Data : 25 09 2018
KryeTitujt :

Flet piktori turk, Kani Kaya: Kam lidhje gjaku me shqiptarët.

“Klasikja ka zënë rrënjë, por piktura abstrakte tani po pëlqehet më shumë”

“Klasikja ka zënë rrënjë, por piktura  abstrakte tani po pëlqehet më shumë”
INTERVISTA/ Flet piktori turk, Kani Kaya: “Kam lidhje gjaku me shqiptarët. Gjyshi im ka ardhur ose nga Kosova, ose nga Shqipëria e mesme në Stamboll, para më shumë se një shekulli. Prandaj isha shumë kurioz t’i njihja nga afër shqiptarët” 

 

 

“Klasikja ka zënë rrënjë, por piktura

 

abstrakte tani po pëlqehet më shumë”

 

 

 

Piktura abstrakte dhe ajo moderne në tërësi, në Turqi po pëlqehet më shumë se ajo klasike. Këtë mendim jep për situatën e pikturës në vendin e tij, piktori turk, me origjinë shqiptare, Kani Kaya, i cili ka ardhur në Tiranë, në kuadrin e hapjes së një ekspozite. Kjo sipas tij, ndodh tek intelektualët, njerëzit e artit dhe të kulturës, por jo në zonat rurale. “Pra, jo kudo pëlqehet modernia, pasi klasikja ka zënë rrënjë dhe ka fituar traditë. Por shikoj se për çdo ditë piktura abstrakte moderne po zë terren, madje shumë. Në fund të fundit, çdo pikturë që është e bukur, qoftë moderne, qoftë klasike, pëlqehet dhe blihet”, rrëfen ai. Duke shtuar se “ende dhe në Turqi nuk është kthyer në kulturë blerja e një pikture origjinale, aq më tepër që sot tregu mbushet me prodhime të fabrikuara dhe të falsifikuara”…

 

 

 

 Albert Zholi

 

 

 

Si e keni njohur Shqipërinë përpara demokracisë, a kishit njohuri për të dhe a ke mundur të vish kur ishte sistemi komunist?

 

Në sistemin komunist kisha fare pak njohuri për Shqipërinë, fare pak. E dëgjoja shpesh emrin e Shqipërisë në shtëpi, por nuk shfaqja interes, pasi thuhej është vendi i mbyllur dhe nuk mund ta vizitoja. Në atë periudhë kam ardhur në Greqi, ish-Jugosllavi, në zonën e Maqedonisë së sotme dhe kaloja afër kufirit me Shqipërinë pa menduar që të vija, pasi kështu ishte mendimi: nuk mund të shkosh vend diktatorial. Kisha njohuri të cekëta edhe për zhvillimin, edhe për kulturën, ndërsa për pikturën thuajse nuk dija asgjë. I tillë ishte sistemi. Ndërsa në këto vende që thashë, shkoja shpesh edhe me ekspozita.

 

 

 

Ku ke shkuar për herë të parë, në Kosovë apo në Shqipëri?

 

Në Kosovë, pasi siç thashë më lart, që edhe në sistemin komunist kishim lidhje me Kosovën. Aty kam njohur shumë piktorë me të cilët mbaj lidhje dhe së bashku hapim shpesh herë ekspozita. E kam zgjeruar shoqërinë, miqësinë por edhe lidhjet me piktorët.

 

 

 

Në Stamboll ka shumë shqiptarë, a keni lidhje me atë komunitet?

 

Lidhje nuk kam, por di që ka dhe unë kam lidhje gjaku me shqiptarët. Gjyshi im ka ardhur ose nga Kosova, ose nga Shqipëria e mesme në Stamboll. Kjo flitet për një periudhë më shumë se një shekull. Por nuk ndenja shumë me gjyshin dhe nuk pata rastin të mësoj shumë gjëra nga prejardhja e tij. Më vonë, babai u sistemua në Stamboll me punë të ndryshme, kështu që nuk mbajti shumë lidhje me komunitetin shqiptar në Stamboll dhe nuk dinte, ose ndoshta nuk kishte informacionin e duhur për prejardhjen e babait të vet, kështu që edhe unë nuk kisha asnjë lidhje të tillë. Por e vërteta është se nga gjyshi, prejardhjen e kemi nga shqiptarët. Isha shumë kurioz t’i njihja nga afër shqiptarët këtu në Shqipëri. Izolimi, prejardhja më nxitnin kureshtjen. Kisha dëgjuar dhe për Enver Hoxhën që thoshin ishte diktator dhe përcillnin lloj-lloj mendimesh për të.

 

 

 

Pse në Kosovë shkon më shpesh se në Shqipëri?

 

E thashë më lart, pasi lidhjet me të dhe njohjet ishin më të hershme dhe shoqëria me shumë piktorë ishte më e madhe. Pra, kisha lidhje para se të vija në Shqipëri. Tashmë këto lidhje janë përforcuar dhe shtuar.

 

 

 

Kur ke ardhur për herë të parë në Shqipëri? Si t’u duk ajo?

 

Kam ardhur para katër vjetësh, pasi isha në Kosovë dhe shkova në Kukës. Pra, pas aq shumë vitesh që endesha mes dëshirës dhe pamundësisë, gjeta rastin dhe erdha. Shqipëria m’u duk një vend interesant, një vend i bukur, por më interesante m’u duk Tirana.

 

 

Pse Tirana?

 

Tirana është një qytet i bukur, ka një pozicion të bukur dhe ka ndërtesa të bukura. Ka një jetë interesante.

 

 

 

Por edhe Stambolli ka ndërtesa të tilla.

 

Po, ka shumë madje, por Stambolli ka edhe ndërtesa të vjetra, shumë të vjetra që i rrinë keq qytetit. Stambolli me emër, me ato ndërtesa, duket si e arnuar. I humb hijeshia. Ndërsa Tirana, në çdo pozicion, ndërtesat i ka të reja dhe të bukura.

 

 

 

Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje në Tiranë?

 

Njerëzit, ambienti, atmosfera. Njerëzit duken të dëshiruar të të ndihmojnë dhe janë të dashuruar me jetën. Këtu ka atmosferë jete kolektive. Ka njerëz të veshur bukur, por dhe femra të bukura. Tirana është në kulmin e lulëzimit dhe kjo tregon se qyteti do të jetë një vend turistik shumë i dashur për të huajt. Ka lëvizje në çdo orë.

 

 

 

Do të dëshiroje të jetoje në Tiranë?

 

Pse jo, nëse do kisha kushtet ekonomike. Por ka dhe diçka, që Tirana në hotele është shumë e shtrenjtë. Kjo mbase se ne si pjesëtarë të ekspozitës na sollën të orientuar tek një hotel luksoz, por që është i shtrenjtë.

 

 

 

Pse ju lindi dëshira për në Tiranë dhe pse këtë titull, “Tirana Academicus”, sa piktorë dhe piktura ka?

 

Së pari, kemi afërsisht të njëjtën kulturë dhe kjo ekspozitë është hapur nën organizmin dhe përkujdesjen e studios time grafike për të qenë prezent dhe në Shqipëri. E hapëm këtu tek muzeu, pasi kam parë në internet se në këtë muze hapen shumë ekspozita jo vetëm nga piktorë shqiptarë, por edhe të huaj. Madje kam parë që zhvillohen shumë koloni pikture, që është një hap i rëndësishëm në lidhjen mes piktorëve por edhe në shkëmbimin e eksperiencave. Duke patur studion time në Stamboll, duke njohur tashmë Shqipërinë, e kisha ëndërr që ta hapja një ekspozitë këtu. Dëshira u realizua. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 36 piktorë me rreth 43 punime. Këtu jemi trashëgimi brezash, ku kemi piktorë të vjetër, por edhe piktorë të rinj të moshës 13-14 vjeç. Me këtë rast, dua të theksoj se mes nesh është dhe një gocë e re 14-vjeçare, e cila është ndër piktoret e reja më me perspektivë dhe tashmë e njohur. Pra, kjo ekspozitë është mikse, si në llojshmëri por edhe në moshë. Ekspozitë jashtë standardeve. Në vendet e tjera, ku kemi hapur ekspozita, si në Napoli apo dhe Portugali, kam parë që kishin afërisht të njëjtën stil apo mënyrë pikture. Kishim shumë gjëra të përbashkëta. Sot them se edhe me piktorët shqiptarë kemi shumë të përbashkëta. Unë të paktën 5 herë në vit, hap ekspozita jashtë shtetit, jashtë Turqisë dhe kam miq kudo. Më ka bërë përshtypje dhe piktorja Flutura Maçi. Por dua të them se ekspozitat m’i financojnë rrethe të ndryshme piktorësh, pasi është e vështirë të hapësh në mënyrë individuale.

 

 

 

Shoh se pikturat në ekspozitë janë të ndryshme, pra një ndërthurje e modernes me klasiken, por ka dhe skulptura.

 

Po, kështu e kisha ideuar, që ekspozita të kishte dhe pikturën klasike, edhe abstrakten, moderne, por edhe skulpturën. Pikturat kryesisht janë në vaj, por ka dhe teknika të tjera. Ka një ndarje thuajse të barabartë mes pikturës moderne, abstrakte,  dhe peizazhit, portretit, natyrës së qetë, kompozimit ku përfundojmë me skulpturat të cilat janë në metal dhe në qeramikë.

 

 

 

Po në Stamboll, a keni parë apo vizituar ekspozita të piktorëve shqiptarë?

 

Po, kam parë dhe jam impresionuar. Pra, kemi të përbashkëta. Madje para tre vjetësh ka ardhur një koloni pikture nga Shqipëria. Më pëlqeu. Ishin piktura dhe piktorë shumë interesantë. Kryesore është se ata kanë individualitetin e tyre dhe nuk mundohen të kopjojnë. Nëse do kopjojnë, atëherë nuk ka vlerë. Pra, mund t’i dallosh piktorët shqiptarë pasi ruajnë identitetin.

 

 

 

Mendon se piktura abstrakte, moderne pëlqehet më shumë se ajo klasike në Turqi?

 

Kjo ndodh tek intelektualët, njerëzit e artit dhe të kulturës, por jo në zonat rurale. Pra, jo kudo pëlqehet modernia, pasi klasikja ka zënë rrënjë dhe ka fituar traditë. Por shikoj se për çdo ditë piktura abstrakte moderne po zë terren, madje shumë. Në fund të fundit, çdo pikturë që është e bukur, qoftë moderne, qoftë klasike, pëlqehet dhe blihet.

 

 

 

Po në Turqi, a mund të jetohet vetëm me pikturë?

 

Besoj se jo, pra jo të gjithë piktorët profesionistë mund të jetojnë me këtë profesion. Ende dhe në Turqi nuk është kthyer në kulturë blerja e një pikture origjinale, aq më tepër që sot tregu mbushet me prodhime të fabrikuara dhe të falsifikuara. Unë kam atelienë time ku kam dhe tre piktorë. Punojmë vazhdimisht, duke ndjekur zhvillimet e fundit në pikturë.

 

 

 

Ju pëlqeni më shumë pikturën moderne, abstrakte?

 

Unë kam një ndërthurje mes të dyjave dhe pse anoj sadopak nga piktura moderne. Kjo pasi unë kam punuar mbi 5 vjet në Holandë. Ky shtet ka një traditë për pikturën dhe aty kam mësuar shumë mbi pikturën moderne.  ty mësova shumë sekrete mbi këtë lloj pikture, por dhe pashë dashurinë që kanë këta shtetas për pikturën. Tradita mbetet traditë.

 

 

 

Në sa vende të botës ke hapur ekspozita?

 

Po janë disa. Greqi, Maqedoni, Kosovë, Venecia, Itali, Portugali, Bullgari. Kosovë, Shqipëri. Madje një ekspozitë e Kosovës ku isha pjesëmarrës u hap dhe në SHBA dhe pastaj u rikthye në Kosovë.

 

 

 

Si punohet në atelienë tuaj?

 

Ne punojmë me porosi por edhe në mënyrë të pavarur. Punojmë në grup dhe i përshtatemi kohës. Kemi një objektiv të caktuar.

 

 

 

Do hapni sërish ekspozitë në Shqipëri?

 

Besoj se po,. Na pëlqeu shumë ky vend dhe ambientet ku hapëm ekspozitën. Gjithmonë do mendoj që të jem me ekspozita të përbashkëta në Tiranë.  Shkëmbimi i eksperiencave është domosdoshmëri në kohën që po jetojmë.

 

 

 

Po në Stamboll sa muze të kësaj antyre ka?

 

Ka shumë. Stambolli dallohet për ekspozita nga koloni dhe piktorë me emër, por dhe Muzeu i Tiranës është shumë i mirë dhe tepër i përshtatshëm për ekspozita të kësaj natyre.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :