Data : 20 09 2018
KryeTitujt :

Erisa Gina: Skena është vendi që më përket!

Erisa Gina: Skena është vendi që më përket!
INTERVISTA/ Flet primo balerina, Erisa Gina

 

Dëshira për të kërcyer i ka lindur që e vogël, ajo sa herë dëgjonte muzikë kërcente, por që ta ndiqte atë profesionalisht ka qenë një nxitje nga ana e mamasë së saj. Dhe intuita e nënës nuk doli bllof. Erisa, në sajë të punës studimeve, u bë një nga primobalerianet e TKOB.Intervistoi për Albanian Free Press, Albert Z. ZHOLI

 

 

Si i kujton vitet e fëmijërisë dhe si filluat të luanit apo mësonit në këto vite dhe konkretisht ku?

 

 

 

Unë që në moshën 10 vjeçare konkurrova për të hyrë në shkollën e baletit, ku u përzgjodha për të qenë pjesë e saj, pasi, sipas specialistëve, kam pasur të dhëna të jashtëzakonshme. Falë talentit tim, shumë gjera më vinin lehtë, megjithëse duhej dhe një punë e madhe. Unë një pjesë të rëndësishme të fëmijërisë e kam kaluar duke u stërvitur për të realizuar ëndrrën për t’u bërë një balerinë profesioniste.

 

 

 

Cila është pjesa e parë e baletit që keni kërcyer para publikut dhe ku?

 

 

 

Pjesa e parë ka qenë “Franceska da Rimmini” me koreografi të Luan Shtinos. Isha ende në vitin e katërt. Baleti u shfaq në Teatrin e Operës dhe Baletit.

 

 

 

Çfarë emocionesh keni pasur?

 

 

 

Emocionet ishin të mëdha dhe mbaj mend që kisha shumë kurajë në vetvete dhe mezi prisja të dilja në skenë. Impakti i parë me skenën ishte i mrekullueshëm…..sikur çdo gjë që më rrethonte ishe e imja. Ky ishte vendi që më përkiste mua.

 

 

 

 

 

Kur u gjitët në skenë si balerinë profesioniste, çfarë baleti keni interpretuar?

 

 

 

Jam aktivizuar menjëherë në Teatrin e Operës dhe Baletit ku maestro Agron Aliaj vuri re aftësitë e mia te jashtëzakonshme dhe ka krijuar shumë role për mua. Roli i parë ka qenë që në sezonin e parë që unë u futa në teatër dhe ka qenë një pjese me muzikë shqiptare e krijuar nga maestro për mua. Ky ishte fillimi im si balerinë profesioniste.

 

 

Cilat janë disa nga aktivitetet ku ju keni marrë pjesë? Në cilat prej tyre keni marrë vlerësim ?

 

Gjatë karrierës time kam marrë pjesë në shumë aktivitete të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj. Jam vlerësuar nga profesionistë kudo që kam shkuar. Po veçoj çmimin “Kult” ku u shpalla fituese si balerina më e mirë e viti 2008 me baletin “La Sylphide”.

 

 

 

Sa pjesë keni luajtur si soliste në TKOB?

 

 

 

Kam portretizuar mbi 25 role të ndryshme gjatë karrierës time. Mund të veçoj disa nga rolet e repertorit botëror që i kam i kam shumë të përzemërta si Giselle, Niki tek “La Bayadere”, “La Sylphide”, Phrigia te “Spartaku”, Raymonda, Coppelia e shumë e shumë të tjera.

 

 

 

Kur jeni ndjerë më keq në skenë dhe pse?

 

 

 

Në skenë ndihem si në shtëpinë time, por ka edhe episode të ndryshme që i ndodhin artistit, p.sh në rastin tim ishte një arsye e teknikës. Për të qenë më e qartë dritat anësore të kuintave ishin tepër të forta sa mezi gjeja partnerin gjatë ekzekutimit të pjesës.

 

 

Kush janë balerinat dhe balerinët që ju  kanë dhënë ndihmë dhe  i kishit si model në profesion?

 

 

 

Ata që më kanë ndihmuar dhe inspiruar në karrierën time janë ata artistë, pjesë e historisë të Teatrit të Operës edhe Baletit, ku do të veçoja  Mukadez Erebarën,  Luan Shtinon, maestro Agron Aliaj, Leonard Ajkun, një artist i madh i baletit shqiptar ku në veçanti kuptova sfidën e një niveli më të lartë botëror, në aspektin teknik të fjalës dhe gjithashtu atë artistik.

 

 

 

A është e vështirë të jesh sot balerinë?

 

 

 

Të jesh Balerinë gjithmonë ka vështirësi, kështu ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë.

 

 

 

A jeni të paragjykuara nga meshkujt për profesionin që keni?

 

 

 

Nuk kam pyetur ndonjëherë veten kush paragjykon sepse pasioni im për artin nuk ka lënë vend për këto mendime.

 

 

 

A mund të jetohet sot me balet?

 

 

 

Arti i baletit është një profesion si shumë të tjerë dhe si i tillë sigurisht që mund të jetohet. Vlen të them se ne artistët jemi me fat që bëjmë një profesion që e duam e na jep gëzim.

 

 

 

 

 

Në Shqipëri a ka hapësira për këtë profesion?

 

 

 

Hapësirat për këtë profesion janë padyshim në raport me vendin.

 

 

 

Pengu juaj?

 

 

 

Unë jam natyrë optimiste dhe nuk mbaj pengje.

 

 

Marrëdhëniet me paranë si i keni, e ruani apo e shpërdoroni atë?

 

 

 

Jam gjysmë Gjirokastrite me origjinë ha ha ha.

 

 

 

Veshja juaj më e pëlqyer, klasikja apo sportivja? Po minifundet janë pjesë e gardërobës?

 

 

 

Si artiste, shpeshherë, shkoj drejt klasikes por dhe asaj që është më kontemporane. Sigurisht ajo që më pëlqen më tepër nuk është tendenca por uniformiteti dhe thjeshtësia.

 

 

 

Sa kohë i përkushtoni lukut dhe sa shpenzoni në këtë drejtim?

 

 

 

Aq sa është e nevojshme por gjithmonë në vartësi të eventit.

 

 

 

Çfarë mendoni për paragjykimet racore, të gjinisë ose edhe seksuale… keni të tilla?

 

 

 

Kategorizimi  i njerëzve për mua është padyshim një gjë te cilën unë nuk e mendoj. për mua miqtë nuk ndahen në kategori  pavarësisht nga zgjidhjet e tyre personale. Mendoj dhe besoj  qe mungesa me e madhe e civilitetit është emërtimi qe shpesh shoqëria ju jep njerëzve ne përgjithësi.

 

 

 

 

 

Cili është përkufizimi juaj për dashurinë dhe  në çfarë raportesh je me të?

 

 

 

Do ta zbehja fjalën dashuri po ta përkufizoja, di të them që ka qenë padyshim forca e dashurisë që e ka shtyrë njerëzimin të krijoj mrekullira dhe kryevepra botërore.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit