Data : 16 10 2018
KryeTitujt :

Ekspertja Jeta Dedja: Lulëzimi i krimit? Jemi marrë me ndëshkimin, jo parandalimin

Ekspertja Jeta Dedja: Lulëzimi i krimit? Jemi marrë me ndëshkimin, jo parandalimin

Ekspertja Jeta Dedja: Lulëzimi i krimit? Jemi marrë me ndëshkimin, jo parandalimin
INTERVISTA/ Flet Jeta Dedja, eksperte e psikologjisë forense: “Ne jemi marrë më tepër me ndëshkimin e krimit. Por në të vërtetë as viktimat e krimeve nuk kënaqen në fund të fundit me ndëshkimin e autorëve. Dhe vetë dënimi, ndëshkimi nuk sjell efektet që ai pritet të sjellë” 

 “E keqja duhet parandaluar, ky do të ishte kompensimi më i mirë për të gjithë ata që kanë qenë viktima të një krimi. Dhe meqenëse kjo tingëllon e pamundur, le të punohet për minimizimin e saj”. Një mesazh të tillë, përcjell përmes një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ekspertja e psikologjisë forense, e asaj që studiohet në rastet e një krimi. Për të cilin ajo shton, se deri tani Shqipëria është marrë kryesisht me ndëshkimin e tij dhe jo parandalimin, prandaj ky vend ka një nivel të shtuar të tij. “E keqja nuk është tek një apo 100 persona të dënuar. E keqja është te sistemi i bërë lëmsh”, argumenton ajo…

 

 

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

Krimi në Shqipëri në 28 vitet e fundit, një fenomen me përmasa të frikshme. Sipas mendimit tuaj, cilët janë faktorët kryesorë të tij tek ne? 

 

Në pyetjen tuaj ka një element që më çon drejt dy përgjigjeve. Ai është termi “vit”. 28 vite janë shumë dhe normalisht do duhet një studim i mirëfilltë për të arritur në përcaktimin e përmasave, apo nëse kemi rritje a ulje të krimit krahasuar me vitet para ’90-ës. Koncepti “krim” është i gjerë dhe krahasimi i gjendjes së kriminalitetit sot me atë të para viteve ‘90 do të kërkonte ekspertizë multidisiplinare. Kini parasysh se në llogari do të përfshiheshin krimet e komunizmit. Pra, unë nuk jam në gjendje të përkufizoj përmasat e këtyre 28 viteve, përsa kohë nuk kam shifra përpara. Megjithatë, sa i përket larmisë së krimeve, mendoj se pas viteve ‘90, krimi ka më shumë ngjyra. Dhe për shkaqet e ekzistencës së këtyre ngjyrave mund të jap disa shpjegime. Sigurisht që faktorët janë shumëplanësh. Ato janë të natyrës individuale, shoqërore, kulturore, ekonomike dhe pashmangshmërisht politike. Por këta faktorë nuk veprojnë më vete. Ata shpesh ngërthehen së bashku në vepra të caktuara penale. Ja për shembull, marrim rastin e vjedhjes, krimi më predominant ndër vite. Një linjë interpretimi është kështu: Pse vjedhin njerëzit? Sepse nuk kanë. Pse nuk kanë? Sepse janë të papunë. Pse janë të papunë? Sepse politikat nuk janë sociale dhe ekonomia ka pësuar rënie. Pse nuk ka rritje ekonomike? Pse politikat nuk janë sociale? Për shkak të korrupsionit, politikave të gabuara.

 

Pse vret dikush? Se të menduarit e tij është kriminal. Pse ka këtë model të të menduarit? Sepse kështu ka zgjedhur, ose kështu është edukuar, ose kështu është ndërtuar. Pse nuk është parandaluar? Sepse është neglizhuar, ose nuk është identifikuar. Pse kështu? Sepse punonjës të korruptuar të shtetit dyshohet të bashkëpunojnë me krimin, sepse autorët shpesh nuk kanë familje apo shoqëri të shëndetshme dhe as sistem të përkujdesjes. Nëse provojmë të analizojmë çdo linjë të mundshme, gjithmonë do përfundojmë te politika dhe individi. Te sistemi dhe njeriu. Është si pula me vezën. Gjithë faktorët e tjerë, (varfëria, psikopatia, stili i jetës, mendësia, dhuna, niveli i ulët, mungesa e besimit te drejtësia, lëvizjet demografike, tranzicionet politike, zhvillimet historike, paaftësitë në komunikim, mangësitë e zhvillimit mendor, diferencat sociale, modelet familjare, drogat, media, interneti, etj) janë aksesorët që plotësojnë tablonë.

 

 

 

Si mund të zvogëlohen veprat kriminale në shoqërinë shqiptare dhe kush ka rol parësor në minimizimin e tij?

 

Nëse forcojmë dy burimet kryesore të kriminalitetit, sistemin dhe individin, do të kemi më pak shkelës ligji. Nëse forcojmë sistemin e rendit publik, nëse rimodelojmë sistemin edukues që për mua duhet ribërë e nëse zhvillohet ekonomia e vendit, hartohen politika sociale, e bëhet drejtësi e barabartë për të gjithë, do të kemi një Shqipëri më me pak krime. Por që të ndodhin këto, në vendin tonë duhet veting gjithëpërfshirës, i shtrirë në të katër pushtetet. Unë mendoj që parandalimi është mjeti më i mirë i luftës ndaj krimit. Ne jemi marrë më tepër me ndëshkimin. Por në të vërtetë, as viktimat e krimeve nuk kënaqen në fund të fundit me ndëshkimin e autorëve. Viktimat dhe familjarët vërtet në fillim kërkojnë dënime maksimale, madje edhe dënime që nuk ekzistojnë në ligj, por në fund fare as dënimi maksimal nuk ua kompenson dëmin e pësuar. Pra dua të them, që dënimi, ndëshkimi nuk sjell efektet që pritet të sjellë. E keqja duhet parandaluar, ky do të ishte kompensimi më i mirë për të gjithë ata që kanë qenë viktima të një krimi. Dhe meqenëse kjo tingëllon e pamundur, le të punohet për minimizimin e saj.

 

Bota duhet të jetë një vend më miqësor për banorët e saj, dhe jo armiqësor. Burgimi ka treguar se nuk i bën njerëzit më pak shkelës të ligjit, përkundrazi i shton dijet për vepra të tjera, pasi i ka ndikuar negativisht në aspekte të tjera të jetës. Flas për burgimin në Shqipëri. Ndëshkimet japin efekte afatshkurtra, ato kurrsesi nuk përmirësojnë individin që dënohet e as vendin nuk e bëjnë më të sigurt. E keqja nuk është tek një apo 100 persona të dënuar. E keqja është te sistemi i bërë lëmsh, i keqndërtuar, me ligje të zbatuara me disa standarde, dhe njerëzit që mbrojnë këtë sistem si dhe ata që nuk e luftojnë dhe e bëjnë sehir sistemin që vetëm në funksion të qytetarëve të tij të ndershëm nuk është. Ka plot strategji, metoda e teknika të parandalimit e reduktimit të krimit, të njohura nga ekspertët e fushës, por që të jenë efikase ato duhet të zbatohen në terrenin bashkëpunues politik, i cili duhet të investohet në këtë fushë, jo vetëm me pajisjet e duhura, por edhe me vullnetin e njerëzve të përshtatshëm.

 

 

 

Krimi shikohet në të gjitha grupmoshat madje edhe tek gratë, por më shumë tek të rinjtë. Kush ndikon në mbizotërimin e krimit tek të rinjtë?

 

Është kollaj të rendis faktorët, që ndikojnë në përfshirjen e të rinjve në sjellje kriminale. Aksesi ndaj drogave, mediaviolenca, pornografia, interneti, dhuna në familja, varfëria, bulizmi, presioni dhe krahasimi social, edukimi i varfër, mungesa e vëmendjes prindërore, çrregullimet psikologjike, problemet e komunikimit, problemet hormonale të moshës, modelet në shoqëri, familje, apo në media, etj. Por sërish do t’u kalonim tangent motiveve të tyre të vërteta se pse kanë kryer një krim. Dikush që kryen një krim, prej kohësh ka qenë vetë viktima e mendësisë së tij të gabuar, e neglizhimit apo izolimit social, e ndëshkimeve familjare apo shkollore, e përçmimeve, injorimeve apo harresës institucionale, e mostrajtimit shëndetësor, e sjelljeve të pakontrolluara, e modeleve ekstreme të prindërimit etj. Pra, unë nuk mendoj se ka një faktor dominant, unë jam për kombinimin e faktorëve në kohë, por që është pavëmendja, indiferenca dhe mosndërmarrja e veprimeve ndihmuese e atyre që janë pranë personave që kryejnë një krim, ajo që përshkallëzon deri në momentin final.

Nga mund të merret eksperiencë prej vendeve perëndimore për masat parandaluese ndaj krimit?

 

Nuk ka nevojë për modele perëndimore, për të ulur kriminalitetin; çdo vend ka specifikat e veta të lidhura më historinë dhe kulturën kombëtare dhe as për ekspertizë të huaj. Shqipëria ka ekspertë dhe njerëz të aftë, si brenda, ashtu edhe në diasporë, prej të cilëve mund të kërkojë ndihmë, mjafton vullneti i atyre që qeverisin. Singapori është vendi me kriminalitetin më të ulët në botë. Dhe është vendi me masa të ashpra penale, ku dënohesh për një çamçakëz, apo për një të pështyrë në rrugë, ku dënimi me vdekje është fakt. Por nuk janë vetëm masat ndëshkuese, ato që e bëjnë Singaporin të parin; është edhe mentaliteti, koncepti për disiplinën, për edukimin, zhvillimi ekonomik dhe kultura kombëtare. Por Shqipëria nuk është Singapor, sepse shqiptarët nuk ngjajnë në mënyrën e të menduarit me aziatikët. Shqiptarët janë shqiptarë, u duhen përshtatur edhe ligjet sipas psikologjisë kombëtare. Në Shqipëri herë pas herë diskutohet për ashpërsim të ligjeve penale, por asnjë nga propozimet nuk është bazuar në një studim shkencor me argumente të qëndrueshme, të kryer jo nga OJF-të që u shërbejnë me zell interesave politike. Si rrjedhojë, vazhdohet të eksperimentohet si me jetën ashtu edhe me vdekjen, derisa të vijë dita kur të bëhet një kor i mirë zërash profesionistësh e të vendosin standarde origjinale e jo imitime të varfra të prezantuara nga papagallë politikë.

OPINIONI

Ende ekziston mendësia që

 

shqiptari është psikologu i vetes

 

 

 

“Psikologu në Shqipëri ende nuk ka fituar pozita të forta e të besueshme, që të arrijë në stadin e psikologut për familje. Ende ekziston mendësia që shqiptari është psikologu i vetes. Psikologu është një ndër aktorët që do të ndihmonte në parandalimin e krimeve, duke e kryer rolin e tij me efikasitet si psikolog forensik, shkollor, apo psikolog në institucione, por nuk besoj se ka një lidhje direkte mes funksionimit të psikologut të familjes dhe uljes së kriminalitetit. Shërbimi psikologjik kushton dhe për sa kohë që treguesit ekonomikë në vendin tonë do të jenë në këto nivele, psikologu i familjes mund të realizohet brenda kuadrit të shërbimeve mjekësore falas ose vullnetare”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :