Data : 11 12 2018
KryeTitujt :

Prozë nga Fejzë Demiri -Vogëlushi im-

22089603_1857341424306805_5631122356212343383_n

 

 

 

 

 

Vogëlushi im  

Vogëlushi im, qëndro në natyrën tënde! Bëhu i ndershëm, i natyrshëm dhe unik! Thjeshtësia është mrekulli. Vogëlushi im, njeriu i thjeshtë e ndërton jetën e vet. Ai nuk ka nevojë për lavdërime dhe nuk krekoset aspak çfarë të tjerët mendojnë për të. Vogëlushi im, dallgët e jetës do të përplasin nga të gjitha anët. Jeta shpesh nis e bukur e mandej ndesh në barriera dhe hidhërime. Por, ti mos u gjunjëzo para asnjë furtune. Mos lejo që jeta t’i cungojë apo t’i shtyjë aspiratat dhe prioritetet tua. Shumë njerëz jetojnë në iluzionet dhe fantazitë që mund të na sjellë e ardhmja, duke e harruar realitetin që mund të ndodh sot. Në realitet, askush nuk ka garanci, askush nuk e di që nesër do të jetë ende në këtë botë. Tash, sot është momenti i vërtetë e vetmja kohë që mund ta kontrollojmë. Vogëlushi im, sytë e huaj do të mundohen të të paraqesin në mijëra mënyra. Ti, në vazhdimësi, shikoje thellë vetën dhe orgjinalitetin tënd. Asnjë të sharë mos e kthe në të njëjtën mënyrë. Brenda vetes fuqizoje të mirën, të bukurën, dashurinë sepse të gjitha në shumëzim largojnë çdo energji të xhelozisë apo urrejtjes. Ne, gjatë jetës, jargavitemi me problemet e të tjerëve, bëmat e të tjerëve, thashethemet e çkado tjetër. Jemi mësuar të shohim vetëm në jashtësi, dhe gjërat nuk i marrim me aq seriozitet dhe shtruar. Kur të kthejmë optikën nga vetvetja do të shohim që thesari i pazbuluar gjendet thellë brenda nesh dhe aty është strukur e gjithë çfarë na duhet. Vogëlushi im, të merremi me ato gjëra që jetën e bëjnë më të bukur, më të dashur dhe më të begatë. Vogëlushi im, jetoje jetën të plotë!

 

 Vogëlushi im (2) 

Vërtet jemi në gjumin e pavetëdijes, duke mos ditur për ekzistimin e inteligjencës dhe mundësive të paskajshmet që ndodhen brenda nesh. Fransis Bekoni, jorastësisht, thoshte: “ Dituria dhe fuqia njerëzore përbëjnë po të njëjtën gjë, sepse mosnjohja e shkaqeve pengon suksesin. Vogëlushi im, pesha e frikës dhe dështimit gjatë objektivit tonë final janë barrë e rëndë që na dërgojnë buzë humnerës, pesimizmit dhe mosarritjes. Ata që nuk kanë ecur nëpër ferra, asnjëherë nuk mund të dalin në dritë! Mbaje drejtimin e duhur, shko atje ku është vizioni yt!

 

 Vogëlushi im (3) 

Jeta nuk është vijë horizontale që përshkon vetëm një rrugë të drejtë. Nuk është as diell e kaltërsi apo ylber shumëngjyrësh. Vogëlushi im, jeta të sulmon në pikën më të dobët, prandaj duhet të jesh shumë i fortë, që t’i përballosh goditjet që jeta t’i sjellë. Të guximshmit nuk njohin fare dorëzim. Ata punojnë gjer në stërmundim që të arrijnë cakun e dëshiruar. E të tjerët, vogëlush, stepën në gjysmën e rrugës. Vitet do të ikin aq shpejt, saqë do të merr malli t’i kthesh, qoftë edhe vetëm për një çast. Do të orvatesh e do të përpëlitesh… por asnjëherë s’mund ta zësh atë që përgjithmonë të ka ikur. Andaj, mos u ndal, ji më i fortë se gjithçka, vogëlush!

 

 Vogëlushi im (4) 

Të gjitha gjërat, me vlerë të lartë, nuk bëhen për egoizëm të ngushtë, por për dashuri të gjerë dhe pa interes. Vogëlushi im, njeriu nuk jeton vetëm. për vete, Nuk punon vetëm për vete, sepse jeta në vetmi është jetë e humbur. Mirësia dhe bujaria është çelësi universal që hap çdo portë. Të jesh mirësjellës do të thotë të jesh human, empatik dhe zemërgjerë. Vogëlushi im, jeta është një udhëtim i gjatë, e jo një qëllim i vogël dhe meskin. Rruga drejt një udhëtimi të gjatë, me përplot sfida e peripeci, na shpie drejt një qëllimi të lartë dhe të palëkundur. Vogëlushi im, jeta zhvillohet në dy pole: pozitiv dhe ai negativ. Ti duhet ta zgjedhësh njërin. Në jetën tënde ti je kompetent, ti je timonieri… Të jetosh në polin e mendimeve negative, do të përballesh gjithnjë me vuajtjen, dëshpërimin, smirën e xhelozinë, kurse në tjetrin është lumturia, paqja, e bukura, e madhërishmja, është dritëjeta. Andaj kij kujdes!

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :