Data : 24 09 2018
KryeTitujt :

-FORUM/ Fitore historike, gjuha shqipe merr dritën jeshile, miratohet projektligji në Maqedoni

 

-Flasin, Përparim Kabo, Elmaz Sherifi, Marko Bello, Agim Hushi, Bardhosh Gaçe, Ilir Yzeiri, Ferdinand Hysi

mmm12

Albert Z. ZHOLI

Qeveria në Shkup ka miratuar më në fund projektligjin për përdorimin e gjuhëve, ligji shumë i debatuar dhe i kërkuar me forcë nga partitë shqiptare në Maqedoni. Në projektligj, i cili tashmë pritet t’i kaloi Kuvendit për diskutime në muajin shtator, parashikohet se veç gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare është dhe shqipja dhe alfabeti i saj. Tashmë veç kalimin në Kuvend, pritet dhe rekomandimi që do të vijë nga Komisioni i Venecias. Ligji për përdorimin e gjuhëve tashmë i miratuar në Kuvendin e Maqedonisë parashikon avancimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike që përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në Maqedoni. Përdorimi i saj siç thuhet në nenin 1 pika 2, rregullohet në pajtueshmëri me ligjin.

LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE

Neni 1

(1) Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.

(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuhë shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabet i saj, në përputhshmëri me ketë ligj.

(3) Në të gjitha organet të pushtetit qendror, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare përskaj gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj. Ligji i miratuar parasheh që në institucione të nivelit qendror si në Kuvend, Qeveri, organet e pushtetit gjyqësor dhe institucione tjera, si në të folur ashtu edhe në të shkruar të përdoret edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Sipas ligjit në mbledhjet e qeverisë gjuhë zyrtare përskaj maqedonishtes do të jetë edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë. Edhe këtu parashihet që në rast se me seancat udhëheq ndonjë anëtar i saj që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, këtë të mund ta bëjë në gjuhën që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë. Të gjitha vendimet e mbledhjeve të qeverisë, stenogramet dhe aktet tjera do të publikohen në dy gjuhë.

 

Prof. Përparim Kabo: Një fitore historike disi e vonuar

 

Një fitore historike disi e vonuar, por ja që në histori durimi dhe mos heqja dore nga kauza thelbësore më në fund gjejnë triumfin. Nuk është çështje thjesht shqiptare, është më shumë sepse risjell qetësinë dhe mirëkuptimin mes dy kombeve shtetformues shqiptarëve dhe maqedonëve si dhe lejon shtetin e Maqedonisë të udhëtojë drejt detyrimeve që lidhen me integrimin europian dhe anëtarësimin në NATO. Për faktorin shqiptar i rikthen në mënyrë institucionale një të drejtë legjitime, siç është gjuha kombëtare si elementi bazë dhe i patjetërsueshëm i identitetit. Është një shenjë emancipimi për klasën politike të Maqedonisë por edhe një mbështetje për trajtimin korrekt si të kuptimeve dhe keqkuptimeve historike qofshin këto gjeopolitike qofshin edhe nacional shovene. Bashkëjetesa mori një mbështetje solide…dhe faktori shqiptar në këtë vend me ekuilibra të brishta një të drejte të mohuar që turpëronte jo vetëm Maqedoninë por dhe më gjerë…Rruga është e hapur përgjegjësitë shtohen. Pas 110 vitesh nga Kongresi Manastirit të vitit 1908-ku u caktuan germat latine për gjuhën shqipe… fitorja u realizua..Gjuha shqipe një nga dy gjuhët zyrtare në Republikën e Maqedonisë…Nuk mund të mohohej kjo e drejtë kushtetuese njerëzore dhe historike. Shqiptarët jetojnë në trevat e tyre historike që mbetën në shtetin Maqedon si një shtet shumëkombësh. Në këtë ditë historike i dërgoj në qiell lajm Arbën Xhaferit…Mentori ynë: U realizua !Qetohu atje lart në kupaqiell…!

 

Elmaz Sherifi- Pedagog: Një e drejte qe buron nga roli qe kane shqiptaret si entitet shtet formues

Miratimi nga parlamenti i Maqedonisë i gjuhës shqipe, si gjuhe zyrtare është një ngjarje e madhe historike për shqiptaret qe banojnë ne Maqedoni. Vendimi nuk duhet konsideruar një “dhurate”, por fitimi i një te drejte qe buron nga roli qe kane shqiptaret si entitet shtet formues. Merite për arritjen historike kane partitë politike shqiptare dhe mendësia e përparuar ne këtë rast e lidershipit te partisë ne pushtet dhe veçanërisht e kryeministrit Zaiev. Miratimi i ligjit evidentoi edhe forcat me konservatore e ultranacionsliste te udhëhequra nga Gruevskit, te cilat ecnin ne te njëjtën rruge te forcave me reaksionare te Perandorisë Osmane tw cilat nuk lejonin hapjen e shkollave shqipe, dhe shovinizmi Gruevskian nuk pranonte një realitet historik e institucional kur shqiptaret janë nacionaliteti i dyte ne Maqedoni. Është koha e shqiptareve. Sepse edhe ndihmës sekretari i shtetit i SHBA z.Mitchel i dha ultimatum presidentit te Serbise Vuciç qw tw njoh Kosovën dhe i bwri tw ditur se Kosova si shtet sovran do tw krijoj edhe ushtrinë e vet…

 

Marko Bello: Ky vendim është fryt i përpjekjeve dhe sakrificave te shqiptareve

 

Bashkoj zërin tim me të gjithë ata që kanë përshëndetur vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare krahas asaj maqedonase. Ky vendim është fryt i përpjekjeve dhe sakrificave të shqiptarëve që jetojnë në trevat e tyre në shtetin Maqedon. Me gjithë pengesat ndër vite dhe qëndrimet refraktare nga qarqet nacionaliste sllavo-maqedonase, shqiptarët nuk u dekurajuan asnjëherë derisa më në fund ia dolën të garantojnë gjuhën e tyre amtare si gjuhë e pranuar zyrtarisht. Është një dite e madhe për të gjithë shqiptarët, te cilët më shumë se gjithçka i bashkon gjuha dhe flamuri.

 

Ferdinda Hysi-dramaturg: Një njohje që historia ua kishte munguar padrejtësisht

 

Sinqerisht një gjë që kushdo që e ndjen veten shqiptar në shpirt dhe zemër, jo thjesht për origjinë e quan këtë një arritje të madhe. Unë kam patur fatin të ve një dramë në Shkup para disa viteve dhe e kam ndjerë shumë këtë, mungesën e njohjes zyrtare të gjuhës shqipe si një gjuhë të njohur dhe nga Institucionet zyrtare në Maqedoni. Jo thjesht si një njohje të një të drejte të mohuar nga historia, por dhe në fusha të komunikimit, apo studimit si dhe në fushën tonë të artit dhe kulturës. Kam bindjen se do sjellë shumë afinitet dhe njohje të vlerave ndër shtetërorë. Natyrisht në radhë të parë kjo është për shqiptaret e Maqedonisë, që përfundimisht njeh dhe në formë zyrtare praninë e një popullsie që përbën një përqindje mëse të konsiderueshme në atë shtet. Për mua është një arritje në radhë të parë politike, por dhe me sjellje të cilat në shumë fusha të jetës për kombin tonë,pavarësisht kufijve ku historia ja ka detyruar të jetojnë.

 

 

Agim Hushi-“Mjeshtër i Madh”: Një meritë e politikës largpamëse të shqiptarëve të Maqedonisë

Padyshim si shqiptar mendoj se ky votim është së pari një meritë e politikës së shqiptarëve të Maqedonisë si komunitet shtet formues. Megjithatë fakti i 69 votave të plota, pa asnjë abstenim apo kundër, megjithëse parlamentarët opozitare VMRO-DPMNE abandonuan votimin gjithsesi tregoi se pushteti i Maqedonisë së sotme është në duart e një pushteti modern dhe të përgjegjshëm! Fobitë e nacionalizmit ballkanik janë bërë demode për një Europe të re që e sheh folklorin ballkanik si të dalë mode dhe që nuk i shërben kauzës euroatlantike dhe që kanë shërbyer vetëm si mollë sherri. Por tashme është në provë faktori politik shqiptar jo vetëm në Maqedoni për ti shërbyer kësaj fryme të re politike bashkëpunuese dhe bashkëvepruese me konstruktivitet dhe luajalizëm por dhe ata kosovarë sidomos me propozimin e fundit për demarkacionin dhe bashkëpunimin me regjimin e Beogradit! Ndërkohë që faktor i Ballkanit konsiderohet dhe vetingu dhe stabiliteti politik i Tiranës sidomos me shtetin e të drejtës dhe së fundmi edhe në negociatat me Greqinë! Një kohë e re dhe sprove për shqiptaret e të gjitha trevave të Ballkanit mendoj unë! Dhe padyshim një fitore e çështjes së madhe shqiptare!

 

Prof. Bardhosh Gaçe: Ishte amaneti i të parëve që u mblodhën në Manastir që sot i përket Maqedonisë

 

Një rrugë e gjatë, por një fitore e madhe. Një ëndërr e madhe për një të drejtë të pakontestueshme. Ishte amaneti i të parëve, ishte amaneti i atyre që u mblodhën në Manastir për një ditë historike. Kongresi i  Manastirit u mblodh konkretisht në territoret shqiptare që sot i përkasin Maqedonisë. Pra më shumë se të gjithëve u takonte shqiptarëve të Maqedonisë ta kishin zyrtare gjuhën e tyre në këtë shtet pasi aty u hodhën themelet e gjuhës moderne shqiptare. Historia ka folur me gjuhën e zemrës për këtë histori që koha e ngre në piedestal. Të gjithë e dimë se Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe  është tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor  deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit  për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në vëmendje të historianëve por edhe të krijuesve, na çon në ato kohë kur, gjendja gjatë zhvillimit te letërsisë shqipe tregonte se ishin hartuar disa alfabete të ndryshme, ku një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Por në këtë Kongres u tregua se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes dhe bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar, të një alfabeti të njësuar i cili do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Kjo ishte arsyeja dhe përgjegjësia e dijetarëve shqiptarë të asaj kohe që  më 14 nëntor 1908 të thërrasin në Manastir Kongresin e Manastirit ose Kongresi i Alfabetit. Kongresi më historik në historinë e kombit shqiptar. Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit, sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që do nënkuptonte mosnënshtrim, qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja i cili përdoret deri më ditët tona. Këtë alfabet fituan shqiptarët e Maqedonisë që ta përdorin dhe zyrtarisht në shtetin Maqedon. Një fitore mes tallazeve të kohës por që së fundi hapi dritaren e fitores së shumë pritur aty në vendin ku lulëzoi alfabeti i bukur modern shqiptar.

 

Ilir Yzeiri-pedagog

Vendimi që mori dje Parlamenti i Maqedonisë për të njohur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, krahas maqedonishtes, është një ngjarje për shqiptarët e Maqedonisë, për shqiptarët në Ballkan dhe për vetë Maqedoninë, gjithashtu. Me këtë hap, më në fund, vihet në vend një nga vendimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe Maqedonia jep shpresë se po kërkon të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me shqiptarët. Shqiptarët tani duhet të tregohen të kujdesshëm dhe shumë të vëmendshëm që të shmangin tensionet me frymëzim nacionalist dhe provokimet që mund të vijnë nga radikalët maqedonas që frymëzohen, siç e pamë të gjithë, edhe nga ish-kryeministri Gruevski. Politikanët shqiptarë kanë arritur një fitore të ndjeshme dhe tani ata duhet të tregohen të matur dhe të bashkuar në mënyrë që ky vendim i Parlamentit të bëhet ligj dhe të zbatohet e të vihet në jetë. Parë në një vështrim më të gjerë, ky vendim i Parlamentit të Maqedonisë i ka dhënë edhe një pamje tjetër Ballkanit Perëndimor dhe na shtyn të besojmë se në këtë zonë të trazuar, mesa duket edhe me nxitjen dhe mbështetjen e e faktorëve euroatlantikë dhe të SHBA-ve kryesisht, ky rajon po priret drejt ndërtimit të shtetit të së drejtës, duke kapërcyer traditën e mbrapshtë të shtetit shovinist dhe nacionalist. Nga ana tjetër, kjo është një fitore e madhe për shqiptarët në Maqedoni sepse më në fund ata do të ndjehen si të barabartë në hapësirën e një shtetit që deri para se të miratohej ky ligj, i trajtonte shqiptarët si një pakicë që duhej shtypur e duhej përjashtuar nga jeta politike dhe organizimi shtetëror i atij vendi. Shqiptarët janë një popullsi autoktone në Maqedoni. Të gjithë e dimë historinë e copëtimit të trojeve shqiptare pas rënies së Perandorisë Otomane. Mirëpo sot shqiptarët, aty ku janë, qoftë në Maqedoni apo qoftë në Mal të Zi, pra në kufijtë e shteteve të tjerë, po afirmohen jo vetëm si entitete kulturore-etnike, por edhe si entitete etniko – politike. Nga kjo pikëpamje rritja e peshës politike të shqiptarëve në Ballkan duhet parë si një shenjë e rifitimit të vitalitetit të humbur. Por, nga ana tjetër, duhet bërë shumë kujdes që liderët shqiptarë kudo qofshin ata në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi duhet të sillen si europianë dhe jo si turkoshakë orientalë. Ata duhet të bëhen model për demokratizimin e vendeve të tyre dhe jo si deri më tash modele korrupsioni dhe autoritarizmi. Të menaxhosh lirinë dhe sukseset nacionale në demokraci është shumë e vështirë.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :