Data : 25 09 2018
KryeTitujt :

Flet piktori i talentuar, Vullnet Alushaj: Në abstragim piktori nuk duhet të kopjojë, por duhet të niset nga shprehitë e tij

“Me art nuk mund të jetohet, piktura ende jo kulturë në Shqipëri”
INTERVISTA/ Flet piktori i talentuar, Vullnet Alushaj: 

Ai ka hapur 15 ekspozita brenda dhe jashtë Shqipërisë, e nga dora e tij kanë dalë 2000 piktura, ku shumë prej tyre janë shitur në Greqi, Itali, Maqedoni. Por gjithsesi, piktori i talentuar, Vullnet Alushaj shprehet i mendimit se të jetosh sot me art është një gjë shumë e vështirë në Shqipëri. “Problemi më i madh është vëmendja e shtetit. Pra, shteti duhet t’i propagandojë më shumë piktorët shqiptarë, të organizojë sa më shuam  ekspozita jashtë vendit. Të gjejë rrugë dhe mënyra për t’i bërë prezentë, pasi arti i tyre e lartëson Shqipërinë në sytë e elitës së artit evropian”, pohon ai gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”. Duke shtuar se “kjo krijimtari, ky produkt aq i vyer që bëhet me sakrifica, duhet që të stimulohet, të mbrohet dhe të mbahet si përcjellës i kulturës së mirëfilltë shqiptare”. Sipas tij, kjo duhet bërë për gjithë piktorët dhe skulptorët me talent. “Këto vlera të kultivohen dhe të konservohen  në galeritë tona. Unë kam marrë vesh se në Galerinë Kombëtare është e vështirë të hapësh një ekspozitë. Pse? Ajo është për gjithë piktorët. Dyert e saj duhet të jenë të hapura për të gjithë, pavarësisht se mund të ketë dhe vepra jo me nivel. Ato i seleksionon koha”, shton ai…

 

 Albert Zholi

 

Si titullohet ekspozita e hapur prej jush këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar?

 

Ekspozita titullohet “Imazhet janë të vërteta”, ku pasqyrohen aspekte të peizazhit dhe bëhet njëfarë prezantimi i imazhit të jetës sonë në bregdet. Ndërsa në disa peizazhe njëkohësisht edhe disa piktura, gjuha e abstragimit mbështetet në realitetin dhe krijojnë disa imazhe, që unë i kam quajtur të vërteta. Unë shikoj konfiguracione dhe shprehje të një zhvillimi në pikturë, të një momenti si të abstraguar. por që mbështetet në natyrë. Siç lëvrojmë peizazhin, natyrën e qetë, portretin dhe gjinitë e tjera, edhe abstragimi ka vendin e vet dhe ka hyrë së tepërmi në përditshmëri. Pra, abstragimi në pikturë është një kërkesë e kohës, e cila mund të themi është në modë dhe që sot po kërkohet dhe pëlqehet shumë kudo në botë nga dashamirësit e pikturës. Ai, në këtë kontekst është një novacion, një lëvizje brenda stilit, apo brenda lëvizjes, që e bën artistin edhe më të kënaqur, por edhe brenda shijeve të dashamirësve. Është detyrë në fund të fundit, që piktori të kërkojë gjithmonë të reja në rrugëtimin e vet, siç kanë bërë  piktorët më të shquar të botës. Edhe Pikaso e ka filluar krijimtarinë me realizëm, pastaj  vazhdoi me kubizmin dhe teknikat që u pëlqyen shumë e ku ai fitoi një reputacion të padiskutueshëm si gjeni.

 

Pra, ju thatë se abstragimi, piktura abstraksioniste është në modë. Cilat janë të veçantat e  kësaj pikture kaq të pëlqyer?

 

Në përgjithësi, natyra ka veçoritë e veta dhe peizazhi në natyrë nuk duhet parë në mënyrë fotografike, megjithëse shumë mjeshtra kanë thënë se realiteti është shumë i bukur dhe aq i bukur, saqë nuk duhet kopjuar, por duhet imituar me njolla. Kështu filluan impresionistët, më pas modernët, që u paraqitën me piktorë të famshëm në këtë gjini. Pra, piktura abstrakte pëlqehet, sepse ka një tendencë të sintetizimit të figurës dhe të bërjes së një pikture jo thjesht natyrale, jo realiste, por duke luajtur me njollat, duke luajtur me konfiguracionin, duke luajtur me format e ndryshme të të shprehurit të rrumbullakëta apo kuadratike të gjithëllojshme që krijojnë një konfiguracion herë-herë shumë mistike, por edhe shumë të këndshme. Pra, këto ndërthurje e bëjnë atë një pikturë të pëlqyer për të qenë vërtet një pikturë progresiste.

 

Po në Shqipëri, në dashamirësit e pikturës, a ka zënë vend kjo lloj pikture?

 

Mendoj se ka zënë një vend tek brezi i ri, përveçse impresionistët që e shijojnë këtë gjini, pasi kjo kategori është më e ndërgjegjshme për këtë lloj pikture. Duke iu referuar fjalës së “Piktorit të Popullit”, Skënder Kamberi, i cili në rezymenë që i bëri ekspozitës sime theksoi se: “ Shumë janë piktorët që e lëvrojnë në botë absatarksionizmin, por jo të gjithë realizojnë atë që duhet”, besoj se kjo paraqet ekspozitën time. Unë në këtë ekspozitë kam përcjellë piktura që sipas Kamberit janë piktura unike dhe të veçanta për stilin dhe mënyrën e realizimit. Kjo pikturë, sipas Kamberit, është e pakopjuar, është tepër individuale. Pra, në abstragim piktori nuk duhet të kopjojë, por duhet të niset nga shprehitë e tij, nga perceptimi i tij i natyrës për të bërë një vepër të vërtetë origjinale pa huazime. Gjithësecili duhet të ketë individualitetin, teknikën e tij, larg kopjimeve që e ulin nivelin artistik dhe bëhen shumë rutinë.  Unë gjithmonë kërkoj në pikturën time, kërkoj në stilin tim në kuptimin e mirë të të bërit art.

 

Sa ekspozita keni hapur deri më sot?

 

Unë kam hapur mbi 15 ekspozita brenda dhe jashtë vendit që nga viti 1990. Kanë qenë shumica ekspozita personale të shtrira në kohë. Jashtë kam hapur në Greqi në disa qytete, madje ekspozita të përbashkëta ballkanike, por kam hapur në Itali, në Fier por më shumë kam hapur në Tiranë. Psh ekspozita e tanishme në Muzeun Historik Kombëtar është e pesta.

 

Kur përkon ekspozita e parë dhe çfarë emocionesh apo mbresash ka lënë?

 

Ekspozita ka qenë në vitin 1990, këtu në muze. Mund të them se ajo ekspozitë ka qenë tepër e suksesshme dhe një nga ekspozitat që kam shitur më shumë. E them me krenari që pjesën dërrmuese të pikturave të shitura i blenë turistët e huaj që në atë vit u dyndën shumë në Shqipëri. Madje veçoj turistët italianë që ishin të parët që blenë pikturat. Kjo ekspozitë më bëri shumë optimist, e kjo pasi vlerësimet e të huajve që e njohin pikturën, më dha shumë besim në vetvete e më hapi një dritare tjetër në lidhje me  dashamirësit e pikturës. Nga ana tjetër dhe blerja e pikturave, vlerësimi monetar ishte një nxitje tjetër, pasi ne nuk kishim parë kurrë më parë që të blihej një pikturë 150 dollarë apo 200.  Sot më vjen edhe mirë edhe keq për ato piktura. Më vjen mirë që i kam në koleksionet e huaja por më vjen pakëz keq që u shitën aq lirë. Këtë e them sot se për kohën që u shitën ishin një mrekulli.

 

Sa piktura keni në arkivin tuaj?

 

Me saktësi nuk mund të them, por me përafërsi mund të them se janë afërsisht 2000 piktura. Ato janë brenda dhe  jashtë atdheut. Janë në Itali, Greqi, Maqedoni, por edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

 

A mund të jetohet sot vetëm me pikturë?

 

Ah, është shumë e vështirë. Edhe piktorët tanë më të mirë mbijetojnë me shumë vështirësi. Por unë që jam dhe në një punë shtetërore ku mbijetesën e kam të zgjidhur, marrja me pikturë të jep një tjetër shans edhe në aspektin ekonomik. Unë flas për pikturën e koleksioneve dhe të galerive. Pasi ka dhe piktorë që shesin art në rrugë, në studio të hapura në natyrë që e bëjnë për mbijetesë. Por ata nuk e marrin vlerën reale të artit pasi koha, sistemi, ana ekonomike i detyron që të bëjnë art në kushte të tilla mbijetese. Por për vendin tonë të vogël, ku nuk është bërë ende kulturë mbajtja e një pikture origjinale në shtëpi, të jetosh vetëm me art, me pikturë është shumë e vështirë. Madje shumë më e vështirë është të jetosh me pikturë në qytetet e vogla. Në Tiranë ka më shumë hapësira, ka më shumë lidhje me botën dhe kufijtë e piktorit janë më të zgjeruara. Unë jam fatlum që kam qenë dhe jam i preferuar nga koleksionet private.

 

A është bërë kulturë për çdo familje në qytetet e vogla pasja e një pikture në shtëpi?

 

Në qytetet e vogla nuk mund të them, por në Tiranë ka një hapësirë më të madhe kjo ndjenjë apo dëshirë. Për shembull, në Fier ku unë jetoj, them se pas vitit 2000 është rritur interesi për pikturën në përgjithësi dhe për koleksionist privat në veçanti. Pra, pas këtij viti shohim dyndje ekspozitash, por edhe blerje nga një masë më e gjerë qytetarësh, kryesisht nga dashamirës të artit, njohës të tij, koleksionistë dhe intelektualë të mirëfilltë. Mendoj se kontakti nëpërmjet ekspozitave bën një lidhje zinxhir mes koleksionistëve dhe atyre që e pëlqejnë pikturën. Por nga ana tjetër, Tirana ka shumë piktorë profesionistë dhe amatorë, të cilët janë në konkurrencë çmimesh, kështu që disa herë dhe ai dashamirësi i artit shkon e blen aty ku arti është më lirë. Pjesa tjetër e popullsisë ende nuk e ka kthyer në kulturë pikturën reale, por blen kopje të fabrikuar.

 

Si do t’i cilësoje piktorët shqiptarë në botë?

 

E them me shumë kënaqësi dhe me shumë siguri se shumë piktorë shqiptarë kanë bërë emër në botë, sidomos  në vendet fqinje, Itali Greqi, Sebi, Bullgari pa diskutim në Mal të Zi dhe Maqedoni, por kanë bërë emër edhe deri në Gjermani dhe më tej. Shumë shqiptarë kanë hapur ekspozita në të gjitha vendet evropiane dhe kanë zënë dhe çmime. Kjo pasi piktura është origjinale, e virgjër, pa kopjime dhe teprime është unike.

 

Në këtë ekspozitë sa piktura ke?

 

Kam 46 piktura, ku mbizotëron abstragimi, por edhe portreti, natyra e qetë dhe peizazhi e kompozimi. Pra, është një ekspozitë e kompletuar. Të bën përshtypje tek peizazhi, natyra e bukur bregdetare, por edhe natyrat  e qeta, pasi jemi piktorë të formuar në realizëm, por dhe abstragimi me njollën, lojën e ngjyrave, psikologjinë e brendshme të pikturës me imazhet që të jep natyra dhe perceptimi që të jep artisti, e bëjnë ekspozitën të pëlqyeshme për të gjitha grupmoshat. Peisazhi ka ngjyra të pasura që tundon dhe i afron dashamirësit e artit. Pra, në këtë ekspozitë kam ardhur me të gjitha gjinitë që kërkon publiku shqiptar, por edhe ai i huaj.

 

 

 

SITUATA

 

Problemi më i madh i piktorëve edhe i pikturës shqiptare sot, vëmendja e shtetit

 

“Problemi më i madh është vëmendja e shtetit. Pra, shteti duhet t’i propagandojë më shumë piktorët shqiptarë, të organizojë sa më shumë ekspozita jashtë vendit. Të gjejë rrugë dhe mënyra për t’i bërë prezentë, pasi arti i tyre e lartëson Shqipërinë në sytë e elitës së artit europian. Kjo krijimtari, ky produkt aq i vyer që bëhet me sakrifica, duhet që të stimulohet, të mbrohet dhe të mbahet si përcjellës i kulturës së mirëfilltë shqiptare. Kjo duhet bërë për gjithë piktorët dhe skulptorët me talent. Këto vlera të kultivohen dhe të konservohen  në galeritë tona. Unë kam marrë vesh se në Galerinë Kombëtare është e vështirë të hapësh një ekspozitë. Pse? Ajo është për gjithë piktorët. Dyert e saj duhet të jenë të hapura për të gjithë pavarësisht se mund të ketë dhe vepra jo me nivel. Ato i seleksionon koha. Galeria është për piktorët dhe për ta duhet të jetë e hapur”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :