Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Enkelejd Alibeaj:Arta Marku duhej të ishte shkarkuar nga posti i saj. Deklarata e deputetit

Vettingu duhet të kishte “ngelur në klasë” kryeprokuroren e përkoshme Arta Marku, por e kundërta ndodhi pasi kryeministri Edi Rama ka arritur të vërë nën pushtet dhe institucionet e vettingut.

Ky është konkluzioni i Partisë Demokratike, e cila përmes deputetit Enkelejd Alibeaj ka rreshtuar pesë arsye se përse Arta Marku duhej të ishte shkarkuar nga posti i saj.

Deklarata e deputetit Enkelejd Alibeaj në lidhje me vendimin e KPK

Konfirmimi në detyrë i Arta Markut, vegla e Edi Ramës në Krye të Prokurorisë, konfirmon cënimin e besimit të publikut ndaj procesit të Vettingut dhe shembjen e shtyllës kryesore të Reformës në Drejtësi.

Ne e paralajmëruam dje këtë vendim politik të organeve të Vettingut, pavarësisht se Arta Marku duhej të shkarkohej për mospërmbushje të kritereve të integritetit moral e profesional.

Arta Marku duhet të ishte shkarkuar nga detyra për të paktën 5 arsye të forta, të argumentuara me fakte, të pakundërshtueshme.

1) Në 6 muaj në Krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime dhe komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar dhe shkarkuar drejtues prokurorie, në shkelje flagrante me kompetencat e saj ligjore.

2) Duke vepruar si prokurore politike, Arta Marku ka shkelur ligjin duke vendosur prokurorinë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

3) Gjatë ushtrimit të detyrës si prokurore, ka kërkuar mbajtjen në burg të qytetarëve, jashtë kritereve që parashikon ligji.

4) Ka deklaruar ndërtime pa leje, në shkelje me ligjin, dhe pa justifikuar burimin e ligjshëm të financimit.

5) Në cilësinë e Prokurores në Shkodër, mbajti në burg në mënyrë të paligjshme një qytetar për 2 muaj e 13 ditë, duke i hequr lirinë në mënyrë të padrejtë.

Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra.

Por kjo nuk ndodhi, sepse procesi drejtohet nga Edi Rama. Prandaj dhe kushdo që i shërben atij në sistemin e drejtësisë në shërbim të korrupsionit të Qeverisë së tij dhe krimit të organizuar, do ta kalojë vettingun dhe do të qëndrojë në detyrë

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :