Data : 19 06 2018
KryeTitujt :

FLUTURAKËT DASHUROHEN ME QIELLIN…

 

 Nga  Naun  Kule*

 Naun Kulenaun-kule

Qielli mbetet enigma e njeriut. Dhe vazhdon akoma kjo enigmë, paçka se ecim në shekullin e njëzetë e një. Sa herë ndeshim a flasim për të panjohura, ngremë sytë lart, drejt hapësirës së pafund dhe gjoja ngushëllohemi apo bindemi se “-Ja, ai atje lart…Ai i di e i bën të gjitha…!? Doemos, kjo shkon krahas dijes a padijes tonë. Sa më pak të dimë ne, tokësorët këtu poshtë, aq më shumë “di e bën Ai, atje lart, në qiell…”

Pikërisht për këtë padije, shtohet e madhohet enigma jonë ndaj qiellit dhe qielltarëve, qofshin njerëz a shpendë, gjithë fluturakëve që ngrihen mbi kokat tona, tek çajnë qiellin e pafund me zhurmë a këngë, me bubullima helikash e motorësh apo me gaz shqiponjash dhe trimëri zgalemash…

Gjithsesi, kur ndeshemi a flasim me njerëzit e qiellit, me këta “fluturakë” profesionistë, sepse na shtohen pyetjet dhe kureshtja për të dëgjuar dhe njohur sa më shumë, ndërsa me sytë e mendjes i “shohim” atje lart-lart, në pafundësinë e paqtë qiellore, të “zvogëluar” në qindra herë sa një zog a kutizë, që duket e zhduket mbi vargmalet e reve.

Dhe ja, burrin që vozit atje lart, atë zog a kutizë të ndiçme, tashmë e ke përballë me gjithë përmasat dhe konturet e tij normale. Flet e qesh me të, paçka se s’të duket gjithsesi mbushamendës në çka thotë se ka bërë ndër vite të jetës profesionale si “vozitës përmes qiejve”. Është çudia e të paditurit…!

Flasim për këtë temë dhe për këta njerëz, me njërin prej tyre dhe sërish pyesim:

- Kaq e vështirë dhe aq i lehtë pilotimi i avionit në lartësi të mëdha, në kushte të vështira meteorologjike, ditën dhe natën, dimër a verë, pranë rrezeve përvëluese të diellit apo pranë “ajsbergëve” të ngrirë të reve…? Dhe, pavarësisht gjithë këtyre, për njërin nga ata, myzeqarin  Aleksandër  Çala, asgjë nga këto s’është e pamundur.

Dhe, miku ynë Sandëri, jo vetëm i thotë, madje i rrëfen bukur dhe saktë… Por Sandëriedhe i ka shkruar. I ka qëmtuar ndër shokë e kolegë, ndër të gjallë e të vdekur, të sotëm e të djeshëm dhe i ka mbledhur në këtë libër interesant dhe të dobishëm.

Libri “Aviacioni dhe Myzeqeja” i shkruar nga ushtaraku i karrierës Aleksandër Çala, është një kontribut tepër i vlefshëm edhe sepse është i veçantë dhe i munguar në llojin e vet.

Flasim dhe lexojmë aq shumë për tokën dhe nëntokën, për ujërat, thellësitë dhe fshehtësitë e oqeaneve, ndërsa për thellësitë dhe fshehtësitë e qiellit e të mbireve, për ata njerëz-mëzllimë që çajnë përmes yjeve, ende dimë  pak. Kjo edhe sepse më të pakta janë shkrimet e botimet për to, sepse më të paktë dhe të pafjalë janë vet ata, aviatorëtqë marrin të flasin e shkruajnë për këtë profesion  i cili, ngjan pak me përditshmërinë tonë edhe pse njerëzit e tij janë pjesë e jona, ushqyer prej nesh dhe sërish mes nesh. Në përvjetorin e armës së aviacionit, një piloti të  karrierës, komandues nga toka e ajri i dhjetëra skuadriljeve me aeroplanë të të gjitha tipave, i thanë të fliste në këtë ceremoni për punën, përvojën…

-Mos më ngatërroni me fjalime e presidiume! ua ktheu  eprorëve.-Më thoni ç‘tip avioni doni ta ngre deri në 20000 metra dhe me shpejtësinë mbi 2000 km/orë, ta godasë në shenjë objektivin në tokë…Këtë po, e kam më kollaj se fjalimi… !

Vet profesioni është i tillë. Të kërkon shumë, por edhe të jep shumë. Të jep forcë karakteri, besim deri në të pamundurën,  guximin për vendimmarrje dhe manovrim  të shpejtë, të saktë dhe të përgjegjshëm. Pilotimi i aeroplanit, s’të le të gabosh dy herë…

Libri i ri “Aviacioni dhe Myzeqeja” shkruar me dashuri dhe profesionalizëm nga myzeqari Aleksandër Çala, paçka se në titull duket paksa krahinor, përbën një vlerë të shtuar kombëtare. Kjo edhe sepse një profesion i tillë nuk mund të futet dot në kufijtë e një krahine, pasi në pak minuta përshkon qiejt e gjithë Shqipërisë.

Por, si detyrim ndaj vendlindjes, autori ka qëndruar më gjatë ndër pilotët nga zona e Myzeqesë të cilët, rreshtohen në thesarin e çmuar të kuadrove të armës së aviacionit shqiptar me të cilët mburret elita ushtarake e  popullit tonë

Dhe djemtë myzeqarë që kanë ngjitur e zbritur  “shkallaren imagjinare” të qiejve shqiptarë e jo vetëm, janë me dhjetëra. Mbi 130 pilotë, specialistë dhe inxhinierë avionësh kanë për djep, prindër dhe vatër Myzeqenë dhe banorët e saj. Një nga këta myzeqarë kanë rënë në fluturim  dhe është nderuar me titullin e lartë “Dëshmorë i Atdheut” duke merituar kësisoj përjetësinë e fluturimit të shpirtit në qiejt e dashuruar nga ata. Në këtë libër ka një foto interesante. Ndërsa  aeroplani fluturon ulët mbi fshatin e lindjes së Aleksandërit, Hoxharën, në tarracën e shtëpisë së tij të lindjes, dy prindërit përshëndesin krah hapur të birin lartë në qiell…! Nuk ka krenari më legjitime për një  prind. Dhe jo vetëm për  ata.

Dhjetëra djem myzeqarë kanë bërë e lënë emër në   pilotimin e aeroplanëve të tipave dhe markave të ndryshëm, duke merituar nderimin e  shefave, kolegëve dhe kursantëve që kanë mësuar e stërvitur. Ky libër për armën e aviacionit ushtarak shqiptar më kujton një statistikë të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar. Një vajzë myzeqare, maturantja e gjimnazit të Krutjes-Lushnjë, Flora N., në kërkesën  për studime universitare, kërkonte të studionte për pilote avioni…!

Është ëndrra dhe guximi për të sfiduar të panjohurën. Dhe kjo buron e ushqehet jo ndër njerëz shterp, apo “tokë djerrë”, por në “tokën plot vlagë”të Myzeqesë që rrit njerëz mendje hapur e progresivë…Është nivel emancipimi, dëshira për dije, vullneti, trimëria dhe këmbëngulja deri në sfidë…! Dhe kjo, është një meritë tjetër e këtij libri.

Është një panoramë plotë njerëz dhe ngjarje të  dokumentuara të cilat, i shpërfaq lexuesit dimensionin  trimëror dhe guximtar të bijve të Myzeqesë e të gjithë Shqipërisë, të cilët, siç thyejnë rekorde në prodhimet e bollshme të  krahinës së tyre, shënojnë rekorde edhe tek “plugojnë qiejt” me gjithë tipat dhe markat e aeroplanëve që ka njohur arma e aviacionit shqiptar.

 

*Kryetar i Shoqatës dhe Botues i Revistës “Myzeqeja”

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :