Data : 18 09 2018
KryeTitujt :

Dossier/ Hëna Këlcyra: Pse Enver Hoxha nuk e fali kurrë babain tim

Hëna Këlcyra: Pse Enver Hoxha nuk e fali kurrë babain tim

Hëna Këlcyra: Pse Enver Hoxha nuk e fali kurrë babain tim

INTERVISTË/ Flet e bija e Ali Bej Këlcyrës: “Babai u revoltua ndaj Ismail Qemalit dhe para të gjithëve në konferencë shtypi i tha: “Zotëri, më duket se nuk jeni i mirëinformuar!”. Enveri? Kishte frikë nga aftësitë e babait”

 Takimi me të ishte shumë i çuditshëm. Kishte një energji dhe kujtesë për ta pasur zili, për moshën që mbante mbi supe. Biseda rrodhi në mënyrë krejt të natyrshme dhe zgjati jo pak, por mbi 3 orë, madje ajo donte të vazhdonte ende. Hëna Këlcyra, gjatë kësaj interviste të posaçme për “Albanian Free Press” nuk donte të linte pa prekur asnjë moment nga jeta e babait të saj, Ali Bej Këlcyrës, i njohur si  hero i Luftës së Vlorës, apo një nga krerët e Ballit Kombëtar. Këmbëngulte madje edhe në mënyrë të sertë se Enver Hoxha ia kishte lënë në harresë babanë, edhe pasi ai e kishte ndihmuar në situata të vështira në Francë. “Enveri kishte frikë nga aftësitë e babait, por dhe që ai ishte në dijeni të arsimimit dhe gabimeve në rininë e tij. Enverit nuk i interesonte askush në Shqipëri, që e njihte të kaluarën e tij”, rrëfen ajo. Teksa më këmbëngulje mbron idenë se Ali Bej Këlcyra ishte një patriot i madh dhe një njeri i rrallë …

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 Flitet shumë për prejardhjen e fisit tuaj si një fis i lashtë. Nga është realisht prejardhja juaj dhe ku e bazoni ju deklarimin tuaj?

Siç më kanë treguar të afërmit dhe nga shumë dokumente që ka pasur në sarajet tona,di se origjina e vjetër e familjes Këlcyra, vjen nga familja e Muzakajve. Mbreti i Napolit, në vitin 1272 i kishte njohur Andrea Muzakës titullin “Conte di Clissania”, që i takonte gjeografikisht Grykës së Këlcyrës (‘clausura’ në latinisht do të thotë ‘mbyllje’), ku me kalimin e kohëve, ky emër shndërrohet në “clissura”. Kjo që po them vërtetohet edhe në hartat e vjetra të asaj kohe, ku me ardhjen e pushtimit osman në shekullin e XIV-të, emri i qytetit “Clissura” transformohet edhe një herë në “Këlcyra”. Pushtimi osman solli shumë ndryshime dhe presione fetare, ndaj fisi ynë për të mbijetuar, përshtatet me realitetin e ri dhe e ndërron fenë. Por ndërron edhe emrin e të parit të familjes, nga Teodor Clissura, në Jakup Këlcyra. Për këto, kam dokumente të sakta dhe shumë korrekte.

Po babai juaj, ku ka lindur dhe cili është shkollimi i tij?

Babai im, Ali Këlcyra lindi në Këlcyrë më 28 maj 1891, dhe ishte i biri i Xhelal bej Këlcyrës, nga oxhaku i bejlerëve të Këlcyrës. Babai mësimet e para i merr në vendlindje dhe më pas vazhdon në Turqi liceun “Gallata Saraj” në 1904-ën. Pas 5 vitesh studimi, në vitin 1909 ai merr diplomën e pjekurisë me “Bachalier es-lettres-es sciences” dhe më pas studion në “Mülkiye-i-Sehahané”, shkollë e lartë kjo e shkencave politiko-administrative dhe ekonomike. Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike kthehet në Këlcyrë dhe shpallja e pavarësisë e gjen në atdhe.

Kur dhe si u dogjën Sarajet e fisit Këlcyra?

Kjo ndodhi në vitin 914 kur plasi Lufta e parë Botërore. Në këtë luftë, Këlcyra u pushtua nga grekët dhe ata kërkonin shtëpi dhe strehim për shtabin, por edhe për ushtarët. Vendosën të afrohen në muret e sarajeve. Në këtë kohë gjyshen time, pra nënën e Ali Këlcyrës, e kishin dërguar me xhaxhanë e babait, tek e bija që ishte e martuar me Hasan Bej Biçakun, ndërsa babai me xhaxhain tim me gjendeshin në Këlcyrë. Pikërisht në këto ditë, Muhamet Beut grekët i bëjnë presion që të njohë kufijtë Përmet-Tepelenë si kufiri midis Greqisë dhe Shqipërisë. Pra, tokat shqiptare të Përmetit ti kalonin Greqisë. Ishin kohë shumë të vështira. Muhamet Beu ishte xhaxhai im, një burrë patriot, i cili e kundërshtoi kërkesën e grekëve. Ata e rritën presionin duke i thënë që nëse nuk jep përgjigje për 48 orë që të nënshkruante kërkesën,  do t’ia digjnin sarajet. Por xhaxhai e dha përgjigjen menjëherë duke thënë se “më mjaftojnë katër orë të mobilizoj 118 trima të gardës time për të ruajtur sarajet”. Por grekët ishin të shumtë në numër dhe mundën t’i djegin sarajet tona. Në këtë kohë, populli i thotë babait që “eja me ne të luftojmë grekët”, por babai nuk ishte për këtë punë, deri atë kohë ai ishte marrë vetëm me studime. U thotë atyre që e thirrën, se nuk dinte të përdorte armë. Por përgjigja e popullit të zonës ishte e menjëhershme, se “nuk kemi nevojë të përdorësh armë, të duam si komandat, të na prish, të na udhëzosh, të na mobilizosh, luftën e bëjmë ne”. Në këtë luftë kundër grekëve nisi jeta politike e babait tim, ku mes saj ai u njoh më shumë në popull. Kjo eksperiencë e re bëri që ai më vonë të marrë pjesë edhe në Luftën e Vlorës.

Cili ishte aktiviteti tjetër i Ali Bej Këlcyrës, pikërisht në këto vite? Ka një episod me mbretëreshën Sofi

Në kohën e Princ Vidit, babai ka pritur mbretëreshën Sofi dhe i ka mbajtur asaj një fjalim për gjithë situatën në Shqipërinë e jugut. Fjalimi tij e preku thellë zonjën Sofi. Ky fjalim është diskutuar shumë në rrethet intelektuale shqiptare të kohës, pasi babai ishte shumë orator nga goja. Njëkohësisht, i bëri Mbretëreshës Sofi (bashkëshorte e Mbretit Vied) fjalimin e parë në frëngjisht, meqenëse ajo nuk dinte shqip (1914).

 A e ka takuar ndonjëherë babai Ismail Qemalin dhe çfarë të ka treguar për të?

Babi ka pasur një respekt të jashtëzakonshëm për Ismail Qemalin. Ai e quante burrë shteti. Gjatë ripushtimit të Jugut nga ushtritë greke largohet me muhaxhirët e tjerë në Vlorë. Kur u largua me njerëzit e vet për në Vlorë, pyet dhe kërkon të njihet me Ismail Qemalin. Ishte periudha kur ai bënte çmos të ruante ekuilibrat mes Shqipërisë dhe Greqisë. Atë ditë që mundi të mësonte vendqëndrimin e Ismailit, ai atë ditë po jepte një konferencë për shtyp dhe babai shkon për ta dëgjuar dhe për ta njohur nga afër. E dëgjon me vëmendje. Ismaili ose nuk e njihte situatën në jug, pra në Përmet apo në Sarandë, ose ndoshta për diplomaci, që të mos krijonte terror në popull jep informacione të përgjithshme jo alarmante, pra jo shumë  agresive. Duke e dëgjuar, babai që vinte nga lufta u revoltua dhe në gjuhën frënge i thotë me ton të ashpër: “Zotëri më duket se nuk jeni i mirëinformuar! Unë tani sapo vij nga fronti dhe situata me grekët është krejtësisht tjetër”. Babai foli frëngjisht. Duke mos e njohur kush ishte dhe nga vinte, Ismail Beu i habitur i thotë “për cilën gazetë shkruan”. Pra, mendoi se ishte gazetar, pasi fliste frëngjisht, por edhe sepse fliste i sigurt. Kur babai iu prezantua,Ismaili u çudit dhe e miratoi me kokë. Pyetjet e gazetarëve e bombarduan atë. Situata ishte e rëndë. Babi donte të siguronte me strehim ata që kishte sjellë nga Këlcyra. U largua duke e përshëndetur, por edhe për të mos e takuar më kurrë Ismailin, kryeministrin më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave.

Pas këtij momenti, ku zhvendoset babai?

Pasi qëndroi ca kohë në Vlorë dhe nuk mundi të kthehej në sarajet e djegura, babai lë atdheun dhe vendoset në San Demetrio Korone, tek arbëreshët e Italisë. Në 1915-ën vazhdon studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë, kohë kjo kur përqafon idetë e socialdemokracisë, aty miqësohet me Avni Rustemin dhe shokun e betejave, Stavro Vinjau. Kthehet në atdhe një vit më pas, në 1916-tën dhe bashkë me Themistokli Gërmenjin e të tjerë, ndërmerr nismën e krijimit të çetave kombëtare shqiptare. Në 1918-tën kthehet sërish, shkon në Vlorë, ku në një mbledhje të fshehtë themelohet organizata që u quajt “Mbrojtja Kombëtare”. Komanda italiane e dëbon nga territoret nën administrimin e saj. Komitetet e MK-së kishin tashmë për qëllim organizimin e luftës së armatosur kundër italianëve që ndodheshin këtu për “mbrojtjen” nga ushtritë greke që ishin vendosur rreth kufirit. Në luftën e Vlorës, caktohet të shkojë në Itali, ku futet në bisedime me autoritetet të njohura të vendit për luftën. Në 1920-tën mori pjesë në Luftën e Vlorës, e cila u zhvillua kundër pushtimit italian të Shqipërisë.

A ka marrë pjesë babai juaj në Kongresin e Lushnjës?

Po, babai ka marrë pjesë aktive në Kongresin e Lushnjës dhe  zgjidhet në Kuvendin Kombëtar si deputet i prefekturës së Gjirokastrës dhe qysh në seancën e parë propozon që në apelin e deputetëve të hiqet titulli “bej”. Gjatë viteve 1921-1924, ai zhvilloi një veprimtari aktive në jetën politike të vendit, si deputet i Gjirokastrës. Fushatën e nisi nga fshati Brezhan i Këlcyrës, vend ku shpjegoi për herë të parë se ç’është demokracia dhe pas gjithë fjalimeve, ai pyet pjesëmarrësit se çfarë dëshire konkrete kishin, që ai të mund t’ia paraqiste Parlamentit. Përgjigja ishte “Duam kullota”. Ai u kujtoi të gjithëve se kullotat ishin përballë tyre, por dëgjuesit ia kthyen se bëhej fjalë për pronat e familjes së tij, Këlcyra. Në këtë pikë, babai deklaron: “Nga ky moment, këto kullota bëhen tuajat”. Ai ua fali kullotat e tij fshatarëve të Brezhdanit, pasi si formim politik ishte pro reformës agrare dhe zhvillimit bujqësor të vendit.

Si është historia e lindjes suaj në Paris, pse lindët atje?

Ishte koha e lëvizjes Fanoliste. Ndërsa udhëheqësi kryesor i krahut demokrat, Fan Noli, kishte pozicionin e qendrës së majtë, babai shpalosi programin e qendrës së djathtë. Marrë-dhëniet mes tij dhe Nolit filluan të ftoheshin, për arsye se Noli miratoi për qeverinë që formoi një program krejtësisht të qendrës së majtë. Ky program u bë shkak që Aliu të mos merrte pjesë në qeverinë e qershorit. Shkëputja e tij me Nolin u legalizua me formimin e dy partive paralele; njëra me emrin “Çlirimi Nacional” me kryetar Fan Nolin, me program të qendrës se majtë dhe tjetra “Bashkimi Kombëtar”, me kryetar Sotir Peçin, në cilën u angazhua Ali Këlcyra, me program të qendrës së djathtë. Lëvizja e qershorit shënon mërgimin e parë larg atdheut për 15 vjet, bashkë me nënën time, Hadije hanëm Vrionin, të bijën e Salih pashë Vrionit. Pra, me rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit, babai largohet nga atdheu për në Itali (viti 1925) dhe më pas vijon për në Vjenë, ku qëndron deri në kohën e atentatit që iu bë Mbretit Zog tek opera e qytetit të Austrisë. Pas atentatit, autoritetet ftojnë emigrantët politikë shqiptarë të largohen nga Vjena, gjë e cila e shtyn babanë të ikë drejt Parisit, ku vendoset deri më 1939-tën. Unë linda në Paris, në vitin 1936.

Pra, viti 1925 shënon dhe luftën e hapur të tij ndaj regjimit të Zogut. Si e zhvilloi më pas aktivitetin e tij politiko-patriotik babai juaj? Kur dhe si e dënon në mungesë regjimi?

Aktivitetin e tij politiko-patriotik babai s’e ndërpreu kurrë. Në vitin 1925 themelohet në Bari organizata “Bashkimi Kombëtar” me Sejfi Vllamasin, Qazim Koculin, ku zgjidhet në komitetin drejtues edhe sekretar i saj. Një vit më vonë, gjyqi i hetimeve politike në Tiranë lëshon një “Letër përdhuni” kundër tij për t’u hetuar nën akuzën e “propagandës kundër shtetit, regjimit e kryetarit të Republikës”. Në Fletoren Zyrtare botohet vendimi i dënimit me vdekje dhe i konfiskimit të pasurisë. Në këtë kohë merr titullin Dr. i Shkencave Juridike. Babai qëndroi në radhët e “Bashkimit Kombëtar” deri më 1938-tën, madje u bë motori i tij kryesor. Po atë vit, “Bashkimi Kombëtar” u shpërbë. Gjatë qëndrimit në Paris, babai bën raporte për gjendjen në Shqipëri dhe për politikën profashiste të Mbretit Zog, duke shkruar në të përditshmet “Le Quotidien”, “Le Matin”, “La République” etj. Babai ishte kundër regjimit për mënyrën sesi qeveriste.

Në Paris, thuhet se babai juaj është takuar disa herë me Enver Hoxhën, çfarë dini rreth këtyre takimeve dhe pse më vonë Hoxha nuk i mori parasysh?

Kur babai ishte në Paris, ka takuar të gjithë kundërshtarët e regjimit të Zogut. Konkretisht, mesa më ka thënë babai, ai e kishte takuar Enverin pas viteve ‘1925 dhe deri në fillimin e luftës, plot tre herë. Herën e parë janë takuar kur Enveri erdhi në shtëpi me një kuti me puro për ngushëllim, pasi na vdiq vëllai i babait, Faik Këlcyra. Herën e dytë ka ardhur për lindjen time, si edhe për ditëlindjen time. Nga Faiku, babai kishte mësuar se Enveri kishte një bursë të shtetit, por që nuk i kishte marrë disa provime. Në takimin e tretë, Enveri i thotë se “dua të hyj edhe unë në “Bashkimin Kombëtar”, pasi dhe unë jam kundër Zogut”. Babai u habit dhe e kundërshton, pasi i thotë “ti Enver, si do ta luftosh Zogun, kur ke bursë të mbretit Zog? Të të vijë turp që me paratë e shtetit dëfren, i ke zënë vendin një tjetër studenti e që mund të kishte studiuar me rezultate të mira”. Për më tej, babai i thotë se “edhe nëse do të ishin paratë e babait tënd, duhej të të vinte turp, sepse do të kishte dërguar djersën e tij dhe ti tallesh”. Ndoshta ishin këto vërejtje, ndoshta ishte fakti se babai e njihte mirë rininë e Enver Hoxhës, ndoshta ishin këto kundërshtime të tij, që Enveri nuk ia fali kurrë. Enveri kishte frikë nga aftësitë e babait, por dhe që ai ishte në dijeni të arsimimit dhe gabimeve në rininë e tij. Enverit nuk i interesonte askush në Shqipëri, që e njihte të kaluarën e tij. Mesa kishte parë dhe dëgjuar nga shumë miq të tij, babai thoshte se Enveri është shumë hakmarrës. Kjo u vërtetua qartë më vonë me hakmarrjen e padrejtë ndaj babait tim.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore, kur dhe si kthehet babai në Shqipëri? Si ishte i lidhur ai me situatën dhe si vepronte në lidhje me të?

Dihet tashmë që në regjimin e Zogut, babai nuk mund të kthehej në Shqipëri. Por tashmë, situata kishte ndryshuar. Bota ishte në pritje të një lufte të re botërore. Babai donte të kthehej me çdo kusht në atdhe dhe përpara se të kthehej Shqipëri kontakton me shefin e stafit të kryeministrit francez, Édouard Daladier, që do t’i japin mbështetjen në luftën antifashiste, e cila do vinte. Vendimin për t’u kthyer e mori pasi foli me kolonelin Hill, i cili e këshilloi të kthehej. Madje, ai në një bisedë kokë më kokë i thotë: “E ke luftuar qeverinë mbretërore kaq gjatë dhe nuk ia arrite qëllimit nga jashtë. Rezistenca është e mundur, vetëm nëse ajo bëhet nga brenda. Nëse do të kontribuosh për rezistencë ndaj pushtimit, duhet të kthehesh pranë njerëzve të tu”. Që të kthehej, babait i duhej një pasaportë. Ndërhyrja e autoriteteve franceze pranë ambasadës shqiptare në Paris bëri që më 23 qershor 1939, babait t’i jepej pasaporta me nr. 4897, e lëshuar me 8 prill nga Konsullata e Përgjithshme e Tiranës, në kryeqytetin francez. Me marrjen e pasaportës, babai u pajis me vizën e hyrjes nr. 194, që do ta ndihmonte të kapërcente pa vështirësi pengesat në rrugën e kthimit. Si familje, u nisëm më 27 korrik 1939 dhe pas disa orësh komisari i kufirit italian Chiriaco u kumton organeve kompetente se Ali Këlcyra dhe personat e tjerë të familjes hynë me tren në Itali nga ana e Bardonekias (qendër kufitare e Piemontit me Francën) dhe kolegu i tij i sigurimit të portit, komisar Cucaro, telegrafon se në Brindisi me 2 gusht ai i hipi vaporit “Loredano” dhe u nis drejt Sarandës (Porto Edes). Babai me të mbërritur në Shqipëri shkon pa u ndalur në Këlcyrë, ku qëndroi mes familjarëve e të afërmve për pak kohë. Në atdhe, tetor-dhjetor 1939 krijon me një grup intelektualësh të kohës “Frontin e Rezistencës”, ku Frashëri, Dosti, Tromara dhe ai vetë krijojnë tezat e programit që titullohen “Nacionalizma shqiptare, Balli Kombëtar”. Në janar-shkurt të 1941-tës, pas veprimtarisë së tij dhe kontrollimit që i bëhej korrespondencës së tij, italianët vendojnë të djegin e bastisin pronat e Këlcyrajve. Në shkurt, babai harton një përkujtesë/promemorie ku kërkon një shtet të pavarur shqiptar. Mëkambësia në fund përcaktoi “pozitën” e A. Këlcyrës pas kësaj promemorieje dhe “e sistemoi në mënyrë të përshtatshme”, duke e internuar. I shoqëruar sipas urdhrit të Komandës Eprore të karabinierisë bashkë me familjen, nga një agjent i policisë së sigurimit publik dhe i pajisur me një “Foglio di via obbligatorio”, më 4 prill largohet përsëri nga atdheu për në provincën e Arecos, Itali. Kuestori i Foxhias i kumton prefektit të Arecos dhe ky MI [Ministria e Punëve të Brendshme] se Aliu u vendos në kështjellën e komunës së Kortones. Tre muaj pas internimit të tij u lejuan të vendoseshin në Itali edhe familja e tij. Në Kortona kuvendon me disa njerëz të parisë së Dibrës, prof. Isuf Luzajn i porsasjellë nga Ventotene.

Po me kapitullimin e Greqisë çfarë ndodhi?

Situata ndryshoi menjëherë pas kapitullimi të Greqisë, përballë pushtimit nazist. Kështu, më  23 prill 1941, u shpall amnisti për të internuarit politikë dhe babai më 22 korrik 1941 lirohet dhe me vaporin e linjës Brindisi-Durrës kthehet sërish në atdhe. Në maj të vitit 1942 shtëpinë ku banonte babai në Tiranë, u bë një mbledhje e gjerë nën pretekstin se do të organizonte përkujtimin e vdekjes së xhaxhait, Muhamet (Hilmi) Këlcyrës, ku morën pjesë: M. Frashëri, F. Dibra, K. Tromara, N. Vlora, H. Dosti, F. Quku, I. Luzaj, F. Frashëri, Musine Kokalari, prof. dr. Selman Riza, Lec Kurti, Th. Orollogaj, Lef Nosi dhe A. Këlcyra. Mbledhja vendosi që organizata e Frontit të Rezistencës tani e tutje të thirrej vetëm organizata “Balli Kombëtar” dhe zgjodhi si kryetar Mit’hat Frasherin, një nga figurat karizmatike të patriotizmit shqiptar. Më 1943-tën takohet me gjeneral Dalmazzon, takim nga i cili më 13 mars 1943 do të lindë projekt-protokolli i marrëveshjes për fundin e gjakderdhjes, bashkëfirmosës me Nuri bej Vlorën…

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :