Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

Duhet veting në Polici

 

policia-tirane

INTERVISTA / Flasin Arben Çuko, Drejtor i Përgjithshëm i  Burgjeve dhe Hilë Lushaku, ish –komandat i RENEA

 

Albert Z. ZHOLI

 

Këto ditë, nga verifikimet e strukturave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve deri tani rezulton që rreth 130 punonjës të burgjeve janë me dënime penale. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po kryen verifikimin e të dhënave penale të të dënuarve të raportuar nga regjistri i gjendjes gjyqësore për të gjithë punonjësit e policisë gjyqësore, në të gjitha nivelet pasi janë bërë shumë shkelje në pranimin në radhët e Policisë..Ky verifikim bazohet në Nenin 17 pika 1/d i Ligjit nr. 10032 “Për Policinë e Burgjeve”, ku shprehimisht thuhet se një nga kriteret e përgjithshme për t’u pranuar në Policinë e Burgjeve është që personi të “mos jetë dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë”. Pas këtyre verifikimeve lind pyetja : A filloi vetingu në Policin e Burgjeve?  A është sot më tepër se kurrë koha për një veting edhe në Policinë e shtetit? Aktulisht është një projektligj për dy formularët që do të plotësojnë 12 mijë policët, ku mes të tjerave do të deklarojnë pasurinë pronat e blera ose të trashëguara, makinat që përdorin dhe paratë që kanë në llogaritë bankare, udhëtimet që kanë kryer jashtë shtetit në 3 vitet e fundit, përfshirë familjarët e tyre. Edhe shkollat private brenda apo jashtë vendit ku kanë arsimuar fëmijët, policët duhet ti specifikojnë në formularin për pasurinë. Duke filluar nga data 1 janar 2012, policët do bëjnë publike nëse kanë biznese apo borxhe ndaj personave të tjerë.  Një tjetër formular i rëndësishëm që do plotësohet nga uniformat blu, është edhe ai për kontrollin e figurës ku do specifikojnë nëse kanë pasur emër tjetër, apo ndonjë nofkë që e kanë thërritur nga personat e tjerë, do tregohen të gjitha adresat e banimit, të dhënat për arsimin si dhe të gjitha punët që kanë kryer nga data 1 janar 2012, nëse janë dënuar ndonjëherë, apo janë ndaluar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Rreth këtyre zhvillimeve për Albanian Free Pres, zhvilluam bisedë me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, z. Arben Çuko dhe ish-komandantin e RENEA, z. Hilë Lushaku.

 

Arben Çuko, Drejtor i Përgjithshëm i  Burgjeve: 130 policë  ishin mobilizuar në mënyrë flagrante, ishin dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë

 

Ju si Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve keni bërë prezent deri tani se rezultojnë rreth 130 punonjës të burgjeve janë me dënime penale. Shtypi foli gjatë dje për këtë problem? A është e vërtetë?

 

Po, mëse e vërtetë. Nga kontrolli i dosjeve të të gjithë efektivit të Policisë së Burgjeve rezultoi  se 130 policë  ishin mobilizuar në mënyrë flagrante dhe në kundërshtim të hapur me ligjin e Policisë së Burgjeve. Një nga pikat e Ligjit thotë sigurt, saktë, qartë: Kur  një qytetar është i dënuar me vendim Gjykate të formës së prerë nuk mund të jesh pjesë përbërëse dhe efektiv i Policisë së Burgjeve, sepse një nga kriteret e përgjithshme ose kriteri bazë për t’u pranuar në Policinë e Burgjeve është që personi të “mos jetë dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë”. Në rastin konkret këta të 130 janë punësuar dhe janë bërë pjesë e Policisë në mënyrë flagrante me ligjin duke e shkelur atë. Në rastin konkret kjo është një shkelje që është bërë duke e nëpërkëmbur ligjin dhe duke dalë mbi ligjin. Se kush dhe si e ka bërë, është çështje tjetër, kryesorja është që tashmë ata janë evidentuar dhe nuk do të jenë pjesë e Policisë së Burgjeve. Mobilizimi në këtë strukturë do të bëhet vetëm në përputhje me ligjin.

 

A kanë kaluar deri më sot në skaner efektivët e policisë shqiptare kur 130 punonjës të burgjeve janë me dënime penale? Sot a është i domosdoshëm një veting i parë në polici?

 

Rasti konkret tregon se nuk kanë kaluar në skaner ose janë anashkaluar ligjet në dëm të strukturës së Policisë së Burgjeve.  Ky është fillimi i Vetingut në Policinë e Burgjeve pasi një nga pikat e vetingut është ky.  Më tej ka dhe hapa të tjerë ku ne tashmë jemi në përgatitjen e një ligji për Drejtorinë e Burgjeve  i cili është bërë gati për miratim, ose më mirë të them se është në fazën përmbyllëse  që ka të bëjë me rekordet gjatë gjithë jetës civile, jo vetëm në Shqipëri por edhe kur kanë banuar ose kanë qenë jashtë Shqipërisë. Besoj se ky ligj plotëson një boshllëk që është shfaqur kohët e fundit dhe kështu bëhet më i plotë, më funksional dhe më praktik. Në këtë mënyrë pastërtia e çdo figure të policit të Burgjeve bëhet më e kontrollueshme, domosdoshmërisht më e pastër dhe më e besueshme.

 

 

II

Hilë Lushaku, specialist  i Policisë, ish –komandat i RENEA: Pas vitit 1990 policë u bënë ata që erdhën nga burgjet

 

A kanë kaluar deri më sot në skaner efektivët e policisë shqiptare kur 130 punonjës të burgjeve janë me dënime penale? Sot a është i domosdoshëm një veting i parë në polici?

 

 

Po shikoj me vëmendje çfarë ndodh me pastërtinë e figurës së policit në tërësi por edhe atë të burgjeve.  Shteti është mbi fusha të minuara dhe duhen marrë në hetim administrativ ose edhe penal ata që kanë përgatitur dosjet e pranimit në punë. Kjo është një katastrofë dhe e papranueshme për një shoqëri demokratike. Sot më tepër se kurrë është

i domosdoshëm një veting për te gjithë administratën e shtetit se ka njerëz të dënuar që punojnë ne inspektorate dhe punë nga më të rëndëishmet, pa diskutuar që janë edhe në radhët e policisë.  Kjo kërkon një punë serioze dhe tepër korrekte jashtë ccdo lloj ndikmi partiak apo fisnor. E them se ishte e papranueshme kjo gjendje në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ku deri tani rezulton që rreth 130 punonjës të burgjeve janë me dënime penale. Nisma duhet përshëndetur dhe duhet vazhduar më tej. Kjo tregon se Drejtoria e Burgjeve e ka nisur rrugën e vetingut në mënyrë korrekte me ligjin dhe seriozisht.

Po më parë a verifikohej figura e policit?

 

Pa mëdyshje madje me verifikim në 7 breza. Por pas vitit 1990 policë u bënë ata që erdhën nga burgjet dhe më pas ata që dinin të vidhnin, të mashtronin, të pasuroheshim me portofol shtetëror, ndërsa të aftit dhe të ndershmit duhej të numëronin pllakat e trotuareve.

 

Hilë Lushaku, ish komandanti i RENEA-as tashmë është bërë një studiues i mirëfilltë i policisë shqiptarë. Pas disa librave të suksesshëm, Lushaku së fundmi ka botuar një libër me jetëshkrimet e drejtorëve të policisë shqiptare që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri sot. Në librin e Lushakut ka shumë të dhëna për secilin drejtor, kohën kur ata drejtuan policinë shqiptare, reformat që ndërmorën, se cili qe fati i tyre. Me interes të madh është ndriçimi i rolit të atdhetarëve: Fehim Mezhgorani-Tepelena, delegat në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, e Veli Vasjarit, Sulejman Kërçikut, e Hamza Isa Isaraj, Hilë Mosit e Ahmet Sinanit, Musa Çelepijes, Qazim Bodinakut, Rrustem Ymerit e më pas edhe të pushkatuarve nga regjimi komunist: Zef Kadarja, Shyqyri Borshi, Gjysh Deda, apo të emigruarve Theodor Stamati e Tahir Kolgjini, e shumë të tjerëve. Autori ka guxuar e ka shkruar me realizëm për secilin protagonist, pa paragjykime, pa anime, duke daltuar mjeshtërisht edhe elementë të spikatur të karaktereve të titullarëve të policisë, pa harruar edhe cilësitë e anët pozitive të secilit. Ai flet për fatin e trishtë të policëve shqiptarë, atakimin e tyre nga politika. Ai thekson se punonjësve të Policisë u bëhen shumë padrejtësi njerëzore, ndryshe nga çdo profesion tjetër.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit