Data : 23 07 2018
KryeTitujt :

Flet ish-oficeri Shefqet Saliu (Përmeti): Ja si shpëtuam nga tragjedia tek SHLBO në datat 23-26 shkurt 1991

Flet ish-oficeri Shefqet Saliu (Përmeti): Ja si shpëtuam nga tragjedia tek SHLBO në datat 23-26 shkurt 1991

-Akuza për Puç ushtarak në 20 shkurt 1991, ishte komedi

-Komedia e Berishës dënoi Ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqin 5 vjet, komisarin e Shkollës se Lartë të Oficerëve, Ksenofon Çoni 4 vjet, komandantin, Arseni Stroka 3 vjet

- Ja, kështu u mbyll kjo tragjedi komike, kur turmat sulmuan Shkollën e Bashkuar të Oficerëve

-Tezat e zeza, protagonistë kryesorë të akuzës ishin E. Hoxha, M. Shehu, H. Kapo

-Toga e zbulimit nuk pranoi të merrte lopata xheniere të brezit dhe u përjashtua nga shërbimi

- SHLBO, Akademia Ushtarake dhe Shkolla “Skënderbe”, në atë vit kishin një efektiv 2500-2600 veta.

 

Albert Z. ZHOLI

Në fundshkurtin e vitin 1991, ushtria u akuzua hapur se po bënte një “Puç ushtarak”. Shtrohen pyetjet: A ishte e vërtetë? A kishin mundësi reale ushtarakët për të bërë një puç? Cili do të ishte objekti? Kë do të rrëzonin dhe kush do ta merrte pushtetin? Cili ishte burimi i të dhënave që dispononin ata që ngritën gishtin dhe akuzuan, që pretenduan se po përgatitej një juntë ushtarake? Nëse jo, përse u bë gjithë ajo zhurmë, cili ishte skenari i atyre njerëzve që ngritën zërin dhe akuzuan ushtarakët e sfilitur për një puç?

 

Si do ta komentoni z. Shefqet këtë moment?
Po ta analizosh fenomenin në mënyrë të paanshme dhe në realitetin konkret, në thelb, nuk del të ketë pasur gjasa për një puç ushtarak. Nuk kishte as një individ, grup apo grupim, që të pretendonte të merrte pushtetin me mbështetej e ushtrisë. Nuk ka patur platformë, nuk ka deponime, nuk ka fakte, nuk ka gjurmë, në të fundit mungonte baza ideologjike, politike, ekonomike edhe ushtarake. Së fundi nuk u bë asnjë kallëzim penal për një veprim të tillë.
Ushtria në vetvete ishte squllur, kuadrot e ushtrisë ishin dhe ndjeheshin vërtet të përçmuar, ndër ta nuk kishte nga ata që të pretendonin se kishin autoritetin për t’u bërë liderë. Rreth 90% e ushtrisë përbëhej nga ushtarë e oficerë rezervistë, të cilët tashmë ishin të çoroditur, të ndarë në shumë grupime, vendi ishte në krizë ekonomike, mbështetja ndërkombëtare mungonte absolutisht. Populli kishte të tjera halle dhe mbi të gjitha mëria e akumuluar, zemërimi i masave popullore kërkonte ta ndryshonte atë sistem, kërkonte përmbysjen e tij, ndërsa ushtria shihej si pjesë e së kaluarës. Pra nuk mund të kishte asnjë grupim në popull që mund të mbështeste një forcë ushtarake në pushtet.
Puçi ushtarak mund të bëhet vërtet nga gjeneralët, nga një grup kolonelë, por cilët do të mund të ishin ata?!

 

Historia botërore tregon se oficerët madhorë mund dhe kanë bërë puçe ushtarake. Kështu ndodhi me puçin ushtarak të vitit 1967 në Greqi, i cili njihet me emrin “Kolonelët e Zinj” ose “Junta Ushtarake”, ku në mëngjesin e 21 prillit 1967 atje u krye një puç ushtarak. Një grup gjeneralësh nëpërmjet ushtrisë morën kontrollin e vendit dhe bënë masakra të mëdha në vitet e qeverisjes së tyre. Në 17 nëntor 1973 në gjithë Greqinë, studentët u ngritën në kryengritje, por u shtypën me dhunë nga junta ushtarake. Ajo ekzekutoi disa dhjetëra studentë opozitarë në oborrin e Politeknikumit. Kolonelët e Zinj kishin përkrahjen e një nga dy superfuqitë e botës, të asaj kohe. Vetëm në vitin 1999 ish-Presidenti Bill Klinton ka kërkuar ndjesë në emër të Uashingtonit për mbështetjen e juntës në Greqi, në kontekstin e taktikave të Luftës së Ftohtë. Kështu ndodhi edhe në Kili, në vitin 1973, ku u vendos diktatura e juntës ushtarake. Pinoçeti pas masakrave të tmerrshme qeverisi gjatë me dorë të hekurt vendin e tij.
Ndërsa ushtrinë shqiptare që mbërriti në ’90, e kishte tredhur që në vitet ’66 – ‘74 E. Hoxha dhe as që i shkonte mendja njeriu për puç. Gradat u hoqën në maj të 1966, ndërsa në 1974 kuadrot e lartë të ushtrisë, që nga Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Drejtori Politik u akuzuan, se: Kishin krijuar një kastë ushtarake të rrezikshme për partinë, shtetin e atdheun; se ishin kundër heqjes së gradave, kundër rolit udhëheqës të partisë në ushtri, kundër Tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe si bashkwpunwtorë të armiqve të jashtëm e të brendshëm; se kishin punuar sistematikisht për komplot dhe se ishin gati të bënin puç ushtarak për të përmbysur pushtetin popullor dhe për të marrë pushtetin duke rrethuar KQ të PPSh dhe organet shtetërore me tanke.
Protagonistë kryesorë të akuzës ishin E. Hoxha, M. Shehu, H. Kapo dhe mbështetësit e tyre. Rasti në fjalë dhe argumentet e sjella nga autorët e akuzës janë të dyshimta, por sidoqoftë ato përfunduan me një “gjyq”, ku trupi gjykues dha pushkatimin e tre drejtuesve më të mëdhenj të Ushtrisë Popullore: Ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku, Shefin e Shtatmadhorisë Petrit Dume dhe Drejtorin Politik Hito Çako. Ndërsa pothuajse tërë kuadrot e tjerë madhorë të quajtur “kasta e ushtrisë” u futën në burgje, u internuan dhe pjesa tjetër u liruan nga ushtria. Ndjekja dhe përndjekja e tyre vazhduan edhe pasi Mehmet Shehu vrau veten në dhjetor 1981. Pema i tha sëpatës po më lëndon, po sëpata iu përgjigj ti ma dhurove bishtin…! Tragjedia e viteve ’70 e ’80-të ishte tragjedi sidomos e asaj shtrese të gjerë që bëri apo mbështeti Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Masat e marra në ushtri atëherë lanë gjurmë të thella tek çdo oficer, ato ishin të freskëta edhe në ’90, sepse ata që kishin mbetur gjallë nga masat drastike të ’74 dhe ’82 dolën nga burgjet dhe u kthyen nga internimet në 1990 – ‘92. Prandaj kuadrove që ishin në krye të ushtrisë as u shkonte ndërmend për puç ushtarak.
Po atëherë e përse u bë gjithë ajo zhurmë?

Ndoshta Presidenti u frikësua nga ajo që i ndodhi në aparatin e ministrisë, ndoshta krerët e partive e lexuan atë ndodhi si fillimin e një puçi, por më tepër ka të ngjarë ta ketë patur skenari dhe dikujt i duhej ta bënte atë presion që të sigurohej se nuk do të ndodhte gjë, siç i ndodhi Gobaçovit. Ngjarja e BS, siç duket kishte lënë gjurmë dhe kishte bërë të ishin të kujdesshëm Alia dhe forcat e djathta, të cilat kishin shumë nevojë akoma për mbështetjen e tij. I frikeshin një mundësie të tillë dhe për të penguar atë fenomen, u hodhën në sulm, sipas parimit: “mbrojtja më e mirë ishte sulmi”. Ata kërkuan dhe mbajtën në dorë iniciativën, duke u bërë dirigjuesit e rrjedhës së ngjarjeve të atyre viteve, duke dashur të kontrollonin edhe ushtrinë.
Në atë kohë forcë e vetme ushtarake e organizuar ishin shkollat ushtarake, sidomos Shkolla e Lartë e Oficerëve “Enver Hoxha”. Pikërisht asaj i frikeshin dhe aty u bë presion i skajshëm deri në tentativa për gjakderdhje dhe eliminime fizike. E djathta synoi të depërtonte me shpejtësi edhe në shkollat ushtarake, por, rezultati ishte simbolik. Ajo mundi të rekrutonte pak oficerë, si Bujar Mehmeti (Nishani) etj, ndërsa studentët merrnin kontakte me shokët dhe të afërmit, çka ndikoi te njëri-tjetri. Në një mëngjes të atyre ditëve, toga e zbulimit nuk pranoi të merrte lopata xheniere të brezit dhe u përjashtua nga shërbimi atë ditë; kur studentët e Universitetit “Enver Hoxha” të Tiranës ishin në grevë urie dhe në konviktet e Universitetit u bë një miting i madh, shkuan atje edhe studentët ushtarakë të togës së prapavijës, “kisha vëllanë atje dhe kisha merakun e tij”, tha dikush prej tyre kur u pyet, po kishte edhe prej tyre që shkuan për gallatë e kuriozitet.
Shkolla e Lartë e Oficerëve “Enver Hoxha”, Akademia Ushtarake dhe Shkolla Ushtarake “Skënderbe”, në atë vit kishin një efektiv të konsiderueshëm djelmoshash, 2500-2600 veta. Prandaj, me gjithë rezultatet e dobëta, forcat e reja politike nuk hoqën dorë nga synimi i tyre për të bërë për vete me hir ose me pahir ato kontingjente, veç ndërruan taktikë dhe po prisnin rastin. Gjithmonë ka një pretekst, rasti erdhi, më saktë ai u gjet.

 

-Si u gjet?

Para godinës së Akademisë Ushtarake, në oborrin e bukur të hyrjes plot lule, kishte mbi 40 vjet që ishte vendosur shtatorja e E. Hoxhës, ushtarak. Ai monument u bë “shkak” për realizimin e një plani, pjesë e skenarit të përgjithshëm.
Të nesërmen e rrëzimit të monumentit të E. Hoxhës në qytetin e Tiranës, u përhap thashethemnaja se “efektivat e Shkollës së Bashkuar të Oficerave do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të rivendosnin shtatoren e E. Hoxhës, atë që ndodhej në oborrin e shkollës”. Që më 21 shkurt 1991 shkollat ushtarake u vunë në shënjestër, jashtë mureve të saj u organizua një demonstratë për të hequr statujën e Hoxhës. Demonstruesit hidhnin parulla dhe qëlluan me mjete të forta në drejtim të territorit të shkollave, pa marrë në konsideratë se po sulmonin një repart ushtarak tepër të organizuar e të armatosur. Komandat e shkollave dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë i përcillnim me kujdes ato situata. Efektivat e shkollave ruajtën qetësinë, ndërsa turmat u shpërndanë vetëm kur u detyruan nga reparti i ndërhyrjes së shpejtë i ministrisë së Brendshme.
Protestat e turmës në postablloqet dhe muret e shkollave ushtarake nuk ishin spontane, të paqëllimshëm, pa drejtues dhe pa objektiva e detyra konkrete. Ditën tjetër, në 22 shkurt, grupi i demonstruesve ishte më i madh dhe më i dhunshëm. Si dhe një ditë më parë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë i shpërndanë, por këtë ditë mbeti i vrarë një polic. Duhet të jetë i pari ndër ata që u vranë në ato ditë. Demonstruesit ishin të dhunshëm, policia korrekte. Kjo gjendje e tensionoi situatën edhe brenda mureve të shkollave ushtarake. Duhej punë e madhe të neutralizoje atë revoltë të brendshme të studentëve ushtarakë me një unitet të admirueshëm. “Ne jemi ushtarakë, jemi në repartin ushtarak dhe vijnë e na provokojnë lloj-lloj njerëzish të rrugëve, ose të grupimeve të ndryshme politike, nuk durohet, kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër, thoshin studentët dhe prisnin nj urdhër të vetëmbroheshin”.

-Si prevaloi situata?

Më 22, duke u gdhirë 23 shkurti, një “Komision Nismëtar” doli me një “Projekt Peticioni” ultimativ.

 Ky Komision ishte rrjedhojë e revoltës apo i nxitur nga jashtë?!

Sipas Arseni Strokës, ish Komandant i Shkollës së Lartë të Oficerëve, “nuk mund të thuhet se kujt i lindi ajo ide edhe sot e kësaj dite”. Të gjithë ishin me një mendje. Komisioni në krye kishte oficer Bajraktarin, një akademist nga Tropoja. Po në përbërjen e tij kishte edhe oficerë të Shkollës së Bashkuar, bile edhe zv.komandantin e saj për shkencën. Ata u dhanë komandave të shkollave projektin dhe u thanë t’ua lexonin gjithë efektivave të studentëve, të cilët duhej të jepnin mendime dhe të solidarizoheshin me të. “E lexova, ishte tepër ultimative”, kujton Stroka. U tha atyre që ia çuan se nuk ishte dakord me të, sepse ishte radikal. Stroka u propozoi anëtarëve të komisionit që projekti “të ripunohej, në atë grup nismëtarësh duhet të kishte kuadro të pjekur dhe me horizont, bile u propozova konkretisht për Xh. Çelën’’.
Projekti i tyre u ripunua dhe duke marrë formën e përshtatshme, u lexua me tërë efektivat e Akademisë Ushtarake, studentët e Shkollës së Lartë të Oficerëve, në 2-vjeçaren e Zall-Herit, si dhe me skenderbegasit. Të gjithë u solidarizuan. Në përmbajtje ai Peticion parashtronte që: “Ushtria të depolitizohej, të miratohej statusi i ushtarakut, t’u jepej fund shkatërrimeve dhe djegieve, të vendosej rendi e qetësia, çështja e qëndrimit ndaj figurës së E. Hoxhës të vendosej nga një referendum mbarë kombëtar, etj”. Një grup nga nismëtarët me oficer Merkon shkuan në TVSH dhe kërkuan me këmbëngulje që të publikohej Peticioni.

 

U publikua?

Por, me gjithë presionin, ai nuk u lexua. Televizioni mbikëqyrej direkt nga KQ i PPSH dhe jo kushdo mund të diktonte. Shkuan në Presidencë, ku i priti direkt R. Alia dhe u përpoq ta zbuste gjendjen, shkuan në Kryeministri, shkuan edhe në mistrinë e Mbrojtjes.
Atë ditë komanda e shkollës Bashkuar të Oficerëve nxori një urdhër për mbrojtën e territorit saj nga sulmet e jashtme, ku përcaktohej armatosja me armë e gjithë efektivit, u caktuan sektorët e mbrojtjes dhe detyrat konkrete për çdo fakultet, për të mos lejuar shpërthimin e mureve rrethuese dhe as futjen e të huajve nga avllitë në territorin e ambientet e shkollës. Shkolla e Bashkuar e Oficerëve armatosi rreth 2200 studentë, shkolla Ushtarake “Skënderbe” vetëm vitin e katërt, 300-400 skënderbegas, ndërsa oficerët e Akademisë Ushtarake u pajisën vetëm me pistoleta.
Komisioni nismëtar dhe Peticioni i tyre vuri në lëvizje gjithë forcat politike, qeverinë dhe kreun e shtetit. Në atë pasdite shkuan në Akademinë Ushtarake dhe u pritën në zyrën e Komandantit të Akademisë, Kostaq Karolit, përfaqësuesit e forcave politike. PD përfaqësohej nga Neritan Ceka, PR nga Sabri Godo, Ramiz Alia dërgoi ndihmësin e tij, ministria e Mbrojtjes nga Shefi i Shtabit Përgjithshëm, Halim Abazi, …. Në mbledhje ishte edhe grupi nismëtar i Peticionit.
Pjesëmarrësit i kërkuan llogari N. Cekës si përfaqësues i drejtuesve të turmave që kishin dalë në rrugë “përse ndodhin djegie, shkatërrime, përse monumenti i E. Hoxhës u hoq në atë mënyrë”, etj. Ceka u tha se “As unë nuk jam për ato forma, por turmat janë turma dhe ato shpesh dalin edhe nga kontrolli”. Sheshi para Akademisë Ushtarake ishte i mbushur plot e përplot me student ushtarakë. Jashtë shkollave, përpara konvikteve të Mjekësisë dhe te stacioni i autobusit kishte shumë demonstrues. Gjendja ishte e mahisur, aq sa përfaqësuesit e mbledhjes shkuan dhe i morën me transportues të blinduar, kur mbaroi mbledhja, për t’i nxjerrë nga ai rajon ushtarak gati në shpërthim në çdo moment.

 

Çfarë ndodhi nga kjo mbledhje?
Ajo mbledhje nuk pati asnjë përfundim. Beteja vazhdoi edhe ditën e nesërme, bile ajo ditë, 23 shkurti, nga protagonistët e ngjarjes ishte caktuar si dita e betejës vendimtare. Forcat ishin shumëfishuar, ishin më agresive dhe më këmbëngulëse, më të papërmbajtura. Ishte planifikuar një sulm nga çdo anë për t’u futur në shkollat ushtarake me çdo kusht dhe për t’i neutralizuar “planprishësit”, pa marrë parasysh armatosjen e studentëve dhe oficerëve.
Demonstruesit që në orët e para të mëngjesit me një shtyllë centrifuge gjuajtën disa herë murin rrethues në krah të portës kryesore të Shkollës së Lartë të Oficerave. Ai ishte me tek tullë dhe diku, afër postbllokut, u shemb. Turma filloi të futej brenda territorit të shkollës si fitimtare, por menjëherë studentët hapën zjarr me breshëri në ajër. Nga ata që ishin futur brenda murit, në territorin e shkollës, 10-15 veta ranë barkas, të tjerët u kthyen mbrapsht dhe u zhdukën sa hap e mbyll sytë! Të shtrirët nuk guxonin të ngriheshin më në këmbë. Ushtarakët ndërprenë zjarrin menjëherë, por nuk lëvizën nga pozicionet. Atje shkuan civilët e shkollës Lutfi Zyka me Ismet Islamin dhe u thanë: “Çohuni se nuk keni pësuar asgjë. Ikni te ata që u kanë dërguar dhe mos e bëni më këtë gabim, mos u bëni mish për top!”
Po atë paradite, por pak më pas, në lindje të Shkollës së Lartë të Oficerave, afër klasave të teknikës së tankeve disa demonstrues tentonin të shëmbnin murin rrethues dhe mundën të hapnin një vrimë të madhe në formë guve. Një nga tanket e shkollës lëvizi dhe shkoi e mbylli me trupin e tij të blinduar atë zgavër. Turma e ndërpreu prishjen e murit rrethues e frikësuar nga tanku.
Dhashë urdhër, kujtonte komandant Stroka (një njeri i rrallë) dhe nxora në patrullim një nga transportuesit e blinduar, që na kishte dërguar Shtabi i Përgjithshëm atë ditë. Shkatërrimtarët u larguan menjëherë nga frika. Në ato dite të vështira bënë punë të mirë transportuesit e blinduar, sepse me ta komanda e shkollës patrullonte herë pas-here muret rrethues nga jashtë territorit të shkollave. Por, ata në asnjë rast nuk përdorën forcën e armëve, njerëzit trembeshin prej tyre sa i shikonin që afroheshin.
Atë paradite në shkollë shkoi edhe një grup përfaqësuesish të PD, me pretendimin se ishte hapur fjala se “kishte konflikte dhe komanda e shkollës kishte bërë seleksionime dhe izolime”. Kur ata ndodheshin në zyrat e komandës u rrëzua muri afër postbllokut nga protestuesit. Dikush u kujtoi dhe i ftoi të shkonin e të shikonin se çfarë bënin njerëzit e tyre. Por, ata nuk e pranuan duke thënë se “këta nuk janë njerëzit tanë”. Të hutuar u larguan pa pretenduar të vazhdonin verifikimet.

 

Kur arriti kulmin agresiviteti?
Agresiviteti i asaj dite vazhdoi edhe natën. Në mbrëmjen e 23-24 shkurtit nga jashtë shkollës u hodhën shishe me lëndë djegëse, një e tillë ra në katin e dytë, te biblioteka dhe shkaktoi zjarr. Oficeri i rojës, një specialist i mirë, mori masa të menjëhershme për kufizimin dhe izolimin e zjarrit. Efektivat të ndihmuar nga një fikse e neutralizuan zjarrin pa u përhapur në dhomat e tjera. Sulmi për të pushtuar shkollat ushtarake me demonstrues dhe djegien e tyre, dështoi edhe kësaj herë.
Ditën e nesërme, më 24 shkurt, në ditën e katërt të luftës, vihet në skenë një variant i ri, ai i kohës së mesjetës, i kështjellave. Ishte vendosur t’u pritej uji dhe buka mijëra djelmoshave, që ishin në gjendje të hanin hekurin me dhëmbë.

 

Përse? …

Për t’i detyruar të dorëzoheshin! Apo u hodhën dorashkën të dilnin nga llogorja dhe të luftonin si të barabartë në fushë të hapur? Ku e gjenin këtë kurajë drejtuesit e turmave të rrezikshme që po luftonin me zjarrin, që kishin rrethuar një repart të zgjedhur ushtarak?
Kreu i shtetit,Ramiz Alia i cili ishte i vetmi njeri me pushtet heshtte. Nuk i mblodhi asnjëherë krerët e partive politike që drejtonin atë operacion dhe t’u kërkonte të ndërprisnin agresivitetin.
Për fat të mirë, shkollat ushtarake në ato vite furnizoheshin me ujë të pijshëm nga dy rrjete, në dy drejtime, ishte linja e vjetër e ujësjellësit, e cila nuk mbahej mend sa kohë kishte që ishte ndërtuar, dhe linja e re që furnizonte me ujin e Bovillës. “Mos u shqetëso, komandant, më thanë specialistët e prapavijës, kujtonte Stroka, se do të bëjmë furnizimin e efektivave me linjën e dytë. U ndjeva sikur rilinda…” Furnizimi me bukë ishte më i vështirë. Shkollat nuk dispononin rezerva mielli, as furra buke. Ato furnizoheshin nga qyteti. Për zgjidhjen e situatës ndërhyri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe furnizimi u bë me helikopter.
Atë dite dogjën edhe shtëpinë e komandant Arseniut. Mendohet që kryesori të ketë qenë një student i përjashtuar më parë nga shkolla. Ishte dëgjuar afër postabllokut që kishte thënë se “do ta shikojë se çfarë do t’i punoj unë Strokës!” Hodhën shishe me benzinë, dogjën derën e jashtme, flaka u fut në korridor, gjuhët e saj përpinë portmandonë, frigoriferin dhe çfarë tjetër gjetën aty, u ndërpre edhe ndërlidhja telefonike se u dogj kablli e telefoni. Djali i madh Kastrioti, që studionte diku aty pranë me një shokun e vetë, pa tmerrin me sy. Atë natë vendosën ç’mundën te dera, të nesërmen u vendos një derë e sigurt në hyrje. “Unë e mësova ngjarjen ditën tjetër”, kujton kryetari i familjes, që qëndronte ditë e natë në krye të detyrës fisnike dhe delikate.
Shtabi drejtues kundër shkollave ushtarake, që besohej se kishte një të tillë, drejtonte nga dy shtëpitë dy-katëshe, në veri dhe lindje të tyre. Më 25 shkurt në ndërtesën dykatëshe në krah të konviktit të vajzave të Mjekësisë, hipnin e zbrisnin njerëz të armatosur. Ashtu veprohej në ato ditë dhe në një ndërtesë dy katëshe në lindje të shkollës në krah të fushës së druve, ku thuhej se ishin parë edhe drejtues të lartë të PD. Garnizoni i shkollave vazhdonte të qëndronte në rrethim.

 

 

-Si reagoi komanda e shkollës dhe Arseni Stroka?
Në komandën e shkollës më 25 shkurt në mbrëmje, shkuan disa njerëz si përfaqësues të lagjes. “Kemi ardhur si përfaqësues të lagjes se kemi shqetësime për ato çka po ndodh në lagjen tonë”, i thanë komandës. Në fakt studentët gjatë atyre netëve edhe zbraznin armë në ajër. U garantuan nga komanda, që efektivat e shkollës nuk merreshin me heqje e vënie bustesh dhe nuk dalin jashtë mureve të shkollës, por as nuk lejojnë njeri të futet brenda. “Miqtë e paftuar” ua kërkuan me shkrim këtë deklarim. Atëherë “bëra një deklaratë, kujton Stroka, ku shkrova se efektivat e Shkollës së Bashkuar të Oficerave nuk merren me heqjen dhe vënien e busteve. Ato nuk dalin jashtë territorit të shkollës dhe nuk do të kryejnë asnjë aktivitet jashtë mureve të saj, por njëkohësisht, ato nuk do të lejojnë askënd të futet brenda territorit të shkollës. Kushdo që do të tentojë të futet në Shkollën Ushtarake të Oficerëve, do të kthehet në kërmë. Ne jemi të gatshëm për vetëmbrojtje!” Deklarata u bë me shkrim dore. E firmosi deklaratën komandanti dhe komisar Ksenafon Çoni dhe ua dhanë atyre që e kërkuan. Deklarata u bë vetëm në një kopjo, se kjo ndodhi ishte në mbrëmje vonë.

 

Vazhdoi deri në datën 26 shkurt…
…E diel, 26 shkurt, gjendja dukej diçka më e qetë në gjithë vendin, por shkollat ushtarake ishin vendosur në qendër të tërë opinionit publik. Ec e jaket vazhduan dhe provokimet e incidentet ishin prezent. Atë ditë në Shkollën e Bashkuar shkoi një zonjë, përfaqësuese e PD. Komanda transparente e priti. Vajtjen ajo e justifikoi me pretekstin se “kishte dëgjuar se në shkollë ka përplasje midis grupimeve të ndryshme politike dhe donte të dinte shkallën e dëmtimeve”. Qëllimi duhjt të ketë qenë gjetkë, të monitorohej situata në vazhdimësi në ato shkollat dhe të depërtohej me çdo kusht, duke përdorur të tëra mënyrat në radhët e efektivave të tyre, si dhe për t’u thënë ushtarakëve atje “neve jemi këtu”. Në kohë që zonja ishte në zyrën e komandantit, dëgjohet një e shtënë arme dhe pas pak shkon në zyrë oficer Tomson Lani, i cili me rrëmbim tha: “U plagos Bashkim Lika!”
Nga pallati në lindje të shkollës ishte qëlluar me armë, siç doli nga verifikimi i ngjarjes në vend. Plumbi kishte rënë në asfalt, kishte bërë rikoshet dhe kishte qëlluar oficerin, kampjonin kombëtar të mundjes, shefin e katedrës të përgatitje fizike, në pulpë. Bashkimi ishte plagosur me plumb, por lehtë. Me komandantin në vendin e ngjarjes shkoi edhe zonja e PD.
- Ja, zonjë, nga jashtë shkollës po na qëllojnë me armë, po na vrasin! Shiheni me sytë tuaj gjendjen! Kush duhet të përgjigjet? – e pyeti komandanti.
- Kam ardhur të shikoj situatën dhe jo çfarë ndodhi tani, – iu përgjigj përfaqësuesja informatore dhe zbuluese e PD…
Efektivat e shkollave ushtarake përbënin një elitë të zgjedhur, të organizuar, tepër të përgatitur, që mbaronin Universitetin Ushtarak 4-vjeçar dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm. Ata ishin të parët që u përballën me atë ndërrim sistemesh, që në ditët e para të korrikut të nxehtë të vitit 1990 morën detyrë të ruanin ambasadat, më pas, për disa muaj për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë dhe për vendosjen e rregullit e qetësisë në kryeqytet. Ata edhe këtë betejë e fituan, nuk lejuan që dinjiteti i tyre të nëpërkëmbej, nuk gjakosën askënd nga ato turma të gënjyera që nuk dinin se çfarë kërkonin.
Atëherë kush është organizatori i puçit sipas kësaj rrjedhie ngjarjesh, i dashur lexues? Ushtarakët nuk kishin rrethuar ndonjë objekt, fjala vjen si Presidencën, Kryeministrinë, Radjo Televizionin Kombëtar, përkundrazi, ata qëndruan të rrethuar, të izoluar për pesë ditë, u tentua edhe t’u prisnin ujin e furnizimin me bukë. Po çfarë kërkonin këta njerëz (agresorë) që insistonin të futeshin në shkollë? A kishin një kokë që i drejtonte? Thuhet shkak u bë shtatorja dhe grupi nismëtar i Peticionit. Pra rrethimi dhe sulmi i shkollave kishte një qëllim dhe një objektiv politik dhe nuk ishte spontan, siç propagndohej atë kohë.
Publikisht, gjer më sot, për ato ngjarje është shprehur vetëm ish ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Kiço Mustaqi, sipas të cilit për shkollat ushtarake ka pasur plan të parapërgatitur, madje nga njerëz të përfshirë në politikë. Rrethimi dhe sulmi drejtoheshin nga liderët e PD të asaj periudhe, që janë parë me sy nga populli. Ata kishin për qëllim të provokonin shkollën ushtarake të armatosur, me qëllim që të nxirrnin situatën nga kontrolli dhe të derdhej gjak. Kjo, për faktin e thjeshtë që të deklaronin se pushtetin e tyre e kishin marrë me gjak, duke thirrur “Liri-Demokraci!” Në mes të turmës ka pasur liderë të së djathtës. Të gjithë e dinë se në mes të provokimeve është hapur dera e mbrapme e një fugoni dhe është parë një drejtues kryesor i PD që bënte thirrje për goditje. Atë ditë që do të ndodhte historia që është quajtur “Ngjarja e Shkollës së Bashkuar”, është marrë masa që spitali civil të kishte të përgatitur rreth 1000 shtretër për njerëzit që do të goditeshin nga përplasja që ishte organizuar dhe parashikuar. Tritan Shehu, ishte interesuar të përgatiste shtretërit e të plagosurve në spital.
Shkolla e Bashkuar ishte parashikuar se do të dilte jashtë mureve dhe do të sulmonte. Përplasja në këtë rast do të kishte viktima të jashtëzakonshme, duke siguruar një gjakderdhje të madhe. Pas asaj që ndodhi, sipas tij, ai mori informacion se “Sali Berisha i ka mbledhur drejtuesit dhe ka bërë konkluzione në një ndërtesë që më duket se ka qenë shkollë dhe ndodhej në drejtim të lumit të Tiranës kur merr rrugën për në drejtim të Kinostudios e Rrapit Treshit”.

 

-Si përfundoi kjo akuzë?
E gjithë ajo akuzë përfundoi me një gjyq qesharak, kur erdhi në pushtet PD, i cili akuzoi se nga armët e zbrazura në shkollë, ishte plagosur një vajzë në shtëpi, paçka se ndodhej tre-katër pallate më në veri të shkollës; kishte vdekur një burrë diku andej nga ndërmarrja kimike dhe ishte plagosur një oficer brenda në shtëpi, afër stacionit të trenit. Gjyqi, për “neglizhencë në kryerjen e detyrës, për armatosjen e oficerëve, për mos shmangie të zbrazjes së armëve dhe plagosjen e dy vetave e vdekjen e një të treti”, dënoi me burg: Ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqin 5 vjet, komisarin e Shkollës se Lartë të Oficerëve, Ksenafon Çoni 4 vjet, komandantin, Arseni Stroka 3 vjet, shefin e shtabit, Aleks Andoni, me kusht. Për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit ata shkuan ilegalisht në Greqi, provuan jetën e emigrantit dhe u kthyen kur u shpall amnistia e përgjithshme në vitin 1997. Ja, kështu u mbyll kjo tragjedi komike, kur turmat sulmuan Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit