Data : 20 11 2018
KryeTitujt :

Flet Prefekti i Qarkut Fier, kolonel (R) Baki Bala: Kryeministri Rama ka besim të madh tek ushtarakët në tërësi

INTERVISTA/ Flet Prefekti i Qarkut Fier, kolonel (R) Baki Bala:

Rama ka besim të madh  tek ushtarakët në tërësi

Albert Z. ZHOLI

Mund të përcillni diçka nga jeta në forcat e Armatosura dhe Largimin prej saj?

Karriera ushtarake ka qenë një segment i rëndësishëm i jetës sime. Nëpërmjet saj kujtoj jo një periudhë të jetës personale, por edhe faza të rëndësishme të Forcave të Armatosura dhe të Vendit.

1 Baki Bala2 Emergjencat Vjosa 2017

Unë hyra në forcat e armatosura, në Shkollën ushtarake politeknike Skënderbej, në degën e radioteknikës, në vitin 1970. Shërbeva si ushtarak, deri në vitin 2011. Pas kësaj periudhe punova në Ministrinë e Mbrojtjes, si punonjës i administratës publik, deri në 2014. Pra, në total punova në Forcat e Armatosura dhe në Ministrinë e Mbrojtjes rreth 45 vjet.

Gjatë kësaj karriere mu dha mundësia të shërbej në detyra të ndryshme në nivelin taktik, operativ dhe strategjik.   Në mënyrë kronologjike kam shërbyer në detyrat: Komandant toge, komandant kompanie, shef i ndërlidhjes së brigadës, komandant i batalionit të ndërlidhjes, shef i ndërlidhjes së divizionit, specialist për përgatitjen luftarake të ndërlidhësve në Shtabin e Përgjithshëm, komandant i brigadës së ndërlidhjes, drejtor i drejtorisë së ndërlidhjes, drejtor i sistemeve të ndërlidhjes dhe të informacionit, shef i shtabit të forcës së bashkuar dhe drejtor i drejtorisë së menaxhimit të projekteve të modernizimit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në drejtim të karrierës, kam arritur detyrën më të lartë të shërbimit për të cilën kam studiuar; në drejtim të gradës ushtarake, kam mbajtur gradën e Kolonelit; në drejtim të arsimimit, kam përfunduar Kolegjin rajonal të mbrojtjes; në drejtim të kualifikimit, mbaj gradën shkencore Doktor I Shkencave.  Pra, e ndjej veten të përmbushur në jetën ushtarake. Aq më shumë kur kujtoj se ka mjaft ushtarakë të tjerë të zotë, që për rrethana të ndryshme nuk kanë mundur të kenë këtë ecuri, e aq më keq kur mjaft ushtarakëve të gradave të larta apo madhore, u është ndërprerë karriera në mes.

Çfarë mendoni për nevojën e rishoqërizimit të ushtarakut në jetën civile?

Pas largimit nga Ministria e Mbrojtjes, si gjithë ushtarakët e tjerë, fillova periudhën e ballafaqimit me jetën civile. Rishoqërizimi është një proces, i cili i ndodh çdo individi gjatë jetës së tij. Ky proces në jetën e një ushtaraku është më evident si në frekuencë ashtu dhe në amplitudë. Ushtaraku, shërben në detyra e vende të ndryshme, në mjedise të panjohura, në struktura ndërkombëtare, në situata me shkallë të konsiderueshme risku, në zona luftarake, etj. Secila prej tyre ka veçorinë e vet, por fillimi i jetës ushtarake dhe përfundimi i saj mbeten dy nga periudhat më komplekse të rishoqërizimit. Suksesi i këtij procesi, gjatë hyrjes në ushtri, buron kryesisht nga forca dhe vullneti i individit dhe ambienti i ri, i cili është thuajse tërësisht i strukturuar. Ndryshe nga kjo, suksesi i rishoqërizimit në jetën civile, pas përfundimit të karrierës ushtarake, varet nga përvoja jetësore e individit dhe nga një tërësi faktorësh të tjera të një mjedisi të pa strukturuar. Pra, pyetja shtrohet a jemi ne ushtarakët të përgatitur për tu ballafaquar me jetën civile, pas përfundimit të karrierës?

3 Takim Konsultativ me Pushtetin Vendor dhe Qendror ne Qark

Vendet e Europës Perëndimore, këtë çështje e kanë zgjidhur nëpërmjet sistemit të arsimimit ushtarak. Pas luftës së dytë botërore, ato, ndryshe nga vendet e Europës Lindore, ndërtuan sistemin e arsimimit ushtarak, i cili i pajiste ushtarakët me dy diploma (Diploma e titullimit Oficer dhe Diploma universitare). Ky model, pas viteve 1990, në formë të përshtatur, u aplikua edhe në vendin tonë. Në këtë mënyrë, sot oficerët deri në gradën major, kanë jo vetëm formim ushtarak, por edhe atë menaxherial. Kjo e bën ushtarakun më të pranueshëm jo vetëm si drejtues dhe punonjës i shërbimit civil në administratën publike, por edhe si menaxher.

Megjithatë, ne ushtarakët, duhet te kuptojmë se do të jemi të suksesshëm në pozicione pune në administratën shtetërore dhe atë të biznesit, kur të bindim veten dhe të tjerët se kemi aftësi menaxheriale dhe drejtimi jo vetëm në fushën ushtarake. Ky nuk është një aksion, por një proces i cili duhet të mbështetet me rishikimin e programeve të kurseve të ndryshme, të rritjes së kontakteve të institucioneve ushtarake me biznesin, të përmirësimit të procesit të marketimit të vlerave, të krijimit të një ambienti ushtarak më të hapur si në aspektin akademik, të projekteve të përbashkëta me shoqërinë civile, etj.

Pse ushtaraku duhet të jetë i kërkuar nga administrata shtetërore dhe nga ajo e biznesit?

Në jetën e përditshme, termin ushtarak, në mënyrë të gabuar e etiketojnë si profesion. Pra, “Profesioni i ushtarakut”. Në fakt termi ushtarak duhet të përdoret për të dalluar qytetarët me uniformë nga pjesa tjetër e shoqërisë civile. Pra, për të veçuar aftësitë profesionale, menaxheriale dhe të lidershipit, termi “ushtarak” nuk është i mjaftueshëm. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, nuk janë si gjithë struktura të tjerat shtetërore, të cilat janë të fokusuara në një fushë të caktuar. Ato kanë natyrë shumë dimensionale. Brenda tyre ka struktura të menaxhimit të burimeve (personelit, financës dhe mbështetjes logjistike),  menaxhimit shëndetësor të trupës, arsimimit, integrimit në strukturat euroatlantike, të marrëdhënieve me jashtë, të ruajtjes dhe menaxhimit të mjedisit, hartimit të politikave, menaxhimit të emergjencave civile, të çështjeve sociale, studiues, etj. Gjithashtu, sipas profesionit, ushtarakët mund të jenë; inxhinierë të fushave të ndryshme, ekonomistë, mjekë, juristë, kimiste, xhenierë, topografë, historian, mësimdhënës, drejtues në fushën e emergjencave civile, etj.

Krahas saj, në fushën e biznesit ka mjaft subjekte, të cilat operojnë në fusha të ndryshme. Në strukturën e tyre ka mjaft funksione të cilat mund të kryhen nga ushtarakët. Natyrisht, ushtarakëve nuk mund tu dhurohen këto funksione, por ata duhet të tregojnë se janë të aftë për funksione të tilla dhe biznesi të ndjejë përfitimin përkatës.

Lidershipi është një element tjetër i domosdoshëm në mjaft pozicione pune. Në bazën ligjore dhe nënligjore në shërbimin civil, në funksionet drejtues është e mjaftueshme një përvojë pune disa vjeçare. Ndryshe nga kjo, ushtarakët kanë një karrierë më të ngadaltë, të konsoliduar dhe të shoqëruar me mjaft trajnime suplementare afatmesme ose afatgjata. Pra lidershipi në forcat e armatosura, ushtrohet në nivele të ndryshme drejtimi, vlerësohet dhe i nënshtrohet konkurrencës dhe përzgjedhjes.

4 Verifikimi i akteve Normative

Natyra e punës së ushtarakut është orientimi drejt anës menaxheriale. Ai është I orientuar drejt realizimit të synimit me çdo kusht. Çdo veprimtari, pra edhe ajo në administratën shtetërore dhe në atë të biznesit e kanë të domosdoshme një mentalitet të tillë drejtimi. Në këtë mënyrë ushtaraku, edhe në një funksion civil në administratën shtetërore apo në biznes është i prirur të hartojë platformën e punës, të përcaktojë detyra dhe masa konkrete.

Së fundi, ushtarakët, janë pjesë e shoqërisë. Shteti ka investuar për ta. Ata lëvizin në karrierë në mënyrë të ngadaltë, nga një shkallë më e ulët në një shkallë më të lartë, konsolidohen në detyrë dhe për shkak të ligjit të karrierës sipas ligjësisë “Lartë ose Jashtë” (Up or Out), mund të dalin nga strukturat ushtarake në një moshë relativisht të re dhe të përfitojnë pensionin suplementar. Megjithatë, interesi i palëve (Shtetit dhe Ushtarakut) nuk është pensioni suplementar, por rishoqërizimi i ushtarakut në pjesën aktive të shoqërisë. Pra, ata, nga barrë në sistemin e sigurimeve shoqërore të shndërrohen në kontribuues të sistemit.

Si do ta konsideronit besimin e Kryeministrit për emërimin e ish ushtarakëve në detyrën e prefektit ?

Besimi i Kryeministrit nuk është tek individët që emëroi në detyrën e Prefektit të Qarkut, por tek ushtarakët në tërësi. Gjatë dy dekadave të fundit ka pasur raste të shkëputura ku ushtarakët kanë dhënë kontributin e tyre si deputetë, ambasadorë,  këshilltarë të Kryeministrit, këshilltarë të ministrit, drejtues dhe punonjës në administratën shtetërore, drejtues e menaxherë në fushën e biznesit, etj.

Megjithatë, projekti i parë politik, i cili shpreh në mënyrë të sintetizuar besimin se ushtarakët mund të japin kontributin e tyre në pozicione, të cilat më parë kanë qenë funksione të mirëfillta politike, është Projekti i emërimit të 12 ushtarakëve në rezervë në funksionin e Prefektit të Qarkut.

Pra, unë mendoj se Kryeministri është mbështetur në përvojën e spikatur të mjaft ushtarakëve të aktivizuar në detyra të ndryshme shtetërore, në përvojën e mjaft vendeve të tjera evropiane të cilat, e kanë kaluar me kohë këtë ballafaqim dhe në bindjen e tij personale se ushtarakët mund ta bëjmë mire këtë ose detyra të tjera. Ky është inkurajim për ne.

Emërimi i ish ushtarakëve në funksionin e Prefektit, etj, tregon për një moderim dhe hapje të portës për ushtarakët për funksione, të cilat lidhen me sigurinë, emergjencat civile, shtet formimin, etj. Pra emërimet e bëra nga Këshilli i Ministrave, nuk mund ti konsiderojnë thjesht si suksesin tonë por si shenja të manifestimit të një klime të re të drejtimit shtetëror, e cila është më e hapur dhe më vlerësuese në drejtim të profesionistëve.

Krahas funksioneve shtetërore, ushtarakët sot janë gjithmonë e më shumë pjesë e biznesit, jo vetën në çështjet e sigurisë, por edhe në drejtime menaxheriale. Kjo klimë e re nuk ka aktorë vetëm ushtarakët dhe drejtues të ndryshëm të biznesit, por edhe klimën e përgjithshme të biznesit dhe orientimit të tij drejt formalizimit. Sa më e formalizuar të jetë ekonomia aq më të pranueshëm dhe të suksesshëm do të jenë ushtarakët në rolin e administratorit, menaxherit etj.

Pra, Projekti i Kryeministrit, është rrjedhojë e klimës së përgjithshme të krijuar në zbatim të programit të Qeverisë. Ai ka aktorët e vet me rol, ashtu siç ka edhe ne, përfituesit dhe kontribuuesit e këtij projekti. Kjo na ngarkon me përgjegjësi për të qenë të suksesshëm, jo vetëm para Këshillit të Ministrave, por edhe para ushtarakëve.

A është e vështirë për një ushtarak të bëjë detyrën e prefektit të qarkut?

Funksioni i Prefektit e ka fillesën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Ky institucion, vijoi edhe në kohën e mbretërisë. Pas çlirimit të vendit, në vitin 1948, prefekturat dhe nënprefekturat, u suprimuan dhe funksionet e tyre u morën nga struktura e komitetit ekzekutiv, të cilat vijuan deri në fillim të viteve 1990. Institucioni i Prefektit, u rikrijua nëpërmjet ligjit nr. 7608, dt. 22.09.1992 “Për prefekturat”. Ky ligj është amenduar në vitin 2002 dhe 2016. Pra, në krijimin e këtij institucioni është eksperimentua disa herë dhe kjo situatë nuk ka krijuar ende një konturim të qëndrueshëm të figurës së prefektit. Në këtë këndvështrim, kryerja e detyrës së prefektit të qarkut është ende në kërkim të një pozicioni të qartë si në raport me marrëdhëniet e tij me pushtetin vendor ashtu dhe me strukturat e pushtetit qendror.

5 Panairi Librit

Ligji Nr. 107/2016  “për prefektin e qarkut”, në krahasim me ligjin e mëparshëm, ka prodhuar një rol më honorifik të institucionit të prefektit. Nga ana tjetër, implementimi i ligjit është bërë me “stekë të ulët”, gjë që e ka zbehur edhe më shumë rolin e këtij institucioni. Kjo është një nga çështjet e punës sonë, pasi metoda e punës së institucionit në raport me strukturat e pushtetit qendror dhe vendor ka krijuar një “model” të caktuar, i cili paraqet“forca fërkimi” gjatë synimit tonë për ta ndryshuar atë. Pra brenda këtij ligji ne kemi mundësi të krijojmë një vizion të ri të institucionit të prefektit.

 

Projekti i emërimit të 12 ish ushtarakëve në pozicionin e Prefektit të Qarkut, synon dhënien e një impulsi të ri pune për të rritur rolin e këtij institucioni si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në Qark. Këtë rol Prefekti i Qarkut e realizon nëpërmjet verifikimit të ligjshmërisë të akteve normative të Njësive të Vet qeverisjes Vendore (NJVQ), bashkëpunimit, monitorimit dhe koordinimit të veprimtarive të Drejtorive Territoriale, menaxhimit të emergjencave civile në nivel Qarku dhe zgjidhjes së konflikteve që mund të lindin ndërmjet institucioneve ose ndërmjet tyre dhe qytetarëve. Pra, roli jonë në këtë projekt është ti japim institucionit më shumë dinamizëm në koordinimin, monitorimin dhe kontrollin e veprimtarive për realizimin e programit të qeverisë në nivel qarku.

Ne, ashtu si çdo drejtues tjetër, për të kryer detyrën jemi mbështetur në tre komponentë të domosdoshëm si: Akti I emërimit në detyrë, Baza ligjore në të cilën mbështetet veprimtaria e institucionit dhe Integriteti personal. Pra ajo që ndryshon ndërmjet drejtuesve të ndryshëm (të mëparshëm dhe të tanishëm) është integriteti, i cili formësohet nga shumë elementë që lidhen me formimin e përgjithshëm, elementët e lidershipit, përvoja për menaxhimin e situatave të ndryshme, metodologjia e drejtimit, aftësia për të ndryshuar gjendjen, planifikimi dhe dëshira për të maksimizuar suksesin.

Një nga mesazhet e transmetuara nga ne është ai që drejtuesi duhet të punojë me punonjësit që gjen në administrate dhe jo me punonjësit që ai preferon. Kjo i shërben qëndrueshmërisë së administratës shtetërore, krijimit të një kulture të mirë pune, krijimit dhe mbrojtjes së profesionistëve dhe është në mbështetje të programit të qeverisë për forcimin dhe konsolidimin e administratës shtetërore. Aktualisht administrata që unë drejtoj është orientuar drejt punës në grup, aplikimit të metodave standarde, planifikimit të veprimtarive kryesore dhe mbështetje me masa konkrete. Kjo mënyrë shmang të papriturat dhe garanton suksesin. Administrata, nuk është e fokusuar thjesht në hartimin e një dokumenti nga ana burokratike, por ndjen përgjegjësinë e efektit që prodhojnë aktet e administratës.

Pra, në përgjigje të pyetjes suaj në se ushtarakët kanë vështirësi në kryerjen e detyrave të tilla, unë do ti përgjigjesha Jo. Natyrisht ne duhet të kemi dhe të aplikojmë ndjenjën e vet zhvillimit dhe të intensifikojmë komunikimin me strukturat, me specialistët e fushave të ndryshme, të krijojmë lidhje të reja dhe të jemi sa më pranë qytetarit për problemet dhe shqetësimet që ata kanë.  Në këtë detyrë, pikën tonë më të fortë duhet të kemi frymën e bashkëpunimit. Pra në vend të sjelljes reaktive ne duhet të implementojmë sjelljen proaktive.

Momentet më të vështira në detyrën e prefektit të qarkut,

Natyra e punës së prefektit të qarkut, nuk i ngjan kompleksitetit të vendimmarrjes së një ushtaraku karriere, apo të detyrave të tjera shtetërore të cilat kërkojnë analizë dhe ekspertizë komplekse. Megjithatë çdo detyrë ka vështirësitë e veta.

Momentet më të vështira, janë kur një masë e madhe qytetarësh  kanë pritshmëri më shumë se çfarë ti mund tu ofrosh. Përmbytja Vjosa 2017, është një nga këto momente. Ajo ndodhi në muajin e parë të detyrës, kohë e cila ishte e pamjaftueshme për njohjen e situatës në qark, të aktorëve me rol ne menaxhimin e situatës. Situata u zhvillua shumë shpejtë dhe siç themi ne ushtarakët “ne duhet të futeshim në luftim në ecje e sipër”. Brenda 24 orëve të para të menaxhimit të situatës së përmbytjes, duhet të koordinoheshin dhe drejtoheshin operacione të kërkim shpëtimit, evakuim të familjeve që rrezikoheshin, në disa raste evakuim me forcë në emër të shpëtimit të jetës së tyre, shpërngulje të blegtorisë, evakuim mjekësor nga zonat e përmbytura të rasteve mjekësore urgjente, përballimin në disa raste të zemërimit, organizimin e trajtimit mjekësor në zona të përmbytura, organizimin dhe drejtimin e jetës në qendrat e strehimit, etj. Vetëm në pak ditë arrin në përfundimin se në çdo situatë jeta vijon me të mirat dhe të papriturat e veta. Ti ndodhesh para situatave të cilave duhet tu japësh drejtim. Ti je i pranishëm para falënderimeve për mbështetjen e dhënë, në ndonjë rast edhe zemërimit për situatën, gëzimit që një familjar shpreh për ardhjen në jetë të fëmijës, ankthit për fatin e një të afërmi të mbetur “në ishull” në një ndërtesë të braktisur, trishtimit për humbjen e pronës ose të shkatërrimit të produkteve bujqësore, solidaritetit ndërmjet forcave pjesëmarrëse në operacion dhe banorëve, etj.

 

Në një këndvështrim tjetër, ti nuk je vetëm. Pushteti vendor është pjesë e rëndësishme e menaxhimit të situatës në territorin e vet. Pra menaxhimi i situatës bëhet më i thjeshtë kur ke bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit vendor dhe qendror. Kjo ka qenë fizionomia e marrëdhënieve në Qarkun e Fierit gjatë kësaj situate. Ata kanë burimet e mbështetjes me personel, buxhet dhe mbështetje materiale.

Cili është bashkëpunimi në nivel Qarku?

Prefekti i Qarkut, ka administratën e vet, por nuk ka struktura në varësi. Për kryerjen e veprimtarisë së tij ligji i ka dhënë këtij institucioni kryesisht mekanizmin e Koordinimit, Bashkëpunimit, Monitorimit, verifikimit të ligjshmërisë së akteve normative dhe në disa raste kontrollin. Pra fryma e bashkëpunimit është thuajse baza e marrëdhënies institucionale të Prefektit të Qarkut me Njësitë e vet qeverisjes vendore dhe me Degët territoriale që veprojnë në nivel vendor.

Reforma në pushtetin vendor, e vitit 2015 ka krijuar një klimë të re.  Stafet e administratës së tyre, në krahasim me periudhën e komunave, janë përqendrim vlerash intelektuale duke nxjerrë një produkt politikash, strategjish, metodash, aktesh normative, akte ekzekutive, frymë bashkëpunimi etj, më të mirë.

 

Bashkëpunimi i institucionit të prefektit me pushtetin vendor është i domosdoshëm. Në bazë të ligjit, ndërmjet prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore nuk ka marrëdhënie varësie. Ato, bazohen në parimin e konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Prefekti i qarkut bën verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore, pa penguar zbatimin e tyre, sipas një procedure të përcaktuar në ligjin për prefektin. Përveç veprimtarisë së mësipërme, marrëdhënia ndërmjet tyre është mjaft aktive në fushën e menaxhimit të emergjencave civile, të ndjekjes së veprimtarisë së task-forcave dhe mjaft veprimtari të tjera që kërkojnë koordinimin e strukturave të pushtetit vendor me ato të pushtetit qendror dhe anasjelltas. Në qarkun e Fierit ky bashkëpunim është i mirë.

Ne kemi synuar të krijojmë marrëdhënie institucionale me të gjitha strukturat e pushtetit vendor, duke mirëkuptuar qëndrimin e tyre edhe kur ai është I ndryshëm nga qëndrimi jonë. Të njëjtën gjë kemi kërkuar edhe prej tyre. Palët synojnë të maksimizojnë interesin në funksion të asaj që përfaqësojnë. Pra jemi dy institucione të ndryshme që duhet të bashkëpunojmë dhe t’u japim zgjidhje problemeve.

Bashkëpunimi me Degët territoriale, që veprojnë në nivel vendor ka qenë nga drejtimet e punës sime. Në kuptimin e ligjit të prefektit të qarkut, “Degët territoriale” janë strukturat administrative të një ministrie ose të një institucioni të varësisë, që krijohen për të ushtruar në territorin e një ose më shumë njësive të vetëqeverisjes vendore detyra administrative, që mund të kryhen më mirë në territor, në përputhje me parimet e ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

Kjo realizohet nëpërmjet bashkëpunimit, koordinimit dhe monitorimit të veprimtarisë së tyre që lidhet me zbatimin e programit qeverisës në qark. Krijimi i njw marrëdhënieje të qëndrueshme me këto institucione nuk është i thjeshtë, jo vetëm për  shkak të numrit të madh të tyre, por edhe për natyrën e punës.

Cilat janë shqetësimet kryesore në qarkun e fierit?

Qarku i Fierit është më i madh pas atij të Tiranës. Ai përbëhet nga gjashtë bashki (Fier, Lushnjë, Mallakastër, Divjakë, Roskovec dhe Patos). Secila prej tyre, ka planin e vet të menaxhimit të emergjencave, sipas specifikës së rreziqeve. Rreziqet kryesore në qark janë përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e tokës, argjinatura bregdetare, ndotja e ambientit nga mbetjet e naftës, kripëzimi i tokës në disa zona bregdetare, ndryshimit të shpeshtë të vijës bregdetare ne rajonin e Divjakës dhe të Semanit, etj.  Megjithatë, dy nga emergjencat më të shpeshta janë përmbytja dhe zjarret.

Qarku i Fierit përshkruhet nga tre basene (Shkumbini, Semani dhe Vjosa). Veçanërisht, lumi i Vjosën paraqet shkallë të lartë risku në bashkinë e Fierit dhe pjesërisht të bashkinë e Mallakastrës. Dalja nga shtati natyror e tij është një “case stdy”. Në të janë ndërthurur jo vetëm fenomene që vijnë si rrjedhojë e ndryshimit të ekuilibrave natyrorë, por edhe mjaft probleme të tjera, që lidhen me keq menaxhimin e këtij baseni gjatë një periudhe rreth 30 vjeçare. Studimi duhet të vlerësojë fenomenet dhe ndodhitë dhe të analizojë efektet për sigurinë e jetës së njerëzve, bizneseve dhe të ardhmes së kësaj zone. Pra menaxhimi i tij nuk është vetëm çështje e institucioneve vendore dhe qendrore në qark, por kërkon një zgjidhje të qëndrueshme. Në këtë mënyrë, krahas përpjekje të përbashkëta të Bashkisë së Fierit dhe Institucionit të Prefektit, Qeveria, është e përfshirë në gjetjen e rrugëve të financimit të një projekti madhor për menaxhimin e lumit Vjosa.

Në rast se problematika e përmbytjes nga lumi i Vjosës është krijuar në mënyrë graduale nga faktorë natyrorë dhe njerëzorë, çështja e rrezikut të zjarreve, është, pothuajse, tërësisht e shkaktuar nga faktori njerëzor. Mentaliteti i krijuar në vite tek fermerët se djegia e kashtës së produkteve bujqësore në parcelë, djegia e kullotës, e shkurreve etj., janë mundësia më e mirë e përgatitjes së tokës për vjeshtën, është një nga shkaqet kryesore të zjarreve. Pra veprimtaria parandaluese e strukturave tona nuk kanë mundur të parandalojnë këtë fenomen.

Cili është bilanci i vitit të parë në këtë detyrë?

Në fund të muajit tetor unë mbush një vit në detyrën e Prefektit të Qarkut Fier. Kjo është një kohë e mjaftueshme për të bërë një bilanc të punës. Kryeministri na ka kërkuar të ndryshojmë imazhin e institucionit të prefektit, brenda kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon ky institucion. Në këtë këndvështrim, pritshmërisë së Kryeministrit ne i jemi i përgjigjur me vullnetin tonë për të bërë më të mirën.

Jo vetëm në Institucionin që unë drejtoj, por në të 12 Institucionet e Prefektit të Qarkut, ne kemi rritur ndjeshëm veprimtarinë në mbështetje të politikave sektoriale të ministrive në zbatim të programit të qeverisë. Në këtë mënyrë, Institucioni i Prefektit të Qarkut është drejtuesi i disa Task-Forcave si: për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, për formalizimin e ujit, për menaxhimin e energjisë elektrike; për organizimin dhe monitorimin e veprimtarive në fushën e mjedisit, të menaxhimit të turizmit, të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të monitorimit të procesit të prodhimit të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), të vëzhgimit të provimeve të maturës shtetërore 2018, etj. Të gjitha këto nga njëra anë i kanë shërbyer njohjes më mirë të realitetit në Qark dhe nga ana tjetër, ne kemi ndikuar për prodhimin në qark të një efekti më të madh qeverisës.

Ministritë e linjës, tashmë kanë një strukturë, të cilës mund ti drejtohen për ndikuar në realizimin e objektivave të tyre në zbatim të programit qeverisës. Ata kanë një strukturë të cilës mund ti delegojnë përgjegjësi për organizimin, monitorimin apo drejtimin e veprimtarive, kanë një institucion aktiv I cili mund të jetë përcaktues në disa veprimtari. Ky është institucioni I Prefektit të Qarkut.

Sot kontrolli i ligjshmërisë së akteve me karakter normativ, të gjashtë këshillave bashkiakë është drejt standardizimit të plotë.

 

Këtij qëllimi i kanë shërbyer trajtesat juridike, konsultat dhe seminaret me sektorët e zyrat juridike të bashkive dhe verifikimi në vend i akteve normative.   Në këtë mënyrë po shkohet drejt unifikimit të mënyrës së prezantimit të akteve me karakter normativ të Këshillave Bashkiake.

Menaxhimi i emergjencave civile është një tregues tjetër i rëndësishëm në rritje. Përvoja jonë drejtuese dhe fakti i kalimit të këtij misioni në Ministrinë e Mbrojtjes, bën që ne të krijojmë një urë të qëndrueshme komunikimi ndërinstitucionale.

Sfidat në të ardhmen

Konsolidimi i veprimtarisë së Institucionit të Prefektit me Degët territoriale është një nga sfidat e mia për periudhën në vijim. Kjo marrëdhënie duhet të jetë konkrete, e monitorueshme, produktive dhe e matshme në drejtim të mbështetjes së programit të qeverisë në nivel Qarku. Në këtë mënyrë, degët territoriale dhe institucioni i Prefektit do të ndikojnë në realizimin konkret të programit dhe do të prodhojnë një efekt qeverisës në interes të komunitetit.

Duke e parë çështjen, jo thjeshtë nga këndvështrimi i qarkut, por si projekt të përbashkët të 12 prefektëve, mund të them se një nga sfidat tona të ardhshme është që standardizimi i filluar brenda sektorëve të ndryshëm në institucionet tona, duhet  ta shndërrojmë në standardizim të Institucionit të Prefektit në shkallë vendi. Kjo gjë favorizohet edhe nga ekzistenca e një klime bashkëpunuese ndërmjet nesh. Këtij qëllimi do ti shërbejë standardizimit të një strukture të re të institucionit, shkëmbim përvoje pune ndërmjet njëri tjetrit dhe mbështetje e ligjit të prefektit të qarkut me akte të tjera nënligjore.

Së fundi, sfida jonë është ajo për të cilën jemi emëruar në këtë detyre: përmirësimi dhe konsolidimi i imazhit të institucionit të Prefektit të Qarkut, për ta bërë realisht përfaqësues të Këshillit të Ministrave në Qark.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :