Data : 16 10 2018
KryeTitujt :

Hekuran Halili- Nga cikli poetik-Vjeshtë

 

Hekuran Halili- Nga cikli poetik-Vjeshtë

 

Kur bie

(Nga cikli poetik-Vjeshtë)

hekuran

 

 

 

 

 

Kur bie një gjethe peme,

Gjoksi më bëhet erëvjeshtë…

Kur bie një pikë lotmalli,

Ka nisë shiu i vjeshtës….

Kur bie një dashuri si shkrepëtimë rrufeje,

Dy shpirtra njerëzish kanë vdekur… …

Asgjë mos më rëntë…

 

Ëndërr e bukur
(Nga cikli poetik- Vjeshtë)

Nesër jemi për udhë,do kthehemi në Çamëri,
Dëgjova babanë t’i thoshte Nusë1,
Ndërsa rrufte kafenë ulur në shkallë.

Koha është e mirë, vjeshtë e parë,
Ditë me diell që s’djeg , e nata farfuri,
Kohë udhëtimesh.

Nuja brofi nga krevati ku lëngonte prej kohësh,
U bë vajzë e s’priti fjalë të dytë,
Çelsat e shtëpisë që s’i kish heqë kurrë nga brezi,
Me vaj ulliri Lopsi nis t’i fshijë.
Hapi sepeten njëqindvjeçare bërë në Janinë,
Nxorri andej kostemet e martesës e u veshën ,
Për udhën e kthimit.

Tringëllima e çelsave më zgjoi…

Ëndërr e bukur, psherëtiva.
Më çmalle me prindërit ikur prej kohe nga kjo botë,
Dhe më tregove ,
Se të gjithë shpirtrat e të ikurve të fisit tim,
Kthehen në shtëpitë e tyre stërgjyshore.

Shpirtrat s’njohin shtete e kufinj,bëhen ëngjëj,
Dhe na mbajnë në flatra shpresën e kthimit,
Na mbajnë në këmbë muret e çatitë e shtëpive tona,
Në trojet pellazgjike,të bukura hata,
Që s’njohin vjetërim, e në gjunjë s’bien.

Ëndërra e bukur e këtij mëngjesi vjeshtor,
Më hapi portën e kësaj dite,
Me re të bardha e të zeza trazuar,
Që çuditërisht ,si karvan mushkash
Ngarkuar me ëndrrën time,
Udhën për në Çamëri kanë marrë,
Për kapistalli tërhequr nga Nuja e Babai im…

1- Nuja- në dialektin çam -Nëna

 

Shiu i vjeshtës
(Nga cikli poetik-Vjeshtë)

Ky shiu i vjeshtës ,
zënë me ngrohtësi zemrash,
me psherëtima shpirtrash,
me meraqe njerëzish,
kur bie ,
më ngjan si lot dëshirash,
si lot nënash,
si loti motrës,
më ngjan,
si shpresë që ushqen ,
gjithë dashuritë e Botës…

Ah ky shiu i vjeshtës,
shiu i vjeshtës,
mesazh dashurie,
mes nesh,
mes qiellit e tokës.

Ky shiu i vjeshtës ,
shiu i vjeshtës…

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :