Data : 11 12 2018
KryeTitujt :

E shenjta Nëna Terezë, legjenda shqiptare e humanizmit botëror

 E shenjta Nëna Terezë, legjenda shqiptare e humanizmit botëror

SPECIALE/ E shenjta Nëna Terezë, legjenda shqiptare e humanizmit botëror
21 vjet nga vdekja e murgeshës dhe bamirëses me origjinë shqiptare të njohur në mbarë botën dhe 2 vjet nga kanonizimi i saj si shenjtore nga VatikaniMbi dy dekada që ajo është ndarë nga jeta dhe dy vjet që është shenjtëruar nga Selia e Shenjtë. Nënë Tereza, njeriu që ua dedikoi jetën e saj të varfërve do të shpallej si e shenjtë pikërisht në 5 shtator 2016, ditën që njihet edhe si ajo e vdekjes së saj, plot 21 vite më parë. Dhe kjo pasi Vatikani vlerësoi se nga lutjet e saj u shërua një brazilian, i cili vuante nga tumori në tru, por edhe një femër tjetër që vuante nga tumori në stomak. Një datë e shënuar kjo në fakt, pasi përkon edhe me marrjen e Çmimit Nobel për Paqe prej saj në vitin 1979. Teksa sjellim ndërmend se ajo u lumturua në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II, për ato që u cilësuan si mrekulli të realizuara vetëm nga lutjet e saj. Po kush ishte në të vërtetë Nënë Tereza? Cila ishte jeta e kësaj gruaje të rrallë me gjak shqiptari që u bë e njohur në mbarë botën për mrekullitë e saj dhe dedikimin vetëmohues ndaj të varfërve?Si arriti që të kthehej shqiptarja trupvogël në një legjendë të gjallë dhe me famë të përbotshme?

Përgatiti: Albert Zholi

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës, i cili ishte i pushtuar prej Perandorisë osmane dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi). Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e “Zemrës së Krishtit” nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj. Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë, dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët. Tashmë pas dy vdekjeve, Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu kreu edhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.

Drejt Irlandës

Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Pra, pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12. 09. 28. E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkruaj dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju jap gjithçka që ju dëshiron zemra. Dua t’ju fal gjerat më të përzemërta, Gonxhja”. Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore.

Vendosja në Indi dhe jeta në shërbim të të varfërve

Kur ishte në moshën 19-vjeçare, në vitin 1929, Nënë Tereza udhëtoi për në Indi dhe për vite të tëra dha mësim në Kalkutë, përpara se t’i kushtohej misionit të saj. Nënë Tereza në Kalkuta fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. U quajt “Nënë Tereza e Kalkutës” kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Fama e saj u bë e përbotshme dhe shumë interesante. Ajo ishte si nënë kujdestare e 7.500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Derisa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë. Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në Bose Road, të ndërtuar në një lagje të zhurmshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çajbërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit. Aty,në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, “Shtëpia e Nënës”, pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri, ku shkruante: “Mother Teresa”. Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si: mbretëresha e Britanisë, ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve. Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë.

Nënë Tereza, gjuha shqipe dhe Shqipëria

Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që e bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve. Kur ishte e re jo vetëm ka folur, por ka shkruar edhe poezi në gjuhën shqipe. Për shembull, një poezi e ka shkruar kur ishte 22 vjeçe gjatë rrugës për në Indi. Sot kemi një dëshmi të Nënë Terezës që flet shqip më 1988, në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tri letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Në letrën e të madhes Nëna Terezë dërguar Presidentit te Republikës në vitin 1989, theksohej se: “për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim”, që është edhe një fakt se ajo e konsideronte Shqipërinë atdheun e saj. Më në fund, e para pasaportë (për këtë rast ishte diplomatike) e dhëne për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila e vizitoi Shqipërinë në vitin 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pasaportën shqiptare, ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do te jem vetë aty”. Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi. Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Duke qenë shqiptare, Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, guacka etnike do ta kufizonte. Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve.

Të veçantat e jetës

Në vitin 1982, në kulmin e rrethimit të Bejrutit, Nënë Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital ushtarak duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm ndërmjet ushtrisë Izraelite dhe guerrilëve palestinezë. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq, ajo udhëtoi përmes zonës së luftës deri tek spitali i shkatërruar për të zhvendosur pacientët e rinj. Gjithashtu, ajo i zgjeroi përpjekjet e saj në vendet komuniste që më parë kanë refuzuar misionarët e bamirësisë, duke u përfshirë në shumë projekte. Ajo nuk u tremb nga kritikat për qëndrimin e saj kundër abortit dhe divorcit duke thënë: “Pavarësisht kush thotë çfarë, ti duhet ta pranosh atë me një buzëqeshje dhe të bësh punën tënde”. Ajo vizitoi edhe ish-Republikën sovjetike të Armenisë pas tërmetit të vitit 1988 dhe u takua me Nikolai Ryzhkov, kryetarin e Këshillit të Ministrave. Nënë Tereza udhëtoi gjithashtu për të ndihmuar dhe shërbyer të uriturve në Etiopi,viktimave të rrezatimit në Çernobil, si edhe viktimave të tërmetit në Armeni. Në 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë. Deri në 1996-tën, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamirësia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “më të varfërve nga të varfrit” në 450 qendra në mbarë botën. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm 5 gjuhë: bengalisht, shqip, serbisht, anglisht dhe hindishte.

Misionare e Bamirësisë dhe dëshmia e Bill Klintonit

Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Klinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenare që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Në vitin 1950, ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë, që u shërbejnë tërësisht të varfërve. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Vetëm sipas të dhënave te vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960.000 të sëmure në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3.400 pleq te braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë.

Ndarja nga jeta

Nënë Tereza vuajti një sulm në zemër në vitin 1983, ndërsa vizitonte Papa Gjon Palin II. Pas një sulmi të dytë në 1989, ajo mori një stimulues kardiak artificial. Në 1991, pas një beteje me pneumoninë derisa ishte në Meksikë, ajo vuajti edhe me probleme të tjera të zemrës. Ajo ofroi ta lërë pozicionin e saj si kryetare e Misionareve të Bamirësisë, por motrat e asamblesë, në një votim sekret votuan që ajo të qëndronte. Nënë Tereza pranoi të vazhdonte punën e saj si kryetare e asamblesë. Në prill 1996, ajo u rrëzua dhe theu kockën e qafës. Kurse në gusht, ajo vuajti nga malaria dhe dështimi i barkushes së majtë të zemrës. Ajo pati edhe një operim të zemrës, por ishte e qartë se shëndeti i saj ishte duke rënë. Kryepeshkopi i Kalkutës, Henry Sebastian D’Souza, tha se kishte urdhëruar një prift për të performuar një eksorcizëm mbi Nënë Terezën me lejen e saj kur ajo u shtrua në spital me problem kardiake, sepse mendonte se ajo ishte nën sulmin e djallit. Në 13 mars 1997, ajo la pozitën e kryetares së Misionareve të Bamirësisë dhe vdiq më 5 shtator 1997. Në kohën e vdekjes së saj, Misionaret e Bamirësisë së Nënë Terezës pati mbi 4.000 motra, dhe një vëllazëri prej 300 anëtarësh, duke punuar në 610 misione në 123 vende. Këto përfshinin bujtina dhe shtëpi për njerëzit me HIV/AIDS, me lebrozë dhe tuberkulozë, kuzhina supe, programe këshillimi për fëmijë dhe familje, ndihmës personal, jetimore dhe shkolla. Misionaret e Bamirësisë u ndihmua edhe nga bashkë-punëtorët, të cilët ishin mbi 1 milion deri në vitin 1990. Nënë Tereza u preh në Shën Tomas, Kalkutë për një javë para funeralit të saj, në shtator 1997. Asaj iu dha funeral shtetëror nga qeveria indiane në shenjë falënderimi për shërbimin e saj për të varfrit e të gjitha feve në Indi. Vdekja e saj u vajtua në komunitete laike dhe fetare.

 

EDUKIMI

Mësimet e Nënë Terezës

Nënë Tereza ka shumë për t’u mësuar njerëzve e sidomos kombit të cilit i përket, atij shqiptar. Nuk pati shkruar kurrë mësime, por mësoi me shembuj konkretë dhe thëniet e saj njihen në të gjithë botën.

Ja 31 prej thënieve më të famshme të Nënë Terezës:

1- Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.

2- Ngaqë nuk mund ta shohim Krishtin, nuk mund ta shprehim dashurinë tonë për Të, por fqinjët i shohim gjithmonë, prandaj mund të bëjmë për ta çfarë do të donim ta bënim për Krishtin, nëse do ta shihnim.

3- Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.

4- Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet pa fund.

5- Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.

6- Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.

7- Të gjithë e provojmë në jetë dhimbjen, vetminë. Duhet të kemi guxim e t’i njohim kur vijnë. Të varfrit mund t’i keni edhe në familjen tuaj. Gjejini. Duajini.

8- Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.

9- Të varfrit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë, nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.

10- Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.

11- Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.

12- Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

13- Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.

14- Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.

15- Të varfrit na japin më shumë seç u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet t’u japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata.

16- Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar, që nuk i do njeri, nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.

17- Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.

18- Nuk kam qenë kurrë më parë në një luftë, por kam parë urinë dhe vdekjen. E kam pyetur veten se çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bijtë e Zotit. Pse ata e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj.

19- Zoti do gjejë një person tjetër më fisnik, më të devotshëm, më të përkushtuar ndaj tij dhe shoqëria do vazhdojë.

20- Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e tij.

21- Çfarë mund të bëni për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.

22- Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.

23- Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.

24- Nuk është vetëm një gjë që ju mund ta bëni, nuk mundem as unë të bëj vetëm diçka, kështu që le të bëjmë diçka të bukur së bashku.

25- Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.

26- Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.

27- Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

28- Buzëqeshni njëri-tjetrit. Gruas tuaj, burrit tuaj, fëmijës tuaj – nuk ka rëndësi kujt, kjo ju ndihmon ta rrisni dashurinë për njëri-tjetrin.

29- Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan ne duhet të mësojmë se si të falim.

30- Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit – ata në shtëpi.

31- Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri.

 

Disa nga çmimet dhënë ndaj figurës së saj në vite:

1962 – Çmimi Ramon Magsaysay

1973 – Çmimi Templeton

1978 – Çmimi Balzan

1979 – Çmimi Nobel për Paqe

1980 – Çmimi Bharat Ratna

1985 – Çmimi Medal of Freedom

1996 – Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

1996 – Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :