhe si bazë nisjeje për mësymje, siç ishin vijat “Manrehejem”, “Zig-Frid” etj. Në vijën e fortifikuar “Mazhino”, ku objektet më të fuqishme mbrojtëse ishin vendosur ndërmjet lumenjve Shjer dhe Hejn, ku ndodhej sektori më i fortifikuar i Seoreas, i cili përveç qendrave të zjarrit, kishte edhe një sistem të gjerë pengesash të përmbytjeve me ujë me përmasa 30×50 km, baras me 1500 km2, që ndikoi dukshëm në frytshmërinë e qëndrueshmërisë së mbrojtjes dhe në pamundësinë e mësymësit për të vepruar nga ai drejtim.

Prirja kryesore e teknologjisë dhe e vendosjes së objekteve të fortifikuara ka qenë dhe mbetet përmirësimi i pandërprerë i cilësisë dhe i uljes sa më rrafsh me tokën i frëngjisë së qendrës së zjarrit, për ta bërë atë sa më pak të zbulueshme dhe të goditshme nga zjarri i armëve të kundërshtarit.

Sa ishte trashësia e betonit në këto fortifikime?

Kështu, trashësia  e betonit dhe e hekurbetonit arrinte nga dhjetëra cm deri 3 m, ndërsa ajo e blindit deri në 40 cm e më shumë. Megjithëkëto, forcat mësymëse, duke u shmangur sulmit përballë dhe duke gjetur drejtimet më të dobëta për të dalë në krah dhe në shpinë të rajoneve e vijave të fortifikuara, kanë mundur, pavarësisht nga humbjet, t’i shpërthejnë këto vija.

Mbrojtja e fortifikuar e ka detyruar mësymësin të ndërtojë formacione luftarake me më shumë se dy skalione, për të pasur një furnizim të pandërprerë të frontit me forca të freskëta. Kështu vepruan forcat sovjetike për shpërthimin e vijës së fortifikuar “Manrehejem”, ku forcat u pozicionuan në 3-4 skalione. Të njëjtin skalionim përdorën edhe forcat gjermane në vijën “Mazhino”, si dhe forcat anglo-amerikane kundër gjermanëve, në mësymjen për shpërthimin e vijës “Zig-Frid”. Pra, kjo përvojë kthehet në një veçori të domosdoshme, që ka të bëjë me karakterin e qëndrueshmërisë së mbrojtjes së fortifikuar. Përvoja e zhvillimit të luftimit në këto rajone e vija të fortifikuara ka shtruar kërkesën për një përqendrim sa më të madh të forcave dhe mjeteve, për të mundësuar shpërthimin e mbrojtjes së fortifikuar.

Mënyra taktike e veprimit të forcave mësymëse me grupe e detashmente sulmi të njëpasnjëshme, grupe të mbështetjes me zjarr dhe të shkatërrimit, ka dhënë rezultate të mira.

Me gjithë përqëndrimin e madh të forcave, skalionimin e thellë të tyre dhe përgatitjen në pikëpamje taktike, ritmet e mësymjes në marrjen e rajoneve të fortifikuara, kanë qenë disa herë më të ulëta se ato që janë arritur gjatë mësymjes në rajonet e pafortifikuara. Kështu, në luftimet e zhvilluara kundër vijës “Manrehejem”, ritmi i mësymjes ishte 2,2  km në ditë, megjithë përdorimin masiv të njësive tankiste. Këtë ngadalësim të ritmit të mësymjes e dikton fortifikimi, qëndrueshmëria dhe organizimi i mbrojtjes brenda tij.

Po raporti i forcave për të shpërthyer këto vija sa duhej të ishte? 

Përvoja e luftërave të kaluara, veçanërisht e Luftës së Dytë Botërore, tregon se për të shpërthyer mbrojtjen e fortifikuar, raporti i forcave dhe mjeteve kanë qenë shumë më të mëdha se në luftimin mësymës ndaj mbrojtjes në terrene të pafortifikuara. Në vijën “Zig-Frid”, në shkurt të vitit 1945, në një sulm të ndërmarrë nga anglo-amerikanët, në frontin prej 400 km u përqendruan 7.1 divizione, 30.000 topa e mortaja, 6500 tanke, 11000 aeroplanë, duke krijuar një raport forcash 3:1. Megjithë këtë epërsi, mësymja dështoi. Po në këtë vijë, në drejtimin Oder-Najse, në prill të vitit 1945, raporti i forcave arriti 10:1 në të mirë të mësymësit, gjerësia  e frontit të vijës së fortifikuar ishte vetëm 1-1,5 km, edhe këtu humbjet ishin të mëdha për mësymësin.

Luftimet në rajonet dhe vijat e fortifikuara tregojnë se kohëzgjatja e veprimeve për t’i shpërthyer ato është më e gjatë. Kështu, përpara vijave: Mazhino”, “Zig-Frid” dhe “Manrehejem”, luftimet zgjatnin disa muaj e sukseset ishin të vogla, ndërsa humbjet të mëdha.

Këtu, në Ballkan, u ndërtua vija e fortifikuar “Metaksa”, nga gjermanët në kufirin greko-bullgar, për të thyer sulmet e forcave që përparonin nga ai krah.

Edhe në vendin tonë, në luftërat e kaluara, kemi patur punime fortifikuese dhe vija mbrojtjeje me punime fushore  me profil të plot, në të cilat janë zhvilluar veprime luftarake. Kështu është vija e ndërtuar nga ushtria italiane në vitin 1920 në Vlorë. Ajo shtrihej nga Ura e Mifolit-Skrofotinë-Panaja-qafa e Topit-qafa e Koçiut-Kaninë. Kjo vijë përbënte mbrojtjen e jashtme të fortifikuar të qytetit. Vija përbëhej nga pozicione zjarri dhe strehime të betonuara, të kombinuara me pengesa xheniere. Ajo mbështetej me zjarr nga artileria e rëndë e vendosur në kodrat e  Portonovës (Triport) nga pozicione zjarri të fortifikuara.

Po kështu është dhe vija e ndërtuar nga ushtria italiane në luftën italo-greke që shtrihej nga qafa e Kiçokut – tri kodrat dominuese, dhe  përgjatë kurrizist të vargut malor. Edhe pse nuk ishte e ndërtuar me objekte betonarme, por me punime fushore, me profil të plotë, mundi të thyente me sukses mësymjen e forcave greke që vepruan në atë drejtim..

Këto veçori të luftimit në rajone e vija të fortifikuara tregojnë se të gjithë parametrat e mësymjes kundër mbrojtjes së fortifikuar zvogëlohen së tepërmi. Ajo përvojë, me vlerat e saj historike, i shërbeu mbrojtjes sonë të fortifikuar në atë kohë, sepse fortifikimi ynë përbëhej jo nga disa rajone ose një vijë  e fortifikuar, por breza të tërë, që nga vija e kufirit e në thellësi. Sipas drejtimeve, shkallëzohej valë-valë, i ndërthurur me pengesa xheniere dhe vende të pakalueshme, të shtrira në thellësi dhe në të katër drejtimet, si nga veriu, jugu, perëndimi e lindja; duke mbuluar çdo hapësirë. Edhe në ato rajone, që parashikohej hedhja e desantit ajror nga kundërshtarët, fortifikimi i mbulonte në mënyrë rrethore, duke vendosur objektet në sistemet kodrinore dhe malore.

 

CILËSITË

Të veçantat e fortifikimit shqiptar

“Fortifikimi në vendin tonë u bë duke mbajtur parasysh zhvillimet e luftës në kohën e sotme; konceptet e doktrinave të kohës, përsosjen e armatimit e të teknikës luftarake, përdorimin masiv të operacioneve aerodesante etj. Ai nuk mund ta kryente detyrën e vet duke ndërtuar disa fortifikata, siç ishte vepruar nga grupi i ushtarakëve të lartë me Beqir Ballukun në krye. Duhej ndërtuar në mënyrë shkencore, me koncepte të drejta taktike, operative dhe strategjike, mbështetur në ligjet, parimet dhe rregullat e Artit tonë Ushtarak të luftës popullore, siç u realizua. Ne, si vend me popullsi të vogël, me ushtri të kufizuar në numër, por me armiq që kanë qenë gjithnjë më të mëdhenj, na është dashur të mbrohemi duke shfrytëzuar terrenin malor dhe fortifikimin. Që në kohën e Skënderbeut e të Gjergj Bastës, e më vonë të Ali Pashë Tepelenës, në luftrat me perandorinë Osmane, është shfrytëzuar e përdorur me efektivitet fortifikimi. Këta strategë ushtarakë dhe udhëheqës të mëdhenj, duke studiuar dhe njohur mirë taktikat e kundërshtarëve në fushën e luftës, ndërtuan shumë kështjella, objekte vrojtimi dhe prita shkëmbore në ngushticat e maleve dhe nëpër rrugëkalimet nga pritej afrimi i armikut. Edhe atëherë këto fortifikime kërkonin vlera material e monetare dhe fuqi të mëdha njerëzore, për ndërtimin e tyre dhe zinin një sipërfaqe të konsiderueshme të terrenit. Pati prej këtyre objekteve që nuk u përdorën në luftë, por brezat pasues, edhe pse ato nuk i shërbenin drejtpërdrejt mbrojtjes së vendit, nuk i prishën dhe nuk i shkatërruan, por i ruajtën dhe i mirëmbajtën deri sot në ditët tona. Ato i shërbejnë edukimit të shoqërisë me vlerat historike, arkitekturore dhe turistike. Objektet e lashta fortifikuese në vendin tonë, sot ruhen dhe mirëmbahen për vlerat e tyre. E kundërta ndodh me objektet fortifikuese që u ndërtuan në sistemin që kaloi. Megjithëse ato ende i shërbejnë mbrojtjes së vendit, po dëmtohen e shkatërrohen. Këtë fat do të kishin pasur edhe objektet e lashtësisë, që i përkasin rendit skllavopronar, feudal e rendeve vijuese, nëse brezat që erdhën më pas, nuk do t’i ruanin e mirëmbanin. Por, prej këtyre brezave, është mbajtur një qëndrim vlerësues, duke i parë nga pikëpamja historike, ushtarake dhe kulturore të kohës, pa i lidhur me qëllimet politike e ideologjike, dhe rendet ekonomiko-shoqërore që kanë ekzistuar. Të gjithë shembujt që sjell historia nëpërmjet literaturës së shkruar për fortifikimet e ndryshme që ekzistojnë, kanë të përbashkët faktin se  ato janë ndërtuar me kohë, për ta pasur mbrojtjen e vendit të sigurt, pavarësisht se kur do të zhvillohej lufta. Ajo mund të mos zhvillohej fare, siç ndodhi te ne”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :