Data : 25 09 2018
KryeTitujt :

Edi Rama: Prefekti i Kukësit të mos firmosë vendimin

Reagon edhe kryeministria, në lidhje me dekorimin e Gafur Mazrekut, ish- deputetit të PS-së që qëlloi në parlament demokratin Azem Hajdari.

Pasi bashkia e Matit i dha Mazrekut titullin “Qytetar Nderi”, kryeministria shprehet se vetë kryeministri Rama është angazhuar në këtë çështje dhe i kërkon Prefektit të Kukësit të mos e firmosë vendimin.

“Kryeministri Edi Rama shpreh keqardhjen për sulmet e shëmtuara ndaj tij, lidhur me një vendim të Këshillit Bashkiak të Hasit, me të cilin ai jo vetëm s’ka asnjë lidhje, por e konsideron një provokim të papërgjegjshëm, të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar.

Ai bën me dije se i ka kërkuar Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosjes së atij vendimi, ndërkohë që sot në mbledhjen e grupit parlamentar e ka dënuar këtë shfaqje të shëmtuar papërgjegjshmërie të këshilltarëve të Hasit, pavarësisht se në Këshillin Bashkiak të Hasit Partia Socialiste ka vetëm një këshilltar, i cili nuk ka votuar pro vendimit.

Duke i konsideruar akuzat vulgare të Partisë Demokratike, si një shpërdorim politik të radhës së emrit e të kujtimit të Azem Hajdarit, kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se ato s’janë asgjë tjetër veçse ana tjetër e medaljes së këtij episodi të politikës qorre e shurdhe të interesave më të ulëta”, thuhet në reagimin e kryeministrisë.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :