Data : 24 05 2018
KryeTitujt :

Filmi i parë dokumentar i Kujtim Gjonajt

kujtim_gjionaj_1

Albert Z. ZHOLI

Pse e kujton gjithnjë skenarin e filmit të parë?

Përse sa herë I shkon mendja te ai film dokumentar gjoksi i gufon nga emocionet dhe kujtimet I vërshojnë si një përrua i rrëmbyer që zbret me vrull nga shpati i malit? Ishte maj, muaji më I bukur I vitit, kur çelin trëndafilat  dhe pemët kanë lulëzuar tërësisht, kur njerëzit lehtësohen nga veshjet e rënda të dimrit, kur gjaku i rinovuar vërshon vrullshëm nëpër rremba, kur vajzat duken më të bukura, a thua se i kanë shpallur konkurs bukurive të natyrës. Në maj çdo gjë lulëzon, lulëzon natyra, njerëzit, zogjtë. Pak ditë më parë e kishte thirrur drejtori në zyrë dhe ndër të tjera I kishte thënë

-Më pëlqejnë tekstet e tua…I shkruan vërtet mirë, me ndjenjë.

Djaloshit të ri nuk I kish kaluar pa u ndjerë vlerësimi I drejtorit, po atë ditë që e dëgjoi vetë, e gëzoi ky fakt.

-Mendoj se ka ardhur koha për ndonjë punë më serioze.

Pas një pauze të shkurtër,  drejtori shtoi

-Mendo për ndonjë skenar dokumentari.

Kaq tha drejtori dhe mjaftoi, që ai të përfshihej nga ndjenja e krijimit. Idetë vinin e iknin njëra pas tjetrës. Duke shëtitur në një nga ditët e mrekullueshme të majit, I erdhi ngacmimi “të shkruajë diçka për shkollën e mesme”.

Vendosi të shkruante një skenar për një nga shkollat me me emër në Tiranë, për gjimnazin Qemal Stafa. Shkoi disa herë në shkollë. U takua me shumë mësues dhe nxënës. Takoi aty ish mësuesen e tij të historisë Nekije Demin, Afrim Karagjozin me të cilin njihej që nga fakulteti. Bisedoi dhe me mësues të tjerë të njohur në aksionet e rinisë apo kur kish shkruar për ta në gazetë. Në biseda e sipër I lindi ideja të përqendrohej në dy nga tre  komponentët që përbënin themelin e mësimit të asaj kohe, trekëndëshin mësim-punë-kalitje. Iu duk mendim interesant.  Pra struktura dramaturgjike e filmit do të mbështetej në mendimin se krahas mësimit kuadrot e ardhshme të vendit do të formësohen jo vetëm teorikisht por dhe me dashurinë dhe respektin për punën. Trendi i asaj kohe ishte puna prodhuese e nxënësve si ajo e punimit në dru, me metal, apo punime artizanale qelqi etj. Për ditë të tëra ndoqi klasat e ndryshme në këto orë praktike. Kështu lindi skenari i filmit të ardhshëm “Shkolla dhe praktika”. Ishte i pari skenar që shkruante. Dhe si të gjithë ata që shkruajnë u zhyt në botën e krijimit. Mbresat e takimeve të shumta me nxënës e mësues e frymëzuan dhe ato ai i hodhi në letër. Skenarin e pëlqyen dhe menjëherë u krijua grupi i xhirimit. Interesant fakti, ai e kishte skenarin e parë. Për herë të parë dhe regjisorja Adriana Elini, po ngarkohej të bënte një film. Ajo vinte nga një karrierë e suksesshme si montazhiere filmi. Ishte koha kur Kinostudio “Shqipëria e re” po përgatitej të hidhte hapin e madh, koha kur krijimtaria po hynte në shinat e themeleve të forta artistike. Çdo film dokumentar duhej dhe do të xhirohej me skenar dhe jo si deri më tani- nis një operator vetëm ose një regjisor me të, dhe na sillni filmin. Skenari po hynte si kërkesë e kohës dhe për filmin dokumentar ose siç e quajnë profesionistët për publicistikën e ekranit. Ishte rastësi, por koincidencë e bukur që dhe operatori I filmit Pashko Çomo merrte pjesë në xhirim për herë të parë në një film të mirëfilltë dokumentar. Pra të tre për herë të parë dhe të tre ndihmonin njëri tjetrin që filmi të dilte sa më i mirë. Punohej me dëshirë e pasion dhe më entuziasti natyrisht ishte Kujtimi, që kishte afërsi në moshë me djemtë dhe vajzat e gjimnazit, objekt i filmit. Xhiruan orë të ndryshme mësimi, xhiruan klasat e viteve të treta në repartin e zdrukthëtarisë, nxënësit e vitit të katërt në orët e punës me metal dhe ata të vitit të dytë që po punonin me qelqin. Aty i tërheq vëmendjen një vajzë e brishtë, tepër e bukur  që luante me format e qelqit në mënyrë të përsosur. Ndihej në çdo lëvizje të vajzës një pasion i veçantë për punën që bënte.

 

?????????????????????

I thotë operatorit: “Ta xhirojmë atë gocën. Shiko sa e mirë është ! Sa bukur e punon qelqin”…Dhe afrohej pranë kamerës dhe vinte sytë në objektiv për të parë duart e saj që  ndiqnin bazën dhe i jepnin formë qelqit, pastaj ngrinte lart objektivin dhe e përqendronte në portretin e vajzës. E shikonte dhe e shijonte gjatë atë. Vajza me flokë gjysmë gështenjë, të prera shkurt, model kapelon, me sy të kaltër pothuajse një lloj me sytë e tij, kishte një portret mahnitës.

-Pashko, shiko sa plan I bukur!

Ndërhynte vend e pa vend sa tek operatori aq dhe tek regjisorja, një grua e mirë, e urtë dhe me shumë “buon sens”, që nuk ia prishte qejfin asnjëherë dhe pranonte çdo sugjerim të tij. Ajo e kuptonte të riun, kuptonte dhe dëshirën e tij për tu dukur paksa, karakteristikë e moshës. Djalit, i dukej vetja se ish vetëm ai dhe askush tjetër. Adriana buzëqeshte dhe e mirëkuptonte jo vetëm dëshirën e djalit të ri por dhe sqimën, egon e krijuesit të ri. Ishte vërtet grua e mirë dhe e lejonte të ndërhynte në kompetencat e saj. Rrinte pak kohë, vështronte auditorin dhe më pas ndërhynte përsëri.

-Pashko, shikoje përsëri vajzën e qelqit! Shikoje sa bukur punon… Bëje dhe një portret….Del bukur,  besoj.

Dhe operatori babaxhan nuk ia bënte fjalën dy. Jo vetëm se I thoshte ai, por dhe vajza e meritonte me bukurinë që rrezatonte.

Ashtu si pa kuptuar nisi të konturohej një miniepisod i vogël dhe Bukuria, kështu e quanin vajzën, që e meritonte atë emër, e ndiente se kish zgjuar interesin e grupit të filmit. Por, mbi të gjitha interesin e djalit të ri. Ajo buzëqeshte e ndrojtur dhe ulte përsëri kokën në punën e saj. Xhirimet vijonin me intensitet, por kineastit të ri nuk i shpëtoi pa vënë re se herë pas here sykaltërta bukuroshe i hidhte vjedhurazi ndonjë vështrim. Dhe kjo vajzë që punonte aq bukur me qelqin, dhe në atë kohë shkëlqente nga hijeshia dhe bukuria e moshës , ndoshta ndër vajzat më të bukura të gjimnazit u bë gruaja e jetës së regjisorit. Aty, u panë për herë të parë. Dhe pas asaj njohje të parë ai zbuloi se ishte një vajzë me karakter, e urtë, me shpirt po aq të bukur sa pamja e saj, dhe shumë e sjellshme. Kishte një bukuri mesdhetare. Ndodhi mes tyre tërheqja magnetike. Të dy polet e kundërta u tërhoqën. Mendimi i parë kur një djalë sheh një vajzë i ngacmon instinktet mashkullore është e ta zërë të dashur. U bënë miq, miq të mirë dhe pa dyshim filloi ta brej dëshira për të njohur brenda saj diçka të bukur. Dhe, njohu magjinë e shpirtit të saj. Filmi kaloi mjaft mirë, Gjimnazistët u kënaqën dhe shoqja e tij u bë personazh në film. Dhe ai film që shënoi njohjen e parë serioze të regjisorit u kthye në një nga historitë më të bukura të jetës. Një dashuri e madhe plot trille dhe jetëgjatësi. Një dashuri që i dha jetë krijimit të një familjeje të shëndetshme të historisë shqiptare. Një film, një njohje, një dashuri, një jetë plot kuptim.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :