Data : 25 05 2018
KryeTitujt :

ELIN PELINI,-NJË MJESHTËR I TREGIMIT TË SHKURTËR

 

 Vasil Premçi

Duke shfrytëzuar rastin për të nënvizuar disa karakteristika të klasikut të letërsisë bullgare, Elin Pelin dhe duke vënë re ngjashmërinë e karaktereve të heronjve të tregimeve, veçanërisht  të fshatarit bullgar me atë shqiptar, po sjell në vemendjen e lexuesit, një anekdotë kuptimplote.

…Tregojnë se, një bullgar  vendosi të ngulte me kokë në mur  një gozhdë. Goditjet ishin aq të forta mbi kokën e gozhdës saqë nga ajo dilnin shkëndija, por  nuk bënte asnjë milimetër përpara. I shqetësuar, bullgari, doli nga ana tjetër e murit për të mësuar objektin që e pengonte majën e gozhdës. Matanë murit një shqiptar kishte mbështetur kokën në mur dhe pinte duhan!

Elin Pelin, lindi në fshatin Bailovo në vitin 1878 në  një familje me shumë fëmijë, në një kohë kur atdheu i tij, Bullgaria, u çlirua nga pushtimi pesë shekullor Osman, të cilit shkrimtari i famshëm bullgar, Ivan Vazov, do t’i kushtonte romanin “Nën zgjedhë”, i cili ushtroi një ndikim gati popullor në jetën politike, artistike dhe sociale të popullit bullgar.

Përzgjedhja e emrit të tij letrar, Elin Pelin, emrin e një bime të hidhur, mjaft të përmendur dhe kënduar në këngët popullore bullgare, por edhe në ato shqiptare, shumë shpejt do ta linte në harresë emrin e tij të vërtetë; Dimitër Ivanov Stojanov. Mos ndoshta, sikurse farmaceutika, nëpërmjet simbolit të helmit të gjarpërit, bazës së ilaçeve shëronjëse, edhe emri i kësaj bime të hidhur do të shndërrohej në një “balsam shëronjës” i pendës së hollë të shkrimtarit të ardhshëm për hallet e popullit?

Sekreti i mjeshtërisë së tij letrare qëndron në përzgjedhjen e tematikës intriguese dhe në shpërfaqjen e karaktereve të rralla; bindës dhe të drejtëpërdrejtë. Në kujtimet e tij Elin Pelini pohon edhe burimin që e ushqeu në fushën e letërsisë:

“Isha në klasën e katërt, kur lexova romanin “Nën zgjedhë” të Ivan Vazov. Në moshën njëzetvjeçare, -pohon ai,- nisa të shkruaj dhe të botoj në gazetat dhe revistat e kohës tregimet e para të shkurtëra.”

Në rininë e tij të hershme Elin Pelini dha mësim në fshatin e tij të lindjes, por në vitin 1903 u shpërngul në Sofje për t’iu përkushtuar punës së shkrimtarit. Gjatë kësaj kohe, ëndrra për t’u bërë një shkrimtar i madh, u shoqërua me përpjekje të jashtëzakonshme nga i riu i  talentuar, të cilit iu desh të përballej me jetën e vështirë, të vishte rrobe dhe këpucë të përdorura, madje deri në rënien të fikët nga varfëria dhe  uria.

Mjaft prej tregimeve të Elin Pelinit karakterizohen nga pasqyrimi i situatave dhe i një sensi të shkëlqyer të humorit, veçori kjo që dëshmon ndikimin e drejtpërdrejtë të shkrimtarit të madh rus Anton Çehov. Humori i Elin Pelinit  nuk merret me përqeshjen e “hundës së shtrëmbët të personazhit”, por “me shpirtin e tij të shtrëmbët”, veset dhe zakonet që i udhëheqin ata në jetën e përditshme.

*  *    *

Kritikja letrare bullgare Iskra Panova nënvizon se, “çdo histori e tregimeve të tij, është vendosur rreth një ngjarjeje të vetme.” Dhe, lexuesit që ka shfletuar disa prej tregimeve të Elin Pelinit, do t’i parakalojnë në kujtesë subjektet e tyre:

Tregimi “Në atë botë”.  “Xha Matejkoja pasi qe kthyer me dru nga pylli, kishte shkarkuar gomarin, e kish lidhur, i kishte hedhur bar, kishte hyrë  në dhomë, ishte ulur pranë zjarrit, kishte ndezur llullën dhe seç e kish ndarë më dysh; ish shtrirë, kish nisur të rënkonte dhe…

I sollën njerëzit vodkë dhe naforë. Ai i mori, vuri buzën në gaz, i ndritën sytë dhe, dha shpirt. Vdiq buzëgaz. Ngaqë shpirti i shkoi drejt e në parajsë, apo ndoshta pse pa rakinë, një zot e di.”

Edhe pse  ky tregim është botuar në vitin 1902, e përshkojnë mjaft nënkuptime për shoqërinë që ëndërronte xha Matejkoja, i cili përfaqëson pa dyshim vetë autorin. Plaku tetëdhjetëvjeçar vdes dhe shkon në botën tjetër. Bash këtu fillon ajo pjesa më artistike e tregimit, sepse nëpërmjet një absurdi, kur plaku niset për të shkuar në ferr, një engjëll e fton ta ndjekë pas për në parajsë. Xha Matejkoja nuk do të shkojë atje, sepse siç thotë edhe vetë në monologun e tij ironik, nuk e meritonte aspak parajsën: “Tetëdhjetë vjet kam mbajtur tërkuzën, si qen jam sfilitur, dhe tani të kërkoj mjaltë?”.

Zhgënjimet dhe ironia e tij nuk ka se si të mos e ngacmojë lexuesin: Jo vetëm lumturia në tokë, por edhe parajsa, nëse do të ketë, nuk është ndërtuar për njerëz të varfër si ai. Xha Matejkoja grindet  me engjëllin kur mëson se  në parajsë nuk kishte ndonjë mejhane për të rrokëllyer ndonjë gotë:

-Eh, këtu qenka njësoj si në burg! S’bëke dot ashtu si ta ka qejfi…

Tregimi “Kthimi në të parë”. Stojçkua dhe nusja e tij e re, Janka, nisen me qerre në të parë te vjehrri Milen. Në mes të pyllit gjenden vetëm dhe bëjnë dashuri ashtu siç ëndërronin prej kohësh.

Tregimi “Andreshkoja”,-është një tregim tipik Çehovjan i E.Pelinit.

“Karrocieri i ri fshikullon kamzhikun në ajër dhe u bërtet kuajve:

-Yaaa! Yahaa, zotërinj!”

Ai bën debat në karrocë me zotërinë që mendon se fshatarët janë dinakë të mëdhenj; duan t’ua hedhin gjyqëtarëve. Andreshkua ia kthen se e bëjnë thjeshtë nga padituria, ndërsa zotëria, pasi e kundërshton një copë herë, mbështillet në qyrkun me lëkurë  ujku (A mund të pengohet aludimi për vetë zotërinë që i ngjan ujkut?). Gjatë rrugës, një dërrasë e shqitur anash karrocës përplasej njësoj duke goditur pa pushim nervat e zotërisë. Ai hapi pak gëzofin prej lëkurë ujku dhe i drejtohet karrocierit:

-Ç’është kjo kllapashkë e tmerrshme, e marrtë djalli e marrtë! Nuk po më lë të qetë!

-Është një dërrasë që përplaset pas karrocës, zotni. Dërrdëllet si njeri me shkollë; as vetë nuk kupton se ç’thotë, as të tjerët nuk e kuptojnë.

Pasqyrimi i shkurtër i jetës dhe veprës së këtij shkrimtari të madh i shkojnë mjaft për shtat fjalët me të cilat ka mbyllur tregimin “Kau plak”:

“Edhe sot e kësaj dite kur shkoj në fshat nuk harroj të përkulem para dy varreve të shtrenjtë: të nënës dhe të Bellços.”

Ja, ky është Elin Pelini, shkrimtari i natyrës së bukur bullgare, i jetës së popullit bullgar, i zogjve këngëtarë, i kaut plak, Bellços, i shelgjeve dhe lejlekëve, shkurt, i gjithçkaje që i jep kuptim  jetës së njeriut. Mund të themi se sekreti i suksesit të Elin Pelinit qëndron tek mënyra e saktë dhe mjeshtërore e vendosjes së çdo fjale. Në asnjë rresht të tregimeve të tij nuk mund të gjesh fjalë dhe jo më pasazhe parazitare, të dhjamosura  dhe të kota. Jo! Tregimet e tij janë ndërtuar me pejza fryme e muskuj. Në ato frymon jeta e vërtetë, e mbushur plot gëzime, harbime, vuajtje e mjerime. Por në ato buis edhe optimizmi dhe dashuria për jetën, thirrja e autorit për të mos u dorëzuar përballë fatkeqësive dhe mjerimit, për të qëndruar në këmbë. Kështu, mund të themi se, përshkrimi i shkurtër i peizazhit plot kolor e vërtetësi, dialogjet  që burojnë nga thellësitë e shpirtërave të personazheve të tregimeve dhe ndërhyrjet me finesë dhe mjeshtëri letrare të autorit, përbëjnë dhe armët e mjeshtrit të tregimit të shkurtër. Njëra prej veprave të tij letrare më të rëndësishme është Gerakët, e cila pasqyron ndryshimet e dhimbshme të jetës së fshatit dhe të fshatarit  bullgar drejt urbanizimit.

Krijimtaria letrare e Elin Pelinit do të shndërrohej në nyjen artistike lidhëse të tre brezave të shkrimatarëve bullgarë të dy shekujve të fundit. Kontributi i tij do të vlerësohej “për sqimën artistike në portretizimin realist të jetës bullgare, si dhe për standartet e larta letrare”. Ndikimi i krijimtarisë së Elin Pelinit gjendet edhe në krijimtarinë më të mirë të letërsisë së sotme moderne bullgare, të Paveli Vezhinovit (1914-1984), Bogomil Rainovit (1919), Jordan Radiçkovit (1929), Viktor Paskovit (1949), etj.

Përvoja personale e jetës, i shërbeu E. Pelinit për skalitjen në mënyrë mjeshtërore të mjaft prej karaktereve të heronjve të tij. Pas çlirimit të Bullgarisë nga pushtimi nazist, ai do të drejtonte Lidhjen e Shkrimtarëve të Bullgarisë. Lexuesi shqiptar e njohu për herë të parë Elin Pelinin në vitin 1961, nëpërmjet vëllimit me tregime “Lajthitje pranverore”. Elin Pelin nuk e ndau penën nga dora deri kur mbylli sytë, në vitin 1949.

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit