Data : 20 07 2018
KryeTitujt :

Gazeta që i mbijetoi pushtimit osman, mbyllet në demokraci

Gazeta që i mbijetoi pushtimit osman, mbyllet në demokraci

drita

Nga Albert ZHOLI /

Gazeta e para gazetë në shqip ‘Drita” mbushi 135- vjet, por ka 10- vjet në harresë

Më 14 Janar 2018, gazeta e famshme “Drita” mbushi 130 vjetorin e lindjes por edhe 5-vjetorin e mbylljes. Gazeta që ka bërë epope në gjithë historinë e letrave shqipe, tashmë nuk gjendet në tregun e gazetave. Ishte ajo fidanishtja e parë e gazetarisë shqiptare. Ishte ajo që mbolli erën e re të gazetarisë së shkruar shqiptare, ishte ajo që u bë zëdhënësja më e mirë, e gjuhës, e shpirtit luftarak për pavarsi, ishte ajo që mësoi dhe shkruajti historinë shqiptare në vitet më të errëta të pushtimit, dhe tani që do të ishte në kulmin e lulëzimit, në kulmin e preferencave dhe të mbështetjes financiare, është lënë në harresë totale , madje i ka humbur çdo gjurmë. Pra më 14 Janar në vend që ajo të propogandohej si pionierja e gazetarëisë shqiptare, pionerja e botimeve të krijuesve shqiptarë, në këtë 130-vjetor, ajo u anashkalua, u la në harresë, u nënvleftësua në mënyrën më makabre, aq sa askush nga shkrimatrët, poetët, krijuesit, historianët, politikanët, as që u kujtuan. Pra sot s’mund të themi më për gazetën “Drita” asgjë, veçse të ngushëllohemi me fjalën “Na ishte dikur”.

Po, “Na ishte dikur”.

Na ishte një gazetë që si vet emri i saj jepte dritë kudo që shkonte, kudo që lexohej, kudo që interpretohej. Ishte ajo gazetë që me emrin e saj, me artikujt e saj, i bashkoi shqiptarët, u dha dritën e duhur të gjithë patriotëve në luftën kundër otomanëve, por dhe gjatë pushtimit grek në vitin 1912. Historia e saj është histori lufte, histori gjaku, histori e lavdishme, si e asnjë gazete tjetër e shtypit shqiptar në të gjithë historinë e zhvillimeve të saj. Nuk ka njohur historia e gazetarisë shqiptare, organ më profesional, më atdhetar, më mbështetës të komunitetit të krijuesve, më racional dhe koherent. Historia e kësaj gazete është vetë historia e gazetarisë profesioniste shqiptare. Pa këtë gazetë, historia e gazetarisë së shkruar shqiptare nuk mund të quhet histori. Dhe çudia këtu ngjet, që ne jemi treguar indiferent, mosmirënjohës, mohues, ndaj gazetës emblemë të gazetarisë shqiptare. Ky është një turp. Në radhë të parë i klasës politike shqiptare, që harxhon me miliona dollarë në fushta elektorale dhe nuk kujtohet të investojë pesë lek për Emblemën e gazetarisë shqiptare, gazetën “Drita”, por edhe e vetë shkrimtarëve shqiptarë që janë rritur për me këtë organ, kanë hedhur hapat e parë të krijimtarisë aty, dhe tashmë as kujtohen për “nënën” e tyre që i bëri me emër në krijimtari..

Historia

Titulli “Drita” u përdor për herë të parë në një gazetë të drejtuar nga Petro Poga në Stamboll. Numri i saj i parë doli më 14 janar 1883. Ajo nisi si një gazetë që do të nxiste zgjimin e idealeve kombëtare, në një kohë që, siç shkruante Poga, shqiptarët pothuaj e kishin harruar kombësinë duke u dhënë më tepër rendësi përkatësive fetare. Duke u përçarë e duke krijuar ide të gabuara se një fe i përkiste një shteti, e feja tjetër, një shteti tjetër, e po kështu dhe besimtarët përkatës. Dhe “Drita” arriti të zgjonte vërtetë ideale kombëtare. Tek populli shqiptar. Arriti të binte shqiptarët se fetë edhe mund ta përçanin e ta dobësonin kombin ashtu si mund ta dobësonin edhe ndërhyrja me gjuhë të huaja e me kultura të huaja. “Drita” ndikoi që të forcohej kultura, të hidheshin hapat e para për formimin e një gjuhe standarde etj. Drita u ndalua në 20 Nëntor të 1884 nën kallëzimin e Dervish pashait veliut të Shkodrës, i cili jo vetëm që shkaktoi mbylljen e gazetës por edhe internimin e një pjese të mirë të bashkëpunëtorëve të saj dhe vrasjen e 15 prej tyre. Në vazhdën e këtyre veprimeve që ndërmori Stambolli kundra shqiptarëve ishte dhe shkatërrimi i komitetit kombëtar që ishte formuar në Stamboll. Aktiviteti i përparimit të gjuhësisë u transferua në Rumani. Gazeta “Drita” nuk u botua për një kohë të gjatë, deri kur Shahi Bej Kolonja mori përsipër botimin e saj në Sofje të Bullgarisë. Por edhe ky botim nuk vazhdoi gjatë si pasojë e trysnisë turke e si pasojë e përçarjes midis shqiptarëve që punonin për të. Gjatë kësaj periudhe në Gjirokastër themeluesi i gazetës “Drita”, Z. Poga krijon klubin me emrin “Drita”. Ky klub kishte si objektiv përparimin e gjuhësisë si pjesë e zhvillimit kombëtar. Për të arritur këtë objektiv klubi hapi dhe një shkollë shqipe me errin “Drita”. Por as ky klub e as kjo shkollë nuk e pati të gjatë si pasojë e pushtimit grek. Kryesia e klubit dhe shumë anëtarë u internuan në ishullin Ithaqi. Petri Poga dhe Mufit Bej Libohova shpëtuan vetëm sepse ishin dërguar si delegatë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë. “Drita” u botua sërish për të tretën herë në vitin 1922 në Gjirokastër dhe kësaj herë sërish nën drejtimin e Petro Pogës. Ajo vazhdoi të botohej deri në vitin 1923 e më pas u mbyll sërish si pasojë e përplasjes së drejtuesve të saj me lëvizjen e Fan Nolit. Për të katërtën herë “Drita” rilind në kryeqytetin e Shqipërisë nën Drejtimin e Zoi Xoxa i cili sërish e drejton gazetën në kahun e zhvillimit gjuhësor e kombëtar. Gazeta mbyllet sërish gjatë pushtimeve fashiste e naziste të Shqipërisë për të ri-dalë shumë kohë më pas. Mbas Luftës së Dytë Botërore. Mbas Luftës së Dytë Botërore”Drita” u bë organ i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqipërisë. “Drita” vazhdoi të botohej si organ i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve të Shqipërisë deri në vititn 2008. Ajo u mbyll sërish si pasojë e kontradiktave të kryesisë së “Lidhjes”. Si në agoni botohen edhe disa numra nën drejtimin e “Unionit të shkrimtarëve Shqiptarë” dhe sërish mbyllet. Për të fundit herë gazeta “Drita” rishfaqet si organ i “Shoqërisë së Artistëve të Rinj Modern”. Ajo ndryshon formë dhe rimerr si në pamje ashtu dhe në përmbajtje trajtën që ka pasur në kohën e ideatorëve të saj të vërtetë.

Apel

Dalja në dritë e gazetës “Drita” është një detyrim jo vetëm i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, por në radhë të parë e çdo qeverie shqiptare. Ajo ka ekzistuar në vitet e territ të plotë të mosegzistencës së shtetit shqiptar, madje shumë vite përpara shpalljes së Pavarsisë, ndaj për rolin e saj historik ajo duhet të shohë sërishmi dritën e botimit. Shumë shkrimtarë dhe peotë shqiptarë, që për çdo ditë lakohen nga mediat për të marrë çmime të ndryshme letrare, në radhë të parë duhet të ngrenë zërin e protestës ndaj mbylljes së këtij organi. Askujt nuk i falet mosdalja në treg e “Dritës”. Historia e saj përbën një rast unik në gazetarinë shqiptare. Kudo në botë, gazetat më të vjetra, jo vetëm që janë më të fuqishmet, më të kërkuarat, më profesionistet, por mbrohen nga shteti si vlerat kulturore më unike, që koha sa më shumë ecën para aq më shumë i lartëson. Dalja në dritë e “Dritës” është një apel për çdo krijues, për çdo qeveri e djathtë apo e majtë, për çdo politikan, për çdo biznesmen, për çdo atdhetar apo intelektualë. Errësimi apo heshtja ndaj saj, është një boshllëk i madh ndaj historisë shqiptare, ndaj letrave shqipe, ndaj artit dhe kulturës shqipe. Dikur nën sundimin otoman, sigurisht kjo gazetë flamurtare e ndriçimit të mendjeve shqiptare për pavarësi do të luftohej, po sot në demokraci nga kush luftohet kjo gazetë?! Kush nuk e do botimin e gazetës “Drita” në demokraci?!

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :